Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 12

Poema Qerbelaja kapitulli 12 - nga Naim Frashëri

Poema Qerbelaja, kapitulli 12 - nga Naim Frashëri


Dielli kish marrë dhenë,
kish dalë disa hostenë,
të-vrarëtë ishin nderë,
vdekja donte dhe të-tjerë,
Vehepi lejënë mori,
dhe u-nis për luft' i-gjori,
ish i-ri e djal' i-mirë,
shpirtin' e kish të-pavdirë,
dhe s' i kish dirsur mustaqja,
i-ndritte si hëna faqja.
E qafoj mëmëz' e-tija
q' i dha durim Perëndija,
ish një plakëzë me besë,
pastë nga Zot' i-math ndjesë,
i tha: Hiq, biro, në luftë,
Zoti djathtazi t' a pruftë,
për-këtë ditë të polla,
këtu për vdekje të solla,
se kush vritet për Hysenë,
ka ndimësë Fatimenë,
ka edhe Zotn' e-vërtetë
afërë në atë jetë,
po të bësh sot trimërinë,
të mirët dotë t' a dinë,
mirësit' e ligësitë
i ndau këtu kjo ditë.
Kshu tha plakëz e-uruar!
Vehepi ish duke shkuar,
e shoqja, q' ish nus' e-rezë,
e pa jetënë të-zezë,
qau e-varfëra grua,
i vanë lottë si krua!
Vehepi n' armikë hyri
pa tremburë syrësh syri,
shturi me fort si më derrë,
shumë dërgoj në skëterrë,
trim me fletë u-rrëfye,
dhe prapë nër shok' u-kthye;
pa u-derth së-rish me shpatë,
armikëvet u dha datë,
ushtërinë gjith' e tundi
ra dhe vetë më së fundi;
gjithë njerëzitë vdesin,
të gjallët veç vdekjes ç' presin?
Armikëtë mi të rrodhë,
kokën j' a pren' edh' e hodhë
s' ëmësë kokën j'a shpunë!
dhe së shoqesë j'a prunë.
Pas ati Ymer-Haliti
dolli e shumë goditi,
ca i dërgoj në skëterrë,
ca me plag' i la të-nderë;
një shigjet' e-shkret' e mori
në ballë dhe ra i-gjori!
Dolli i-biri Haliti,
q' ish djalë trim si hastriti,
dhe lëftoj bukur' e mirë,
pa ra si kishte dëshirë!
Pasdaj Sad' i Hanzalesë
doll' i shoj djajt' e-pabesë;
pasdaj Ymer-Abdullllahu,
si val' e lumit i rrahu;
pas ati dolli Vekasi,
armikëtë gjith' i plasi;
pasdaj dolli Sherih-trimi,
pas ati dolli Myslimi,
pas ati dolli i-biri,
e shumë armikë vdiri.
Këta shum' armikë shtunë,
në skëterrët gjith' i shpunë,
vetë në parajsët vanë,
emërë për jetë lanë.
Del Hilali, burr' i-ndjerë
q' ish trim mi trimat' e-tjerë,
shum' i erdhë luftëtarë,
po të gjith' i shtu të-vrarë,
pasdaj njeri më s' kuxonte,
që t' i dil e të lëftonte;
pa si shqipja u-lëshua,
dh' e bëri gjaknë përrua,
dy-tre-qint ranë të-vrarë
posi duajtë në arë!
po hekuratë j' u-thyen,
dhe j' u-përhapn' e j' u-çqyen,
aher' e mori shigjeta
në sisët me nxit e-shkreta,
dhe ra nga kali pa frymë,
fytyra j' u-bë si brymë!
Abdyrrrrahmani në hekur
ishte veshur si i-tretur,
dhe dolli! pa kur e panë
armikët' Abdyrrrrahmanë,
u-trempn' e u-frikësuan,
u-mahnitn' e u-tmerruan!
Një-nga-një burr' i-vërtetë
vret njëzet e tetë vetë,
me trimëri i shkurtojti,
në skëterrët i dërgojti,
q' ishin të tërë të-parë,
dhe trima e kordhëtarë.
Më pasdaj njeri s' kuxonte,
kundrejt soje të qëndronte,
po shokë shum' u-bashkuan,
dhe gjithë tok e rrethuan!
