Razma, Razëm

Razma, Razëm Shkodër
Razma është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. Ndodhet në komunën e Shkrelit, Rrethi Malësi e Madhe, në një distance 43 km larg ketij qyteti dhe 65 km larg bregdetit (Velipojë). Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor veror dhe dimëror.

Sipërfaqja totale e Razmës është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave të tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, midis majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine. Relievi i Razmës ndërtohet tërësisht prej shkëmbijve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike të ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshëmrisë së këtyre shkëmbijve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zëjë morfologjia karstike. Ky reliev përfaqësohet nga fushat (Razmës, Troshanit, Fusha e Zezë) në trajtën e gropave, hinkave dhe shpellave karstike ku këto të fundit përbëjnë një objekt turistik me vlerë për eksplorimin e tyre. Gjurmët e vepritmarisë së akujve të kuatërnarit i gjejmë në Fushën e Zezë, atë të Razmës, dhe depozitimeve midis Ramzës e Vrithit. Format më të mprehta të relievit me vlera turistike (alpinizëm, piknikë etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor të Veleçik (1724) - Kunorë (1713) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës (1862) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet impresionuese të ahut dhe të pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit, përmban në vetvete vlera turistike të veçanta. Larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër në këtë zonë, përbën një mundësi të mirë për zhvillim e gjuetisë.

Këtu ka disa eko-sisteme të pa prekura që shihen shumë thjeshtë.

Klima është mesdhetare-kontinentale, me një fluks mjaft të madh ndriçimi me diell, si në Dimër dhe në Verë. Temperaturat në (dimër) minimale zbresin nga minus 2 deri në minus 7 gradë celcius (radhë më poshtë), ndërsa temperaturat në stinën e verës kanë një maksimale prej 18-22 gradësh (ditën), por me një mesatare ditore që nuk i kalon 15-16 gradët, as në muajin korrik. Mesatarja vjetore e rreshjeve është rreth 2100-2200 mm, por me një shpërndarje më të "drejtë" për stinën e verës (Vjetari statistikor, Shkodër 1986, fq.19-30.)

Historikisht kjo zonë ka qënë bjeshka për veriun e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë te qytetit të Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore të Shqipërisë e cila është zbuluar që në shekullin e XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar për bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldaci, austriaku Dofler dhe gjeologu Boran Nopce.

Rreth viteve 1920 filloi të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standarteve të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Për herë të parë gjatë qeverisjes së mbretit Zog.I., mësojmë se rrafshnaltën e Razmës kanë filluar ta frekuentojnë disa "zotni" të Shkodrës, të cilët në vitin 1930 kanë ngritur edhe ndonjë ndërtim shtëpie që përdorej për familjet e tyre për të kaluar verën. Në vitin 1935 qeveria e atëhershme mbretërore vendos që Razmën ta konsiderojnë si pikë turistike për vlerat e saja klimaterike, ku për çdo ndërtim apo investim duhej të merrej leja tek autoritetet shtetërore (Komuna Dedaj dhe Prefektura Shkodër). Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe zona është shfrytëzuar si kamp pushimi veror për punëtorë dhe si pikë ekskursionesh për periudhën dimërore.

Ndër llojet e turizmit që mund të zhvillohen në këtë zonë, përmendim: Turizmi shkencor (gjeografik, turistik, historik, etnografik, biologjik, zologjik, spelologjik,) Turizmi gjeografik me larminë e objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Veleçikut, maja e Kunorës.

Turizmi gjeologjik: Me karakteristikat gjeologjike të kësaj zone mund të themi se depozitimet e ndryshme të mesozoit, të kenozoit dhe në pjesën më të madhe të Kuaternarit si dhe thyerjet tektonike tërthore e afërogjatësore të kësaj zone kanë një interes studimor për studiuesit e kësaj fushe.

Turizmi historik: Popullsia e kësaj zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm si: kundër turqve, serbve, malazezve, etj. Prandaj studimi i historisë së kësaj zone dhe evidentimi i saj kanë një interes shkencor e historik.

Turizmi etnografik: Zona e Razmës ofron vlera të papërsëritshme studimore për etnografët.
Vetë veshja karakteristike e kësaj zone, për burrat këmisha e gjatë me Dallomë (xhamadan prej shajaku) dhe për gratë e vajzat xhubleta 300-vjeçare, vetë karakteristikat e banesave ku ato shquhet për një zgjidhje të thjeshtë dhe drejtim arkitektonik dhe dekorativ të varfër. Ceremoniali i dasmës ku ishte zakon që dhëndërri ditën e dasmes të vishej me rrobat më të vjetra e të shkonte me bagëti ose të fshihej në shtëpinë e ndonjë shoku. Me zbritjen e nuses nga kali i vihej në prehër një djalë i vogël (që nusja të lindte sa më shumë djem) por edhe për ceremonitë e tjera të jetës së përditshme mendojmë se interesi studimor është mjaft i madh, ka traditë këngën me lahutë, atë maja krahu (jehona), ninullat, fyellin.

Turizmi speologjik: Shpella e Majës së Veleçikut, është shpellë e madhe, 28m e thellë vertikalisht, Shpella e Lugjeve në V-L të fshatit të Razmës, e cila ka një zhvillim gjatësor me ngritje prej 10º me gjatësi 79m në fund degëzohet në dy drejtime të ngushta. Ujërat që rrjedhin këtu janë ujëra të pastra, të pijshëm, që formojnë burimet e grykës së Lugjeve mund të vizitohet edhe nga amatorë e vizitorë të thjeshtë.

Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për të apasionuarit pas tij, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër me interes gjuetia në këtë zonë është e përshtatshme. Në këtë zonë më së miri mund të aplikohen edhe sporte të veçanta si gara e shëtitje në kuaj, biçikleta (mountain bike), rrëshqitje në bar për turizmim veror etj. Ndërsa për periudhën dimërore ka mundësi të mëdha për skiim, sidomos në "fushën e zezë" dhe në fushat sportive të Razmës.

Kjo zonë ofron mundësi të ndryshme të zhvillimit të turizmit familjar.

COMMENTS