Vinçenc Prennushi - Fmîja mî vorr të nânes

Vincenc Prennushi - Fmîja mi vorr të nanes
A del për mue prêndvera
A zbadhë për mue mâ dritë
A gzon mâ zêmër e mjera
A por rrí kot tuj pritë?

Çka m' viejnë t' rít t'em e gzimet?
A kam pse e shkoj ket jetë,
Kuer nânës, përkulun dhimet,
Nuk kam si m'ju pershndetë?

O vjeshtë, vjeshtë e shemtueme,
Si m' thave n' ditë mâ të mirë;
Ç'se fike at ditë t' bekueme,
M'mue s'kà kush qi sŷt i prirë.

E lypa kot tu shpija
As lâçë un kênd pa pvetë:
M' kà lodhë, m' ka kputë vetmija:
Po nâna kû do t' jetë?

Nji zâ m'u duk se ndjeva
Qi m' tha: S'e kè n'tokë të mjerë.
Kah' Rrmajt atbotë un ktheva,
E kjava edhe nji herë.

E ai shêj, qi dikush vûni
M' foli e m' dha qindresë:
E zêmërn në vend m'a prûni
Më tha qi t' gjithë do të desë.

- GJETH E LULE, botimi i dytë 1931.

COMMENTS