Mësuesi im Pashko Gjeçi

Pashko Gjeçi mbetet një krijues i gjallë e i rrallë që i bën nder kulturës sonë, ndërkohë që kjo nuk mund të pohojë se e ka nderuar atë qoftë edhe në mënyrën më të thjeshtë.
Pashko Gjeçi mbetet një mësues që i bën nder arsimit tonë, ndërkohë që ky arsim nuk mund të pohojë se e ka nderuar atë qoftë edhe në mënyrën më të thjeshtë.
Pashko Gjeçi mbetet simboli i njeriut që e nderon kombin, ashtu si nuk mund të thuhet që kombi e ka nderuar atë qoftë edhe në mënyrën më të thjeshtë.
Ne nuk do të arrijmë dot kurrë ta vlerësojmë këtë njeri të madh në tërë poliedricitetin e tij njerëzor, artistik, kulturor, arsimor. Për fat të keq!

Artikulli që vijon është publikuar në një kohë kur Prof. Pashko Gjeçi ishte ende në jetë. Meqenëqë jemi në prag të festës së 7 Marsit, zgjodhëm ta publikojmë sot këtu jo vetëm për të kujtuar Prof. Gjeçin por, njëkohësisht, dhe për të përcjellë respektin edhe mirënjohjen tonë tek të gjithë mësimdhënësit e mësimdhënëset që, ashtu si Ai, kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar në edukimin e brezave. Kryetitulli është zgjedhur nga stafi. (ShD)

Pashko Gjeci (1918-2010) mbetet simboli i njeriut qe e nderon kombin, nje mesues qe i ben nder arsimit, nje krijues i gjalle e i rralle qe i ben nder kultures sone
Çdo portret buron nga këndvështrimi. Portreti i Pashko Gjeçit i skicuar nga unë mban vulën e një nxënësi të tij. Në historinë e njerëzimit portretet e mësuesve kryer nga nxënësit, thënë ndryshe me një fjalë latine, nga dishepujt, vlerësohen si vepra të subjektivizmit, për të mirë a për të keq qofshin, pra jo fort të pranueshme. Shpresoj të jem aq objektiv në portretizimin e njeriut të nderuar dhe mësuesit tim të rrallë, sa askush të mos ndihet qoftë edhe lehtësisht i shtënë në dyshime mosbesimi.

Mësuesi


Në vitin 1965 në Tiranë u hap, për herë të parë në periudhën e pasçlirimit, një shkollë e veçantë, ajo e mësimit intensiv të gjuhëve të huaja. Shkolla, e cila njihej thjesht si Shkolla e Gjuhëve të Huaja (vetëm më vonë ajo do të merrte edhe emrin "Asim Vokshi"), sillte bashkë me lindjen e vet edhe një risi për arsimin shqiptar të pasçlirimit: hapjen e një dege të veçantë, klasike, për mësimin e gjuhëve kryesore të antikitetit, greqishtes së vjetër dhe latinishtes.

Ende sot e kësaj dite nuk më ka qëlluar (dhe as jam interesuar) të mësoj se në cilën instancë të administratës shtetërore lindi ideja, disi e çuditshme për atë kohë, e hapjes së një dege të tillë. Asokohe në Tiranë latinishtja mësohej, me orar të zakonshëm, vetëm në gjimnazin "Sami Frashëri", ndërkohë që në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë përgatitej për studimin e mëvonshëm të historisë së Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe një grup tejet i vogël prej 5 studentësh, të cilët mësonin në mënyrë të veçantë greqishten e vjetër dhe latinishten.

Këto janë pak a shumë rrethanat mësimore të hapjes së degës së greqishtes së vjetër dhe latinishtes në Shkollën e Gjuhëve të Huaja këtu e 40 vjet më parë.

Prekja e rrethanave të tjera do të ishte diçka që do të kërkonte shumë kohë dhe do të ishte jashtë kornizave të një gazete. Por le të kujtojmë kalimthi që gjuhët klasike, sidomos latinishtja, lidheshin së paku me dy përfytyrime në mendësinë e njeriut të kohës: së pari, me disiplina shumë të vështira dhe, ndoshta ndoshta të panevojshme; së dyti, me klerin katolik dhe rolin e tij në historinë e vendit.

Hapja e Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja u shoqërua me një vërshim lutjesh të nxënësve, që kishin mbaruar klasën e shtatë (asokohe arsimi i parë ishte shtatëvjeçar). Nuk besoj të ketë pasur shumë kërkesa për të hyrë në degën klasike. Ndërsa nxënësit e pranuar në të ishin dhe mbetën 20. Në vitet e mëpasme dega nuk pati vijimësi.

Dhe ja, ora e parë e mësimit të latinishtes (kjo ishte gjuha, me mësimin e të cilës hapej dega klasike. Greqishtja e vjetër do të fillonte dy vjet më vonë). Mund të përfytyrohet emocioni i katërmbëdhjetëvjeçarëve në ballafaqimin e parë me një lëndë aq të largët për realitetin tonë, pothuaj të panjohur. Dhe në klasë hynte mësuesi i saj, mësuesi i lëndës dhe i klasës. I dinim vetëm emrin. Asgjë më shumë. Kishte ndonjë që dinte se mësuesi ynë kishte përkthyer "Komedinë hyjnore" të Dante Aligierit, por përveç portretit zymtan të këtij poeti të madh që ndodhej në kopertinën e të tre vëllimeve të "Komedisë hyjnore" asgjë tjetër askush nuk dinte.

