Ndeshja e parë e Vllaznisë në Tiranë (1920)

Në Tiranë, në vitin 1920, formohet qeveria e re nën kryesinë e Sulejman Delvinës. Shkodrani i shquar Palok Nika, emërohet organizator i sportit shqiptar. Ai ideon edhe ndeshjen e parë në mes të Vllaznisë dhe Tiranës. Tirana, kryeqyteti i ri i Shqipërisë, në atë kohë numëronte 13.000 banorë. Megjithatë, bëhen përgatitje të mëdha për të pritur Vllazninë. Ndeshja do të zhvillohej në Fushën e Shallvares. Në të do të merrnin pjesë regjenca, qeveria, parlamenti dhe krejt populli i Tiranës. Të ftuar ishin edhe ambasadorët e shteteve të huaja. Meqë fusha e Shallvares nuk kishte kurrfarë komoditetit për të ftuarit, qenë mbledhë shumë karrike nëpër kafe dhe në disa familje.

Muhamet Halili, Palok Nika, Lec Ndreka
Për të sjellë skuadrën e Vllaznisë në Tiranë ishte një problem, nuk kishte mjete. Por Paloka akapoi tri karroca në Shkodër, pasi për të arritur në Tiranë duheshin dy-tri ditë. Mirëpo, vargu i karrocave u bë i madh, sepse nga Shkodra u nisën shumë e shumë tifozë. Për t'u dhënë atyre dhe publikut mundësinë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje të rëndësishme, Kryqi i Kuq Amerikan, pas kërkesës së Palokës, vuri në dispozicion një kamion vetëm për transportimin e tifozëve. Kamioni transportues, prej ditës së shtunë e deri në drekë të së dielë, solli në Tiranë 250 shkodranë, plus 65 veta me karroca. Kaq shumë iu dha rëndësi asaj ndeshje.

"Ishte qershori i vitit 1920, kur shihen dhe njihen lojtarët e skuadrës së Tiranës e ata të Vllaznisë. Pritja e Vllaznisë në Tiranë ishte madhështore edhe nga ana e tiranasve, ata kishin hapur shtëpitë e tyre për shkodranët. Fusha e Shallvares ishte mbushur. Gjyqtar ishte Rrok Daberdaku. Mbasi mbaron caremonia e prezantimit, fillon loja e shpejtë, në atë kohë. Loja sikurse u parashifte mbaroi me fitoren e plotë të Vllaznisë. Mirëpo jehona e ndeshjes në Tiranë qe e madhe edhe për masën e re të qyteteve të Durrësit e Korçës, të cilat shpejtuan të kenë edhe ato skuadrat e veta", - shkruan në kujtimet e tij organizatori i talentuar i sportit shqiptar Palok Nika.

Kjo ndeshje është edhe e para, guri themeltar i futbollit shqiptar. Më pas, më 1930, do të formohej edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe do të merrnin udhë kampionatet kombëtare. Vllaznia dhe Tirana do të ishin aty, të kapur dorë për dore, protagonistë, paçka se tiranasit, me Gurashtë, Lushtën, Kryeziun, Stërmasin e të tjerë, do të dominonin për 7 vite gati radhazi, duke fituar titullin kampion kombëtar.

Pas çlirimit të vendit, më 1945 dhe 1946, do të vinte radha e shkodranëve që me Boriçin, Tahirin, Dibrën, Gjeloshin, Koxhjen, Halepjanin, Jukën, Mirashin, Fakjen, Shaqirin, Smajlin e të tjerë, do të shpalleshin kampionë të Shqipërisë. Shkodranët dhe tiranasit do të formonin, do të ishin edhe baza e kombëtares parë të Shqipërisë. "Yjet" si Muhamed Dibra, Sllave Llambi, Rexhep Spahiu, Xhavit Demneri, Bimo Fakja, Besim Fagu, Tiç Parapani, Qamil Teliti, Loro Boriçi, Vasfi Bicaku, Pal Mirashi, etj. do të shpalleshin Kampionë të Ballkanit më 1946.

Po shkodranët dhe tiranasit, do të formonin më pas dhe mbushnin radhët e dy rivalëve të tyre më të egër të histori, fillimisht të Partizanit dhe më pas të Dinamos, që do të dominonin në futbollin shqiptar deri në fillim të viteve '60. Sakaq, në heshtje, pa bujë, Xhavit Demneri në Tiranë dhe Xhelal Juka në Shkodër, do të punonin për të përgatitur talentet për të përmbysur këtë hegjemoni shtetërore.

Ishte Tirana ajo që në mesin e viteve '60 do të thyente mitin e pathyeshmërisë ekipeve ushtarake Partizani dhe Dinamo. Halili, Frashëri, Verria, Kasmi, Bytyçi, Bylyku, Bukoviku, Mema, Ishka dhe Xhaçka me shokë, të drejtuar nga Myslym Alla, do të ishin heronjtë e kësaj përmbysjeje.

Stafetën shkodranët do ta merrnin më pas, në vitet '70. Në këtë dekadë do të vinë plot 5 trofe, tituj kampioni dhe Kupa Shqipërie. Meritë kjo e padiskutueshme e një brezi të talentuar me emra të tillë si Rragami, Bizi, Zhega, Koçobashi, Ndoja, Leka, Puka, Rakiqi, Hoxha, Çanga, e të tjerë. Arkitekti ishte Xhevdet Shaqiri, një ikonë e shquar e Vllaznisë.

Në vitet në vazhdim historia Vllaznia-Tirana do të vazhdonte dhe do të pasurohej me ngjarje të reja. Fanellën bardheblu do ta vishnin të tjerë të rinj të talentuar, si Muça, Mema, Kola, Minga, Omuri, Josa, Lekbello, Bimo, të cilët do të koleksionin të tjera trofe dhe do t'i jepnin ngjyrime dhe dimensione të reja, më moderne takimeve me shkodranët. Ndërkohë përballë tyre, kuqeblutë me Hafizin, Dedjen, Jerën, Arrën, Luçin, Rragamin, Vukatanën, Borshin, Brizën, jo vetëm që do të fitonin edhe ata trofe, por do t'i bënin gjithnjë e më të spikatura e më të dëshiruara përballjet Vllaznia - Tirana. Ato do të ishin ajka e futbollit shqiptar.

Vllaznia - Tirana, një klasike e vërtetë e futbollit shqiptar, 66 trofe në fushën e blertë. Dy nga pjesëmarrëset më të vjetra dhe më të suksesshme të futbollit tone. Tirana - 76 herë pjesëmarrëse në kampionatet kombëtare, Vllaznia - 75 herë, si askush tjetër. Tirana - 24 herë kampione, 15 herë fituese e kupës së Shqipërisë, 10 herë fituese e Superkupës; Vllaznia - 9 herë kampione, 6 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, 2 herë fituese e Superkupës.

- Nga Bashkim Tufa

COMMENTS