Bejte dhe humor nga Gjosho Vasija

gjosho vasija dhe zef deda

Bejte dhe humor nga Gjosho Vasija


Gjakmarrja dhe ngujimi, dy të zezat që njeh "trimi"

Lulash Dosa prej Bucakut,
seç ma ka atë tufë mustakut,
q'e ka shtrij per siper gojës
krejtë si sqapi i Marka Ndojës.

Seç po shifet ditë per ditë,
tue e krehë e kashagitë
se vendosë ka sot n' pleqni
me tregue nji t' fortë burrni,
por pa kenë mirë nder mustakë,
as burrnija s'ka nafakë ...

Sot kerkoka me ngrehë lakun
nji gjaksorit me i marrë gjakun,
pra dikund ka çue nji fjalë:

"- Mos mendoni se' u kam falë,!?
Por tashti që vdiç rregjimi
tashti shihni kush asht trimi,
prandej mbylluni në shpij,
per sa keni pleq e fmij,
se do t' marr un hak per gjyshin
që' e pátë vra në dyztedyshin,
e per gjakun e harruem
der t' ju vras, jeni t' ngujuem." -

Tash Lulashi rrin e pret
pale sot kush kryet po'e qet,
e n'sa sillet n'per qytet,
hasë nji shoq që n' vuetje kjenë
t' internuem në Tepelenë ...
Shternguen duer e u qafunë,
e n' bisedë të parë, filluen:

"- Po ti Lulash këndej pari,
pse po u sillke si "gjendari?
Fry e shfry porsi kendezi,
der i zverdhun si kinezi,
i pa rrumë si bubazhel,
dredhë mustakun kaçurrel,
diçka n' sy ti jep e merr
mos ke dalë me ba ndoj sherr?
Un të njof qysh n' Tepelenë
se do punve i ke lujtë fenë?" -

"- Po besa mor Gjosh Vasija,
jam tue pá te ajo shpija
athue kush po ma qet kryet,
se nuk rrij per pa e mbytë,
pa e fergue si puna e mlyshit,
e me'i marrun hakun gjyshit." -

"- Po më thuej çka t' paskan bá
që kerkon gjithë kete hatá?
Kush bre t'keqen ta ka thurë
që po don me'u ba gjaksuer?
Nuk kuptova çka the?... mlyshin?
Dikush don me t' fergue gjyshin?" -

"- Mos u tállë Gjosho me plakun,
kam dalë sot me'i dhanë dajakun,
me allti me ia marrë hakun...
Gjyshi i tyne n' dyztedyshin
na ka vra bre katragjyshin,
e sot dola me marrë hak,
siç na thotë kanuni plak..." -

"- Nisu Lulash shko n' shtëpi
se po bahesh komedi,
len kanunin n' punë të vet,
ai tashma ka mbetë pa shndet
ç'se asht lindë tash njimij vjet,
kur malsija me qytet
kanë qenë krejtë analfabet.
Sot ti Lulash nga "kultura"
po ban krejtë si diktatura
që e vrau shqiptarin mbarë,
padrejtsisht trim e shkollar,
gjithsa patem dhe fetárë,
sepse ishin shtasë nji copet,
ushqye trunin n' bagla lopet...
Pra dhe ti si injorant
arrogant e der pedant,
po kujton se asht e t' vjetrit
me i marrë shpirtin atij tjetrit?
Ndigjo Lulash mendezi,
me pasë pasë ndopak burrni
ti mendue do t' kishe ndrysh,
jo me marrun hak per gjysh,
e per krushk e katragjysh,
por per baben atë burrë t' mirë
që ta vrau partija n' Kir,
komunistat kriminela
me ato hyj neper kapelamadje,
thotë kush pau me sy,
deri arra i thyen mbi krye.
Por ti s'duhet me i marrë gjakun
dhe pse don kanuni hakun,
se n' Shqipni ka hy shkollimi,
asht mbushë truni e arsyetimi,
ka hy shkenca e perparimi,
nuk asht ma shqiptari mlysh,
sot mendimet i ka ndrysh,
per kto punë ka hy drejtsija,
s'ka nevojë ma ç'thotë malsija
jo kanuni, jo majmuni,
e jo huni e tutkuni.
Shpirtin që njeriun gjallon,
vetem Zoti ja dhuron,
vetem Ai ka t' drejtë me e falë
vetem Ai ka t' drejtë me e ndalë,
askush tjeter në kete botë,
jo ma ti njeri i kotë,
rrotë e plotë sa 'i autobotë." -

