Gjergj Fishta - I dbuemi

Gjergj Fishta - I dbuemi
Lamtumirë! - vendet e mija,
Qe, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Kahë njaj diell, qi â tue flakue,
Andej fíll un tash do t'veta...
Lamtumirë! o dhé i bekue!
Lamtumirë! per sá t'jét jeta!

Neser nade kúr mbi né
Rrezja e diellit ká me rá,
Kush e din sá ujë e dhé,
Mue prej teje ká me m'dá!
E por n'pvetsha rêt mizore,
E por n'pvetsha zogjt e detit,
Se per tý, moj tokë arbnore,
S'ka me m'folë mâ kush mue t'shkretit...

Tjera fusha e tjera zalle
Kam me pá, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjûhë n'tjera gjytete;
Vendin t'êm, por, s'kam me e pá,
Kû kam lé e jam burrnue;
Sŷt e mí edhé kan me kjá,
Pá u gjetë kush, qi me i ngushllue.

Pá kend t'êmin, posë nji Zotit,
Tue shtektue per dhé të huej,
Kan me m'shkue mue ditt e motit
Shá e perbuzun prej gjithkuej.
Kam me pasë shkretín per voter,
E per shtrojë të ndezten rânë;
Kam me pasë ulkojen moter,
Kam me pasë, heu! tigren nânë...

Nâna e mbetne per së gjallit
Ká me m'kjá, kushdi, ndo 'i ditë,
Dér sá motra, dekun mallit,
Kot ndo 'i herë mue ká me m'pritë.
Ká me i njehë, po, krushqt, e mjera,
Me i prû nânës n'shpí nji :
Por i vllaj, kushdi, m'at'hera
Ká me u kalbun per nen dhé!

E, njaj dhé - ehu! kob prej qiellet! -
S'ká me kênë, jo, dheu i t'Parvet,
Kû mâ bukur qiella kthiellet,
Kû mâ âmel n'gjûhë t'Shqyptarvet.
Para Hyut naltohet luta,
E kû besa âsht e shêjtnueshme
E kû zêmrat s'dijn shka â tuta,
E kû bjeshkët jânë të madhnueshme.

Oh! ju bjeshkët e Shqyptarís!
Kû mâ mirë shndritë dielli e hâna,
E kû logu â i bujarís
E kû rriten djelm si Zâna!
Un jú kurr s'kam me u harrue,
Kahdo t'm'jét gjykue me u êndë:
Dér sá t'muj me ligjirue,
Jú gjithmonë kam me u permêndë!

E ato halë e qepariza
Kam me i pasë nder mend gjithmonë,
E ato stâne e njato mriza,
E ato berre e ato kumbonë...
Por, oh váj! malet e mija,
Qe, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.

Lamtumirë, prá, bjeshkë e male!
E jú krepa edhé ju curra;
E jú breshta e jú gjeth hale,
E jú prroje edhé jú gurra!
Lamtumirë, jú mrize e stâna!
Lamtumirë, kumbona e berrve!
Lamtumirë, jú fusha t'gjâna,
Jú livadhe, enè jú djerre.

Lamtumirë! ti shpija e t'Parvet,
Kû mâ s'parit m'agoi drita
E kû strehë u dhaçë shtektarvet,
Miqt e babës edhé kû i prita.
Lamtumirë, carâni m'voter!
Lamtumirë, jú armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nânë e moter!
Lamtumirë, per sá t'jét jeta!...

O shtegtár, m'nji vorr të rí
N'hassh ndo 'i herë ti, tue ndjekë shtegun,
T'çilun n'ranë nper ndo 'i shkretí,
Atŷ vetë kam me kênë dekun.
Nji kryq drûnit, t'kjosha true,
Xiere e vênma permbi krye,
E, nemose, ti per mue
Lutju Hyut per shka t'kém' fye.

__________

i dbuemi: i dëbuar; i larguar.
nji : një vajzë të re; një nuse.

- Portreti nga piktorja e mirënjohur Zafina Vasa.

COMMENTS