Prof. Dr. Tomor Osmani

Të shkruash për Prof. Tomor Osmanin nuk është e lehtë, sepse ai rrjedh nga një familje intelektuale mjaft e njohur shkodrane, dera e së cilës nxori figura të shquara që i dhanë jetë shkencës së pedagogjisë dhe asaj të gjuhësisë sonë. Mjafton të përmendim të paharruarin prof. Shefik Osmani, babai i pedagogjisë dhe mësuesisë shqiptare, Urti Osmani, mësuese e nderuar dhe mjaft e njohur në qarqet e punonjësve të edukimit dhe Tomor Osmani, vazhdues i denjë i traditës historike të gjuhësisë shqiptare, pasardhës i Çabejt, Demirajt, Kastratit, Ajetit etj.

Tomor Osmani
Tomor Osmani lindi në qytetin e Shkodrës më 08 maj 1935, pra profesori i nderuar, Mjeshtri i Madh, i ka mbushur të 80-tat, por është plot forcë dhe energji djaloshare, punon, ligjeron, studion dhe shkruan pareshtur, sidomos në fushën e gjuhësisë, duke hedhur dritë në pikat e errta të saj, e kjo dritë nuk do të shuhet kurrë, sepse profesor Tomori e ka materializuar në dokumente të pavdekshme.

Pas përfundimit të arsimit 7-vjeçar dhe të mesëm në qytetin e lindjes, vijon studimet në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe të Letersisë Shqipe, të cilin e përfundoi në vitin 1958 dhe po atë vit emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën e mesme pedagogjike "Shejnaze Juka", ku punoi rreth 5 vjet. Pikërisht këtu Prof. Tomori hodhi bazat e punës studimore, metodike dhe shkencore në lëmin e historisë së gjuhës shqipe, së cilës i kushtoi rreth gjysmëshekulli të jetës së tij. Në vitin 1963, emërohet pedagog në Universitetin e Shkodrës dhe jep lëndën e gjuhës shqipe për rreth 50 vjet me radhë. Profesor Tomori ka qenë një person me diapazon të gjerë shkencor, i përgatitur, metodist i shkëlqyer dhe mbi të gjitha njeri i kulturuar. Universal me profesion dhe në fushën e gjuhësisë, pjesëmarrës në Kongresin e Gjuhës Shqipe të vitit 1972, dhe më tej pjesëmarrës në mjaft aktivitete shkencore të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë vendit. Anëtar i mjaft grupe pune organizuar nga Ministria e Arsimit për përsosjen e programit të gjuhës Shqipe dhe modernizimin e tij.

Për vite të tëra pati punuar me ngulm për të ndritur rrugën e gjatë dhe të vështirë të formimit të alfabetit shqip dhe rolin e madh që luajtën patriotët tanë në hartimin e tij dhe diskutimi i një alfabeti të munguar në Kongresin e Manastirit në vitin 1908. Pas një pune të guximshme, vetëmohuese dhe me shumë vlera, Prof. Tomori boton në vitin 1987 studimin e plotë "Histori e alfabetit të gjuhës shqipe", përmes të cilit na jep rrugën e vështirë të konsolidimit të alfabetit tonë. Pak vite më vonë, profesori do të ndërmerrte një iniciativë tepër të vështirë, por boshllëku i krijuar në këtë fushë, e detyruan studiuesin e talentuar të përshkruante "Udhën e shkronjave shipe", evoluimin e tyre, konsolidimin e tyre në gjuhë dhe prioritetet e zhvillimit të tyre deri në gjuhën e sotme. Puna e mirëfilltë shkencore, sakrificat për të hulumtuar dhe pasqyruar të dhëna të reja rreth historisë së gjuhës sonë, e rritën së tepërmi personalitetin dhe figurën e tij prej shkencëtari prandaj në vitin 1983, mbron gradën shkencore "Kandidat i shkencave" të gjuhësisë. Ky titull ishte një motiv që profesori të mos reshtte së punuari, prandaj një vit më vonë, fiton titullin "Doktor i shkencave" të gjuhësisë.

