Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 13

naim frasheri qerbelaja

Poema Qerbelaja, kapitulli 13 - nga Naim Frashëri


Abdullllahu i-Myslimit,
trim' i-mir i-bir' i-trimit,
dolli nga gjithë më parë,
nga shokëtë duke ndarë!
kal' i tija tundi dhenë,
dhe armikët gjithë ç' qenë.
Abdullllahu u-afrua
u tha: A më njihni mua?
jam i-biri i-Myslimit,
jam i-bir' i-ati trimit,
q' e vratë me të pabesë,
ju njerëzit' e Qofesë!
dhe ne ju këtu na prutë,
pa udhëtë na i zutë!
s' pattë turp nga Perëndija,
se u mbuloj ligësija!
latë fen' e Perëndinë
edhe Muhammet-Alinë,
dhe Fatimen' e Hysenë,
u-bëtë me Mavijenë,
të-vërtetën nuk' e njihni,
sot Jezitit po i ndihni,
që përmbysi mëmëdhenë,
prishi dhe besën' e fenë,
dhe njerëzin' e mahniti,
edhe jetën' e mërziti,
me djallëzi e me mitë
u-bëtë gjithë Jezitë!
e di që s' dëgjoni fjalë,
po kush është trim të dalë!
Kshu tha trim' i-zotëruar,
dhe po rrij kundrejt kaluar.
Ymer' i tha ushtërisë,
armiku i Perëndisë:
Dëgjoni këtu, o shokë!
mblithni mëndjenë më kokë
këta janë trima shumë,
dotë na bëjnë për lumë,
ujët të mos u ish prerë,
gjithë ne na kishin nderë,
etja ua pret fuqinë,
pa ndryshe gjith' ushtërinë
këta dot'a kishin shuar,
dot' ishimë turpëruar.
Kshu tha dhe çoj Kudamenë,
q' ish më trim nga gjithë ç' qenë.
Kudameja u-lëshua,
Abdullllahut j' u-afërua,
pa një ushtë i vërviti,
sa mundi, po s' e goditi,
Abdullllahu hoqi shpatën,
Kudamesë i dha datën,
po ajy dyke gënjyer
me të kthyer, me të thyer,
një copë her' u-mburrua,
p' Abdullllahu j' u-lëshua,
me shpatët i ra dh' e preu,
të-vdekur mbi dhet e ndeu!
Punën' ati j' a mbarojti,
tjatrë luftëtar kërkojti,
po ng' armikët njeri s' vinte,
e lan' e vetëm po rrinte,
dielli e përvëlonte,
etj' e-shkretë e mundonte!
papo j' u-derth ushtërisë
si rrebesh' i-Perëndisë,
preu, ndeu, çqeu, vrau,
u shtritnë gjithë si kau,
pa s' ra i gjallë nër duar
n' ushtërit' të-mallëkuar,
po kish marrë plagë shumë,
gjaku i vinte si lumë,
prapë shumë luftëtarë,
vrau, pa ra vet i-vrarë!
Dolli i-ungji, Xhaferi,
dh' ajy shum' armikë therri,
pa vate në atë jetë
tek ajy Zot' i-vërtetë!
Pasdaj si u vra Xhaferi,
dolli i vëllaj i-mjeri,
shum' armikë në dhet shtije,
pa dhe vetë atje bije.
Shpirt' i njerëzet t' uruar
nga trupi duke shpëtuar,
ëngjëlli shpejt e rrëmbente
nër duar edh' e dëfrente,
përpara Zotit e shpinte,
edhe në parajs' e linte,
nd' atë jetë posa delte,
Zot' i math e përkëdhelte,
po shpirtin' e-mallëkuar
djalli e merte nër duar,
si ujku kur rrëmben qenë,
edhe ikën e mer dhenë,
ashtu djall' i shëmëtuar
e merrte duke munduar,
edh' e hithte në skëterrët,
pa e lij atje në t' errët!
në një sterrë errësirë
ndë natë, që s' ka të-gdhirë,
në të-keq e në mundime,
në të-mbëdhenj idhërime!
Mirësija del në dritë,
në t' errëtë ligësitë!
Zot i math e i vërtetë!
fal-na dritënë në jetë!
mos na lerë n' errësirë,
rrëfe-na udhën' e-mirë,
mos na lerë në skëterrë,
në arrati mos na lerë.
Pas fëmijës' së Myslimit
i erth radha Mehmet-trimit,
të nipt të Xhafer-Tajarit,
t' ati burrë kordhëtarit,
q' e kishte vëlla Alinë,
e pat gjithë trimërinë.
