Presidenti Bujar Nishani: Jam krenar për Shkodërlocen

Presidenti Bujar Nishani ne qytetin e Shkodres
Më 1 nëntor 2016 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani ka zhvilluar një vizitë pune në qytetin e Shkodrës duke u ndalur fillimisht në Universitetin "Luigj Gurakuqi", ku u mikprit nga Rektori Adem Bekteshi, trupa pedagogjike dhe studentët e shumtë, para të cilëve Kreu i Shtetit mbajti një leksion të hapur, të pasuar me një bisedë ndërvepruese.

Më pas, Presidenti Nishani ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Këshilli i Qarkut të Shkodrës, me praninë e Kryebashkiakes Voltana Ademi, të Këshilltarëve shkodranë të Qarkut e të Bashkisë, deputetëve, drejtues të institucioneve shtetërore dhe vendore, përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe intelektualëve të shumtë, ku Kryetarja e këtij Qarku, zonja Greta Bardeli i dorëzoi Titullin "Nder i Qarkut" me motivacionin:

"Për vlerat e larta qytetare që mbart, për kontributin e jashtëzakonshëm në unitetin, progresin dhe paqen sociale të Qarkut Shkodër si dhe në evidentimin, vlerësimin e mbrojtjen e përpjekjeve të bijve e bijave të Shkodrës në aspiratat e tyre për liri, demokraci dhe dinjitet njerëzor."

Presidenti Nishani, pasi u shpreh se ky vlerësim dhe nderim i veçantë i bëhej në radhë të parë Institucionit të Presidentit të Republikës e më pas atij vetë, ka vënë në dukje se:

Ndihem shumë i privilegjuar, jo vetëm për faktin që marr një vlerësim të tillë, një nderim të tillë, por mbi të gjitha se po e marr pikërisht nga qytetaria e Qarkut të Shkodrës, nga vlerësimi i njerëzve përfaqësues të popullit të kësaj treve të jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar e kulturor, të përmasave më evidente, të përpjekjeve të jashtëzakonshme që kanë bërë në të gjithë historinë tonë ku figurat dhe personalitetet, familjet e kësaj treve e të këtij Qarku kanë qenë gjithmonë të pranishme. Vendosja në peshoren e vlerësimit është padyshim një inkurajim akoma më i madh për mua personalisht, një inkurajim edhe më i madh ndaj parimeve që u kam besuar gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të jetës sime dhe një inkurajim më i madh, se ai besim që kam pasur te parimet, por edhe tek forca që njeriut në radhë të parë i vjen nga Zoti, por edhe nga shoqëria, nga njerëzit, që do të vijojë të jetë gjithmonë një frymëzuese dhe motivuese dhe një bazë shumë e mirë për jetën time personale të përditshme edhe institucionale, por edhe si një qytetar i këtij vendi, si një shqiptar, si njëri prej jush për të merituar këtë respekt, që sot e meriton përtej të qenit President i Republikës.

Është kënaqësi për mua që këtë vlerësim po e marr pikërisht këtu në Shkodër, në kryeqendrën më të spikatur të qytetërimit dhe kulturës shqiptare! Në këtë qytet të lashtë, në këtë kryevepër të natyrës, Zotit dhe njeriut, ku gjithkush ndihet edhe më i vlerësuar kur është i rrethuar nga dashuria, respekti dhe përkujdesja juaj, të cilën nuk do ta harroj gjithë jetën! Ju faleminderit!