Në fakt s' kishte si ndodhte ndryshe, sepse prof. dr. Tomori ishte rritur në një ambient shkencor, gjithë Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkodrës ishin intelektualët dhe studiuesit më të spikatur në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare. Ky ambient ndikoi fuqishëm në punën e tij. Ka patur kurdoherë ndihmën e pakursyer të prof. Jup Kastratit, Safet Hoxhës, Mina Geros, Tefë Topallit, Simon Pepës por edhe të Neki Lezhës, Hasan Lekës, Artan Haxhit, Fatbardha Hoxhës, Fadil Krajës, etj., të cilët kanë dhënë kontribut të paçmuar në formimin e tij si një nga autorët më në zë të gjuhësisë shqiptare. Figurat më të spikatura që dhanë kontribut të shquar në hulumtimin dhe studimin e shkronjave shqipe dhe rolin e tyre në gjuhën tonë, profesori do t'i përjetësonte në librin e tij thellësisht shkencor që profesorit të dashur do t'i merrte një periudhë 40-vjeçare pune studimore "Udha e shkronjave shqipe", për të cilën prof. Tomori kujton se e ka nisur punën studimore rreth vitit 1949, këtë studim e pati materializuar në vitin 1968, kur pati botuar një studim të Pashko Vasës dhe alfabetin e tij, i cili ishte një arritje e madhe për kohën. E rëndësishme është se prof. Tomor Osmani, ky shembull pune dhe sakrifice, ky studiues dhe intelektual i zellshëm, përmes veprës së tij të mrekullueshme ka synuar të hedhë dritë edhe në periudhat më të lashta të historisë kur shqipja nuk ishte folur dhe shkruar, madje ndoshta edhe para shqipfolësit të paharruar Pal Engjëllit, duke krijuar kështu, një traditë të re në kultivimin dhe zhvillimin e shqipes së shkruar. Prof. Emil Lafe do të kujtojë:

"... Ky libër që mund të quhet edhe libri i jetës së autorit, përfaqëson metaforikisht vetë udhën e kërkimit të tij shkencor si gjuhëtar. Tomor Osmani e nisi këtë udhë 40 vjet më parë, kur përkujtohej 60 vjetori i Kongresit të Manastirit ...".

Vitet kalonin dhe intensiteti i punës studimore dhe shkencore të prof. dr. Tomor Osmanit, sa vinte dhe shtohej. E shohim bashkëpunëtor të disa projekteve shkencore, redakton disa vepra me peshë në shkencën e gjuhësisë si "Leksiku historik i gjuhës shqipe" të gjuhëtarit Kolë Ashta, veprën në dy vëllime të Kolë Kamsit si dhe 20 vëllimet e kolonës "Studime shqiptare" etj. Kjo punë intensive dhe tepër e dobishme për shkollën tonë të gjuhësisë e kurorëzon me titullin e lartë "Profesor" në vitin 1999, vit në të cilin profesori pati botuar veprën e rrallë në gjuhësinë tonë "Udha e shkronjave shqipe". Profesori ynë tani motivohet dhe punon akoma më shumë sidomos në fushën e studimit të gjuhës, por krahas kësaj ftohet për të dhënë leksione për historinë e gjuhës edhe në universitetet e trevave shqiptare, sidomos në Universitetin e Tetovës, të Podgoricës dhe atë të Prishtinës.

