Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 14

Naim Frasheri, Poema Qerbelaja

Poema Qerbelaja, kapitulli 14 - nga Naim Frashëri


Imam-Hysejni po rrinte,
derthte lot e psherëtinte,
sa më tepër mejtohej,
zëmëra aq' i lëndohej,
tha: e shkreta e thënë!
ti njeriu s' ja ke dhënë
këtë, që më dhe sot mua!
Oh! njerëzija m'u shua,
një-nga-një i nisa vetë,
i dërgova n' atë jetë,
vallë kaqë kush ka hequr
nga ata, që kanë vdekur,
njeri s' ka hequr sa unë,
më s' është bërë kjo punë.
Zot i-math pse më harrove
vallë teje më mërgove?
Kshu me zëmërë të-qetë
i tha Zotit të-vërtetë.
Po ëngjëll' i-urtësisë
erdhi ng' an' e Perëndisë
i pru ndë zëmrë durime,
j' a bëri nga ç' ish më trime!
Pa jetëzën' e vërtetë,
e-rremja j' u duk e-shkretë,
dheu edhe pun' e tija
edh' e tërë gjithësija,
i erdhë fort të-pështira,
se j' u tfaq ajo m' e mira,
se po rrojtja gjumë quhet;
e vdekja xgjuarje thuhet,
atje kishte Perëndinë,
kishte Muhammet-Alinë
kish Hasan' e Fatimenë,
se po gjithë atje venë.
Ku ngjan jet' e Perëndisë
me jetët të njerëzisë!
ajo jet' ësht' e vërtetë,
ësht' e rreme kjo e-shkretë!
Parasja, kopsht' i-ndrejtuar
për të-mirët është shtruar,
s' ta pret mëndja, si të thuash
me nonj' emrë s' munt t' a quash,
kur të shohç një vënt të-gjerë
një mirësi të-paprerë,
një fat-bardhësi për jetë,
atje dhe Zotth' i-vërtetë,
edhe gjith' ata që vanë,
të-dashurit, që na lanë,
dhe ata, që dotë lemë,
në mos qofshinë të-rremë.
Lum të-mirëtë ku venë!
sa çpërblim nga Zoti gjenë!
M' anët tjatërë skëterra,
mbushurë gjëmba e ferra,
një rripë, një shkretëtirë,
një natë që s' ka të-gdhirë
mjerë të-liqt' atë ditë!
djallë gjejn' e ligësitë,
një të-madhe errësirë,
për ata po s' ka mëshirë,
mundonjësit' i përpshijnë,
edhe në zjart i vërvijnë!
një e-drejt' e nj' e-vërtetë
na nderon në atë jetë.
Për këto të-paka ditë
pse të bëjmë ligësitë?
Zotnë atje kur t' a gjejmë,
nukë mundim t' a gënjejmë;
njeriu kur të gjykohet,
atje shumë turpërohet,
ne na gjykon vetëdija
më parë nga Perëndija.
Dëshmimëtarët, që ranë,
dh' e nderuan Qerbelanë,
gjith' u-kthyenë te Zoti,
s' u munduanë së-koti.
Ata të-mjerët të-tjerë
vinin gjithë në skëterrë!
Tani pa shih, kush fitonte,
edhe cili dëshëronte.
Imam-Hysejni i shihte
me sy punët' e i njihte,
në zëmërët të atija
ishte vetë Perëndija.
Nga djemt' e Aliut pesë,
të-bukurë posi shpesë,
Beqiri, Avni, Ymeri,
Abdullllahu, zëmrë-gjeri,
dhe Osmani, tok i vanë,
Imam-Hysejnit i thanë:
Fal-na lejë dhe uratë,
se të kemi mëm' e atë,
u-nismë për atë jetë,
për te Zotthi i-vërtetë.
Dotë derdhemi të-pesë
mi atë komp të-pabesë,
që s' pat frikë Perëndije,
edhe turp pej njerëzije!
As po sido që të jetë,
mbarohet kjo jet' e shkretë,
neve paskëtaj ç' të presim
sonte këtu dotë vdesim.
Të vëllezërit kshu thanë,
dhe në krahruar i ranë.
Imami u-mallëngjye,
edhe zëmëra j' u çqye.
Ku t' u dërgonj un' i-mjeri,
tha Zot' i-math zëmrë-gjeri,
gjithë shokëtë, që vanë,
s' u kthyenë, po u-vranë.
Kshu tha dh' i puthi në ballë,
u-ndanë që më të gjallë,
më nuk' ishin për të pjekur
se vininë për të vdekur,
m' e-shumë një mijë herë
nga ç' mban njeriu i-mjerë!
O ti! që bëre njerinë,
