Gjergj Fishta, jeta dhe vepra

Fishta Gjergj Fishta, Giorgio Fishta
Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si Eqrem Çabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Injac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.

Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthënë të veprës fishtiane, Fishta, më shumë se cilido krijues tjetër, i ka dhënë shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lartë deri në vitin 1941 si "poet kombëtar i Shqipërisë" dhe si "Homeri shqiptar", pas vitit 1945 Fishta menjëherë ra në harresë. Edhe vetëm përmendja e emrit të tij, ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati pothuajse gjysmëshekulli. Në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, Fishta cilësohej si zëri i kombit.

Ka studiues që kanë pyetur: a mund ta mbajë epitetin poet kombëtar edhe gjysmëshekulli më vonë?

Shënime mbi jetën

Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo de Martine (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe në Shkodër ku, që fëmijë, u ndikua nga de Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili ia ushqeu këtij djaloshi të zgjuar dashurinë për letërsi dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte 15 vjeç Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t'u bërë prift. Në seminaret dhe në institutet françeskane në Sutjeskë, në Livno dhe në Kreshevë Gjergji studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe serbo-kroatishten. Ai përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (1822-1905) dhe me poetin kroat Silvie Strahimir Kranjçeviq (1865-1908) të cilët ia zgjuan talentin letrar. Më 1894 Fishta u shugurua prift dhe u pranua në urdhrin françeskan. Me t'u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), i cili ishte abat me influencë në Mirditë; me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për ta zgjidhur çështjen shqetësuese të alfabetit të shqipes. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore dhe publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër. Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres ku morën pjesë delegatë nga Shqipëria dhe jashtë saj, vendosi përfundimisht alfabetin e gjuhës shqipe, çështje kjo e studiuar hollësisht nga Fishta. Ai u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej 11 delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Në tetor 1913 Fishta themeloi të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të Luftës së Parë Botërore, të viteve 1915-1920 si dhe të viteve 1925-1929, kjo revistë me ndikim dhe me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, gazetë politike dhe kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e kultus protektorat-it. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), me Ndre Mjedën (1866-1937) dhe me Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej Austro-Hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur lidhur me përdorimin zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve, Komisia vendosi që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjëjës për gjuhën letrare. Fishta shpresonte se koinea shqiptare e veriut do të shërbente si normë letrare për gjithë vendin, ashtu siç kishte shërbyer gjuha e Dantes si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim dhe nga viti 1921 të drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium illyricum (Kolegji ilirian), i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

Në gusht 1919 Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) dhe në këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit - Imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në SHBA për t'u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje Fishta e vizitoi Bostonin, Nju-Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 përfaqësoi Shkodrën në parlamentin e Shqipërisë dhe në gusht të atij viti u zgjodh zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), në Sofje (1931) dhe në Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t'ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, në kishën dhe në kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta merrej me krijimtarinë e vet letrare. Si poet kombëtar i brezit të tij, është nderuar me diploma, me çmime dhe tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit.

Më 1911 Austro-Hungarezët ia dhanë Ritterkreuz-in.
Më 1925, Papa Piu XI e dekoroi me çmimin Al Merito.
Qeveria greke ia dha medaljen prestigjioze Feniks.
Urdhri françeskan e nderoi me titullin Lector jubilatus honoris causae, ndërsa më 1939 u bë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe të Arteve.

Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. U varros në oborrin e kishës së Gjuhadolit.

Nekrologun e varrimit e mbajti veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe personaliteti i arsimit Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe me atë rast Gjergj Fishtën e krahasoi me poetin antik Tirteun...

Pushtetarët e pasluftës, nën akuzën proitalian, i nxorën eshtrat e poetit nga varri dhe urdhëruan hedhjen e tyre në lumin Drin.
Lidhur me "fatin" e eshtrave të poetit, është botuar një shkrim në Gazetën Shqiptare, datë 10 prill 2008 që jepet në vazhdim:

