Migjeni - Blasfemi

Notojnë xhamijat dhe kishat nepër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s'iu thye,
por vazhdoi të rrahi nder lodra dhe kumbona.

Xhamijat dhe kishat madhshtore ndër vende tona të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpija tona përdhecke...
Zani i hoxhës dhe i priftit në nji kangë të degjenerueme...
O pikturë ideale, e vjetër njëmijë vjeçe!

Notojnë xhamijat dhe kishat nepër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit.
Shkelqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve.
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellt mijavjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varrë pa shpresë - simbojt e shpresave të humbuna
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të përndueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.

COMMENTS