ç' e mundove ditë-zinë,
pa s' i dhe gjë besa besë!
veç një durim e një shpresë,
nuk' e mar dot vesh si kove,
e të gjorit j' a ngarkove!
t' j' a epnje drurit, e thante!
gur' e drasënë e çante!
Heq njeriu e ka shpresë
që kur lint e gjer të vdesë,
të pes' ata si dragonjtë
ecënin nd' erë mbi thonjtë,
këmb' e krye ishin hekur,
po vininë për të vdekur;
shokë në jet' ata s' kishin
nuk' e di të kujt bij ishin!
Kur vrenjtet' e nxihet moti,
dhe ep shin' e shumë Zoti,
pa gëzon bujkun' e-mjerë,
q' e pret pa durim të bjerë,
nis gjëmim' e vetëtimë,
er' e keq' e kërcëllimë,
dita me natën bashkohet,
papo rrufeja lëshohet,
edh' e përpshin lisn' e-gjatë,
e xhvesh a e bën govatë!
me fuqi të shum' i bije,
më s' e le të bënjë hije,
të ç' lodhetë udhëtari,
a bariu, a pendari,
se pshihetë i-paudhi!
qetohetë si kukudhi,
ndaj s' i le deg' e gujatë
e shtije mbi dhet të-thatë!
Ashtu edhe ata trima
u-dhanë si vetëtima,
posi rrufeja u ranë,
të-tër' ushtërin' e vranë!
Se n' at' ushtëri të-shkretë
kish qëndruar djalli vetë!
nën' atë të keqe hije
rrinje ti djall! o Mavije!
Pa ata të-pesë hynë,
terënë në gjak e mbynë!
Armikëtë gjith' i thyen,
në mijëra cop' i çqyen,
vranë syresh aqe shumë,
sa rrodhi gjaku si lumë;
u lumtë! se ç' u përpoqtë,
ç' kordhë armikut i hoqtë!
u-bë Qerbela e-shkretë
tej-për-tej posi kënetë!
Po djalli ishte i-gjallë!
e kush munt t' a vrasë djallë!
Mijëtë, q' ishin tri-dhjetë,
mbenë vetëm shtat' a tetë,
gjithë në skëterrët vanë,
në mundim e në zjar ranë.
Djemtë të pes' u-përzjenë,
vranë sa muntnë e prenë,
pa në qiej fluturuan,
te Zot' i-vërtetë shkuan.
Ëngjëll' i vdekjes' së-shkretë,
që vjen posi qen' i-qetë
dhe ësht' i-ftohtë si dëborë,
po vij rreth me qeft në dorë
tek rrotullohej së-qeti,
Abas-Alinë e gjeti
e dërgoj Zot' i-vërtetë,
p' ajy s' munt të vinte vetë.
Abas-Aliu i-ndjerë
u-lëshua me një herë,
dh' e qafoj Imam-Hysenë,
vëllezrë të dashur qenë,
të dy ishin mallëngjyer,
zëmrën' e kishin të-thyer,
të-mbëdha myxyra ngjanë,
pa me gashërime qanë,
njëri tjatërin qafuan,
të dy me fort u-pushtuan,
oh! sa ishinë helmuar,
njeri kaqë s' ka pësuar!
se ka qën' e dotë jetë
këjo jet' e-zez' e-shkretë,
kaqe shumë të-këqija
s' ka dhën' e s' ep Perëndija!
p' andaj dhe kaqe keq nderë
s' e ka dhënë më të-tjerë;
sa nder në njerëzi kanë
këta Zotërinjtë t' anë!
Zoti me shum' idhërime
u a dha këto fitime,
Abas-Aliu shpejt hipi
si Ali-Ebutalipi,
edhe po rrinte kaluar
si dragoj i-egërsuar,
gratë gjithë me lot qanë,
dh' e ndaluan' e s' e lanë,
dhe foshnjatë bashkë qanin
ngashërimën dot s' e mbanin.
Oh! të-zezatë gra ç' panë!
të gjith' atë dit e qanë!
ç' helmë kish zëmër' e tyre
q' i duroj kësaj myxyre!
Popo! myxyrat' i dehnin!
pa ëndërra i pandehnin!
fare ishinë helmuar,
dhe djegur' e përvëluar!
Abazi n' atë rrëmujë
pa q' ishin tharë pa ujë,
me vrap rrëmben një pafillë
derdhetë me shumë sillë,
pa u-fut në ushtëresë
në armikët' e pabesë!
Zotërinj! tha, pa dëgjoni,
me ne burratë lëftoni,
po me fëmijënë ç' kini?
të pin' ujë pse s' i lini?
nuk' ishinë myslimanë
prindit' e të-parët t'anë,
po gratë kurrë s' i ngisnin,
me gojë fare s' u flisnin,
në mos kini besën t'uaj
në e njihni për të-huaj,