Mësuesi vinte i shkurtër, paksa i kërrusur supesh. Kishte një fytyrë të bardhë, dy sy shumë të vëmendshëm dhe cilësinë e rrallë për mësuesit e kohës që të mos ulej kurrë. Ai lëvizte ndërmjet rreshtave, nuk i drejtohej askujt në mënyrë të veçantë dhe u drejtohej të gjithëve njëherësh. Shkodranishtja e këndshme e shkrirë me zërin e butë dhe çuditërisht të gjallë, kumbues, mjaftonte për të tërhequr vëmendjen e një klase gjithsesi mjaft euforike. Mësuesi ynë nuk e ngrinte zërin kurrë, por ashtu si pa e kuptuar as ne vetë, në klasë vendosej shumë shpejt heshtja dhe vëmendja përqendrohej tek fjalët që dora vogëlane e mësuesit rendiste në dërrasën e zezë. Mësuesi ynë nuk dallohej për një metodikë të ngurtë. Bashkë me rregullat e leximit dhe fjalët e fjalitë e para rutinore, ja tek erdhi edhe diçka e veçantë, një fjali, e cila na u duk si pa lidhje koherente me mësimin e ditës, por që dëshmonte se cili ishte këndvështrimi i mësuesit tonë ndaj botës së mësimit në përgjithësi, ndaj latinishtes në veçanti. Kjo fjali, në të cilën mësuesi ynë u ndal paksa më gjatë, tingëllonte "Aurora amica Musis". Ne sapo kishim filluar të njiheshim me lakimin e parë të emrave në gjuhën latine (më pas do të mësonim se të tillë ishin plot 5), ndërsa mësuesi na jepte një fjali, që kishte gjithsejt tre fjalë, tre emra, të tre të lakimit të parë, dhe... asnjë folje. Ai u ndal diku përbri radhës së fundit të bankave tona dhe zëri i tij na erdhi si melodi që prapa krahëve. Lexonte me ngadalë e me zë të plotë fjalinë që sapo kishte shkruar në dërrasën e zezë. Dhe na tërhoqi vëmendjen tek disa elemente të kësaj fjalie: së pari, tek numri i madh i zanoreve, duke na shpjeguar se kjo i jepte gjuhës tingëllimë, melodi. Së dyti, te denduria e zanores a në këtë fjali të thjeshtë, duke nënvizuar hapësirën që i shtonte kjo zanore frymëmarrjes. Së treti, te mungesa e nyjave, parafjalëve, shkurt te karakteri monolitik i fjalëve, i fjalisë, i gjuhës latine. Së katërti, te bukuria e përgjithshme e fjalëve "aurora", "amica", "Musis": të treja të shtrira, të qeta, të thjeshta, e njëkohësisht madhështore, plot bukuri.

Ishte një këndvështrim tërësisht estetik, ndonëse i mbështetur në tipare rreptësisht gjuhësore. Ishte kjo pjesa qendrore e teknikës mësimdhënëse të mësuesit tonë: "Nxënësit mësimi duhet t'i bëhet i këndshëm, i pëlqyeshëm, tërheqës". Kjo rregull nuk na kishte rënë pothuaj fare në sy në tërë vitet paraardhëse (këtu do të veçoja për një teknikë të ngjashme edhe mësuesin tjetër të talentuar e të apasionuar, atë të fizikës, Besim Turdiu) dhe pothuaj nuk do ta hasnim as në të ardhmen (edhe këtu një përjashtim do ta bëja me dëshirë për latinistin tjetër të shquar Henrik Lacaj, pedagogun tonë të periudhës universitare). Ndërsa te mësuesi ynë Pashko kjo, siç do ta tregonte koha, ishte baza.

Krahas mësimit estetik na erdhi, me të njëjtën fjali, edhe mësimi moral, edukata: "Shkolla, mësimi duhet të zhvillojë te nxënësi qetësinë, natyrën e shtruar, të vëmendshme". Për ne, djem e vajza me botë ende të paçelur e me edukatë larg së qeni në lartësinë e një jete të vërtetë qytetare, këto mësime ishin mjaft të thella, pothuaj të parrokshme mendërisht. Por ishin aq të drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë, aq depërtues e mbresues në natyrat tona të buta.

Dhe, së treti, mësimi pedagogjik: "Mësuesi nuk është antitezë e nxënësit. Ai është udhëheqës i tij". Ne për herë të parë mësonim të bindeshim pa një frikësim, pa një britmë, pa një dackë. Për herë të parë ne thjesht mësonim dhe jo shtrëngoheshim të mësonim. Për herë të parë ne gjenim te mësuesi mësuesin dhe jo urdhërdhënësin, gjenim autoritetin e dijes dhe jo atë të mbivendosjes së dhunshme, pavarësisht se e ç'natyre mund të ishte kjo dhunë: psikologjike, nervore, pseudokulturore etj., etj.

Kur kujtoj sot ato vite ndjej sa pak ua ditëm asokohe vlerën këtyre gurëve të vyer të pedagogjisë së mësuesit tonë të thjeshtë si vetë e mira dhe e vërteta.

Dhe të mendosh se sa orë të tilla të rralla për nga bota e pafund e dijes dhe e ndjenjave kaluam për plot katër vjet me mësuesin tonë. Dhe sa e gjerë, sa jashtë pedantizmit të programit të ngushtë dilte ajo që mësuesi ynë na komunikonte.

Po rendis këtu disa shembuj.

Fakti i parë: Në katër vjet me radhë në mënyrë periodike ne iu nënshtruam kontrollit me shkrim të dijes. Ishte një formë e veçantë, që nuk e kryenim në asnjë lëndë tjetër: këtu nuk kishte kufizime tematike, kufizime të mirëfillta kohore. Vetë gjuha, gjuha e huaj veçanërisht, nuk përmban kësi caqesh metodike sikurse i kanë lëndët e tjera duke nisur nga historia e duke mbaruar me shkencat e sakta. Në latinisht forma e vetme e kontrollit të dijes ishte përkthimi. Dhe në katër vjet e tërë klasa jonë e marrë së bashku mezi arriti të merrte vetëm një 10 të vetme. Dhe jo ngaqë ishim nxënës të dobët. Përgjithësisht grupi i gjuhëve klasike, që i zhvillonte lëndët e tjera të përbashkëta së bashku me grupin e frëngjishtes, kishte lulen e nxënësve të klasës së madhe. Prej radhëve tona dolën dy nxënës maturantë me 16 dhjeta nga 17 të mundshme. E në atë kohë nota nuk falej për meritokraci. Por ja që latinishtja ishte diçka fare e veçantë dhe mësuesi ynë - po ashtu. Ai nuk u tregua asnjëherë i rreptë, i ngurtë. Për të qe e huaj mbajtja në sirtar e notës më të lartë. Por njëkohësisht ai nuk e vinte lehtë notën e lartë dhe na edukoi dora-dorës të kërkonim së pari nga vetja, së fundi po nga vetja, dhe gjatë gjithë kohës vetëm nga vetja. Mësimi tjetër i madh i pedagogjisë së tij, pra ishte: "Nxënës quhet vetëm ai që nxë. Pa nxënë nuk bëhesh dot i ditur. Ndërsa pa njerëz të ditur një shoqëri nuk ecën përpara". Mësuesi sikur na tregonte rrugën e punës së ndershme, ashtu siç kishte përkthyer ai vetë në "Komedinë hyjnore": "Nuk fitohet gja tue ndejë mbështetë. E po s'le nam të mirë çka duhet jeta?"