Ajy në kohët të-parë
me Vizandinjt' ish vrarë,
krahn' e djatht' i patnë prerë,
fjamurënë s' e la të bjerë,
me të mëngjërin' e mori,
luftënë prap e përdori,
të-mëngjërinë j'a prenë,
edhe duar më s'i mbenë,
në dhëmb' e rrëmben e iku,
pa s' j'a mori dot armiku!
Shëmbëllente gjyshn' e tija
Mehmeti nga trimërija,
armikëvet u dha datë,
u hoqi si duhej shpatë.
Pas ati i vëllaj dolli,
armikëvet dëm u solli,
pas ati i vëllaj tjatrë,
q' ishin rritur me një vatrë,
pa të-tre në luft' u-vranë,
shokëtë të pak' i lanë!
Djemthit' e Imam-Hasanit
ju, që ëngjëjvet u ngjanit!
për vdekje u erdhi radha!
trupat t' i lini gërmadha!
armikëtë, qysh kuxuan?
zemrënë u përvëluan!
Abdullllahu del më parë,
e le gratë duke qarë,
ish si yll i-gjori djalë!
hipi dhe dolli me kalë,
pa kali kur hingëlliti,
dheu i-tër' oshëtiti!
nga ajy komb' i-pabesë
i Shamit e i Qofesë,
plot një qint' e tetë-dhetë
vret ajy trim i-vërtetë!
edhe gjithë kordhëtarë
me emërë e të-parë,
një pas njëji i goditi,
të gjithë mbi dhet i shtriti!
Pasdaj njeri më s' kuxonte,
t' i dil kundrejt të lëftonte,
po vetëm në shesht' e lanë,
dhe në mest të tyre thanë:
Lereni atje të mbesë,
se nga etja dotë vdesë.
Abdullllahu qëndroj pakë,
pa u-derth me vrap si flakë,
me usht' e me shpatë shturi,
trima shumë në dhet vuri,
hyri në mest t' ushtërisë
e armikut të Perëndisë,
si shkurtoj shumë të tjerë,
u-lëshua mi Ymerë,
q' ishte krej i ushtërisë,
dhe i-par' i ligësisë,
Ymeri e pa dhe iku,
u-thy' e s' qëndroj armiku
se shumë u frikësua,
u-psheh e u-turpërua!
Prap' u kthye Abdullllahu,
se j' u-loth së shtëni krahu.
Pa Bahteriu Ymerit
i tha, kjo s' qe udh' e nderit,
ligësi të-madhe tfaqe,
më s' na le as sy, as faqe,
ti, që të bënë të-parë
përmbi kaqë ushtëtarë,
të ikësh e të març malë,
të tmerrohesh nga një djalë,
urdhëro, i tha Ymeri,
ja ku është hiq dhe bjeri.
Armiku u-turpërua,
me pesë-qint u-lëshua.
Këtej nisnë Furuzanë,
edhe Mehmetn' e Esanë,
q' ishin të tre shërbëtorë,
dalën me kordhë në dorë,
këta të katër u ranë,
të pesë-qintt' i përndanë,
edhe pesë-qint të-tjerë
u lëshuan me një herë,
ata katrë dhen' e tuntnë
dhe të një-mijët' i muntnë.
Furuzani vrau shumë,
gjakn' e bëri posi lumë,
si e panë Furuzanë,
q' e bëri pellk Qerbelanë,
shum' armikë u-lëshuan,
me shigjeta e mbuluan,
j' u-vra kali, mbet më këmbë
shpatën' e mori në dhëmbë.
Esati, që më s' e shihte,
u-derth e vate t' i ndihte,
u-lëshua Bahtëriu,
së pshehtazi faqe-ziu,
bashkë me Ezrak-Hashimnë,
e vran' atje Esat-trimnë,
ushtërija erth' e-tërë,
s' kish ku të hithnje gjilpërë,
pasdaj vran' edhe Mehmenë
edhe Furuzan' e prenë.
Në mest të ati rremeti,
q' u bë gjaku posi deti,
Abdullllahu po përpiqej,
dhe zemra për uj' i digjej,
Shith' i Rabias' i shtije,
prapa krahëvet i bije,
i ep plagë shtat' a tetë
ati trimit të-vërtetë,
edhe kalënë, j'a vranë,
më këmb' atë Zotn' e lanë,
Ashni i-Aliut dolli,
me vrap një kalë i solli.