Ky s' vu re, po u-lëshua,
nga armikëtë s' u ndrua,
kal' i tija fluturonte,
armikëtë i dërmonte!
vret shumë trim' i-vërtetë,
në funt u-vra edhe vetë!
Pas ati Iahja-Myslimi,
p' Abdyrrrrahman-Ymer trimi,
pasdaj Maliq' i Enesit,
q' ishte si yll' i mëngjesit,
pasdaj Ymer-Meto-trimi,
q' e kish zënë si gjëmimi,
këta shum' armikë vranë,
pasdaj n' atë jetë vanë.
Kur një tym e mbuloj dhenë!
u mahnitnë gjithë ç' qenë,
vinte një burr' i-vërtetë
kal' i tij përpinte retë!
qëndroj kundrejt ushtërisë
ajy trim' i Perëndisë,
dhe thirri: o të-pabesë;
q' i vajttë pas Mavijesë.
latë Muhammet-Alinë
harruatë Perëndinë,
ju lëftoni me Hysenë!
përpiqi për Jezit-qenë!
tha dhe u-hoth si hastriti!
qiejtë mbë dhe i xbriti!
kal' i-tija shkrefëtinte!
vet' ajy si Ylli ndrinte!
Ky ish Hashim Atabeja,
q' ish i-fortë si rrufeja,
këto pun' kish dëgjuar,
edhe më s' kishte qëndruar,
po kish dalë nga Qofeja
me nxit shumë si rrufeja,
vdekjen në sy e kish marrë,
nga të liqtë ishte ndarë.
Është turp për kombin t' ënë,
tha, kësish punë të zënë!
e kish kushëri të-parë
këtë, q' erdhi, kordhëtarë,
Ymer-Sadi i-pabesë,
që s' pat njerëzije pjesë
e kish kushëri të-parë
këtë trimnë, kordhëtarë,
se Sadi me Atabenë
të-bijt' e Vekasit qenë.
Hashimit i del Selmani,
dhe Numani e Avdani,
rrahënë, që t' a këthejnë,
po s' mundinë t' a gënjejnë.
Mi ta u-derth Hashim burri,
dhe të dy në dhet i shturi,
pa dy mijë ushëtarë,
më të shumëtë të-parë,
e rrethuanë Hashimnë,
e muarrë në mest trimnë!
Imami nis të vëllanë,
Fadlin, që ngjante më t' anë,
i dërgoj me nëntë vetë
ajy vetë vet' i dhetë.
Nis dhe tri-mijë Ymeri
të-tjerë zëmërë derri.
Papo këta njëmbëdhetë
burra trima të-vërtetë,
me pesë-mijë lëftonin,
e fare nuk i peshonin!
pa le Fadli me Hashimnë,
si e gjeti trimi trimnë,
kursim atje nukë lanë,
të-paudhët gjith' i vranë!
po ata gjithënjë shtohen,
edhe nukë pakësohen,
këta shumë syresh vranë,
pa ranë dh' emërë lanë.
Popo! burrat' e-vërtetë
e lan' Imamnë për jetë!
Aherë një herë thirri
plaku, Habish-Myzahiri,
edhe, lejë duke marrë,
dolli sa mundi më parë,
ishte plak e shum' i-vjetrë,
në vërsët të tij s' kish tjetrë
kur hipi plaku në kalë,
dukej i-ri posi djalë!
u-fut në mest t' ushtërisë,
dhe u thirri parësisë:
ku ësht' Ymeri? le të dalë!
pse fshihet si dhi e-çalë?
mos rri e pshehur si grua,
po të lëftonjë me mua.
Armikëtë gjith' i ranë,
shigjetat sipër' i vanë,
po s' u trëmp fare Habishi
e përsipërë u hipi,
ajy vdekjenë kërkonte
nukë donte më të rronte.
Vrau shumë nga rremeti
dhe vdekjen' atje e gjeti,
ish nisur për atë jetë
plaku, q' ishte i-vërtetë
ra si një valë pej deti,
se më fuqi nuk' i mbeti.