Fakti i dytë: Diku nga viti i tretë, pasi ne patëm filluar mësimin e greqishtes së vjetër me mësuesin tonë aq të vyer e gjuhëtarin e njohur Seit Mansaku, mësues Pashko një ditë të bukur merr dhe shkruan në dërrasën e zezë 4-5 hekzametra nga "Iliada". Për ne ishte ende herët të nxirrnim kuptimin e tyre me forcat tona, ende nuk ishim larguar mirë nga bregu i detit të gramatikës greke dhe problemet ishin tejet të mëdha, të panjohurat - të panumërta. Por mësuesi shkroi vargjet dhe si kaloi, sipas zakonit, diku prapa nesh, nisi të lexonte metrikisht vargjet. Në klasë kishte rënë heshtja. Nuk kishte rëndësi që ende nuk dinim ç'donin të thoshin ato vargje. Hë për hë na magjepste rrjedha e shtruar dhe madhështore e deklamimit të mësuesit, kadencimi i bukur i hekzametrit. Pastaj mësuesi na sqaroi se ato vargje ishin shkëputur nga skena e dyluftimit të Akilit me Hektorin, dhe ishin pikërisht lutjet e Hektorit drejtuar triumfuesit të pashpirt që të mos ia linte kufomën jashtë që t'ia shqyenin qentë e kampit grek, por t'ia dorëzonte baba Priamit. Kaq. Mësuesi na vuri në dukje gërshetimin e bashkëtingëlloreve të shumta h me grupbashkëtingëlloret e përbëra nga s-ja (ks, ps) dhe shtoi: "Hektori është në grahmat e fundit. Ai po jep shpirt dhe duket sikur Homeri ka zgjedhur fjalët që të tingëllojnë si rënkimi i njeriut që po shuhet. Ndërsa atë që trojani parasheh se e pret kufomën e tij në kampin grek, shqyerjen nga qentë e uritur, e japin tërë ato fjalë ku mbizotëron s-ja fërshëllyese dhe kërcëlluese". Ne kishim shtangur: misteri i moskuptimit të tekstit befas ishte shpalosur tërësisht dhe ne shijonim madhështinë e tragjedisë, ashtu si nxënësit që mezi lëçisin në solfezh dhe rrinë të nemitur përpara partiturës së një kryevepre, kur befas vjen mjeshtri i instrumentit dhe gjithçka e errët davaritet, mrekullia del nga format e padeshifrueshme të notave dhe depërton në shpirtin e secilit!

Dhe, mbase në mënyrë ende të turbullt, por prapë mësuam se sa e fuqishme është letërsia e vërtetë, se sa të gërshetuara janë në letërsi si edhe në jetë e bukura me të mirën. Dhe për herë të parë ndoshta ndjemë se ishte vërtet e rrallë të ishte njeriu një trim i çartur, një Akil, por ishte edhe më e shtrenjtë të ishte mbrojtës i atdheut, Hektor. Ishte ky një tjetër mësim i madh i mësuesit tonë.

Fakti i tretë: Vitin e maturës mësuesi na shtyu të zgjidhnim sikush nga një vepër autori klasik latin dhe ta përkthenim deri në fund duke përgatitur edhe një referat rreth autorit e veprës në fjalë. Ishte diçka e paprogramuar, e papërfunduar nga të gjithë me sukses. Por ishte një shtysë e madhe përpara drejt punës së pavarur, drejt kërkimit në lëmin e dijes. Asnjë klasë tjetër paralele me ne nuk ndërmori diçka të tillë, askush nuk u vu në punë në mënyrë kaq të veçantë, kaq të pavarur, dhe kaq frytdhënëse. Ishte një tjetër mësim i madh i mësuesit tonë: "Nuk vlen dija pa punën". Si do të mësonim më vonë nga "Fausti":

E hirtë ësht', or mik, çdo teori;
veç pem' e jetës gjelbëron.

Nuk po ndalem këtu në nismën e mësuesit tonë që ne të përkthenim në latinisht himnin e punëtorëve, "Internacionalen" (gjë që u realizua dhe u këndua në një veprimtari të të gjithë shkollës), nuk po ndalem në leximet e citimet që ai na bënte nga "Odiseja", "Hamleti" ose pjesa e parë e "Faustit", nga sonetet e Dantes, Karduçit. Në çdo rast mund të kuptohej se si ai na merrte pa e kuptuar, si të na kishte zënë për dore, dhe na shpinte drejt shkollës së lartë, asaj të jetës. Me urti, me largpamësi, me thjeshtësi, e njëkohësisht me një kulturë që te rrallëkush tjetër e kam ndeshur në jetë.

Nuk po ndalem as në rastet kur ne e kandisnim mësuesin tonë të urtë e të mirë të na merrte e të na nxirrte për shëtitje (kjo në pranverë) nga parku i liqenit. As kjo nuk qe e huaj për të: të përmbushurit e një dëshire të natyrshme për diell e ajër të nxënësve në moshë djalërie dhe vashërie.

Ky ishte Mësuesi dhe prapa tij ky ishte Njeriu. Ashtu si ky ishte, siç do të kuptonim më vonë, edhe Artisti.

