Migjeni - Melodi e këputun

Melodi e këputun - lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun ...
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andër e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin' e këputun.

Nga vaji i heshtun shkunden supat e xhveshun,
verbojnë nga zbardhimi ...
e therë, therë hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e hikun,
për gëzimin e humbun
në melodín e këputun.

Brylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun.
Qan' grueja e pikllueme
me zêmër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
zâ kange i mbytun
në buzë nga dhimb' e puthun
në melodín e këputun).

Hesht njeriu pran grues që qanë e turpnueme ...
syni i venitet
në tê loti vërtitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia le - dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodín e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përziehen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
... e vetëm dëgjohen
ahtët e molisun
në melodín e grisun.

COMMENTS