» » » » » » » Tef Prela, një personazh unik i futbollit shqiptar

Tef Prela, një personazh unik i futbollit shqiptar

Një histori e veçantë që ka si protagonist një ish-arbitër futbolli. Tef Prela, një personazh unik që futbolli shqiptar, ai i viteve 80-të, ka njohur. Bashkë me të edhe vëllain, Leonardin. Një familje e qytetëruar dhe shumë tradicionale shkodrane. Një karrierë e filluar rastësisht në Shkodër, por që do t'i shërbente deri në fushat njujorkeze të futbollit, madje edhe në moshë të madhe. Cili ishte mësuesi i rusishtes që u dashurua me korçaren, vajzën e Klani Marjanit? Nga pasioni për pingpongun, pastaj arbitër futbolli pa limit karriere. Viktimë të letrave anonime, bashkë me të vëllanë, Leonardin, çfarë bëjnë sot të famshmit e familjes Prela?

Astrit Dervishi, Tef Prela, Genc Agolli
Astrit Dervishi, Tef Prela, Genc Agolli
Tefa, shkodrani me pasaportë amerikane, që stemën e padhënë të FIFA-s në Shqipëri e mori në Nju Jork, kur ishte 56 vjeç.

Nga pingpongu te gjuha ruse

Hobi tij në adoleshencë ka qenë pingpongu, madje është shpallur kampion 4 vite radhazi në gjimnazin "29 Nëntori", (1956-60). Edhe katër të tjera kampion i Universitetit, duke marrë pjesë në kampionate kombëtare të zhvilluara në Korçë, Durrës, Tiranë e Shkodër, krahas të njohurve në këtë sport si Agron Reka, Maqo Stratobërdha, Luan Këlliçi, apo Frederik Berisha. Ka shije për muzikën, artin, librat artistikë, por jo për futbollin, aq më shumë për arbitrimin. Por, jeta Tef Prelës do t'i ofronte disa gjëra që nuk i kishte menduar asnjëherë: që do të ishte arbitër futbolli...! Jo vetëm ai, por edhe vëllai, Leonardi kurrë nuk e kishte menduar; aq më shumë se do të ishte mësues i gjuhës ruse, pasi nga prindërit kishte trashëguar tjetër kulturë. Surprizë për të ishte edhe që do të bëhej dhëndër në Korçë, (i martuar me Tatjana Sherkon, e bija e Klani Marjanit, portieri legjendar korçar dhe i kombëtares); dhe së fundi, udhëtimi në SHBA me familjen, rifillimi i arbitrimit në moshën 54-vjeçare e marrja e stemës Gjyqtari i famshëm shkodran, që iu ndalua të arbitronte ndeshjen me Kinën prej letrave anonime Tef Prela, gjyqtari i finaleve që theu rekord në Amerikë. Dhëndri i Klani Marjanit që mori stemën ndërkombëtare në moshën 54-vjeçare atje në Amerikë, shumë të dëshiruar, por të munguar në Shqipëri.

Lidhja me arbitrimin, ide e Kalacit

Sapo kishte përfunduar fakultetin dhe ishte emëruar mësues rusishteje në disa shkolla në periferi të Shkodrës. Pa ndonjë të kaluar të mirëfilltë sportive, djali i ekonomistit të njohur Tom Prelës dhe i Agetinës, nxënëse e parë e shkollës fetare "Stigmatiche" me një diplomë me firmë të Gjergj Fishtës dhe Pader Anton Arapit.

Shkak për t'u lidhur me bilbilin ka qenë Tahir Kalaci, arbitri i njohur shkodran i FIFA-s. I ati i Tefës punonte si mësues në shkollën 8-vjeçare "7 Nëntori" bashkë me Kalacin. Krejt rastësisht, lind ideja dhe pas saj propozimi i Tahirit që i kërkon të atit për ta afruar Tefën si arbitër futbolli pranë kolegjiumit të Shkodrës. Jemi në mesvitet 60-70-të. Ideja pëlqehet nga palët, veçanërisht nga Tefa dhe pikërisht këtu starton edhe karriera e tij. Viti 1968, Tef Prela figuron si arbitër i Kategorisë së Parë. Pas një dekade do t'i vijë radha vëllait, Leonardit, por tashmë Prela i madh është i afirmuar.