Përkthyesi i "Komedisë Hyjnore"


Pashko Gjeçi si përkthyes i paarritshëm mund të cilësohet edhe vetëm me përkthimin e një vepre aq të gjerë nga rrokja, aq të pasur nga idetë dhe aq të lartë nga forma artistike siç është kryevepra e Dante Aligierit, e letërsisë italiane dhe e gjithë letërsisë botërore, "Komedia Hyjnore", pa qenë nevoja të përmenden përkthimet e tij tjera, disa të njohura nga lexuesi si "Odiseja" e Homerit e disa të panjohura si "Hamleti", "Fausti" (pjesa e parë), tragjedi nga Rasini etj., etj. Gjithmonë vargje, gjithmonë kryevepra, gjithmonë në mënyrë mjeshtërore!

Ç'përfaqëson "Komedia Hyjnore" dhe përse mjafton përkthimi i saj në gjuhën shqipe me atë cilësi, me të cilën e ka kryer mjeshtri Pashko Gjeçi, për të na bërë ta nderojmë përkthyesin-poet si një ndër figurat më të mëdha të kulturës sonë të të gjitha kohëve?

Të gjitha letërsitë kanë nga një figurë qendrore, gjithëpërfaqësuese: letërsia e vjetër greke - Homerin, letërsia latine - Virgjilin, letërsia spanjolle - Servantesin, letërsia angleze - Shekspirin, letërsia gjermane - Gëten, letërsia ruse - Pushkinin, letërsia franceze - Balzakun, në letërsinë tonë - Naimi. Në letërsinë italiane kjo figurë qendrore është Dante Aligieri. Në radhë të parë dhe pothuaj vetëm e vetëm për "Komedinë Hyjnore". Madje aq simbolike është figura e tij sa ashtu si në rastin e Naimit tonë, ai njihet e citohet jo me mbiemrin, por me emrin e tij. Për më tepër kështu mund të gjesh referencën për të edhe nëpër fjalorët enciklopedikë, jo vetëm ata italianë, ndonëse dihet mirë që fjalorët e mbështetin renditjen e zërave sipas kriterit alfabetik të mbiemrit. Dante është ndër të rrallat përjashtime.

1. Parë si tërësi vlerash jashtartistike "Komedia hyjnore":

a) në rrafshin politik, parashtron luftën e brendshme në Firence, me të gjitha implikimet dhe ashpërsinë e saj që nuk ndalej përpara asgjëje. Dante në të vërtetë ishte qytetar aktiv. Ai u përfshi në këtë luftë politike në krahun më të drejtë (për sa mund të gjykohet) ndonëse jo fitimtar, humbi, u përndoq dhe i shtyrë nga dhembja e humbjes ashtu si dhe nga natyra e tij tërësisht e paepur, e panënshtruar kur ishte fjala për lumturinë e qytetit amtar, Firences, sikurse edhe për dinjitetin e tij njerëzor, vendosi të luftonte poetikisht për idealin e tij qytetar. Kështu lindi "Komedia Hyjnore" si një rivendikim në art i synimeve të parealizuara politike.

Me një dallim: që në vepër Dante i tha botës se ç'mendonte për të gjithë të mëdhenjtë e saj, klerikë a laikë qofshin, pra e çoi luftën politike deri në fund. Dhe nga kjo fitoi jo vetëm arti por edhe historia.

Dhe me një domethënie të re: lufta politike e poetizuar mori ngjyresa fetare, pasi në fund të fundit njerëzit shohin në të përleshjen e së mirës, të parë si hyjnore, me të keqen, të parë si skëterrore. Në këtë mënyrë lufta politike nga çështje individuale kthehet në çështje që tejkalon individin dhe kohën konkrete duke arritur të ndikojë të ardhmen e brezave. Ajo merr karakter tejkalimar, transcendental. Kështu mëria e Dantes merr përmasa hyjnore. Dhe bashkë me Karduçin mund të thuhet në këtë rast: Muor Giove e l'inno del Poeta resta (Vdesin perënditë, himni i Poetit mbetet!).

b) në rrafshin e besimit, përbën himnin njerëzor të botës hyjnore me ferrin, purgatorin dhe parajsën si përfaqësuese të kozmosit fetar katolik dhe simbole të ëndrrës njerëzore për të parë ndëshkimin e së keqes dhe triumfin e së mirës, që është njëkohësisht edhe e drejta. Në këtë himn megjithatë dallohet qartë zëri i besimtarit të rrallë, i cili nuk shkrihet me grigjën e besimtarëve të tjerë, pasi veç besimit te hyjnorja si dogmë ai ka vënë në poemë edhe besimin e tij të patundur të parime jashtëfetare që mund të përmblidhen si më tej: "Ashtu si pandershmëria, degradimi moral nuk kursen as botën e fesë, edhe ndëshkimi është i pashmangshëm për keqbërësit me veladon, sikurse është me pasoja për institucionet klerikale. Të shërbyerit ndaj fesë nuk mund të jetë indulgjencë mëkatesh, as për vetë të parët e Kishës, papët. Vetëm një jetë e ndershme, e virtytshme është shpëtimi për njerëzit, për mbarë shoqërinë njerëzore".

c) në rrafshin moral, i cili del si pjesë përbërëse e të gjitha aspekteve të tjerë duke dëshmuar jo vetëm sa rëndësi i jepte Poeti këtij aspekti, por edhe sa i rëndësishëm ishte ai në jetën e përditshme, pohon parimin: nuk ka politikë dhe as besim jashtë moralit. Ky mbetet norma, metri matës më i përgjithshëm dhe më i parë i të gjithë veprimtarisë së qytetarit dhe institucionit.

E moralshme është ajo që u shërben përparimit dhe lumturimit të shumicës së popullsisë. E pamoralshme është ajo që u shërben interesave të një pakice, qoftë edhe elitare, në dëm të gjithë të tjerëve.