E Lulashi u nis dalë
sigurisht me bisht nder shalë,
e mustakët gjithë burrni
seç i hypen goj's permbi,
sa që trimi i jonë si "zanë"
që mendoi me trembë dyrnjanë,
má nji fjalë nuk mujt me thanë...

****

Armata e spiujve

Po u tregojsha mbramë fëmijve
se çka ndodhi n' Urë të Thive!...

Nji spiju i armat's shqiptare
që spiunonte edhe pa páre
ngaqë e kish ftyrën zumpare,
kishte ardhë që n' shtatë sahati
e xanë vend n' fund t' nji pallati,
hapë dy veshët si zagar
se diçka liviz n' kat të parë...

"Te kjo shpijë nji mende e ligë
e çon radjon n' Amerikë,
e ma vonë i vijnë do shokë
se çka s'flitet kokë më kokë,
me që sot çdo fjalë që thohet
regjistrohet dhe dorzohet,
kshtu që shoku i Sigurimit
ktò i nisë n' fusha t' vorrimit
ndërsa mu m' jep flet lavdrimit!"

N'sa spiuni po mendon,
edhe gjoja gazetë lexon,
nji voglush n' katin e tretë,
ftyrën zbe e synin fjetë,
me do pshesha te nji safë,
nji tubë çelsa várë në qafë,
nxuer nga fundi i pantallonit
nji vintil, si punë bibronit,
mbasi mirë iu pshtet ballkonit
holli pishin prej vintilit,
aty poshtë në formë t' currilit
edhe fill ai uji i nxehtë
gjysa n' krye, gjysa n' gazetë.

Seç u hodh "djalli" n' hava,
tue vikatë, tue pshtye e shá,
preku kryet, krejt qullinë,
i muer erë, doli urinë,
por mbi t' gjitha kish randsi
se ka pshurrë n' fotografi
dy udhëheqsat dalë n' Rusi
njeni kakë e me mustakë,
tjetri brrakë e nanën shakë.

Seç shpërthej gazi i tre fmijve
për kte ngjarje t' Urës s' Thive,
bile ai ma'i vogli djalë
seç e mbylli me kto fjalë:

"Due ta puthi njatë fëmijnë,
që spiunin dhe partinë
na'i vaditi me urinë!"

****

Oroskopi si Rroskopi

- Dashi (20 Mars - 19 Prill)

Po ndigjo djali 'i Lulashit (Bektashit)
je tue i rá në qafë shoqnisë,
mos mendo se je mish "Dashit"
rreh ma fort nga mishi i dhisë.

- Demi (19 Prill - 20 Maj)

Në ketë botë gjithkush me t' veten,
pra gjithmonë me gjanë e shpisë,
ti si "Dem" mbaje pak vehten
mos trazo "loptë" e kojshisë.

- Binjakët (20 Maj - 21 Qershor)

Fjalë të urtë m' kanë thanë do shokë:
mos e ço nanen n' kojshi,
se ka ndodhë me lindë "Binjokë",
njeni i bardhë e tjetri i zij.

- Gaforrja (21 Qershor - 22 Korrik)

Ju t' Gaforres me 6 kambë
dy me'u thy, prap kceni hop,
kurse mue Zoti m' ka námë,
nji me thy, do t' ci n' shkop.