Dy vëllezër të një bilbili

Nuk është rasti i parë kur nga një familje kanë qenë dy vëllezër të një profesioni, aq më shumë arbitra. Të tillë janë disa, por nga Shkodra pas familjes Dervishi (Qazim, Astrit, Melis), vëllezërit Prela kanë lënë gjurmë. I pari Tefa, pas tij Leonardi, që e mori shtytjen dhe mbështetjen nga vëllai i madh. Madje Leonardi, për vitet 80-të është konsideruar si një arbitër me të ardhme në këtë fushë. Ndërsa Tefa, ishte mësues i rusishtes, Leonardi ishte diplomuar për inxhinieri druri. Ka qëlluar që të dy të kenë qenë edhe arbitra kryesorë në të njëjtën javë të kampionatit të Kategorisë së Parë, por edhe shumë herë bashkë në një ndeshje: Tefa si kryesor dhe Leonardi si asistent. Ndërsa Tefa arbitroi për shumë vite, karriera e Leonardit filloi në vitin 1978 dhe u mbyll pas dhjetë vjetësh. Nga 1987-1989 kanë gjykuar bashkë në disa takime. Tefa, gjithmonë arbitër kryesor. I paharruar takimi gjysmëfinal për Kupën e Shqipërisë në vitin 1987. Në "Qemal Stafa", në një ndeshje shumë të tensionuar, Flamurtari fiton 1-0 në sfidën e parë dhe Prela si arbitër kryesor ka ndëshkuar me tre kartonë të kuq e pesë të verdhë futbollistët në fushë.

Katër penallti në qytetin e gruas - 02.12.1984

Tef Prela është arbitri i dytë në historinë e futbollit shqiptar që ka dhënë katër penallti në një ndeshje (pas Arsen Hoxhës me 5 të tilla në takimin Dinamo - 17 Nëntori). Në Korçë, në qytetin ku ai është dhëndër, e kanë caktuar të drejtojë takimin Skënderbeu - Naftëtari.

Rezultati ishte 2-1 dhe luheshin minutat shtesë, kur bilbili dhe dora e Prelës i është drejtuar pikës së bardhë duke dhënë një 11-metërsh për Naftëtarin. Është e katërta e akorduar në këtë takim. Por, vjen çudia: asnjë nga futbollistët e Naftëtarit nuk e merr përsipër ta godasë, duke iu shmangur përgjegjësisë. Minuta pritjeje dhe Prela i drejtohet stolit të kuçovarëve duke i bërë thirrje trajnerit që të caktojë lojtarin që do të ekzekutojë penalltinë. Duke parë situatën, trajneri vështron nga stoli lojtarët rezervë dhe i jep urdhër një lojtari që nuk ishte nga Kuçova, të futet në fushë e të godasë 11-metërshin. Dhe kështu u veprua. Por edhe ai e humbi penalltinë dhe Skënderbeu fitoi 2-1.

Në Cërrik, kur askush nuk guxonte

Tef Prela ka qenë arbitri që ka guxuar të drejtojë një finale të Kategorisë së Tretë, një takim tejet i vështirë dhe i refuzuar nga arbitra të tjerë. Viti 1986, në Cërrik luhet sfida e kthimit midis vendësve dhe Bilishtit. Pesë arbitra nga kryeqyteti nuk kishin pranuar ta gjykonin, ndërsa FSHF-ja në një situatë akute cakton Tef Prelën. Vetëm kur arrin në Cërrik, Prela e kupton rëndësinë dhe vështirësinë. Aty merr vesh se pse e kishin refuzuar për ta drejtuar disa kolegë... Fusha e rrethuar edhe me qen kufiri, ka masa të mëdha nga forcat e rendit. Ndërkohë një person i panjohur futet në dhomat e zhveshjes dhe në një moment i ofron asistentit Skënder Bilali një sasi me parà. Reagimi i Bilalit dhe i Prelës ishte i menjëhershëm. Dhe me natyrën, korrektësinë, ndershmërinë shpeshherë në ekstrem që e karakterizonte, ndeshja filloi, vazhdoi e u mbyll pa probleme.

Viktimë e letrave anonime

Takim miqësor në Tiranë Shqipëri- RP Kinës. Para se të fillojë ndeshja, kur gjithçka është gati në "Qemal Stafa", në dhomat e zhveshjes futet një person i panjohur dhe i drejtohet Tefës duke i thënë se nga Dega e Brendshme në Shkodër ka ardhur një urdhër ku thuhet se "Tef Prela nuk duhet të jetë arbitër, pasi ai nuk është i denjë për këtë ndeshje të miqësisë së madhe". Pa i kërkuar shumë shpjegime, i habitur dhe i goditur psikologjikisht, Tefa vishet dhe ndërsa caktohet Met Petrela si asistent dhe ndeshja kishte filluar, ai mori rrugën e cila të çonte te Stacioni i trenit (ku është dhe sot) për t'u kthyer në Shkodër. Por vështirësia qëndronte në faktin sesi do të komentohej në Shkodër, në shkollë dhe nga nxënësit e tij ky rast. Çfarë do t'iu thoshte ai arsimtarëve e miqve?!".