Pasdaj Hamzaj i Harit,
pa i bir' i Muhazhirit
pas ati dolli Enesi,
q' ish i lehtë si këndesi,
pasdaj dolli Abas-Shithi,
Xhafiu e Sejf-Harrithi,
edhe Maliq-Atabeja,
Farisi dhe Hanzaleja,
pasdaj Sadi i Zijadit,
dhe Zibaveja pas Sadit,
pa Ymer' i Zibavesë
vrau gjashtë-dhet' e pesë!
Pa pasaj pesë-mbë-dhetë
shokë burra të-vërtetë
n' ushtërit' të armikut hynë
rremeti s' u trembi synë,
po shumë armikë shtunë
dhe gjaknë më gju e shpunë,
ata sicili nëntë-dhetë,
ra dëshmimëtar edhe vetë!
Më pasdaj Mehmet-Mikdari
dhe Abdyllllah kordhëtari,
dy hynë për një herë,
i bën armikët lëvere
po armikët' i rrethojnë,
pa këtej shok' u dërgojnë,
vate Shithi, Kasji, Sadi,
Ymeri Myslim-Hamadi,
edhe tre shokë të-tjerë,
trim të-vler' e të ndjerë,
për Imam-Hysejn u-vranë
gjaku mbyti Qerbelanë!
nga këta trima, q' u-vranë,
e dëshmimëtarë janë,
pesë-dhet' edhe tre qenë
t' ardhur me Imam-Hysenë
të tjerët gjashtë-mbë-dhetë,
q' ishin njerës të-vërtetë
ndihmës Imamit i erdhë!
për atë Zot gjaknë derdhë!
Lum ata njerës me besë!
q' ua bëri Zoti pjesë,
ranë për një të-vërtetë,
lanë emërë për jetë.
O Shpirtërat' e-uruar!
qofshi për jetë gëzuar.
Mez' i ditës' afërohej,
e të-nxehtitë po shtohej,
zjarr nga qiejtë buronte,
dielli flakë lëshonte,
të-vrarëtë ishin nderë
në shesht si lisat' e prerë!
Zoti yn' ahere mbeti
në mest të ati rremeti
me shokë nëntë-mbë-dhetë!
i njëzetti ishte vetë!
ishin djemt' e një fëmije!
njerëzit e një shtëpije!
po të-tërë shumë trima,
me vështim si vetëtima!
ishin veshurë në hekur,
qenë nisur për të vdekur.
Kush vinte më s' kthehej prapë,
dhe pa uj' e n' atë vapë!
Fëmijëz' e Fatimesë,
q' i fali njeriut shpresë,
të heqë këto mundime,
kaqe shumë hidhërime!
Opopo! Zot' i-vërtetë
pse gjithë kjo breng' e-shkretë,
t' u vinj' atyre mi kokë?
që s' patn' edhe s' kanë shokë.
Mos paç kurrë ndjes e pjesë,
ore komb' i Mavijesë.
Zoti nëm' e mallëkime
të dhënt' e shumë mundime.
Kët' armikëri e çpiku
Mavije-derri, armiku,
pa e shtoj dh' e përsëriti
i bir' i tija Jeziti,
e zu së-pari Syfjani,
e ndezi pasdaj Mervani;
Po bota pas pse u-vanë?
të-drejtënë pse e-lanë?
o lule, moj e-vërtetë,
të mundi gënjeshtr' e shkretë
mundi djalli Perëndinë,
ligësija mirësinë,
Jeziti Imam-Hysenë,
Hindu-shtriga Fatimenë.
Po jo, s' mundet Perëndija
s' dobësohet mirësija,
gënjeshtëra s' bën përpjetë,
e-vërteta ësht' e vërtetë.
Imam-Hysejni dhe sonte
rron si ahere kur rronte,
na ep në shpirtit mëshirë
dhe dëshirë për të-mirë.
Të ngjarët e Qerbelasë
mundim i Ali-Abasë
zëmrën na e ëmblësojnë
vetijën e xbukurojnë,
se një zëmrë, që s' ka qarë
dhe hidhërime s' ka parë
s' e njeh fare njerëzinë,
nuk' e beson Perëndinë.
Kush e mba mënt Qerbelanë
edhe Zotërinjtë t' anë,
kush i do me të-vërtetë,
zëmrën' e ka të qetë,
e nuk është egërsirë,
po i leshtëth e i-mirë,
është mbletëz' e uruar,
s' është grer' e-mallëkuar.
