Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 10

naim frasheri qerbelaja

Poema Qerbelaja, kapitulli 10 - nga Naim Frashëri


Zoti ynë me Ymerë
u poqn aty shumë herë,
edhe shumë fjalë thanë,
po punënë nuk'e ndanë,
pasdaj erdhë me Ymerë
dhe shumë shokë të-tjerë,
pa u tha Imam-Hyseni.
Ju zotërinj, si e gjeni?
Unë u them, mos më ngini
në punët t' ime më lini,
të këthehem nga Meqeja,
e të mar nga Medineja,
të rri në punëzët t' ime,
se kam hequr mjaft mundime,
këtu po juve më prutë,
në këto brengë më shtutë;
a në dashçi në Sham vemi,
se frikë nga njeri s' kemi,
pa të shoh, ç' thotë Jeziti
kjo madhëri nga i xbriti,
po në Qofe këtë herë
s' vete, se ësht' e-përzjerë.
Ju punën tuaj vështoni
edhe bëni si të doni,
e cilënë të pëlqeni.
Kshu u tha Imam-Hyseni.
Ata, fare mirë, thanë
fjalënë këtu e lanë,
Ybejdullllahut i shkruan,
këto gjithë j'a treguan.
Po Ybejdi, derr'i derrit,
i përgjigjetë Ymerit,
i thotë: Ju mos mënoni,
Imam-Hysenit i thoni
Jezitnë për mbret ta njohë,
dhe punën e-vet të shohë;
pasdaj kartë më dërgoni,
e ç' të thotë më tregoni.
Ybejdi kështu kish shkruar,
djalli, qoft' i-mallëkuar.
Këta me kartët u-derdhë
te Imam-Hysejni erdhë,
kartën në dorë j'a dhanë,
edhe, ç' na thua? i thanë.
Imam-Hysejni tha: Unë
nukë njohë të-tillë punë,
botës i dhanë lirinë,
duke ngrehur parësinë,
të xgjedhënë një të parë,
dhe të-urtë, jo të marrë,
lakëmimet, madhëritë,
të-ligatë, rëndësitë,
gjakëratë, marrëzinë,
mundimetë, robërinë,
të gjitha i kemi prerë,
së-drejtës' i dhamë nderë,
të-paudhëtë i shtumë,
ligësitë i përzumë
njerin' e lamë të-lirë,
të bënjë si është mirë
këto me shumë mundime
u-bën' e me hidhërime
Syfjanasit zunë fronë,
edhe më s' dinë ç' thonë,
me pahir gjith' i rëmbyen
edhe besën e çkëmbyen,
njerëzinë e mundojnë,
e rrjepin e përvëlojnë
udhën e Zotit e lanë
të-paudhën besë kanë,
ç' po bëjnë e ç' kanë bërë
juve i dini të-tërë.
Po t' a njoh mbret Jezitn' unë
si thoni me të përdhunë,
e të bënem rop i tija,
mar pjesë nga ligësija,
pasdaj gjithë marrëzitë,
dhe dëmet e pabesitë,
e djallëzinë të-tërë,
meret vesh, q' un' e kam bërë,
posa të njoh mbretërinë,
e le të shkretë njerëzinë,
se vëmë mbret ligësitë,
dhe të-parë djallëzitë
djallëzija është vetë
Jeziti në këtë jetë!
pa s' i le dot mirësitë,
të bënj besë djallëzitë,
këtë fjalë mos m' a thoni,
e këto mos mi kërkoni,
unë s'e njoh, ajy vetë,
si të dojë letë jetë!
Nuk' e le dot Perëndinë,
e të njoh Jezitërinë,
se s' turpërohem në jetë,
edhe te Zot' i-vërtetë,
pa vdekjenë pjes' e kemi,
kemi ardhur, dotë vemi,
po mos u-mundoni kotë,
Imami këto u thotë.
Ajy s' kishte shok në jetë,
ishte si Zot' i vërtetë,
kish të-bukurë vetijë,
e të-lartë vetë-dijë,
zemrën' e kish të-qëruar,
dhe fjalënë të-peshuar.
Ata fjalët, që dëgjuan,
Ybejdullllahut j' a shkruan.
Pa ajy u egërsua,
edhe shum' u-ashpërua,
thirri Shimrë-dhil-Zevshenë,
popo ku e gjeti qenë,
që donte Jezitërinë,
ish armik me njerëzinë.
Shimrin' e Shithn' e Nemirë,
q' ishin fjeshtë egërsirë,
këlyshët e Mavijesë,
të-paudh' e të-pabesë,
i dërgoj me mijë-dhetë
kundrejt Zotit të-vërtetë.
U tha: Ujëtë t' u prisni,
edhe të gjithë t' i vrisni,
këta ujëtë e prenë,
dhe më s' i lenë të venë.