- Luani (22 Korrik - 22 Gusht)

N' oroskop njihesh "Lua",
por trimninë e ke sa 'i micë,
sa herë don trimní me ba
e han shtjelmin n' mbrapanicë.

- Virgjinesha (22 Gusht - 22 Shtator)

Shej'i im ju ban me qeshë
sa nuk qeshni as n' teater,
n' oroskop jam "Virgjineshë"
un që ndrrova 'i qind e kater.

- Peshorja (22 Shator - 23 Tetor)

Nuk ke "Peshë" ma n' asnji vend,
ke burrni sa e zeza e thonit,
ti din vetem me shitë mend
thue je nipi i Napoleonit.

Ishte dashtë këtij mende lehtit
me i lidhë mbrapa nji teneqe,
që tue krisë per gjatë qytetit
me u dallue per farë e keqe.

- Hagrepi (23 Tetor - 22 Nandor)

Kje e bulur qyshë te djepi,
hyllë u rrite n' duer t' satamë,
n' oroskop quhesh "Hagrepi",
bane Zot me ma ngjitë dhambë.

- Shigjetari (22 Nandor - 20 Dhjetor)

Shum u fryne porsi gjeli
tue shitë mend me oroskop,
"Shigjetar" si Wilhelm Teli,
por shkon shtrembt se je "miop".

- Bricjapi (21 Dhjetor - 20 Kallnor/Janar)

Ti i "Vllaznisë" me atë lloj hapit
porten tande po e shet lirë,
po të kishe brena "Sqapit"
do të ishe mbrojt's i mirë.

- Ujori (20 Kallnor - 19 Frorë/Shkurt)

Si në frorë si në qershorë
mbushim kova n' pusa t' huej,
t' marroftë Zoti ty "Ujorë"
si na i le çesmet pa ujë.

- Peshqit (19 Frorë - 20 Mars)

Ju të "Peshkut" hani peshk,
ka sa t' dushë lundra e Palok's,
sidomos në tavë kam rreshk,
noten dhjetë krapit t' Shirokës.

****

Këshilla dhe bindja

"- Mullizezë mori sojnike
prej zabelit po pse ike?
Aty ishe n' mes t' blerimit,
kudò pate ujë burimit,
deri flladi ardhë prej shpatit
të miklonte n' pupla t' shtatit,
perposhtë teje, n' atë blerojë
vinte qingji të lodrojë,
e ai trumcaku zog beqar,
t' cicirronte tash e parë,
pse e le çerdhen pra ku linde,
çka të shtyni që u binde?" -

"- Un e mjera mullizezë
shum vjet mbeta pa çelë vezë,
se nji gjarpen n' atë zabel,
nji gjaksor e kriminel,
asnji dhimbje per pá njoftë
hynte n' çerdhen time t' ngrohtë,
kapte vezët dy a tri
niste fillë me'i kaperdí...
Der' atë ditë që nji sorkalle
nji mendtake e shpirt-madhe,
sa'e ndigjoi ketë gjamen teme,
pau dhe lot't tue rrjedhë prej peme,
m' dhá nji kshillë t' nji mikes s' vjeter:
"Ik, ban çerdhe n' pyllin tjeter...
Tek ai vend, ku asht qetsija,
ku pá frigë të rriten f'mija,
aty moter asht lirija...
Dhe gjithkush t'a ketë këte bindje
se Lirija asht vend-lindje...
Kur u binda fluturova,
zogjët rrita dhe fitova".

****

Anmiqtë e gjuhës shqipe

Ka rá hana ndër bajama,
t' bijnë e vet po e thrret e ama:

- "Çke moj bij që kjanë e fshanë,
kjanë e fshanë e vetllat vránë?"