E moralshme është të veprosh në emër të së mirës së përgjithshme. E pamoralshme është të mjaftohesh me lutje, predikime e llafe, ndërkohë që me vepra bën të kundërtën.

E moralshme është të mundësosh realizimin e njerëzve me anë të punës, pasi puna, aq më tepër puna e çliruar nga skllavëria, është forma më e lartë e veprimit. Përtacët, dembelët, të mefshtit e kanë vendin në ferr. Ata janë në thelb kundërshtarë të përparimit, të lumturisë.

Dhe ky ngulmim i Poetit te vlerat e mirëfillta, jo të rreme morale nuk mund të mos na sjellë ndër mend, për shoqërim idesh, plagën e madhe e, me sa duket, të pashërueshme në këtë sistem shoqëror, të korrupsionit, plagë që buron nga mbivendosja e individuales mbi të përgjithshmen.

Kemi të drejtë të themi se Dante me të tillë qëndrim mbajtur në "Komedinë Hyjnore" ka kapërcyer moralin jo vetëm të kohës së tij, por edhe të kohës sonë.

d) në rrafshin human duke kaluar përmes kuptimit të jetës dhe luftës politike, përmes kuptimit të hyjnores, përmes kuptimit të së moralshmes, vë në qendër të vëmendjes dhe afirmon qendërsinë e njeriut. Kryevepra e Dantes, e lexuar pa spekulime e sofizma, shpall tezën se: Njeriu nuk mund të kthehet në qenie të manipulueshme, nga askush. Njeriu dhe triumfi i botës së tij të ndjenjave, në radhë të parë i dashurisë si simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen, është e vetmja rrugë drejt lumturisë. Nuk ka politikë, nuk ka besim, nuk ka moral që mund të shpërfillë njeriun. Jeta pa njeriun është apolitike (le të sqarojmë këtu për lexuesin se politika, që në Greqinë e Aristotelit, ishte dija e njerëzve për të jetuar në kolektiv, ishte tipari që dallon njeriun si qenie shoqërore nga bota e kafshëve si gjallesa në thelb individualiste), afetare (e kuptuar feja jo si besim te diçka mbinjerëzore por thjesht si besim te përparimi dhe triumfi i tij mbi reaksionaren, sepse pa këtë besim jeta njerëzore është e pakuptimtë dhe e pashpresë), amorale (parë morali si normë e veprimit njerëzor në të mirë të përparimit për të gjithë e jo ngushtësisht për disa). Jeta që drejtohet në thelb kundër thelbit të njeriut është, pra, kundërpolitike, kundërfetare, e kundërmoralshme.

e) në rrafshin shkencor pohon tezën e madhe se njeriu ka për prirje ta njohë botën dhe se njohja e botës nga ana e tij nuk mund të jetë veçse e saktë, jo e përafërt, jo gjysmake. Njeriu ka për mision të arrijë përmes të vërtetash relative tek të vërtetat absolute (ku ndër të parat është vetë vendi dhe misioni i tij në gjithësi) qofshin këto edhe të pjesshme e jo ende globale.

Dhe kjo tezë vjen si një vijim dhe plotësim i domosdoshëm i gjithë parimeve të mëdha të përmbajtura në kryeveprën e Dantes: politika, besimi, morali, humanizmi nuk realizohen dot pa pjesëmarrjen e shkencës, pra të dijes së saktë të çliruar nga shtresëzimet parahistorike dhe historike të paragjykimeve. Të dish do të thotë pikërisht të kuptosh se përse lufton, përse beson, ku qëndron e mira dhe e drejta, ç'është shoqëria njerëzore dhe cila është trajektorja e përpjekjeve njerëzore.

f) në rrafshin sentimental shpall kredon se nuk ka lumturi të njeriut, nuk ka përparim të shoqërisë njerëzore pa çlirim fizik e shpirtëror të vetë njeriut, kësaj qendre të botës që na rrethon, i cili në rast se zhvishet nga ndjenjat e tij kthehet në qenie të vdekur. E gjithë historia e njerëzimit është një luftë e pareshtur e forcave që mbajnë të robëruara ndjenjat njerëzore dhe e përpjekjeve të këtyre ndjenjave për t'u çliruar.

Dhe si qenie e gjallë njeriu ekziston për sa kohë dashuron: dashuron gruan, dashuron jetën, vendlindjen, të gjithë të tjerët që janë si ai. Pa këtë kozmos ndjenjash njeriu është i paplotë, në të vërtetë nuk është ende njeri. Nuk ka politikë, nuk ka besim, moral, shkencë që nuk i nënshtrohet këtij parimi. Për Danten dashuria arrin deri atje sa të vërë në lëvizje edhe qiellin dhe yjet. Vetë lumturia e njeriut nuk është tjetër veçse lumturia e njeriut që ndjen.

2. "Komedia hyjnore" në profilin artistiko-gjuhësor:

Shquhet nga ana stilistikore për renditjen e qartë dhe konsekuente si dhe për shpalosjen e guximshme të pikëpamjeve, ideve, mendimeve, vlerësimeve dhe gjykimeve. Dante si njeri në kuptimin më të plotë të fjalës jo vetëm ose jo thjesht synoi të vinte në qendër të mekanizmit të veprës së tij elementët kryesorë të botëkuptimit të vet thelbësisht humanist, por i zbatoi vetë të gjitha ato që mund të quhen mësime dhe parime të tij botëkuptimore. Ai qe njeri dhe u shpalos si i tillë jo vetëm duke zbuluar përpara lexuesit të kohës së vet realitetin siç ishte, për çka meriton mirënjohjen më të thellë, por edhe duke e shoqëruar zbulimin e së vërtetës me kritikën e pamëshirshme të gjithçkaje që mendja e tij realiste dhe gjeniale e vlerësoi si të keqe për historinë e njerëzimit. Ai mund të konsiderohet kështu jo thjesht në mënyrë të figurshme si një Promete i gjallë, por në të vërtetë si pararendës i zbuluesve të mëdhenj të shekujve të mëvonshëm, heronjve të tillë të historisë njerëzore si Nikolla Koperniku, Xhordano Bruno, Galileo Galilei, Johan Kepler, Isak Njuton, etj.

