Migjeni - Baladë qytetse

Mbramë
qiella dhe hyjt' e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije... jo! - por një grue
me ftyrë të zbehtë dhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzë të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kêns këso bote,
një fantom ûje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zdathun,
me zemër të plasun,
dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit' e saj me krení
shpërtheheshin n' aromë,
kur ish e njomë -
atëherë e dashurojshin shum' zotní.
E sot?)
Jeta e saj âsht këjo vall' e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetë e fikun, një jetë e shterun,
shpirt i molisun, zêmër e therun,
një zâ vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nepër rrugat e qytetit t'onë.

COMMENTS