- "Kjava e fshava moj lum nana,
se n' Shqipni ka kaq hajvana,
sa drejtora e profesora,
politikë e akademikë
që prap enden me nënbishten,
kur kërkojnë me tallë gegnishten...
Ja për shembull nipi i Rremit,
asht Rashiti i Alidemit,
nji filiz i atij haremit,
ka hy n' shkencë përmes karremit...
Rritë në fshat, diku mbas malit,
gjizë e misër, djalë mbas djalit,
me tri pula e 'i kasollë,
injorant me dy klasë shkollë,
nji qyqár deri në dry,
kurrë asfaltin pá me sy...
Po kur "xhaxhi" qiti zánë,
Proletarë eni n' Tiranë,
u nis Rasha me mend t' trasha,
edhe fill u gjet te "Pasha".
Me'jherë "Pasha" i preu kërthizën,
edhe n' tru ia futi prizën,
ia ngarkoi në zemër mnínë...
"Dhe kur t' bajsh akademinë
me atë mní me e pá gegninë!
Dije mirë - i thotë xhaxh Veri -
se gegnishtja, asht si vneri,
asht rreziku që jep kleri."

Po ti Shiti i Alidemes,
je si ai qeni përfund pemës,
leh sa t' duesh ti m' ata shokë,
por qebesa mbi kët tokë,
kurrë s'mbet shqipja me nji kokë.

Se gegnishten tonë letrare,
Zoti vetë në k'to Altare
e ka vue si gjuhë të parë,
ç'se ka lindë kombi shqiptár.
Kem Buzukun, njat farë zani,
a por Budi e Bogdani,
edhe qinda ka dashtë Zoti,
t' gjithë me vlerë sa Kastrioti.
Ndërsa ju jeni tërthorë,
jeni mjeshtra si gjaksorë,
po n' kulturë jeni kandila,
e do huta'e do trishtila,
jeni t' gjithë Haxhi Qamila...

Ti Rashit shumë simpatik
porsi sorrë e varun n' fik,
por nuk je akademik,
për shqiptarët je anmik,
je vampir antipatik,
për kulturën anemik.

****

Metamorfoza e djallit

- "Hë, Gjosho Vasija, a po m' njeh?"

- "Shih pashë bukën kë po shoh...
posi xhanëm nuk po t' njoh?
Kem pasë shpijat pranë e pranë,
t' kam njoftë babë e t' kam njoftë nanë,
kemë luejtë bashkë në kohë t' f'minis,
masandej në moshë t' rinisë
shpejt u fute n' gji t' partisë,
dhe u bane komunist
si ma i ndezti aktivist,
me nji fjalë të dhanë kulturë
tue vu gur e tue ba murë
me ndërtue at diktaturë"...

- "Çka me bá... Asht mbyllë tash dera,
kanë qenë krejt do kohna tjera".

- "Vërtet kjenë do kohna tjera...
Komunizmi kje kolera,
kje trathtija, vrasja e mnera.
Injoranca deri n' bindje
do e çojmë atdheun në Lindje.
Edhe morët thikat n' dorë,
edhe niset pa hiç zor
me i ra tok's kryq e tërthur
tue shtrij n' popull diktaturë.
N' gjak u mbluene votrat tona,
helm u hodh mbi sofrat tona,
ç'u mbush toka me kufoma,
si e si me urdhën t' shkjaut
me ia nxjerrun shpirtin vllaut...
Sot besoj se kjo doktrinë
si e kalbun, qelbësinë,
duhet vár tek nji vetrinë,
ku sejcili kalimtar
të ndalohet, puna e parë,
e pa zor e pa poterë
do ta pshtyjnë nja 30 herë"!

- "Ke të drejtë, mjerim çdo skaj,
por dhe ne nuk patëm faj...
Fill sa hymë na gjujtën n' rrena,
rrena e rrena, çdo orë rrena
erdh nji ditë e na u mbush ena
që besuem se me t' vërtetë
do t'i japim vendit jetë".

- "Sot ku je, çka je tue bá,
a po merresh me ndoj gjá,
me thye tokë a me prë drù,
ndoj pullaz me rregullue,
me kullotë kund dhen a dhí,
a por ndoshta je ndry n' shpí
fukara me lugë, pa lugë,
se ke zor me dalë në rrugë.
frigë se t' gjujnë fmija me gurë
si pjestar në diktaturë"?