Hëna kishte ditë shtatë,
kur i lanë buzë-thatë,
dielli të përvëlonte,
njeriu pa ujë s' rronte,
foshnjatë me lot po qanin,
dhe zi të-mjeratë mbanin.
Abas-Aliu del vetë,
mori shokë pesë-dhetë,
pa drejt ujit u-lëshua,
edhe shum' u-zëmërua,
tha: E mbani mënt një ditë,
q' ishin të dy ushtëritë,
edhe ahere t' im atë
juve pa ujë e latë,
ajy ujët kur e zuri,
garth si juve nukë vuri,
po u tha të mos harroni,
këtë punë t' a mejtoni,
për këtë dit' u ka thënë,
fjalën' andaj e ka lënë
ky lumë ishte, ky Fyrati,
që j' a ndalonit t' im ati.
Kshu tha i bir' i Aliut
n' ushtërit të faqe-ziut,
po ata nuk' e dëgjonin,
dhe ujëtë s' e lëshonin,
këta kordhëtë i çkulë,
edhe më t' i bënë vrulë,
dhe muarrë uj' e prunë,
po prapë ata e zunë,
mijë plotë gjashtë-mbë-dhetë
vunë n' at' ujë të-shkretë.
Më nesëret dhe një herë
Imami kërkoj Ymerë,
i thanë, pakë të dalë,
dot' i thotë dy tri fjalë.
Pa u-poqnë me Ymerë,
Imam' i tha këtë herë:
Ymer, ç' është kjo rrëmujë?
pse s' lini të marrën ujë?
kemi gra kemi fëmijë,
ju s' pasëki vetëdijë,
foshnjatë s' rrinë pa ujë,
pse e bëni? a për bujë?
frikë Perëndije s' kini?
juve ç' farë njerës jini?
Kshu i tha të qofsha falë,
i duhej thënë kjo fjalë.
Kemi urdhër, tha Ymeri,
ç' të bënj edhe un' i-mjeri,
se pasdaj mua më vrasin,
të-gjallë në dhet më kllasin,
më humbasinë për jetë,
dhe djemtë m' i lenë shkretë.
Kshu tha dhe u-ngrit e iku,
i pabes' ishte armiku!
Si iku andej Ymeri,
i vate atje Berjeri,
që ish një plak shum' i-ndjerë
poqi shokët' e Ymerë:
U tha shumë fjalë plaku,
se i ish ndezurë gjaku.
Ymeri i tha: Më dhanë
Rijën' e Tabëristanë,
s' e lë dot të-mirën t'ime,
e gjithë këto fitime.
Këto fjal' i tha Ymeri,
pastaj j' u-kthye Berjeri,
i tha: O i-mallëkuar,
s' i ke për të trashëguar,
veç nëmënë do të merri.
Kshu tha dhe iku Berjeri.
U-ngrit Habib-Myzahiri,
dhe dy a tre shokë thirri,
hipnë në kuaj e brodhë,
nër fshatra ndihmës mblodhë,
Habibi, q' ish vet' i-tretë,
mblodhi shokë nëntë-dhetë;
po armikët' e mësuan,
shum' ushtëtarë dërguan,
pa u-dhënë u a prenë,
nukë doninë t' i lenë,
pasdaj u-zu luft' e-shkretë,
e u-vranë disa vetë,
nga ndihmësit shumë ranë
të-pakëtë u-përndanë.
Habibi me shokët' iku,
nuk' e zuri dot armiku,
erdhë prap, aty tek qenë.
Nuk' e lan' Imam-Hysenë.
Hën' e-shkretë kishte tetë,
nata po vinte e qetë,
e dëgjuan njerëzija,
që mbet pa ujë fëmija,
dhetë trima pshatëtarë,
njerës me bes' e të-parë,
në gjithë atë rrëmujë
u prunë fshehtazi ujë.
Njerëzit këta i panë,
i njohnë cilëtë janë,
ata më nukë qëndruan,
po lan' ujëtë dhe shkuan.
Ish e-gjallë njerëzija,
po s' e lij Jezitërija.
Njerinë Zot' i-vërtetë
nuk' e lë dhe fare shkretë.
Më nesëret nëntë hëna,
po afërohej e-thëna.
Shimri kartë kishte shkruar,
Ybejdit j' a kish dërguar,
e i thoshte për Ymerë,
s' do t'i shtërngonj e t' u bjerë
se s' e harron miqësinë
e t' et, që kish me Alinë.
Po merr një kartë Ymeri
nga Ybejdullllah-shpirt-derri
i shkruan, fort t' i shtrëngoni
dhe dendurë t' i rrethoni,
as të hynjë, as të dalë
njeri, as t' u thotë fjalë,
rreth e rrotullë t' u vini,
ujë fare mos u lini.
Pa ti, Ymer, në ke frikë,
lëre Shimrinë dhe ikë.
Kshu i shkroj Ybejd-shpirt-derri,
pa u-tremp shumë Ymeri,
papo me vrap atë ditë