Pse Jezitn' e mallëkojmë?
përse nëmën' i këndojmë?
se ka bërë ligësinë,
e lëftoj me Perëndinë,
hodhi poshtë të vërtetën,
zu të rremenë, të shkretën,
pa atë dhe sot e shajmë,
e Imam-Hysejn' e qajmë,
vështo, e-mira qysh njihet,
e-liga si nukë pshihet.
Kushdo, që bën keq në jetë
ajy është Jeziti vetë;
ajy që bën ligësinë,
nuk është mik me Alinë;
njeriu, q' ësht' i-pabesë,
ka besën' e Mavijesë.
Zoti ynë në ç' helm ishte!
po zëmrënë nuk e prishte,
shokët' e shumë j' u-vranë,
me të pakëtë e lanë!
edhe ata, që po rronin,
ishinë gati të shkonin!
edhe grat' e foshnjërija
liheshin te Perëndija.
Në mest të ati rremeti!
njeri me Perëndi s' gjeti!
Se Jeziti i-pabesë,
i biri i Mavijesë,
e pat prishur njerëzinë,
besë kishin ligësinë;
për të mundur djallëzitë,
për me prurë mirësitë,
për shpëtimt të njerëzisë,
për udhët të Perëndisë,
për fjalëzët të-vërtetë,
për ne, që rrojmë në jetë
Imam-Hysejni 'shtë vrarë,
se kjo luft' andaj ka ngjarë!
U-vra për ndert të njeriut
gjithë fëmij' e Aliut.
O njerëzit' e-vërtetë!
u qofsha falë për jetë!
Derthni lot, ju Shqipëtarë,
q' e njohtë udhën' e mbarë,
ju, që besoni Alinë,
dh' e dini, ç' është, njerinë,
që doni Imam Hysenë,
edhe mëmë Fatimenë.
Imamëtë dy-mbë-dhetë
ç' hoqnë për neve në jetë!
aqë shumë të-këqija
s' i dha robi Perëndija!
Pa kujtoni atë ditë,
sillni nër mënt gjithë zitë;
qysh i psholl' e i rrethuan,
si i vran' e i munduan!
një pik' ujë nuk' u dhanë,
po buzë-pjekur' i lanë!
nuk' u mbet në jetë shpresë
nga ajy komb' i-pabesë!
që u dogji mushkëritë,
pa mejtoni atë ditë,
bini nër mënt Qerbelanë,
ç' hoqnë Zotërinjtë t' anë,
këjo e-madhe myxyrë
në të-këtillë mënyrë
as më pasdaj as më parë,
s' ka e nukë kishte ngjarë.
Po ato gra me sy ç' panë!
pa kujtoni Qerbelanë,
punënë si është bërë
sill-e-ni ndër mënt të-tërë,
për të vdekur djallëzitë
për të ngjallur mirësitë,
ran' ata dëshmimëtarë,
gjithë ç' qenë fis e farë.
Ju, q' Imam-Hisejn' e doni,
mirësitë të kërkoni
të drejtën' e të-vërtetën,
jo mëkatën' e të-metën,
të-ligat më nj' an' i lini,
e faqenë mos e nxini,
se ne Zotërinjtë t' anë
fort bukurë na e ndanë.
Kush të bënjë ligësitë,
s' ka në shpirtit të tij dritë,
papo i ngjan Mavijesë
ajy, që ësht' i-pabesë,
edhe ka jezitërinë
ajo, që bën ligësinë.
Atë mos e bëj në jetë,
që s' do t' a pësonç ti vetë.
Po që doni Perëndinë
edhe Muhammet-Alinë
të jini njerës të mirë,
të mos bëhi egërsirë,
se ajy që do Alinë,
dotë dojë njerëzinë,
ajy, që do Fatimenë,
edhe Hasan' e Hysenë,
kush e njeh Zotn' e vërtetë,
s' bën të këqija në jetë,
kush do Zotërinjtë t' anë,
qëndron n' udhët, që na lanë
kush ka pjesë Perëndije,
heq dorë ç' do ligësije,
në do Hysejn' e Alinë,
e lerë jezitërinë.

vazhdo leximin: [ kap. 13 ]
shko në fillim: [ kap. 1 ]

COMMENTS