Frederik Rreshpja - Kopshti

Luanët e thyer të fëminisë
pinë ujë tek pusi i vjetër;
mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu
me turbanin prej vese.

Shpesh nga mitet dalin satirët
dhe hapin dyert e hijeve.
Vështron shtigjet e natës jasemini
dhe drita i rrjedh nga gishtërinjtë.

Narcisi nxjerr supet nga gonxhet
i dashuruar nga bukuria e vet;
unë ndiej në ballë daltat e pranverës
që nga bari, sytë e mi gdhend.

COMMENTS