Shko Meshar - poezi nga Gjosho Vasija


gjosho vasija shko meshar
Në nëntor të vitit 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë, mbërriti në Shqipëri, pas 5 shekujsh, kopja origjinale e librit të parë në gjuhën shqipe "Meshari" të autorit Gjon Buzuku. Për rreth njëzet ditë u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku qindra vizitorë u dynden për ta parë. Më pas u kthye përsëri në Vatikan, aty ku prehej prej shekujsh. Në këtë rast, aktori i madh i humorit, Gjosho Vasija i kushton këto vargje:

Udha e mbarë se t' erdhi ora
me u kthye prap në Vatikan,
ç' po na dridhet zemra e dora
tash që del prej vendit tand...

Nuk ke faj Meshar' i Gjonit
jashtë të nxori historia,
fjalët Tueja si ujë kronit
nuk i donte osmanllia.

E prandej mërgimin ndoqe
dole tej Adriatiku,
me u rradhitë me shokë e shoqe
n' Vatikan ku s' ish rreziku.

Udha e mbarë "Frytmadhi" Gegë,
s' ke ma leje, veç nji muej,
e dij, malli ka me t' djegë
mor për tokë e mal e ujë,
n' pesqind vjet loti t' asht pjekë
tue ndej larg me vllazën Tuej.

Por me shpresë se përmbas sodit
ktu lirija do t' marrë shndet,
kà m'u zbutë kjo qenje e Zotit
e me t' mbajtë në gji të vet...

Udha e mbarë "Libër ngallnjyes",
ke marrë vlerë n' gjithë botën mbarë,
mos harro, kushdo t' pyes
thuej Meshàr, un jam shqiptar.

8 dhjetor 2012

COMMENTS