Nuk kam sesi të mos emocionohem kur mendoj dhe risjell në mendje se pikërisht nga këto troje kanë dalë ndër shekuj shqiptarë të shquar, të cilët me patriotizëm, dije, kurajë, me besim në Zot e me finesë kulturore kanë vendosur themelet e konstruksionit tonë kombëtar dhe identitetit tonë etno-shpirtëror! Shkodra është për të gjithë ne një histori e ndritur e qytetërimit shqiptar, ku gjenden të gdhendura përjetësisht të gjithë etapat e konfigurimit të një qytetërimi duke filluar më shumë se 2400 vjet më parë e që vazhdon me aq intensitet deri në ditët e sotme. Këtu në këtë trevë, në këtë komunitet, mes këtyre njerëzve e kanë zanafillën shoqatat dhe institucionet e para kulturore, artistike, edhe politike, administrative, publicistike. Dhe kjo nuk ka qenë rastësi. Në sfondin e magjishëm që ofron kjo trevë me liqenin, lumenj, kështjella, male e det kanë zhvilluar jetën e tyre krijuese dhe humanitare personalitete të shquara si Marin Barleti, Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu duke vazhduar me Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Ernest Koliqi, Arshi Pipa dhe Martin Camaj apo vëllezërit Marubi, Kol Idromeno, Zef Kolombi, Preng Jakova, Çesk Zadeja, Loro Boriçi dhe shumë idhuj të tjerë të identitetit tonë kombëtar dhe shtetformues. Pikërisht për gjithçka të mrekullueshme e të papërsëritshme që ju, të parët tuaj i keni dhuruar vendit tonë, historisë së kombit tonë, krenarisë sonë kombëtare, por edhe kulturës rajonale, çdo shqiptar nderohet se ndihet përnjëmend krenar për ju dhe aq i vlerësuar kur nderohet nga ju.

Sot më shumë se kurrë edhe unë jam krenar për ju, për Shkodërlocen - siç thuhet jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë, edhe Vlorë e Gjirokastër, por aq më tepër, edhe unë sot ndihem krenar në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi që kam privilegjin e lartë që të vlerësohem dhe të nënvizohem si një përpjekës, si një njeri që është munduar për të kryer një punë, për të ofruar një dashuri për këtë punë, për të ofruar një dashuri, një mundësi, për të vendosur një copëz gur të vogël në këtë mur të madh të piramidës sonë kombëtare që kemi për të ngritur përpara, prandaj për këtë nderim ju falem nderës përzemërsisht!

Jam i lumtur të konstatoj se këto 25 vjet demokracia lokale dhe decentralizimi i qeverisjes vendore kanë rezultuar të sukseshme në Shqipëri. Ato kanë ecur me gjithë vështirësitë e shumta, në mënyrë paralele me zhvillimin e revolucionit demokratik shqiptar, jo vetëm si parime transformuese shoqërore, por dhe si instrumente që garantojnë përmirësimin e qeverisjes dhe progresin kolektiv në çdo pjesë të vendit. Gjatë këtyre 25 vjetëve janë kryer transformime dhe reforma epokale politike, kushtetuese, ligjore dhe administrative, të cilat e kanë afruar vendin tonë edhe më shumë pranë nivelit administrues. Në këtë stad të demokracisë shqiptare, ne jemi të vetëdijshëm se harta e re territoriale dhe decentralizimi aktual kanë nevojë për t'u thelluar edhe më shumë. Për më tepër ato mund të jenë efektive duke u shoqëruar me një ritëm më të lartë të decentralizimit dhe ofrimit të kapaciteteve vlerësues. Sepse është verifikuar edhe në të gjithë historinë e gjykimit të botës së qytetëruar se decentralizimi është përsosje e vazhdueshme e politikave qendrore drejt politikave rajonale dhe një reflektim në favor të qeverisjes vendore, kurse zhvillimi rajonal po konsiderohet gjithmonë e më shumë si mjeti më i efektshëm për nxitjen e progresit ekonomik, për vitalizimin e periferisë dhe zbutjen e varfërisë.