Abdullllahu s' desh të dinte
armikëtë po i shtinte.
Ymeri Isuf-Hizharë
e dërgoj për kordhëtarë,
po Abdullllahu një herë
i shturi dh' e la të-nderë,
pasdaj vrau dhe Tariknë,
e bëri copë armiknë,
pas ati edhe të-tjerë
shumë dërgoj në Skëterrë.
Pasdaj njeri s' desh të dalë,
se panë gjaknë si valë.
Armikët i bëri trokë
Abdullllahu dh' erth nër shokë,
zëmrënë e kishte flakë!
tha: të kisha ujë pakë!
oh! nj' ujë si kur të pinja!
dhe dy kaqë do të ngrinja!
Me gjak ish mbytur' i tërë,
veç etja keq i kish bërë!
Nukë muntte të qëndronte,
më nukë duhej të rronte!
pa u nis e dolli prapë
me etje shum' e me vapë!
Pesë-mijë nxjerr Ymeri
dhe u tha në mest t' a merri.
Ajy u-hoth si fajkua,
mi të-gjithë u-lëshua,
armikët për mes i çau,
gjith' i ndeu e i ndau,
po nga plagët, që kish marë
dhe më pasdaj dhe më parë
i vate gjaku si lumë,
u-loth e u këput shumë!
pa vate Abas-Aliu,
edhe Ashni vetull-ziu,
të dy të ungjit' i vanë
ndihmës, e vetëm s' e lanë.
Ahere Mehal-Zehiri
edhe Hamzaj, q' ish i-biri,
bashk' Abdullllahut i ranë,
shpirtin nga trupi j'a ndanë.
T' ungjitë Mehal-Zehirë,
edhe Hamzanë, të-birë,
i vran' e në vënt i lanë
muarr Abdullllahn' e vanë.
Pa-zë po me psherëtime,
me zëmr' e pa ulërime
gratë Abdullllahn' e qanë
plagëtë me lot j'a lanë!
idhërimn' e ati loti
mos pandeh q' e harroj Zoti!
Kasëmi i vate pranë,
edh' e qau të vëllanë.
Nga Imam-Hysejni lejë
kërkoj në luftë të vejë,
u-nis e donte të vinte,
Imam-Hysejni s' e linte,
i tha: kur të kam ty pranë,
si kur kam Imam-Hasanë!
Kasëmi i tha: Im atë
m' i pat thënë gjer' e gjatë,
të gjitha këto, që ngjanë,
m' i kish thënë an' e mb' anë,
këto gjitha m' i ka thënë,
edhe fjalë më ka lënë,
më tha: Për Imam-Hysejnë
të mos e kursesh vehtenë.
Imami tha: Mirë thua,
po im vëlla edhe mua
një fjalëzë më ka thënë,
e më qafë ma ka lënë.
Kshu tha pa Kasëmn e mori
dhe vashën e vet e nxorri,
për dore të dy i zuri,
edhe afërë i pruri,
u tha: Të dy u bashkova,
se fjalënë s' e harrova,
q' im vëlla më porositi.
Kshu u tha dhe psherëtiti,
e i zu dorë-për-dorë
të-dy engjëllit e-gjorë!
kjo qe vles' e kjo martesë
fjala fjal' e besa besë.
Kasëmi nuses i thotë:
Më s' më gjen këtu në botë,
po më kërko nd' atë jetë,
pranë Zotit të-vërtetë.
Kshu tha edhe me të ndarë
nga fëmija dyke qarë,
u-lëshua si hastriti,
kordh' e larë vetëtiti.
Gjithë sa gjeti përpara,
i përhapi punë-mbara,
në mest vate si fajkua,
Ymerit j' u-afërua,
njeri udhënë s' j'a thuri,
pa thirri me zë pej burri
u tha: O komb' i-pabesë!
q' i ratë pas Mavijesë,
vallë edhe s' u-pendohtë?
të vërtetënë s' e njohtë?
s' ish i-at' i Fatimesë
ajy zot q' u vu ju besë?
Ç' është kjo që punoni?
nuk u-nginjtë? pa më thoni.
Kërkoni nga Zoti ndjesë,
o njerëzit' e-pabesë,
hiqni dorë dhe pendohi,
dhe rrini pak e mejtohi.
Kshu u the të qofsha falë!
fjala plak' e t' ishe djalë.
Po ata ishin shurdhuar,
lakëmim' i kish verbuar,
as dëgjoninë, as shihnin,
pa të-mirën s' e njihnin.