Përbën nga ana gjuhësore një revolucion të vërtetë në kulturë, pasi për trajtimin e një lënde aq të madhe, pothuaj enciklopedike për kohën, thirri në ndihmë gjuhën e folur popullore, italishten fiorentine në vend të latinishtes, kësaj gjuhe jetë e mot elitare, e cila gjithnjë e më tepër po kthehej në monopol të klasave të sipërme, klerit dhe administratës shtetërore, në mermer pa zhvillim. Ne e kemi të vështirë të përfytyrojmë sot karakterin vigan të një veprimi të tillë, i cili guxonte në mënyrë të pashoqe të përballej me të gjithë sferën e shtrirjes jo vetëm të kulturës, por edhe të latinishtes. Ishte një sfidë ndaj frymës së shoqërisë së konsoliduar në shekuj, sfidë ndaj Romës vatikane, një sfidë titanike, përpara së cilës trimëritë e Herakliut duken lodra fantazie. Ajo sfidë përmblidhte të gjitha përpjekjet shekullore për shëndoshjen dhe zyrtarizimin e gjuhës italiane si gjuhë e ligjshme e një populli që nuk ishte më latin dhe u jepte fund atyre duke i realizuar ato: gjuha e Dantes u bë gjuhë e një kombi të tërë.

Realizon nga ana metrike një risi të vërtetë duke formalizuar në artin e vargëzimit shenjtërinë e treshit, të trinisë. Nuk kishte më poema me vargje që rendin pas njëri-tjetrit pa kufizim numri ("Iliada", "Odiseja", "Eneida"). Kudo në "Komedinë Hyjnore" u shfaq baza organizuese unike e tercinës, e cila për nga vetë natyra saj është gërsheti i vargëzimit. Ashtu si u shpalos edhe ndarja e madhe e veprës në 3 kantika me 33 këngë secila. Mendja njerëzore kërkonte disiplinimin e gjithçkaje, sepse vetëm kështu mund të realizonte misionin e saj të madh, udhëheqjen e shoqërisë në rrugën e vështirë të përparimit.

Përveç tercinës lidhëse, gërshetuese, çimentuese, kryevepra danteske konfirmoi përfundimisht triumfin e njëmbëdhjetërrokshit, këtij vargu mendimplotë dhe njëkohësisht elegant e relativisht të shkathët në krahasim me metrat antikë.

Së fundmi, kryevepra danteske përbën triumfin përfundimtar të rimës si element organizativ, stilistik por sidomos estetik në teknikën e poezisë. Që nga ajo kohë metrika antike shkoi në rënie të shpejtë dhe në rrafshin e estetikës së vargëzimit mund të thuhet se e hijshmja fitoi mbi hijerëndën, të zymtën.

3. Përkthimi në shqip i "Komedisë hyjnore"

Dhënia e të gjitha veçorive ideoartistike të një kryevepre si "Komedia Hyjnore" përbën një problem në të vërtetë të pakapërcyeshëm për të gjitha gjuhët e kultivuara. Por tejet e vështirë mbetet detyra edhe e përcjelljes së vlerave të saj më të qenësishme. Kaq e ngjeshur artistikisht dhe e pasur në ide është ajo! Vetëm nisur nga kjo premisë kemi të drejtë të mendojmë se përkthimi i "Komedisë Hyjnore" në gjuhën shqipe jo vetëm ka qenë një ndërmarrje tejet e vështirë, por edhe një arritje e pakrahasueshme kulturore në disa drejtime themelore.

Kjo qëndron e duhet nënvizuar aq më tepër në kushtet tona, kur lexuesve, qoftë edhe atyre me arsim të lartë, u mungojnë konceptet dhe kriteret e qarta rreth asaj se cili mund të quhet përkthim i mirë, i arritur.

Në cilat drejtime përkthimi i "Komedisë Hyjnore" nga ana e Pashko Gjeçit përbën arritje të pakrahasueshme për kulturën tonë?

Së pari, në kriterin kryesor që dallon përkthimin e mirë nga ai i parealizuar: besnikërinë ideo-artistike. Mjaftojnë të përqasen tercinat e para të gjithë veprës, ku Dante flet për shtegtinë e jetës që e sjell në mes të një pylli plot errësi.

Ja italisht kjo pjesë:

Nel mezzo del cammin di nostra vita
mi ritrovai per una selva oscura,
ché la diritta via era smarrita.

Dhe shqip:

Në mes të shtegëtisë së kësaj jete
u gjeta në një pyll krejt errësi,
se kishe humbë rrugën e vërtetë.

Asgjë nuk mungon, vargjet 2 dhe 3 janë identikë, dhe të duket se përkthimi i kësaj tercine mund të ketë qenë gjëja më e lehtë në botë! Shenjë dalluese e artistit të madh, kur ta jep të lehtë atë që mund të jetë aq e vështirë.

Ose fillimi i këngës 33 të "Ferrit":

(italisht)

La bocca sollevò dal fiero pasto
quel peccator, forbendola a' capelli
del capo ch'elli avea di retro guasto.

(shqip)

Dhe gojën fill e çoi nga e zeza gjellë
ai mëkatar, me flokët tue e fshi
të kokës q'ia kish grrye nga mbrapa shpellë.

Të krijohet e njëjta mbresë: sikur nuk ka gjuhë më të afërta në botë se shqipja dhe italishtja, përderisa vargu i dytë është identik, ndërsa dy vargjet e tjera mezi mund të thuash që nuk janë identikë. Dhe njëkohësisht ritmi ritëm, njëmbëdhjetërrokshi njëmbëdhjetërrokësh, rima rimë! Të tillë shembuj gjen në çdo faqe, në të gjithë veprën. Dhe shpjegimi është i thjeshë: puna këmbëngulëse e mjeshtrit Pashko Gjeçi, talenti i tij i rrallë poetik dhe kultura e gjerë, që e bënin të gjente gjithçka të vyer që kishte origjinali dhe pastaj, me përkujdesin e një arkeologu, ta sillnin nga thellësia e shtatë shekujve në tryezat tona të leximit.