- "Po, diçka kam ardhë vërdallë
mos me mbetë si peshku n'zall...
Shpejt u mblodhem, biseduem,
fillë nga triskat u liruem,
disa i hodhën ndër fekale,
disa i tretën ndër kanale,
se ma ftyra e diktatorit
nuk e dij ku a tretë prej zorit
por mbaj mend i bamun n' copa
copa e copa ku pat gropa.
Masandej si qethën dhentë
edhe ne i qethëm mendt
edhe fill e "no koment"
filluem punën n' Parlament".

- "Komunista në Kuvend?
Ti po rrenë a me gjithë mend!!!
Deputet me hy n' at prak,
ju që'i keni duer't me gjak,
ju bash mjeshtrat e torturës,
baballar't e diktaturës"?

- "Njashtu asht, por kjo spjegohet...
Kur me drù pop'lli nënshtrohet
e me rrena përpunohet,
rrena e rrena e kaçarrena
deri që t'i mbushet ena,
e t'i bahet shqiptar ngratit
jo ma larg se tesha e shtatit,
ajo turmë harron disprimin,
dhe miqësohet me rregjimin,
sa që deri diktatorin
për si babë i rreh krahnorin...
Sot prap jemi të nderuem,
të përshndetun, të trajtuem
kemi prona me 8 kate
e dikush me 12 kate...
Që ta dijsh Gjosho Vasija
asht e thjeshtë këtu historia...
Komunizmi kurr nuk vdes
sa t' kenë bota faqezes,
ai liviz ose ndrron ves,
der' djë lkurë e n' diktaturë
sot me rrogë e me veturë,
der' djë i kuq e sot bojë rozë
me nji fjalë e thanun n' prozë
ajo pëson metamorfozë,
pra nuk vdes, por rrin i gjallë
sepse kemë nji mende djallë,
e nji popull krejt budallë".

- "Kam ba mirë unë si shqiptár
që jam zhdukë si mërgimtár
mos me'i pá má ata vrastárë,
njata qej, njata kusárë"...

****

Ku janë shpresat?

Në nji natë gjithë flakë e breshen,
dy perbindsha seç u ndeshen...

Kuq-kulshedra dhe lugati,
ç'u nderzyen në bigë t' nji fshati,
e s'u pá njiherë sahati,
por kur rrezja i "vikati",
veç at'herë i luejti shtati...

Ma në fund nga k'to stervina,
nga k'to bisha, k'to egersina,
linden mija proletarë,
faqezez, të gjithë shqiptarë,
e tue qenë jashtë çdo kallepi,
seç u ndij nder ne gazepi...

Po ti shohish nga turini,
sa merr buza dhe bulshini,
si perpallë, si n' krah t' profilit,
i afrohen kokodrilit.

Sepse muskujt, pjesë e krimit,
q'i formon pushka e rregjimit,
tregojnë kjartë se k'to rrebela,
janë safì veç kriminela...

Po'i pé mirë te bira e synit,
seç i dridhet nji farë krymbit,
që asht thelbi i karakterit,
krymbalesh me dy flet nderit.

Asht ai krymb nder proletarë,
që jep lajmin tash e parë,
se filani asht reaksionar,
o me vrá a por me e vár.

Se ma thojt, t'a fusin lakun,
kur ia sheh ashtu t' pergjakut,
të stergjatun, të perdredhun,
e kur marrin nga ti t' sjellun,
të hynë friga deri n' palc,
me rá n' tokë, m'u marrë me shkalc...

Mjaft me dijtë se të kujt janë,
lugat babë, kulshedren nanë,
ke me u bindë se nuk asht prrallë,
proletar'i rracës rrallë.

Me që prindi asht kusár,
edhe f'mijtë janë n'atë kulár,
me që prindi asht spiu,
edhe f'mijtë i kanë ngjasue,
me që prindi asht "taliban",
njashtu f'mijtë i ka taman.