i përhapi ushtëritë,
e rrethuan Qerbelanë,
njeri të vij nukë lanë.
Jet' e-zez' o jet' e-shkretë,
që s' ke gjëzë të-vërtetë.
Ajo fëmij' e-uruar,
që njerin' e kish ndrituar,
të heqë kshu të-këqija,
pse i duroj Perëndija?
Grat' e foshnjatë po qanin,
lottë s' muntninë t' i mbanin,
burratë gjithë po rrinin,
fundin e punës e dinin.
Imam-Hysejn-brengë-shumi,
u-pshtet pak e zuri gjumi,
n' ëndërrë pa Perëndinë,
edhe Muhammet Alinë,
edhe Mëmë-Fatimenë,
gjithë të-mirëtë ç' qenë,
pa dhe Imam-Hasanë,
q' i rrij Fatimesë pranë
e pa të-tër' atë jetë,
fron' e Zotit të vërtetë,
ëngjëllitë duke qarë,
me fytyrëzë të-vrarë,
me një herë, gjith' i thanë
po të presin më kët' anë.
Imam-Hysejni u-xgjua,
nga ëndërra u-gëzua,
po më pasdaj psherëtiti,
posi shi një lot i xbriti
Zejnepa dhe Gjylsyma
të dyja ngrinë si bryma
q' ishin motërat' e tija,
t' ardhura nga Perëndija,
pa i mblodhi gjithë gratë,
dhe zuri fjalë të-gjatë,
u tha: Të kini durime,
të jini si burra trime,
puna si do që të ngjanjë,
nonjë nga ju të mos qanjë,
neve na dha Perëndija,
kaqë shumë të-këqija
që të shohë sa durojmë,
e gjer' më ç' vënt e besojmë;
na dha të-këqija Zoti
si dhe të-tjerët qëmoti
që paskëtaj njerëzija,
kur të heqin të-këqija
të mos thonë që s' na deshi
Zoti, po na ther rrebeshi
për njerinë u-përpoqmë,
edhe nga njeriu hoqmë
të këqijatë, që pamë,
njeriut mësim j'a lamë,
un' i falem Perëndisë,
që j'a bëri njerëzisë
mundimet tona pasqyrë,
t' i ketë më ç' do myxyrë,
brengën t'ënë të rrëfejnë,
shpirtinë t' a përdëllejnë,
andaj dhe ju të duroni,
si në mësim t' i tregoni;
se i duhet njerëzisë,
që i beson Perëndisë,
zëmrënë mos e ngushtoni,
dhe Zotnë mos e harroni,
sa do të rrojmë më jetë,
s' shpëtojmë nga vdekj' e-shkretë!
Imami tha këto fjalë,
dhe pushoj i qofshim falë!
Ahere nj' i-mallëkuar
nga armikët del kaluar,
Imamit i tha ca fjalë;
po kur trëmbet' ajy kalë!
pa iku dh' e mori xvarrë!
cop e bën e s' e le fare!
Armikët çudin' e panë,
po djallëzitë s' i lanë!
Prap Imami fjalën zuri,
nër zëmëra durim shturi.
Shehrë-banun e kish grua,
q' i vanë lottë si krua,
ish njeri i Perëndisë,
bij' e mbretit të Persisë.
Dita po ngrysej e-shkreta,
nata po vij këmbë-qeta!
Ybejdi i-mallëkuar,
prapë njerës kish dërguar,
pas urdhërit, që u prunë,
armikëtë luftënë zunë!
Imami s' doj të lëftonte,
nxorri Abaz' u tha: Sonte
s' mbet kohë, që të lëftojmë,
gjer nesërë të mënojmë.
Armikëtë së pari s' deshnë,
dhe fare s' i vunë veshnë,
po pastaj dh' ata e panë
q' u ngrys, e luftën e lanë.
Imami u tha, pa mihnë
burratë, dhe grat u ndihnë,
rreth tendëvet dhen' e hapnë,
e bënë të-thellë trapnë,
pa hodhë shkarpa e gjëmba,
që nuk i shkelte dot këmba,
një derëzë vetëm lanë,
pa gjith' Imamit i vanë.
Zoti ynë atë natë
shokëvet u dha uratë,
u tha fjalë fort të-mira,
e për jetë të-pavdira;
pa u tha pasdaj t' a lenë,
dhe të ikin e të venë,
se më qafë s' munt t' i marrë,
sikush të shkonjë më parë;
ata, nuk' ikim i thanë
dhe gjithë ndër këmb' i ranë.
Neve me ty do-të vdesim,
pas teje s' duam të mbesim,
i thanë gjith' edhe qanë,
pasdaj gjithë bashkë vanë,
të-vërtetit Zot j'u falë
me zëmërë, jo me fjalë.

vazhdo leximin: [ kap. 11 ]
shko në fillim: [ kap. 1 ]

COMMENTS