» » » » » Pjetër Gjini - poet, publicist, humorist, muzikant dhe përkthyes

Pjetër Gjini - poet, publicist, humorist, muzikant dhe përkthyes

Pjeter Gjini poet, publicist, humorist, muzikant dhe perkthyes
Pjetër Gjini (18 nëntor 1910 - 30 mars 1988), është një nga humoristët më të mëdhenj të humorit shqiptar. Së bashku me kitarën e tij dhe humorin improvizues e elegant, ai u dha gjallëri e të qeshura sofrave e gëzimeve familjare shkodrane.

Pjetri qe një figurë poliedrike: poet, publicist, humorist, muzikant dhe përkthyes.

Mësimet e para dhe të mesme (kreu Kolegjin Saverian) i mori në Shkodër. Mosha e rinisë e gjeti në Tiranë. Si fillim punoi redaktor në shtypshkronjën "Nikaj". Më pas Radio Tirana, që në krijimin e saj, i hap portën Pjetër Gjinit dhe ai nis punon si redaktor. Me pseudonimet "Terini" apo "Terini me shokë", çdo të diele organizon dhe drejton "Ora gazmore", një emision i dashur dhe shumë i dëgjuar. Shkëlqen humori i hollë e fin shkodran, falë kulturës së gjerë të Pjetër Gjinit.

Nuk ka shtëpi shkodrane që nuk ka të regjistruar zërin dhe humorin (shpesh në kujtesë) të humoristit brilant Pjetër Gjini.

Boton librat:

  • "Flamuri Shejt" (vjersha atdhetare, Tiranë, Shtyp. "Nikaj", 1930. 15 f në 16.;
  • "Malsori në Paris" (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, 1932, shtyp. "Mbrothësia" Kristo P. Luarasi, 23 f. në 16, Biblioteka argëtuese nr.1);
  • "Besniku?" (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, 1932. 24 f. në 16, (Biblioteka argëtuese nr. 2);
  • "Gjaja e keqe" (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, shtyp. "Nikaj", 1932, 24 f. në 16, Biblioteka argëtuese nr. 3);
  • "Dat-lindja e Zogut 1-rë", Tiranë, shtyp. "Nikaj", 1932, 34 f. me 2 portrete: në 16, vjersha);
  • "Flija e atdheut - Llesh Topallaj", (vjersha rreth atentatit të Vienës, Tiranë, shtyp. "Nikaj", 1932, 24 f., me portr. në 16);
  • "Flija e atdheut - Llesh Topallaj" (vjersha rreth atentatit të Vienës, botim i 2-të, Tiranë, shtyp. "Nikaj", 1933. 33 f. me il. e portr. në 16.);
  • "Darkë madhështore" (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, "Nikaj", 1933, 25 f. në 16, Biblioteka argëtuese nr.4);
  • "Tridhtedyshit ose zotni Ndoc Vasis", (Tiranë, shtyp. "Gutenberg", 1933, 16 f. në 16., polemikë në formë vjershe me Ndoc Vasin.);
  • "Dy lot mbi varr të N. M. S. Nanës Mbretneshë", Tiranë, shtyp. "Gutenberg", 1934. 15 f. me portret në 16., vjersha);
  • "Kurtha e dashunis", (novelë, Tiranë, shtyp."Shkodra", 1934. 31 f. në 16.);
  • "Letrar: Meshirë për gjuhën shqipe", (Tiranë, 1934. 16 f. në 16., vjershë);
  • "Tri përshëndetje Llesh Topallaj - në tre vjetorin e vdekjes së tij" (Tiranë, shtyp. "Nikaj", 1934. 22 f. në 16., vjersha);
  • "Burri ban voe" (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, shtyp. "Gutenberg", 1935, 24 f. në 16., Biblioteka argëtuese nr. 6);
  • "Frushullime të reja", (Tiranë, "Gutenberg", 1935, 155f + IIIf., vjersha);
  • "Vasa në Vjenë" (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, shtyp. "Nikaj", 1935, 30 f. në 16., Biblioteka argëtuese nr. 5);
  • "Çaste rinije" (Kangë origjinale, të përkthyeme dhe t'adaptueme, Durrës, Litho-Tipografia "Stamles", 1938, 30 f. në 16);
  • "Frushullime të reja", (botim i 2-të, Tiranë, Botonjës Luarasi, 1938. 155 f. në 16., vjersha);
  • "Ora e Dishrueme", (Tiranë, 1938, 15 f. me portr. Vjershë për fejesën e Zogut);
  • "Kangët e Frorit", (1939, të këndueme në Radio-Tirana, Tiranë, shtyp. "Gutenberg", 1939, 32 f. në 16.);
  • "Kangë të këndueme në Radio-Tirana", (Tiranë, shtyp. "Tirana", 1940. 73 f. në 16., vetëm teksti i këngëve pa nota).

Krijimtaria e gjerë dhe e larmishme zë vend edhe në shtypin e kohës. Zakonisht botonte në rubrikën "Shtylla satirike" nën titullin "Hallet tona". Bashkëpunoi me organet "Radio-revista Tirana" (e cila nga nr. 14 doli me titullin "Vatra shqiptare"), "Shkëndija", "Bashkimi i Kombit", "Bleta", etj.

- Nga Xhahid Bushati

__________

Lexo dhe: Malsori në Paris - nga Pjetër Gjini

COMMENTS