Në Kishën e Fretënve Françeskanë zotëron heshtja këtë mesditë. S'ka kurrfarë lëvizje. Asnjë pipëtime. Zëri ynë kumbon. Hapësira e sallës së madhe plotësohet veç prej stolave të drunjtë, të cilat në kohë meshe me siguri janë të mbushur plot me besimtarë. Është mbresëlënëse arkitektura e kësaj ndërtese. At Vitori, na shoqëron për tek ai vend që shumë kush sot e quan varri simbolik i At Gjergj Fishtës. Ecim drejt tij dhe ndeshim një kryq në mur, një flamur i kuq përbri tij dhe dy pllaka të errëta mermeri në dysheme. "Ky është vorri i Fishtës, - thotë At Vitori, ndërsa na rrëfen historinë e ndërtimit të tij. Historia është e njohur për shumëkënd. Në vitin 1995, aty në atë cep të kishës janë kryer gërmime. Të gjithë e dinin se aty ishte varrosur Fishta, varri i të cilit në vitin 1967 u hap, dhe prej andej u nxorën eshtrat e poetit të madh.
Kjo ngjarje përkonte me kthimin e kishës në kinema për qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi me sulmet e ashpra ndaj çdo subjekti të klerit katolik. Ai që i kishte zhvarrosur eshtrat e poetit në 1967 nuk kishte menduar ta pastronte deri në detajet më të imta varrin. Pjesë të vogla eshtrash dhe dëshmi të tjera kishin mbetur në vend. Në vitin 1995 aty u kryen gërmime, ku u gjendën disa eshtra të poetit. Dëshmi që i kishin rezistuar kohës, janë ende aty poshtë njërës prej pllakave të errëta prej mermeri.

Pjesa tjetër e eshtrave?

Ajo pjesë e historisë është e zotëruar prej hipotezave. Në Gazetë botuam një letër të hapur të studiuesit shkodran, Fritz Radovani, i cili dëshmon mbi një amanet që i kishte lënë në vitin 1980 ish-roja i varrezës së Rëmajt, i quajtur Gjon Gjergji. Në dëshminë e tij, Radovani tregon se si ish-drejtori i Ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema "Punëtori" (ish-Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, i kishte shkruar në shtëpi Gjon Gjergjit një pasdite rreth orës 15:00 dhe pasi e kishte marrë në makinën e tij, ishin drejtuar kah varreza e Rëmajt. Atje, në afërsi të varrit të Motrave Stigmatine, fare branë murit të varrezës pranë një selvie, kishin hapur një gropë të thellë rreth 50-60 cm dhe kishin futur brenda një thes çimentoje me eshtrat e Fishtës. Shyqyri Rrjolli sipas gjasave e kishte kryer këtë veprim në kundërshtim me urdhrin që i kishin dhënë. Ish-roja i varrezës ia ka treguar këtë sekret Fritz Radovanit në vitin 1980, duke iu lutur ta mbante të fshehtë deri kur të vinte momenti i duhur për ta publikuar. Dëshmia e publicistit Radovani u publikua në faqet e "Gazetës Shqiptare". Ishte pikërisht kjo histori që na solli në Shkodër. Jemi fillimisht këtu, në Kishën e Fretënve Françeskanë, sepse këtu nis historia. Nga biblioteka e Françeskanëve kemi marrë procesverbalin e gërmimeve të vitit 1995, ku jepet me hollësi se ç'pjesë të eshtrave kishin mbetur në varrin e Fishtës. Pjesa tjetër, e marrë që aty, nëse nuk janë hedhur në lumin Drin, sikurse është besuar deri më sot, duhet të jetë diku në Shkodër. Sot, një shenjë varri e Fishtës ndodhet në kishën e Fretënve.

Krijimtaria letrare e Fishtës


Fishta është poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, klerik i lartë, politikan. Është autor i gjithsej 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse - siç thonë disa studiues - në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me poemën epike historikeLahuta e malcís, Shkodër 1937.
Vepra e Fishtës në letërsinë dhe në kulturën shqiptare është e shumanshme. Në fushën e letërsisë, ku punoi dyzet vjet, krijoi një vepër të madhe në të gjitha gjinitë. Me Lahutën e Malcis, për të cilën u pagëzua "epiku më i madh i shekullit", e ndërtoi epin shqiptar të shekullit XX.

Edhe pse Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satiriknuk janë më pak të rëndësishme se ato në gjini të tjera. Shumë studiues e vlerësojnë më lart poezinë e tij lirike.

Botimi i parë i Fishtës me poezi lirike, Vjersha të përshpirtshme të kthyeme në shqip, Shkodër 1906, përmbledh krijime me frymëzim katolik. Aty gjejmë përkthime poetësh italianë si Pjetro Metastazio-n (Metastasio, 1698-1782) nga Roma; romancierin e poetin romantik Alesandro Manxoni (Manzoni, 1785-1873) nga Milano; atdhetarin Silvio Peliko (Pelico, 1769-1845) nga Torino; lirikun dhe historianin e letërsisë Xhakomo Xanela (Zanella, 1820-1888) nga Viçenca etj.

Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale u botua me titullin "Pika voëset", Zarë 1909, kushtuar Luigj Gurakuqit (1879-1925).

Në librat me lirika: "Mrizi i zanave" dhe "Vallja e Parizit" paraqiti botën e tij shpirtërore që ushqehej nga dashuria dhe dhimbja për atdheun.

"Mrizi i zanave", Shkodër 1913, përfshin edhe disa poezi fetare nga "Pika voëset". Fryma e përgjithshme që e përshkon këtë përmbledhje është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më fort në botimet e tjera të zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në botimin post mortem më 1941. Poezitë si "Shqypnija", "Gjuha shqype", "Atdheut", "Shqypnija e lirë" dhe "Hymni i flamurit kombtar" shprehin krenarinë e poetit për pavarësinë e atdheut.
Në këtë vëllim janë përfshirë edhe melodrama alegorike "Shqyptari i gjytetnuem" dhe vazhdimi i saj "Shqiptarja e gjytetnueme".
Krahas poezisë me tema atdhetare të përqendruar në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe "Vallja e Parrizit", Shkodër 1925. Poezia e kësaj përmbledhjeje, ndër to vjershat si "Të kryqzuemit", "Të zanun e pafaj të së Lumes Virgjinës Mrì", "Nuncjata" dhe "Sh' Françesku i Asizit", përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.
Fishta ishte edhe mjeshtër i poezisë satirike. I qortoi cenet e sjelljes dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve. Ai nuk e kishte ironinë dashamirëse e këshilluese të Çajupit, por satirën therëse e djegëse, një ekuivalent ky në poezi i prozës satirike therëse të Faik Konicës. Fishta kishte botuar vjersha satirike në revistën Albania të Konicës me pseudonimin Castigat ridendo (qorton duke qeshur).

Më 1907, ai e botoi pa e vënë emrin e vet, përmbledhjen satirike me 67 faqe "Anxat e Parnasit", Sarajevë 1907, e cila i hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga disa kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij.

Me veprat satirike "Anzat e Parnasit" dhe "Gomari i Babatasit" Fishta u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqiptare.
"Anxat e Parnasit", e shkruar më pas "Anzat e Parnasit" me shumë shprehje therëse, por të bukura, u ribotua më 1927, 1928, 1942 dhe 1990. Kjo përmbledhje satirike i solli poetit shumë miq e armiq.
"Gomari i Babatasit" është një tjetër vëllim satiriko-humoristik, i botuar me pseudonimin Gegë-Toska, në kohën kur Fishta qe anëtar i Parlamentit të Shqipërisë. Në këtë vepër që fitoi popullaritet të madh në kohën e vet, autori godet atdhetarët e rremë dhe dembelët.

Përveç melodramave të përmendura më sipër, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër, ndër to edhe përshtatje nga një varg klasikësh të huaj, p.sh. "I ligu për mend", Shkodër 1931, komedi në tre akte e Molierit dhe "Ifigenia n'Aulli", Shkodër 1931 e Euripidit.

Krijimet dramatike

Ndër veprat e tjera dramatike që hartoi apo përshtati janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetare: "Barit e Betlêmìt", pjesë me tre akte për krishtlindjen, "Sh' Françesku i Asisit", Shkodër 1912, tragjedia "Juda Makabé", Shkodër 1923, "Sh' Luigji Gomzaga", Shkodër 1927, dhe "Jerina, ase mbretnesha e luleve", Shkodër 1941.

Fishta ka shkruar ese dhe studime për çështje të kulturës autentike shqiptare dhe për problemet estetike të artit. Në shkrimin "Parathënia e Kanunit të Lek Dukagjinit", bën një tipologji të kulturës shqiptare në gjirin e kulturave të tjera botërore.
Fishta shkroi një tip të veçantë proze, në fillim udhëpërshkruese e më vonë një shkrim dëshmues dhe komentues - eseistik: "Lot gjaku", "Një udhëtim nëpër Shqipëri të re".

Me veprën e tij, himnizonte shqiptarin e përjetshëm duke kritikuar shqiptarin e përditshëm.

Nga Xhelal Zejneli

COMMENTS