Frederik Rreshpja - Shi hëne

Si arlekin që del për shëtitje
në kopshtin e harruar të fëminisë,
hëna e pikëlluar nëpër re
shkel mbi degët e shirave.

Liqeni i vetmuar në breg të natës,
shqetësohet në krahët e erës
dhe thellë sirena e dallgës së kaltër
loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës.

Yjet në asfalt si perëndim i thyer.
Dhe plepat si murgjër të zinj.
Fshehur pas drurëve diku përgjon
vrasësi i vjetër, trishtimi.

Eh, mundet që thika e trishtimit
diku përdhe ka për të më lënë,
fshehur nën një perëndim të thyer
fshehur nën shira hëne...

COMMENTS