bëni si prindit, që pattë,
dorënë kshu pse e xgjattë?
Kjo fëmijë, që mundoni,
ësht' e ati, që besoni,
ç' do gjë për faqe e kini,
se ju njerës nukë jini,
Muhammetnë t' a besonit,
fëmijënë s' j'a mundonit,
juve i foli Syfjanit,
dhe Jezitit e Mervanit,
jini njerës të-pabesë,
gjithë djajt' e Mavijesë.
Kshu u tha atyre trimi
me zë të-math si gjëmimi.
Ata s' apëm uj' i thanë,
dhe me shigjeta i ranë.
Ajy më nuk' u-mejtua,
po drejt lumit u-lëshua,
armikëtë gjith' e pshollë,
sa s' kish ku të hithnje mollë.
Pa kur erth u-zëmërua,
e u-bë posi dragua,
kordh e-larë, kur e qiti,
posi moti vetëtiti,
një herë ajy Zot shtinte,
njëzet në vëndit i linte,
nj'a dy a tre qint i shtriti,
n' anët të lumit arriti,
lumi ikënte me valë,
duke thënë shumë fjalë,
ish i-kulluarë shumë
ç' vij bukur' i shkreti lumë,
zajetë dukeshin brënda,
syrit j' a kishte shum' ënda,
ajy vij te mëm' e-tija,
s' dij se ç' bëjnë njerëzija.
Abas-Aliu në lumë
hyn me at' etje të-shumë,
desh t' i ip kalit të-shkretë
ujë, të pinte dhe vetë,
miqt' e tij nër mënt i ranë,
edhe lottë çurk' i vanë,
pafillën mbushi dhe iku,
udhënë j'a pret armiku,
shigjetatë, që i hodhë,
si breshëri sipr' i rrodhë,
posi qentë gjithë lihnin,
njëri tjatërit i ndihnin,
e kë të vriste më parë?
ishin shum' ushtëtarë,
vrau e preu sa mundi,
po u-plagos më së-fundi,
pasdaj të lodhur e gjenë,
së-prapi krahët j'a prenë,
pafillën' e mer nër dhëmbë,
dhe kalën' e nget me këmbë,
e bëri posi m' i-pari,
i ungji Xhafer-Tajari,
një shigjet' e-mallëkuar
pafillenë duke çpuar,
uji rrodhi, pikë s' mbeti,
mirë që s' shtrohu dhe deti.
Ah, o shtrig' o moj e-thënë,
pa nuk' ishte për të qënë.
Abas-Aliu pa shpresë
mbet n' armikët të-pabesë,
uji si lott' e si gjaku
rrodhi, pafillën' e flaku,
mi atë dhe shpirt i-tija
vate drejt te Perëndija,
posi dielli i vate,
kur po perëndon ndaj nate;
retë ndaj deti po ngrihen,
lumënjtë prap' atje shtrihen.
Tanithi me mënt e gjeni,
si gjëndej Imam-Hyseni,
për ata sa keq i-vinte,
veç zëmër' e tij e dinte,
dhe një zëmrë mund t'a dijë,
që ka ng' ajy zjar shkëndijë
pa me gojë nukë thuhet,
e në kartë s' munt të shkruhet.
Tek po qaninë fëmija,
gravet u bij villanija,
një foshnj' ishte duke vdekur,
rrij i-prerëth e i-mekur,
e kisht' e-ëma më sisë
ëngjëllin' e Perëndisë,
Imami, q' e kishte djalë,
duke mar' e duke dalë,
atëth e mbajti nër duar,
e vuri mbi krahëruar,
nër armik' u-afërua,
pa u tha: Mirë me mua,
po me këtë foshnjë ç' kini?
pa ujë përse e lini?
Ky për ujë kur të vdesë,
Zoti juve u fal ndjesë?
dhe këtu dhe nd' atë jetë
na gjykon Zot' i-vërtetë.
Tek u thoshte këto fjalë,
po hiqte i gjori djalë,
një armik heth një shigjetë,
kundrejt Zotit të-vërtetë
e çpoj në gryk Abdullllahnë
dhe Imamit i çpoj krahnë.
Imami i hoq shigjetën,
djalëthi e mbaroj jetën.
Të-mirëtë gjith' u-vranë,
Imam-Hysenë e lanë,
me të dy djemthit' e tija
që j' a fali Perëndija,
më të-math kishte Alinë,
pasdaj Zejnel Abidinë
njër' ish vjetsh dhetë,
tjatëri ish dy-mbë-dhetë.
Imami përdëllen gratë
me fjalë t' ëmbël' e të-gjatë
Zoti që ep mallëngimnë
na dërgon edhe durimnë.

vazhdo leximin: [ kap. 15 ]
shko në fillim: [ kap. 1 ]

COMMENTS