Migjeni - Malli rinuer

Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
per murët e dhomës s'eme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zêmër t'eme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hîni.

Ndijesitë e mija me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më therë në krahnor
edhe më merr malli për jetë mâ gazmore.

Malli rinuer për jetë mâ shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull përndimi
âsht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankoninë e vet aq trishtuese.

Tingujt miqëdashës, që në dhomën t'eme
më falin rythmin
e një dansi të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen lirshëm nepër drrasa të gëdhenme.

COMMENTS