Së dyti, mjeshtëria e vargëzimit. Është pothuaj e pamundur të gjesh në tërë shtrirjen "e frikshme" prej 14 233 vargjesh të "Komedisë Hyjnore" të përkthyer nga mjeshtri Gjeçi një varg të lënë pa punuar, një varg pa ritmin dhe kumbimin e cilësisë standarde, një varg që nuk është varg. E në të njëjtën kohë vështirë të gjenden vargje monotone teknikisht. Kudo të befason aftësia krijuese e vargëzimit, kur togfjalëshat marrin një lirshmëri zhvendosjeje të papritur, ndonëse të zakonshme për sintaksën poetike, dhe në të njëjtën kohë nuk humb ritmi e nuk zbehet kuptimi. Po sa herë të tjera pikërisht nëpërmjet "përmbysjeve" të tilla mjeshtri Gjeçi ka arritur të nxjerrë në vendin më të dukshëm të vargut, zonën e rimës, fjalën më të rëndësishme kuptimisht ose më të bukur estetikisht!

Ne që kemi lexuar e dëgjuar aq herë thirrje e deri anatema kundër "robërisë" së rimës, lexojmë në mënyrë të pandalshme artistikisht vargjet e mjeshtrit Gjeçi dhe jo që nuk ndjejmë kund ndonjë "skllavëri", por as nuk arrijmë të përfytyrojmë dot se çfarë do të kishte qenë gjithë kjo ndërtesë monumentale pa "betonimin" e rimës, të një rime që është disiplinë, ritëm, muzikalitet, të një rime që është tanimë shpirti i poezisë moderne. Atij që do të tundte kokën me dyshim, i këshilloj të ndjekë me vëmendje tekstet e këngëve të grupit të njohur "Bitëlls": nuk ka asnjë këngë me tekst të parimuar!

Dhe po sjell këtu argumentin e mjeshtrit Gjeçi në të mirë të fuqisë organizative dhe estetike të rimës. Kur e pyetëm Mësuesin tonë se ç'mendonte për rimën dhe për vargjet e lirshme, ai na recitoi vetëm dy vargje, që nuk ka shqiptar të mos i dijë:

Dhe mos shikjoni kisha e xhamija,
feja e shqiptarit asht shqiptarija.

"Dhe tani hajde t'i heqim rimën këtij dyvargëshi", - shtoi Mësuesi.

Dhe mos shikjoni kisha e xhamija,
shqiptarija asht feja e shqiptarit.

"Kuptimi asht, - vazhdoi mësuesi, - por poezia ka mbarue".

Së treti, gjuha e pasur. Parafytyroj shumë e shumë lexues që mund të jenë gati të kundërshtojnë në këtë pikë, të shtyrë nga ngatërrimi që bëjnë midis dialektit shkodran të mjeshtrit Gjeçi dhe fjalorit të përdorur prej tij. Por do t'i këshilloja të mos nguteshin dhe të vinin në provë nëpërmjet leximit të "Komedisë Hyjnore" njohjen e shqipes nga ana e tyre. Gjuha e mjeshtrit është e tillë që i qëndron më së miri fjalorit tejet të pasur të origjinalit dantesk dhe për më tepër është një gjuhë tërësisht e përvetësuar nga mjeshtri, tërësisht e shkrirë në farkën e tij, e gatshme për të derdhur lingotat e arit poetik.

Sigurisht që do të duhej një hulumtim statistikor që të nxirrte në pah se sa i pasur është realisht fjalori i përdorur nga mjeshtri Gjeçi, por jam i bindur se ai nuk bie poshtë fjalorit të fiorentinit të madh.

Mjeshtri i punës


Këti portreti të Mësuesit dhe Përkthyesit Pashko Gjeçi po i vjen dalëngadalë fundi. Ka mbetur në mendjen time edhe ndonjë penelatë e fundit. Nga ato që nuk shtojnë shumë, por shtojnë shpirt.

Një nga gjërat më të bukura që mbaj mend nga Mësuesi im është edhe renditja që u bënte ai në parapëlqim veprave, të cilave u kishte kushtuar energjitë krijuese dhe vitet e jetës. Kështu ndonëse kishte përkthyer edhe Homerin, edhe Shekspirin, edhe Gëten, Mjeshtri vinte të parin në parapëlqim Danten. E vinte të parin në vlerë artistike, të parin në gjerësi të kozmosit që rrokte, të ideve që shpaloste. Nuk e tha kurrë që e vinte të parin në lodhjen që i kishte shkaktuar. Përkundrazi njëherë duke më treguar lidhur me përfundimin e përkthimit të "Komedisë Hyjnore" më tha, ndër të tjera edhe këtë fakt kuptimplotë:

"Punoja arsimtar në Fushë-Krujë, ndërsa me banim isha në Tiranë. Dhe në shtëpi vija çdo fund jave, ndërsa ditët e punës qëndroja atje. Kur arrita në përfundim të përkthimit dhe më kishin mbetur dy tercinat e fundit, qëlloi fundi i javës. E dija se po të kthehesha në Tiranë, nuk do ta përfundoja dot punën. Ndaj ndenja atë fund jave në Fushë-Krujë për ta mbyllur përkthimin. Dikur, natën vonë shkrova edhe vargun e fundit dhe lëshova pendën. Por tek psherëtiva i lehtësuar, atë çast m'u bë sikur Dante, që kishte qenë gjithë ato vjet me mua, doli jashtë dhomës sime dhe u largua përgjithmonë".

Mbaj mend që pikërisht këtë episod ai e ka përmendur edhe në një takim të zhvilluar në Shtëpinë botuese "Naim Frashëri", ku ishin të pranishëm edhe Henrik Lacaj, Engjëll Sejdaj si dhe drejtori i kësaj shtëpie botuese Thanas Leci.

Lexuesi le të përfytyrojë pak që përkthimi i "Komedisë Hyjnore" i mori Mjeshtrit mbi 22 vjet, që nga koha e botimit të disa këngëve të para në vitin 1937 e deri aty nga viti 1959.