I kam ndjekur me shumë vëmendje dhe simpati përpjekjet tuaja për më tepër demokraci vendore, për më tepër vetqeverisje, për më tepër të drejta zhvillimi rajonal, për më tepër të drejta në vendimmarrje në interes të komunitetit tuaj, të qytetarëve tuaja, në interes të halleve dhe problemeve të shumta që kanë qytetarët dhe që e ndiejnë veten të përfaqësuar drejtpërsëdrejti te këshilltarët, te administratori. Projekt-idetë tuaja që ju keni adresuar për zhvillimin mjedisor, agro-biznesit, infrastrukturës, mbrojtjes nga përmbytjet që për fat të keq kanë krijuar një traditë jopozitive prej shumë kohësh në këtë trevë, të rritjes së kapaciteteve vendore apo turizmit janë shumë të dobishme dhe mjaft frytdhënëse nëse do të realizohen e zbatohen në harmoni edhe me mbështetjen e qeverisjes qendrore dhe me të gjithë infrastrukturën e shtetit shqiptar. Mendoj se efikasiteti i tyre ka qenë më i prekshëm në rastet kur ka pasur bazë partneriteti me programet evropiane apo të vendeve mike, të cilat gjej rastin t'i falënderoj edhe si President i Republikës, si Austria, Zvicra, Italia apo Gjermania, duke shpresuar se ky bashkëpunim i ndodhur këtu në Qarkun do të vijojë dhe do të merret si shembull edhe në qarqe të tjera. Gjykoj se partneriteti me komunitetin dhe qeverisjen vendore duhet të zënë vend edhe tek filozofia e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, i cili duhet ta pasurojë edhe më tej me eksperiencën që ka grumbulluar. Vetëm kështu do të kemi një zhvillim rajonal të barabartë dhe të ekuilibruar në të gjithë qarqet e të harmonizuar me politikat qendrore dhe nevojat e qytetarëve.

Në Kushtetutën e vendit nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se decentralizimi vendor është parim bazë. Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se destinacioni ku duam të shkojmë është Bashkimi Evropian, në të cilën Rajonalizimi dhe Partneriteti Rajonal janë parimet bazë të menaxhimit të fondeve dhe burimeve ekonomike. Historia e qytetërimit dhe vetadministrimi shkodran kanë treguar në fakt fuqinë e një rajoni të tërë. Ajo, edhe pse në kushte mjaft të vështira është tregues i vitalitetit dhe i civilizimit të një komuniteti të tërë. Kjo trevë ia ka dalë jo vetëm të mbijetojë dhe të sfidojë çdo sfidë, por edhe të jetë në vijën e parë të përparimit dhe qytetërimit mbarëkombëtar shqiptar.

Gjithashtu do të doja të theksoja shumë se kjo trevë ka parë gjithmonë në shekuj nga Perëndimi. Ajo ka ditur të japë shembujt më të shndritshëm të harmonisë, respektit dhe përparimit. Por asaj asnjëherë nuk i ka munguar kurajua për ndryshim dhe kurrë nuk ka kursyer sakrificën e bijve të saj për lirinë e vendit, përparimin dhe për demokracinë. Jam i vetëdijshëm dhe i sigurt se Shkodra e gjithë krahinat përreth saj do të dijë t'i përballojë për bukuri dhe me sukses sfidat e tranzicionit dhe ta bëjë edhe më të mirë e më të begatë jetën e qytetarëve të vet, duke u ofruar atyre shërbime më cilësore, praninë humaniste dhe kulturën dhe sjelljen bashkëkohore, për të cilat kemi më shumë se kurrë nevojë, që të gjithë.

Tashmë Shqipëria i përket një epoke tjetër. Shkodra i përket një epoke tjetër, por ambiciet dhe synimet tona, përgjegjësitë tona duhet t'i takojnë edhe epokës që do të vijë. Ne jetojmë sot dhe punojmë sot që të përfitojnë ata që do të vijnë. Dhe më mirë se sa ky komunitet, kjo qytetari, kjo trevë që e ka trashëgiminë dhe kapacitetin që ka mundësinë ta japë këtë shembull si pararendëse e të gjithë shoqërisë shqiptare. Pse jo, edhe e kombit shqiptar. E kemi të jetësuar në atë çka kjo trevë, Shkodra dhe Malësia e saj, Shkodra dhe Nënshkodra, të gjithë së bashku, keni ditur të mblidheni si një margaritar rreth një trashëgimie, e cila është siç ka qenë.

COMMENTS