Por, surpriza i vjen nga një koleg, i cili pa e ditur situatën e kishte ndjekur takimin në televizor: "Emrin ta dëgjova, por nuk m'u duk se ishe t'i si vijërojtës" - i thotë ai. Duke qenë se germat u fundit të dy mbiemrave ishin të ngjashme e tingëllonin njësoj "...rela", e kishin bërë kolegun të besojë që ishte Tefa realisht në ndeshje pavarësisht se në ekran kishte parë tjetër figurë. Gjashtë muaj i është dashur Tef Prelës të sqaronte pse nuk ishte në atë ndeshje dhe pse e kishin larguar në atë mënyrë misterioze nga sfida e "miqësisë së madhe". Kohë më vonë e ka marrë vesh se kishte qenë një letër anonime që nuk e kishte lejuar, ashtu si shumë të tjera që vinin për të në mënyrë sistematike.

Kur në ndihmë i erdhi "Zëri i Popullit"

Një shkrim i gazetarit Albert Shala në gazetën "Zëri i Popullit", që i erdhi në ndihmë krejt papritur, është unike për Tef Prelën. Në njërën nga dy finalet e famshme të viteve 80-të, ajo e vitit 1984 "17 Nëntori-Flamurtari", arbitër është Arsen Hoxha, ndërsa asistentë janë Astrit Canaj e Tef Prela. Luhet në Shkodër, takim final, rezultati 1-1 deri pak minuta përfundimit. Në një aksion të tiranasve Kola ka shënuar, por Prela me flamur ka sinjalizuar për pozicion jashtë loje të tij. I këtij mendimi nuk ka qenë Arsen Hoxha, i cili e ka konsideruar golin e rregullt. Polemika, refuzime, kundërshtime dhe vonesa për rifillimin e lojës për shumë minuta, por vendimi i kryesorit është i pakthyeshëm. Goli vlerësohet i rregullt dhe i jep tiranasve trofeun, por vlonjatët nuk rreshtohen në ceremoninë mbyllëse. Shumë zhurmë pas ndeshjes e në javën në vazhdim. FSHF-ja hesht, por në gazetën "Zëri i Popullit", në një koment sportiv të Albert Shalës, në rubrikën "Teknologjia televizive dhe vendimi i gjyqtarit", gazetari komenton momentin dhe me argumente hedh dritë mbi rastin, duke e konsideruar veprimin e Tef Prelës shumë të rregullt, madje goli duhet të ishte anuluar dhe për këtë asistenti Prela ka pasur shumë të drejtë në vendimmarrje.

Kur Prela tentoi të ndryshojë rregulloren

Në Tiranë, ndeshje kampionati, luan Dinamo - 17 Nëntori. Një goditje dënimi e dhënë për tiranasit në afërsi të zonës kundërshtare është bërë objekt i protestave të vazhdueshme të futbollistëve dinamovitë. Frika se 17 Nëntori me Sulejman Memën, një specialist në të tilla goditje, mund të shënonte ishte evidente. Në tentativë për të respektuar distancën 9.15m dhe sapo Mema merrte hov për të gjuajtur, muri mbrojtës afrohej dhe ishte e pamundur goditja.

Disa herë kjo situatë: Për të zgjidhur këtë moment arbitri Prela bën gjetjen unike: Vendos fillimisht barrikadën dhe me topin në duar fillon numërimin e hapave 9.15m në drejtim të kundërt. Ideale, por Mema ka protestuar dhe është ndëshkuar me karton të kuq.

E para dhe e fundit në Shqipëri

18 shkurt 1977. Në Tiranë, në stadiumin "Dinamo", luhet takimi Shkëndija-Lokomotiva (1-1), arbitër është shkodrani Tef Prela, një 35-vjeçar i panjohur për mjedisin sportiv kryeqytetas, për herë të parë në këtë kategori do të arbitrojë sfidën. Dhe e fundit, mars 1991, po në Tiranë. Por, si asistent, pasi arbitër kryesor është i riu Alfred Pavaci. Nga e para deri tek e fundit, 14 vite karrierë: e filloi kur ishte 35 vjeç për ta mbyllur në limitin e lejuar 45. Mbi 400 ndeshje në 25 vite (200 të tilla në Kategorinë e Parë si arbitër dhe asistent). Në sezonin '87-'88 ka kulmin me numrin 9 të takimeve të arbitruara radhazi, të njëjtë me Arsen Hoxhën dhe Dhori Priftin. I pëlqente të ishte penalltidhënës e të tillë e kanë konsideruar, si arbitër të penalltive, pasi në stilin e tij të arbitrimit veçohej ai italian (Seria A ndiqej masivisht në ato vite), që kishte ndikuar shumë tek arbitri shkodran (mbi 50 penallti numëron të dhëna – 29 për vendësit dhe 21 për udhëtuesit). Viti 1992 ul siparin dhe fundkarriere në Shqipëri. Pastaj vëzhgues dhe në 1996, largimi për në SHBA, për t'iu rikthyer sërish zanatit të vjetër, por jo të harruar: bilbilit, rrobave të arbitrimit dhe vërshëllimës.