Tash mendo këto barbár,
(barabar po'i thé tartár),
u vuen fillë n' sherbim të shkjaut,
me ia nxjerrë germazin vllaut.

Kaq e rrahen këte "tokë" t' mjerë,
çou e rrxou, dimen e verë,
der' që s'pat ma nderë e vlerë,
sa që askush s'dinte me'e njoftë,
a i ka mbetë ndoj pjesë e ngrohtë?

Dhe ma n'fund këto barbar,
(barabar po'i the tartar),
nga që' e pánë se s'ka ma jetë,
seç e ngriten pak perpjetë,
dhe tue'i hjedhë sejcili pshtymen,
në humnerë i dhanë të shtymen.

E ç'u nis "Nanë-madhja" e mjera,
rrokollisë sa merr humnera,
shkoi teposhtë e në fund mbeti,
atje thellë ku lindë termeti,
n' atë errsinë u shtrij e treti,
deri' atë ditë që ndrroj dhe shteti.

.....

Per mbas "Murit të Berlinit",
meturinat e rregjimit,
prá fëmijtë e ba'bs lugat,
dhe t' kulshedres malukat,
qenkan shkrue në Demokrat...

Edhe marrin shtetin n' dorë,
dhe jehonë i bajnë çdo orë,
se ne jemi zot't e Vendit,
që n' Mursì, der n' Bjeshkë t' Kelmendit.

Madje ulë janë në Kuvend,
në Kuvend, por krejtë pa rend,
se shumica ka ndermend,
me i perdredhë diçka k'tij Vend..
Edhe nisin diskutojnë,
bisedojnë, por zanin çojnë
"Sot Shqipninë duhet t'a pshtojmë...

Pra siç jemi, forca burra,
poshtë do zbresim turra-turra,
e t'i thurim Shqipnisë caqe,
e t'a mshtesim neper praqe,
der t'a nxjerrim n' syperfaqe,
dinje mirë, kur t' zbrazim gropen,
fusim n' dorë edhe Europen".

Seç po zbresin "proletarët",
menjifjalë të gjithë kusarët,
don me thanë pra milionarët,
pa lanë jashtë parlamentarët...

"Forca burra jepini,
shtyjeni bre kapeni,
çojeni dhe hipeni,
futeni e ngrijeni".

Por e mjera nanë amtare,
nuk livizë nga vendi fare,
dhe pse'i nxoren para lekun,
dhe pse e tremben me dyfekun,
ajo ndodhet krejtë e mekun,
madje duket si e vdekun...

.....

Qe... Po duket n' grykë të honit,
nji flok bardhë si shkumba e Jonit,
e lëshon nji zá të broshtë,
që po'i jep rrugen teposhtë,
atje thellë e në humnerë,
tue kalue gur e qemerë,
e kur zani n' fund ushtoi,
kokat nalt sejcili çoi...

"Po ndigjoni ju perfundit,
mos të tretni kurrfarë mundit,
se e shkreta "Manushaqe",
nga duert tueja gjithë handraqe,
kurr nuk del në syperfaqe...

Derisa s'njihni ndergjegje,
veç kusar nder njimij tregje,
fanatikë me krye n' "ferexhe",
Derisa, se njihni Zotin,
as mëshirë per kush derdh lotin
ju shqiptarë ju fundi i thesit,
mbytë e zhytë me gjithfarë vesit,
po çka pret Shqipja prej jush?

Per ta nxjerr asht tjeter kush,
jemi ne urtija e vendit,
që n' Morsi der n' Bjeshkë t' Kelmendit.
ndersa ju atje n' errsinë,
brez mbas brezit në greminë.

Dhe pse jemi të nji praku,
të nji gjuhe, të nji gjaku,
kurr njisoj si ju nuk jemi,
kurr nji gja t' perbashkët s'kemi.

COMMENTS