Duke qenë një njohës i mirë i jetës dhe veprës së Joklit, e gjejmë anëtar të projektit "Norbert Jokli dhe vepra e tij", që pritet të botohet në disa vëllime, si dhe i veprës voluminoze "Shkodra në shekuj", që po jep një kontribut tepër të rëndësishëm. Duke qenë se vepra e tij "Udha e shkronjave shqipe", u përzgjodh nga Akademia e Shkencave si një nga veprat më të mira në fushën e Albanologjisë, si dhe duke pasur një jetë të tërë që studionte dhe botonte mjaft libra për historinë e formimit dhe të konsolidimit të gjuhës shqipe, Presidenti i republikës e nderon me dekretin me Mr. 3917/24. 10. 2002, me titullin më të lartë "Mjeshtër i Madh", titull plotësisht i merituar për këtë intelektual të nderuar. Është me vend të theksojmë se në morinë e artikujve shkencorë që e kalon shifrën e 400 titujve të referuar apo të botuar në organe shtypi në trojet mbarëshqiptare dhe në vende të ndryshme, të monografive të ndryshme të shkruara me bashkautorë, veprave të botuara dhe të ribotuara disa herë, duhet të dallojmë veprat me vlera të spikatura në fushën e gjuhësisë si "Histori e alfabetit të gjuhës shqipe" Tiranë 1987, "Udha e shkronjave shqipe", Shkodër 1999, "Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)" Shkodër 2004, "Shejzat për gjuhën shqipe", Shkodër 2013, si dhe veprën madhore "Tradita dhe e sotmja në vështrimin gjuhësor", në 4 volume shtrirë në vitet 2006-2014.

***

I mungonte një studim i plotë i ndërmarrë me shumë kompetencë gjuhësore kolana prej 4 volumesh me titull "Tradita dhe sotmja në vështrimin gjuhësor", shkencës së gjuhësisë shqiptare. Në kontekstin historik, kjo vepër është ndër më të rrallat në gjuhësinë shqiptare e cila ka si mision të hulumtojë rrugët dhe figurat e gjuhësisë sonë që punon për të zbuluar rrënjët e lindjes dhe zhvillimit të kësaj gjuhe, të cilën mjaft gjuhëtarë dhe shkencëtarë të kësaj fushe jo vetëm e vendosin në themel të familjeve të gjuhëve indoevropiane, por e njohin edhe si vazhduese të denjë të ilirishtes. Studimi thellësisht shkencorë i prof. Tomor Osmanit, hedh dritë mbi lashtësinë e kësaj gjuhe, elementet e formimit dhe përdorimit të saj, mbartësit, gjurmuesit dhe studiuesit e kësaj gjuhe, puna dhe përpjekjet e të cilëve shpesh u lanë në harresë. Vëllimi i parë u botua në Shkodër në vitin 2006, dhe pati bërë jehonë në qarqet akademike të gjuhësisë, pasi autori pati sjellë një studim për t'u patur zili, i pati bërë një shërbim të vyer gjuhësisë shqiptare.

Shkrimi i vonë i shqipes ose dokumentimi i vonë i shqipes së shkruar, ndoshta ka ndodhur sepse kombi ynë, ka qenë gjithnjë nën ndikime të ndryshme nga romakët që kishin traditë latine, bizantinët që kishin traditë shkrimore greke dhe më vonë nga turqit që shkruanin arabisht. Pikërisht kjo i detyroi bashkëkombësit tanë patriotë që të krijonin një alfabet shqiptar dhe në bazë të tij të flisnin dhe shkruanin gjuhën e nënës. Dhe figurat e tyre janë të shumta, janë ata që studiuan, krijuan, organizuan takime për të punuar pa u lodhur, për të krijuar alfabetin shqip. Dhe profesor Tomori i vlerëson figurat e tyre, punën e tyre të mundimshme, veprat e tyre, pa të cilët dhe shkenca jonë e gjuhësisë do të ishte e mangët.

Flet profesori ynë për probleme të mirëfillta që kanë shqetësuar vazhdimisht dhe historikisht gjuhësinë tonë, pasi materiali që na paraqet autori u nënshtrohet analizave faktike gjuhësore dhe historike të cilat në shumë raste ndërthuren mes tyre. Një vend me rëndësi në vepër zënë shkrimet që pasqyrojnë momentet më kryesore të historisë së zhvillimit të gjuhës sonë, ku profesor Tomori përpiqet ti japë në mënyrë të sintetizuar lexuesit rezultatet e arritjeve të studimit të tij për një numër çështjesh të cilat edhe gjuhësia jonë ka patur vështirësi të mbajë qëndrim të prerë. E ka pasqyruar autori mjaft bukur në veprën e tij çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe, vendin e gjuhës sonë në gjuhën e gjuhëve indoevropiane, marrëdhëniet e gjuhës sonë me gjuhët indoevropiane, rrugën e formimit dhe konsolidimit të alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe rolin e dokumentave dhe mbartësitë e kësaj gjuhe nga më të rëndësishmet në familjet e gjuhëve indoevropiane.