Tri herë i propozuar për FIFA

Tri herë është propozuar për arbitër i FIFA-s, por asnjëherë nuk i është miratuar dhe s'e ka marrë stemën e saj. Në vitin 1987 e njoftojnë se do të shkojë në Rumani si asistent në një ndeshje ndërkombëtare. Mirëpo, ndërkohë, është caktuar asistent në takimin Lokomotiva - Besa, bashkë me dy kolegët që do të udhëtojë për në Bukuresht.

Në altoparlantin e stadiumit, bashkë me emrat e lojtarëve, jepen edhe ato të arbitrave, ku dëgjohet edhe ai i Tef Prelës. Por, një letër e disa veteranëve nga Shkodra që, pasi kanë dëgjuar në radio emrin e Prelës si asistent dhe që kjo treshe do të shkonte në Rumani, dërgojnë një letër anonime në FSHF dhe një ndër zyrtarët të nesërmen e thërret në zyrë dhe i dëshpëruar i thotë: "Tef, nuk do të udhëtosh për në Rumani!" Vetëm disa vite më vonë, ai do të realizonte dëshirën e munguar, kur do të shkonte në Turqi, për Kupën e Kupave dhe në San Marino, me ekipet përfaqësuese U-18, por gjithmonë si asistent.

Finalet e Prelës, një tjetër rekord

Është i vetmi arbitër jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve, që si askush tjetër ka qenë prezent në pesë finale në aktivitetet zyrtare kombëtare. Madje, në të parën në Durrës, në sfidën vajtje Lokomotiva-Labinoti 0-1, në Kategorinë e Dytë, ku protestave të futbollistëve durrsakë, Prela iu përgjigj me të famshmen shprehje: "As Tejlor nuk do ta kishte arbitruar më mirë se Tahir Kalaci këtë takim". (Bëhej fjalë për arbitrin e finales së Botërorit '74, anglezin Tejlor).

Finalet e Tef Prelës janë:

Lokomotiva-Labinoti, T. Kalaci / A. Halili - T. Prela (Finale kat. II);
17 Nëntori-Dinamo, M. Lara / T. Prela - T. Kastrati;
17 Nëntori-Dinamo, Dh. Prifti / K. Peqini - T. Prela;
17 Nëntori-Flamurtari, P. Kotherja / T. Prela - K. Peqini;
17 Nëntori-Flamurtari, A. Hoxha / T. Prela - A. Canaj.

I pari arbitër futbolli shqiptar në SHBA

Tef Prela është i pari dhe i vetmi shqiptar, që si arbitër ka mundur të arbitrojë në SHBA, në shtetet Nju York e Nju Xhersi. Fillimisht një testim në kolegjiumin e Nju Jorkut me kryetar një italian dhe vjen aprovimi për të gjykuar. Mirëpo, ajo që e bën edhe më unik këtë rast, është fakti se ka mundur të marrë edhe një licencë, pastaj stemën "STATE REFEREEE" (1997), ekuivalente me atë "Ndërkombëtar". Dhe kulmi si një rast i rrallë qëndron te mosha: E rifillon arbitrimin në moshën 54-vjeçare, dy vite radhazi dhe fundkarriere kur ishte 56 vjeç, një rast i rrallë edhe për FIFAn. Një karrierë arbitrimi pa limit! Ndërsa Leonardi jeton në Shkodër, Tef Prela me familjen, gruan, dy djemtë për më shumë se 15 vite jeton në Nju Jork. Nuk ka ndryshuar aspak, transmeton energji, humor dhe të qenit e një familjari model. Atje ka edhe Arsen Hoxhën, me të cilin komunikon rregullisht, por edhe Dhori Priftin. Një treshe arbitrash si dikur, e gatshme të gjykojë një ndeshje "veteranësh", por këtë herë me Tef Prelën arbitër kryesor.

- Nga Uvil Zajmi

COMMENTS