Dita e Tokës - Earth Day

Dita e Tokes
Planeti Tokë është shtëpia e vetme e të gjithë krijesave të gjalla, prandaj misioni më i shenjtë dhe më i çmueshëm i njeriut do të ishte ruajta e kësaj shtëpie të përbashkët dhe kujdesi maksimal për të.

Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill në vitin 1970. Në këtë datë 20 milion amerikanë morën pjesë në demostratën mjedisore nga më spektakolaret, që u quajt "Dita e Tokës". Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Tokës ka filluar të celebrohet që prej vitit 2002.

Zanafilla e Ditës së Tokës


Në aspektin global, në fillim të viteve '60, problemet mjedisore ishin shumëfishuar. Ndotja e ajrit kishte marrë përmasa të pandalshme në SHBA, duke stimuluar sëmundje, të cilat shkaktonin vdekje në New York, Los Angelos, etj. Në shumë vende të tjera gazrat e dëmshëm, që çliroheshin nga makinat dhe fabrikat, po e bënin jetën përditë e më të vështirë.

Gjatë një udhëtimi në gusht 1969, senatori i Winsconsin, Gaylord Nelson, vuri re se kolegët e tij kongresmenë ishin shumë pak të interesuar për problemet e mjedisit, krahasuar me komunitetet, të cilët me devotshmëri dhe duke pasur ndihmën e specializuar të studentëve vullnetarë, përpiqeshin të zgjidhnin problemet e ndotjes në komunitetet e tyre.

Në shtator 1969, në një fjalim në Siatëll, Senatori Nelson paraqiti për herë të parë konceptin e Teach-in, e cila u pasqyrua dhe në mediat kryesore si Gazeta "Time", revista "Newsweek" dhe në faqet kryesore të "New York Times". Vetëm disa javë më vonë, ai krijoi një organizatë jopërfituese, jopartizane, të quajtur "Environmental Teach-in".

Qëllimi kryesor i ngritjes së shoqatës ishte "të forcojmë çështjet e mjedisit, nëpërmjet dialogut politik në të gjithë vendin".

Po në dhjetor 1969, Senatori Nelson përzgjodhi një 25-vjeçar për të drejtuar organizatën, Denis Hayes, i cili anulloi planet për vazhdimin e Studimit për Legjislacionin në Universitetin e Hawardit dhe filloi punën për hartimin e planeve për të inaguruar Ditën e Tokës.

Një nga lëvizjet më të zgjuara në strategjinë e Hayes, konsiderohet blerja e një faqeje të "New York Times" në Shkurt 1970, ku u njoftua lajmërimi se në 22 Prill 1970 banorët e të gjitha Shteteve të Bashkuara duhet të demostronin për një mjedis më të pastër. Rreth 20 milion amerikanë morën pjesë në demostratën mjedisore, që u quajt "Dita e Tokës".

COMMENTS