Migjeni - Lagja e varfun

Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsí - askund,
vetëm errsinë e skam.

U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm' e errsinës...
n'andrra përkundet lagja.

Njerzit ndër shtëpija flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë ... fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat.

Pushojnë gjymtyrtë e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s'ardhrueme.

Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rrektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.

Prralla mi fëmi rrugaça
bark-jashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.

Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me duer të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,

të cilët nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin, -
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mpshtesin.

Këtu lagj' e varfun përshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengrits
i lagjes së varfun. - Këtu
nuk zbardhë për ty drita e ditës...
i gjikuem je me ngordhë n'û.

COMMENTS