Ymeri u-turpërua,
dhe u-psheh e u-qetua,
dhe tha: Ky është trim djalë
pa njeri të mos i dalë,
se të gjithë dot' i vrasë,
e ndë dhet dot' i këllasë,
po ushtërija e-tërë
t'a pshjellë mir' e t'a zërë
ky-djalë ngjan me Alinë,
pa ka gjithë trimërinë.
Kshu tha Ymer' i-pabesë
se njerëzije s' kish pjesë.
Si tha, bënë ushtëtarët,
bashkë dhe gjithë të-parët;
pa Kasëmnë e rrethojnë,
edhe udhë s' i lëshojnë,
Kasëmi sa munt u bije,
shum' armikë në dhet shtije,
pa sicili mori frikë,
shokut të tij i thosh ikë!
I-tha Ezrakut Ymeri
me zemërim posi derri:
Ti që je trim i dëgjuar,
i-parë dhe i-lëvduar
pse s' i dhe po rri i-qetë,
s' qënke trim me të vërtetë!
Ezraku dërgoj të-birë,
q' e pandehte trim të-mirë,
po Kasëmi me një herë,
at' e dërgoj në skëterrë,
pas ati i-dyti vate
po nukë shpëtoj pej shpate,
pas ati vajti i-treti,
dhe ajy vdekjenë gjeti,
në funt i-katërti dolli,
e-thëna atje e solli,
të katrë djemtë j' u-vranë,
Ezraknë vetëm e lanë,
pa dolli dhe ajy vetë,
ishte trim me të-vërtetë,
me Kasëmnë shum' u-zunë,
me zëmërim të-math shtunë,
Kasëmit i ndihu Zoti,
fuqi-madhi, vertik ploti.
Kur panë q' u vra Ezraku,
mbenë, se u ngriu gjaku!
Vrau Ezraknë nga Shami
Kasëmi dh' erth te Imami
me mushkërizë të-djegur,
me buzë shumë të-pjekur!
për ujë i-përvëluar,
e për miqt' i-dëshëruar!
Pa e la prapë për jetë
fëmijënë si të shkretë,
në mest t' armikëvet hyri
pa tremburë fare syri,
se u nis për atë jetë,
vinte te Zot' i-vërtetë
me zëmërim të-math shtinte,
armiku s' dij nga të vinte;
gjithë ç' ishin u mahnitnë
pej një trimi u habitnë!
Tek i vij përpara burri,
Shithi së-prapi i shturi,
plagë kish njëzet-e-tetë,
gjaku i rrith si rrëketë,
u-këput e ra nga kali,
si lisi pej majë-mali,
Imami vet' u-lëshua
mbi armikët si dragua,
me shokët Kasëmn' e mori,
jasht' armikëvet e nxorri,
e prunë ashtu të prerë,
hapi sytë dhe një herë,
edhe i mbylli për jetë,
opopo, Zot i-vërtetë.
Ah! o moj ti vdekj' e-shkretë,
ç' le një hidhërim për jetë!
Njeriu me kaqë shpresë,
qysh të bjerë e të vdesë?
vallë si ti bëhetë fundi?
kemi tjatrë vënt gjëkundi?
a këtu kthehemi prapë?
përgjigje kush munt të m' apë?
Mbahu ti, o zëmra ime,
që shkel tekdo e je trime,
thuaj si thoshin qëmoti,
nga Zoti prapë te Zoti,
në prehje, te Perëndija
dotë vejë mirësija
ligësija në skëterrë
dotë vej' e do të bjerë.
Trëndafilëtë q' u-thanë,
thua se më nukë janë,
i sjell me lulet e tjera,
gjithënjë vin' edhe venë,
janë prap' ato që qenë.
Zot i-math e i-vërtetë!
gjithësija je ti vetë!
më ç' do anë, që vërejmë,
fytyrënë t' ënde gjejmë.
Mirësi e ligësija,
djalli edhe Perëndija,
dhe parajsa e skëterra,
e gjithë ç' janë të tjera,
te njeriu gjithë janë,
ata që dinë, kshu thanë,
i gjen ndaj teje të-tërë
kë të duash atë zërë.
Do zërë Imam-Hysenë,
do Jezitn' e Mavijenë,
njëri të nxjerr te shpëtimi
e tjatëri ne mundimi.

vazhdo leximin: [ kap. 14 ]
shko në fillim: [ kap. 1 ]

COMMENTS