Vite të rënda, me luftën e dytë botërore në mes, me privacionet e mëdha pas çlirimit të vendit, ku duhen llogaritur edhe vitet e heqjes së lirisë!

E megjithatë ky mjeshtër i madh i punës punoi pareshtur për të sjellë në tryezat tona të leximit një ndër veprat më të mëdha të të gjitha kohërave.

Më vonë më rastisi jo vetëm të lexoj prej tij përkthimin e "Odisejës", aq e rrjedhshme në njëmbëdhjetërrokshat e qetë, aq e qartë, por edhe të mahnitem me përkthimin e pjesës së parë të "Faustit" kryer në një shkodranishte elegante e melodioze, botimi i së cilës do t'i bënte nder kulturës së shqipes e jo thjesht fondit të artë të përkthimit.

Mjeshtri mbetet mjeshtër në të gjitha veprat, që mori në dorë për të na i dhënë në gjuhë amtare. Ai mbetet simbol i një vullneti të pashoq, i një talenti poetik gjithë po aq të pashoq dhe i një kulture letrare e jo vetëm letrare ndër më të thellat.

Ne nuk do të arrijmë dot kurrë ta vlerësojmë këtë njeri të madh në tërë poliedricitetin e tij njerëzor, artistik, kulturor, arsimor. Për fat të keq!

Në vend të përfundimit

Në kulturën e kombeve përkthimi është ndër veprimtaritë më të nevojshme, më të domosdoshme. Si për ironi të fatit, zbatuesit e kësaj mjeshtërie janë pak, shpesh edhe aspak të njohur, parë në krahasim me krijuesit e tjerë, prozatorët, poetët, dramaturgët. Duhet theksuar me një dozë të fortë kritike shprehja "si për ironi të fatit", pasi në të vërtetë këtu fati nuk ka gisht fare. Përkthyesit, të cilët në rastet më të mira nuk bien aspak më poshtë për nga dhuntitë artistike nga prozatorët, poetët e dramaturgët më të mirë, janë njerëz që jetojnë përditë në gjirin e shoqërisë, bile edhe më në brendësi të jetës së përditshme nga ç'janë krijuesit e tjerë, shpesh të veçuar nga prania e masës së gjerë të lexuesve dhe adhuruesve. Pra, thënë më shkoqur, përkthyesit nuk dallohen për ndonjë farë elitarizmit të vetëzgjedhur apo të imponuar. E megjithatë ata nuk gëzojnë as një të dhjetën e nderimit shoqëror në krahasim me krijuesit e tjerë, të cilëve shoqëria u blaton tituj e privilegje jo të vogla.

Po të ndalemi te fati shoqëror i përkthyesit-poet Pashko Gjeçi ne, e kam fjalën jo për individë të veçantë, por për shoqërinë shqiptare të disa dekadave marrë në tërësi, do të duhej të ndiheshim fajtorë për shpërfilljen e pafalshme, mëkatare, ndaj gjenisë së tij krijuese. Ne, dhe këtu e kam fjalën për të gjithë themeluesit a sponsorizuesit e çmimeve në fushën e artit, do të duhej të ndiheshim më faqenxirë, kur shpërndajmë çmime e shpërblime të ndryshme, lloj-lloj pendash të arta, të argjendta a në daç të bronzta, në një kohë që nuk i kemi gjetur kohën, vendin dhe rastin t'ia bëjmë një nder të veçantë këtij krijuesi të rrallë. Ne, dhe këtu e kam fjalën për laureatët e ndryshëm të çmimeve në fushën e përkthimit, do të duhej të kishim pranuar më kokulur, pa ngazëllim mendjelehtë të suksesit njimtar, këtë simbol të suksesit të rastit, kur Pashko Gjeçi është gjallë dhe nuk ka ende asnjë mirënjohje të simbolizuar nga ana e shoqërisë, qoftë asaj të organizuar si shtet e qoftë asaj të organizuar si jofitimprurëse, por me të ardhura e dividende jo të papërfillshme. Ne, dhe këtu e kam fjalën sidomos për të gjithë "fatlumët" me apartamente luksoze e autovetura të markës së fundit, do të duhej të turpëroheshim në komoditetin tonë gjithnjë e më të kohës, kur Pashko Gjeçi, ende i gjallë, ngrys pleqërinë në një apartament të vogël të Shallvareve, që pothuaj i ka kaluar si banesë të gjashtëdhjetë vjetët, ndërkohë që jo më larg se disa dhjetëra metra më tej ngrihen gjigandët frymëmarrës të parisë më të lartë të vendit. Zyrtarët tanë, qendrorë e bashkiakë, që aq shumë janë kujdesur për të pozuar përpara kamerave televizive duke përkëdhelur ndonjë jetim a duke mbjellë ndonjë dru, do të duhej të turpëroheshin që nuk e kanë shkuar as në paradhomën e mendjes së tyre sovrane figurën madhështore të Pashko Gjeçit, pa le më t'i blatonin nderimet dhe të drejtat e merituara njerëzore e shoqërore.

Po, Pashko Gjeçi mbetet një krijues i gjallë e i rrallë që i bën nder kulturës sonë, ndërkohë që kjo nuk mund të pohojë se e ka nderuar atë qoftë edhe në mënyrën më të thjeshtë.

Pashko Gjeçi mbetet një mësues që i bën nder arsimit tonë, ndërkohë që ky arsim nuk mund të pohojë se e ka nderuar atë qoftë edhe në mënyrën më të thjeshtë.

Pashko Gjeçi mbetet simboli i njeriut që e nderon kombin, ashtu si nuk mund të thuhet që kombi e ka nderuar atë qoftë edhe në mënyrën më të thjeshtë.

Nderim që në gjallje Mësuesit, Artistit dhe Njeriut të Madh Pashko Gjeçi!

Nga Shpëtim Çuçka

__________

Autori është një ndër përkthyesit më të njohur në Shqipëri.

COMMENTS