Bazuar në një njohje të thelluar të shkencës së gjuhësisë autori merr në shqyrtim hipotezat themelore të arritjeve në lëmin e historisë së gjuhës, i studion ata, i analizon dhe i pasuron me mendime dhe ide të reja, duke mbajtur një qëndrim kritik jo vetëm ndaj fakteve historike, por edhe ndaj figurave të gjuhësisë shqiptare. E rëndësishme për autorin është se shqipja përfaqëson një grup të veçantë në familjen gjuhësore evropiane, që në antikitetin romak ajo është folur në trojet tona, pasi kemi të dhëna historike dhe gjuhësore se kjo gjuhë, relativisht e re ka patur lidhje me njërën nga gjuhët më të lashta në Ballkan, atë të ilirishtes. Kështu mendonte Hahni, Majeri, Pederseni, Jokli, Çabej, e më vonë Demiraj, Osmani, Ajeti, Ismajli etj., por edhe shumë nga njerëzit e kulturës gjuhësore që autori i merr në shqyrtim në veprën e tij, shumica për herë të parë, duke vlerësuar kontributin e tyre në këtë lëmë.

Katër volumet e kolonës "Tradita dhe e sotmja në vështrimin gjuhësor", janë konceptuar si kronikë historike ngjarjesh të veçanta për zhvillimin e gjuhës sonë. Ndoshta për herë të parë analizohet aq bukur jeta dhe vepra e Naum Veqilharxhit dhe kontributi i tij mjaft i rëndësishëm në fushën e gjuhësisë sonë. Më tej profesori merr në shqyrtim disa organe shtypi që kanë dhënë kontribut të paçmuar në lëmin e gjuhës, veçanërisht revistat "Shejzat" dhe "Dituria", ku kontribuonin mjaft patriotë të shquar dhe gjuhëtarë me vepra. Vepra merr vlera të veçanta, ku njihesh me studimin gjuhësor të mjaft patriotëve dhe gjuhëtarëve të njohur që shkrinë jetën për gjuhën amtare. Gjejmë këtu figura të tilla të njohura dhe studimore me shumë dashuri nga profesor Tomori si N. Gazulli, K. Kristoforidhi, N. Naço, F. Bardhi, P. Vaso, Buzuku, Barleti etj, por edhe gjuhëtarë më pak të njohur ose të lënë në harresë si: D. Boriçi, Gj. Pekmezi, H. Ulqinaku, A. Dozoni, J. Rrota, N. Nikaj, K. Kamsi, K. Gurakuqi, M. Camaj, I. Riza, A. Xanoni etj, figura të cilat autori i vlerëson në maksimum duke u dhënë vend të veçantë në lëmin e formimit dhe zhvillimit të gjuhës sonë.

Duhet theksuar se vepra e Prof. Tomor Osmanit në fushën e gjuhësisë, është një kontribut i pashembullt në shkencën tonë, është një hulumtim me shumë vlera, ndaj ky material mbështet dhe çon më tej mendimin e zhvillimit historik të shqipes së shkruar dhe përsos kuptimin e gjuhës sonë në veçanti dhe fjalës shqipe kudo qe flitet në përgjithësi. Puna kolosale e prof. Osmanit, në trajtimin e çështjeve më me rëndësi të historisë së gjuhësisë shqiptare mbështetet në fakte dhe dokumente konkrete duke na sjellë një material me mjaft vlera për historinë dhe lashtësinë, jo vetëm të gjuhës, por edhe të kombit tonë. Parë në këtë kontekst, Prof. Tomor Osmani është dhe do të mbetet një figurë e shquar e gjuhësisë sonë. Me lejoni t' Ju uroj jetëgjatësi, krijimtari të frytshme, për kultivimin dhe lartësimin e virtyteve më të mira shqiptare.

Nga Fran Gjoka
- Rreth jetës dhe veprës së Prof. Tomor Osmanit me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

COMMENTS