Gjergj Fishta - Dita e gjyqit

Gjergj Fishta Giorgio Fishta

Dies iræ, dies illa
Solvet sæclum in favilla,
Teste David cum Sibylla. (Ecclesia)


At ditë disi tu' u mâtë u çueka dielli;
E as dritë aj nuk po bâte. Njato rreze,
T' cillat motit t' shkelzyeshme e t' xeta ngrofshin
Gjít e plleshem t' natyrës, e gjallë mbi shekull
Mbajshin flaken e jetës, ato të zbeta
E t' marrta dheut po i bishin: thue se gurra
E dritës isht' shterrë. Por pesha e rruzullimit
Ajo 'dhe at ditë e ngathët e disì rryetas
Asaj ravës s' hershme (nepër eter t' cillen
Gishti ia çili Perendís' s' Amshuem),
Po i bite, e, shtekut, n' kavaljete t' shkueme
Rrahun me hap t' sigurtë, zatette prore:
Si ajo mokna, qi, veglash grisë prej kohe,
Ngurrueshem lshon e ngelë pá dá ndër dhâmbza
E as n' pûnë ajo, mâ s' hîn. T' thjermët e Empirit
- Ata t' bredhun të dritës s' lumnís s' Parrizit -
Krejt isht' irnue. N' mjedis t' terthores s' qiellit
Hâna pergjakun ndryshe ajo nuk date,
Veç si varra n' krahnuer t' nji djali t' vetun,
Kmishen e dekës ka' atij ia veshë e âma.
Hyjt 'dhe ata, vjetrue e shterrun dritet,
M' qiellë xhixhllojshin si flaka e nji kandili,
Qi m' tryezë skamnore vjen t'u shue n' vedvedi,
Ke voj nuk ká m'u ushqye, e n' terr n' gjysë t' bukës,
T' vorfnin e ngratë e lên; aq sá njat lode,
Qi prej sŷsh i kjason mbi koje t' mykuna
Mâ as "bulku" i voters s'mund t'ia shohë... M' arës ajri
Me miazma morijet, mbi gjâ t' gjalla
E m' njerz randote porsi plumb, e t' liga
T' prânshme e t' vshtira perftote; e u shuete nieri
E u shuete gjâja e gjallë, si shuhet bari
Për nên kosë t' bulkut. S' t' shifte sŷni tjeter,
Veç vorre e stervina. Pse as toka
Ushqim ajo mâ s'epte, e m' shekull ûja
Bâte kerdí. Jo n' popuj mâ, jo n' fise
Mbledhë gjindja u shifshin tok, por kokrra-kokrra:
Si njata shpendt shtektarë, qi atje kah vjeshta
T' dám çetet t' shokvet, duken tue flutrue
Atŷ-ktû n'për pullaze, mje sá dimni
Jeten mos t'ua shkurtojë. - Me gjith kta mnija
E zêmra e keqe prap sundonte m' shekull;
E mberthye m' shoqishojn, prap njerzt u grîjshin
E u coptojshin ndër lufta e ndër degame,
Si kjén coptue gjithmonë, q' prej se pík s' parit
Zêmren e nierit kuprracija e flligji.

Kúr qe, si at ditë (sado qi zhargas) dielli
U kap, mje m' cak, për gjysë kû dahet dita
E buka n' arë prej shpijet i shkon bulkut,
Ati i Pushtetshem nalt prej fronit t' qiellvet,
Neveritun mbi t' fyeme t' randa t' shekullit,
Porsi dý t' rrebta e t' zjarrta rrfé mizore
Ngerthen Aj vetllat m' rruzullim t' shemtuemun,
Edhe vrânët e kundron. Per nên shkreptima
T' asaj mëní t' hyjnueshme; qi prej sŷve
Idhtë i vetote, hâna, hyjt e dielli
E toka u pîn, e ngelen n' vend pá luejtun,
Pezull fatin e mbramë tue pritun. Toka,
Pingul të cillen rrezja e syut t' hyjnueshem
Flakë e zhgjetote, u dridh e fíll prej angrash
Mâ t' permbrendshme bulroi me 'i gjâmë t' trishtueshme
E u trand shi mje m' themel. N' at gjâmë ushtuene
Gollet e rruzullimit; Himalaja,
Si gúr gelqerjet n' ujë, krejt u turshî;
E u shêm Italja, kthelltë e cilla n' gjire
T' tallazevet t' perpîshme t' detit hûmbi;
N' dét edh' Albjona u shue; e u derdh Stambolla
N' Bosfor. Pellasg mâ n' shekull s' mbet, flligshtija
Kû t' mûjte ajo me u picakue e pandershme
E shpírt e trup prap me ia kalbun nierit.
Veç po, sŷni i t' Amshuemit m' at gjâmë t' botës
Aj nuk vetoi, as nuk u zbut; por tjera
Sharte mâ t' rânda m' rruzullim skjyrtote,
Kah, ndezun zhari prej zêmrimit t' mnershem,
I shkrepshin shkndijat si n'për grykë t' Vulkanit;
Aq, sá friget u kput vallja e Parrizit,
E shuejten valle e shuejten lyra t' âmla,
E vetë banorët e qiellvet nepër lugje
E n'për lulishta gjith herë t' njoma u struken,
E qiella u hesht.

