Kanga e Buenës

Kënga e mëposhtme përshkruan përmbytjen e madhe të lumit Buna që ndodhi në vitin 1896, e rrënimet e mëdha që kjo bëri në popullsinë e Shkodrës e të zonave përreth. Kjo këngë, që njihet nën titullin Kanga e Buenës, në vetvete nuk ka ndonjë bukuri, por tregon cilësinë e posaçme të shpirtit të shqiptarëve për të kujtuar me vjersha e këngë ngjarjet e vendit të vet; në daç të jenë këto kronika historike, si luftëra a beteja, episode trimërie; në daç në raste të katastrofave natyrore, si tërmet, zjarr, përmbyjte; deri tek ndodhitë gazmore e humoristike. Fotografia është vetëm për ilustrim.

Foto nga permbytjet ne Shkoder

Kanga e Buenës


Me sendè nandhetegjashtë,
Na tash Zotin do t'a drona,
T' gjith kto halle t'i kjàjm bashkë,
T' tana janë gjynahet t'ona.

Po kallxojnë, nder dhéna tjera
Kshtû vakí s'ka bâ kurrkuej,
Na mbloi shiu edhe èra,
Me na mbytë Zotyn me ujë.

Nepër Buen e nepër Drî
Sá të dekun qi po shkojnë,
Kjo e para mrekullí,
Iptidà në Shkoder t'onë.

Njikjo punë bâni vakí,
S'e xên besë me ja thanë kuej,
Kan shkue t' mbytunt nepër Drî
Porsi peshku nepër ujë.

Çoi Zotyn gjithko tallaze
Insani me mârrë ilet,
Sá dugâjë e sá magaze
Janë mbytun per kjahmet.

Jena bâ si n' Venedik
Me ndejë shpijat nepër ujë,
Ka çue Zoti per laik
Per me i rá nder mênd gjithkuej.

N' Shkodër t'onë vakí ka bâ,
Kah do t' vínë njikŷ mkat,
Qi ânderr m'e pasë pá
Na ish dridhun kmisha n' shtat.

Janë bâ hallku muhasere,
Dèr katundet n' mâje t' koders,
Sá kjahmete e qedere
Qi ka pasë pazari i Shkoders.

***

Fusha e male e jeshi-lleqe
Per né t' gjitha kan mbarue;
Tanë pazari deri në Teqe
S' mbet dugâjë pá u rrênue.

Jena bâ si jabanxhí,
Jena të vogjel pá takat;
Uren e hupi me gjith mullî,
E ká çue në Torragjat.

Na, tue hjekë gjithketo zore,
Prap s'e dona shoqishojnë,
Duhet me gjetë nja dy malcore
Per me kjá pazarin t'onë.

Na pak Zotin m'e mêndue,
N' Shkoder t'onë âsht çart usulli,
Do kjá mirë e do lotue,
Se pazarit i âsht vûe çulli.

Kena ndí e kena pá
Sa dugâjë uji po i xête,
Deri shpêndt per havá
I kan hjekun do ezgjete.

Nder katûnde do shpija t' shkreta
Nat' e ditë rrijnë tue kjá,
Tanë do t' vêhen nder gazeta,
Kan m'u hapë nepër dyrnja.

Katundarët rrijnë tue bertitë:
Te na âsht bâ nji kjahmet,
Ka çue Zoti me na fikë,
Me na marrë ket bereqet.

T'a marrë vesht t' gjith Europa,
Ndimë na paçim Perendín,
Por ala s' na ka lshue toka,
Kaq gazep ka marrë Shqipnín.

***

Katundarët porse bâjnë hije,
I madh e i vogel kjájn me lot,
Prej Dauletit indadije
Zoti dhashtë të mira plot.

Vetimë, shí e disa t' shkrepna,
Si n' katunde qi po tham,
Gjâ e mâllë e bereqetna,
I kà shkue mûndi dâm.

Shoqishojt t'ja bâjmë hallallë,
Na tash Zotin mos m'e fye;
Léne per gjâ e per mâllë,
Por kan shkue edhe me krye.

Ka çue Zoti kastigim,
Me n'a rrênue ket vilajet,
Âsht nji váj e nji ankim,
Derman per né s'ka m'u gjetë.

Prap Zoti t' mira na nep,
Bereqeti pat kênë lír,
Per gjithkênd ká kênë gazep;
Ishalla e bân Zoti mirë.

Tanë kto bejta mirë janë shkrue
Posë mullînit t' Hajdar Agës,
Me temel e ka rrênue,
Ka kênë haxheti i fukarás.

Vínë gjindja tue lotue,
Per mullî çka na ká gjetë,
Edhe ky kênka rrênue,
Der pexheret i a ka tretë.

Hall i madh per vaporxhí
Kah s'i bâjshin punës itàt,
Krejt i a ka rrênue at shpí,
Me temel â bâ haráb.

COMMENTS