Poezi nga Frederik Rreshpja

Poezi nga Frederik Rreshpja


Poezi nga Frederik Rreshpja

Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd
në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde.
Pastaj erdhi prapë nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

***

Dashuri e humbur

Dola nga guernika e kësaj nate
i vrarë egërsisht,
kali i zi i pikëllimit
në shtegun e vjetër më priste.

Kali i zi i pikellimit ç'më rrëzoi
dhe rashë si në ballada;
gdhendur në gravurat e vjetra,
përmbys mbi shqytin e natës.

I vrarë nga një pranverë e kotë,
braktisur nga bota e tërë,
vetëm kali i zi i pikëllimit vjen rrotull
dhe qan për të zotin e vjetër.

***

Djemtë e rrugicës dhe plaku

Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.

Të bukurit dhe të mirët djemtë,
të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?

Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
njerëzve u thirri: - Djemtë u rritën!
Lule-vilet vareshin mbi derë
dhe e ndritnin plakun si fererë.

- Secili djalë braktis murishtën,
të gjejë të panjohurën e vet,
o njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.

Shpejt erdhi rritja e djemve,
do të vijnë të na shohin përsëri
dhe do të sjellin me vete
Vajzat që kanë marrë me dashuri!

Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.

***

Lirikë intime

Eja, mbështetemi te pema
në vetminë e saj prej druri,
te stoli të ulemi, eja,
në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
a mund të rrimë pra të ndarë,
si stoli me trungun e heshtur,
mbjellë shumë vite më parë?

Në flakë vetëtime pashë
ovalen dridhëse të buzëve
dhe si një magji poshtë saj,
gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
rininë tënde të përkulej,
në çast u hepova si dega
dhe gjeta gjithçka që më duhej.

***

Kthim në vendlindje

Ja u ktheva përseri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje,
nga vëllezerit tradhëtarë.

Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë.
Nën pemën e madhe të mesditës,
gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.

Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë.
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur,
nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë,
por ti tani nuk je më...

Tani,
ti je në fillim të stinëve,
ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.

Shfaqen në muzg
trëndafilat e thurur me diell;
Ah, tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë:
Sa të bukur dhe të rinj ishin, o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë.

Në ajër,
shfaqen patriarkët e poezisë shqipe:
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni;
Eterit e mi sillen në ajër se varret ua kanë thyer.

Tani,
edhe mermeri i zërit tim është thyer.
Erdhi mbrëmja dhe statuja e natës troket
në dritaren e vjetër xhamthyer.

***

Kujtimi yt

Hëna po shuhet në pëllëmbën e gjetheve
dhe trëndafilat vdesin në muzg.
Fusha ul supin te era
por mua vetmia më pret te porta, egërsuar.

Ulërin vetmia te porta, ulërin
dhe ikën nëpër dhembje, trembur, ti.

Kështu gjithmonë ardhja jote është tërë ikje
dhe unë ndiej mbi gjoks sikur më kalon një tren.

Hëna e shqyer në dhëmbët e vetmisë
çirret si egërsirë te porta.
Ylli i fatit tim lotoi në dritare,
ku shkon, ku shkon, çfarë të thirri kështu?

***

Karnavalet

Ditën e karnavaleve të botës
maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
luajnë kuplete me fund gazmor,
kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
asimetrikisht bëjnë pirueta,
për të harrur maskat e vërteta.

***

Fëmini

Asokohe ngjyrat qenë shpirtra.
Në fund të kopshtit ngrihej olimpi,
mbi një mitologji trëndafilash.

Ah, tërë trëndafilave të botës do t'u bie në gjunjë,
por ata tinguj nuk do t'i dëgjoj më kurrë.

Tani jam një perëndi ilire e rrëzuar,
sepse olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë.

Por, o Zot, më shumë ka humbur
ai që nuk ka qenë kurrë fëmijë.

***

Sidoqoftë

Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë në duar.
Sidoqoftë, njerëzit do ta shpikin disi një mëngjes,
ashtu siç kanë shpikur detet, yjet, shiun
dhe shumë gjëra që nuk ekzistojnë.

Nata është hija jote,
që ti nuk arrite dot ta mbledhësh ende.

Sidoqoftë, unë mund të shkruaj lirika moderne,
po tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë,
si përshembull lumturia,
apo fëmije të bukur, shira lulesh e gjëra të tilla,
për të cilat Zanafilla fajëson perëndinë.

***

Epitaf

Imezonjë, si do ja dal pa ty në këtë botë,
i mallkuar me pavdekësi,
si patriarkët e mërzitshëm biblike?

Duhet t'i kesh parasysh disa gjëra,
tani që nuk je më!

***

Gjethe e fundit

Gjethe e fundit në qiellin e dimrit
ikën nëpër erë si një lamtumirë.

Ç' mesazh shpie nëpër mjegulla?
Ç' mynxyrë do t'u kumtosh vetëtimave?

Shkelur nga një shi i verbër
ikën e ikën nëpër qiell.
Gjethe e fundit, shpirt i vjeshtës,
si një penelatë nervoze.

Ti rend t'u kumtosh vetëtimave
mynxyrën e dhembjes time.

***

Perëndim

Jam i trishtuar. Trëndafilat e tu
më mbetën në duar si plagë
dhe perëndimi rend pas mollëve me pishtar në dorë.

T'i vër flakën kësaj nate.

Ndoshta do të kthehesh një ditë
por pas mollëve dhe viteve
atëbotë perëndimi do të ketë djegur çdo gjë.
Ah! Në këtë botë të madhe, vetëm unë e ti
nuk do të jemi të lumtur më.

***

Nëna

Ka filluar të plaket nëna. Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.
Po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Ç' është kështu kjo rrjetë që hedh koha mbi nënën time?

Dhe duart që më mbanin mua, tani janë rënduar.
Po s'ka gjë. Nga shpirti i saj
zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull.

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s'më ka pyetur kurrë pse s'kam shkruar gjë për të.

Se nëna di:
Fjalën e parë në këtë botë ia kam thënë asaj.
Dhe fjalën e fundit në këtë botë asaj do t' ia them.

Lexo dhe: [ Frederik Rreshpja, liriku më i shquar i letrave shqipe ]

COMMENTS