Po; m' krena t' Kerubîjvet
Rregji i madhnís felgruese ndêjë pështetun
E ftyret vrâ, si nji thellim i kobshem:
Mbasi at cak sheklli kapercei me t' fyeme,
T' cillin Mishrira ia pat vû e pamatne
Kurr mos me e kcye, e n' Dije t' vet i Lumi
Dau me rroposë rruzllimin: Aj kah dielli
U prír e n' rribë t' tufânit t' mnís s' hyjnueshme
Prej fronit t' vet i frŷni; flaka e diellit
U fik. E kobshme nji terrinë at-hera
Mbi rruzullim u shtrî: e njerzt mbi shekull
N'për terr ravtojshin, porsi mîjt ndër vorre,
Kah mnís shemtuese s' Perendís t' idhnuemun
Dojshin me i hikë. Por nuk i hiket Zotit!
Njat dorë t' pushtetshme mbasandej, me t' cillen
Për sá e sá qinda kavaljetesh mbajti
Peshen e rruzullit, Perendija e struku
E natyren e lshoi pá zot. Trishtueshem
Krisen thithat e shekllit; e rrmores
S' humneres s' rrmyeshme t' t' kthellët avisit
Kulihûm shtielli i rruzullimit brishti
E u shêm, termagshem tu' rapllue n'për kaos.
Nji gjâmë, nji krisme, atbotë, e nji rropame
Elementash u ndie, kah vlojshin, ziejshin,
E ndër gomna shunglluese t' njâni-tjetrit
U shkaperdredhshin me duhí thellimit,
Tue bumbullue n'për shekull. Hyjt e qiellit
Atà, edhe, dalun jashta rrethit t' hershem,
Me zhumhúr t' tmerrshem n' pakthellim u rrposshin
Ka' u ndeshshin, ka' u përpiqshin, e u turrshîjshin
E flaurí kah nepër kaos u derdhshin.
N'për tŷm, mandej, n'për pluhën e rê t' mûrrta,
Qi shekllin kand e kand kishin mberthye
Shkrepte pá dá rrufeja, porsi shkrepin
Shkndîjat n'për tŷm t' dullîjavet. Prej duhmet
E prej termetit, tue bulritë frigueshem,
Toka edhe trandej, e, si gogel dushkut
M' ujë shkundullitej n' rrymë t' atij thellimi.

Kúr qe, 'i kometë n' mes t' kataklizmit t' mnershem,
Shkepun prej s' eprit, kulihûm n' teposhte
Me zhaurrimë t' perfrigueshme goromiset
E m' Oqean Atlantik pingul plandoset.
Trandet toka m' at t' ndeshun; ujët e detit
Jashtë lugut t' hershem del, e dynden sklafat
E kernalles n' perpjetë si bjeshkë, si male,
Të cillt mandejna, me furí perpîse
Shkul kah Europa e n' Amerikë dikohen
E shkaperderdhen përmbi Afrikë t' zharritne:
Merr dhén boena. Felgrueshem tue gurgllue
Tallazi male kapercen e kodra,
E m' rrymë t' gjirevet t' veta rrmben qytete,
Mbretní përpîn, e shkîmë gjâ t' gjallë e nieri,
E gjithshka dora kavatoi njerzore.
Por, po; t' gjith ujët e Oqeanit s' mujt me i shlye
Njollet e gjakut t' nierit, t' cillat vrritshin
Enè kah qiella e gjýq prej s' Drejtës s' hyjnueshme
Lypshin me zâ t' mjeruem. Prandej i Amshuemi,
Sŷni i të cillit nuk mund t' shofë pegame
E gjâ s'i rrshet Atij per pá u ndeshkue,
Premtoi qi flakë m' at hýll nji zjarm t'u kallte
- M'at hýll, qi token nên peshë t' vet e ndrydhte -
E mbarë dhén t'a perlate e t'a shkrumote.
E qe, zên hylli rebtë m'u shkundullitun,
Zên rebtë m'u trandë, e, tue shperthye me krisme
Nji dét zjarmit flakron mbi tokë t' shemtueme.
Por edhe zhari, n' gjí qi ngrofte bota,
Nên t' rrebten frŷmë t' s' hyjnueshmes mní s' t' Amshuemit
Ndezet aj flakë e me 'i furí trishtuese
Shperthen n'për zgorka t' dheut nên valë t' Oqeanit.
Ujët e zjarmi m' atbotë u kaperthyene
E, anmiq tue kênun, me uturim u ndeshen
E u perlán. Ulurote deti e dyndte
Mje m' rê tallazet. Flaka tue krepatue
E tue fishkllue, mbi dét pá dá ngerthehej
E me vapa të veta e frushkullote.
N' zhaurrimë t' mnertë t' asaj lufte titanike
Kobshem gjimojshin viset e rruzullimit
E shungullote kupa e naltë e Empirit.
N' e mbramët m'u lodhë zû deti, e, para zjarmit
N' avull t'u çue, krejt shterri. Zjarmi at-hera,
Lshue pá zangall, iu vesh terthores s' shekullit,
Edhe kréjt e zharriti. Shkrîni malet
E kodrat, e kunorat; e dogj fronet
Me shpata e me gjithshka, qi dikúr m' shekull
Krenín e mbajti m' kâmbë; e kúr s'pat tjeter
Shka me shkrumue, n' hî t' vet u shkim prej vedit,
E toka mbet veç hî e kthniell: si votra
N' nji shpí të dalne faret, mbasi zjarmi
T'i shuhet e me ferrë dera t'i mbyllet.
E kshtû u rrpos sheklli e sosi pûna e nierit.

COMMENTS