Përkatësia etnike ilire e dardanëve

Muhamet Bela
Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, Kukësit, Hasit dhe Tropojës (dardanët alpinë), të Maqedonisë Veri-Perëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. E gjendur në një zonë qendrore të Gadishullit Ballkanik, ajo kishte një pozitë të favorshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që krijonte mundësi për lidhjen me mjediset fqinje më të afërta apo më të largëta. Territori i saj përshkruhej nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër, Sitnicë dhe përbënte një nyje ku kryqëzoheshin rrugëkalimet e rëndësishme ballkanike, që mundësonin lidhjen me Egjeun, Adriatikun dhe Detin e Zi. Lugina Moravë-Vardar, e cila përbënte aksin kryesor ndërlidhës Veri-Jug, siguronte lidhjen e Evropës Qendrore me Detin Egje, ndërsa lugina e Moravës së Binçës mundësonte daljen për në Danub dhe, për rrjedhojë, edhe në Detin e Zi. Gryka e Ibrit shërbente për lidhjen e zonës qendrore të Dardanisë me trevat Veriore, Verilindore dhe Juglindore ballkanike. Përmes luginës së Drinit të Bardhë, ku në të dy anët e saj shquhen malet Pashtrik e Koretnik, ofrohej lidhja me Adriatikun. Duke shfrytëzuar luginën e Toplicës si dhe të Nishavës, Dardania kishte një portë natyrore për të komunikuar edhe me Evropën Lindore. Në këtë territor spikasin sidomos Fushë Gropa e Kosovës, Rrafshi i Dukagjinit, si dhe pjesët periferike të Malit të Sharrit, Bjeshkëve të Nëmuna dhe të Kopanikut. Kushtet gjeomorfologjike të Dardanisë kanë mundësuar banimin e saj që në periudha shumë të hershme të historisë njerëzore, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj si: A. Boé, J. Han, A. Evans, B. Arpad, A. Domashevski, A. Permersten, N. Vuliç, J. Jastrebov etj., të cilët në fund të shekullit XIX dhe fillim të shek. XX u interesuan rreth qendrave arkeologjike të kësaj treve. Një nga çështjet më të rëndësishme për popullsinë e këtij territori është përkatësia etnike e dardanëve. Në lidhje me këtë janë shprehur autorë: antikë, linguistë, etnograf, historianë, arkeologë etj.

Një pjesë mjaft e kufizuar e tyre mohojnë karakterin ilir të dardanëve, siç mund të përmendim G. G. Mateescu, R. Vulpe, D. Deçev etj., ndërsa shumica e studiuesve argumenton përkatësinë etnike ilire të tyre. Mbi bazën e burimeve të shkruara antike, dëshmive gjuhësore, etnografike dhe sidomos arkeologjike është provuar plotësisht se dardanët janë një popullsi padyshim ilire. Në viset Perëndimore të Ballkanit kanë qenë afro 70 fise ilire. Ato janë përmendur nga autorët antikë. Babai i historisë Herodoti, në veprën "Historia", që e shkruajti në mesin e shek. V para Krishtit, ofron të dhëna që dëshmojnë se lugina e lumit Angri (Morava Jugore e sotme), përbënte pjesën më Verilindore të Dardanisë antike. Gjeografi i mirinformuar Straboni vë në dukje se: "...nga ana e Adriatikut janë fiset ilire, ndërsa nga ana e Pontit fiset thrake: Në kufi me Thesalinë është Rodopi, mal shumë i lartë pas Hemit, dhe nga ana tjetër, në Veri viset ilire, d.m.th. vendi i autariatëve dhe dardanëve". Në një rast tjetër Straboni i cilëson "dardanë të ilirëve", për t'i dalluar nga dardanët aziatikë të përmendur nga Homeri si banorë të rrethinave të Trojës. Po ky autor flet për argjendin dardan dhe djathin dardan si nga prodhimet më të preferuara të qyteteve Dyrrah dhe Apolloni, ndërsa Plini vë në dukje, "... rrathë ari që vinin nga Dardania, prandaj quheshin dardanë...". Edhe në shek.VI pas Krishtit, kur një pjesë e popujve antikë të Ballkanit ishin zhdukur apo romanizuar, gjendja etnike e Dardanisë paraqitet si në kohën e Herodotit. Prokopi i Cezaresë, biografi perandorit Justinian shkruajti për dardanët dhe fortesën Bederiana, pranë Nishit të sotëm ku kishte lindur perandori. "Tre fshatarë të rinj, ilir me prejardhje", i quan ai dy bashkëmoshatarët dhe xhaxhanë e Justinianit, të cilët erdhën për të shërbyer si ushtarë në Konstandinopol.

Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmueshëm për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III para Krishtit. Mbreti dardan në vitin 279 para Krishtit i ofron një ndihmë prej 20 mijë luftëtarësh Ptoleme, Keraunit të Maqedonisë. Pas disfatës në Greqi keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt Veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre "u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve nëpër të cilën donin të kalonin", - shkruan Diodori. Të dhëna të dobishme janë ofruar dhe në aspektin gjuhësor për përkatësinë etnike ilire të dardanëve. Janë ruajtur në fondin gjuhësor tri fjalë me emra bimësh dhe afro 200 fjalë nga sfera e toponimisë dhe onamastikës, që provojnë se dardanët janë ilir. R. Katiçiç thekson se në aspektin onomastik fiset e Ballkanit Qendror do i përkisnin territorit Juglindor ilir. Duket se Dardania në Fushën e Kosovës së sotme i ka takuar edhe më parë kësaj zone onamastike. Edhe M.Budimir argumenton se bartësit e kësaj gjuhe ilire në këtë territor ishin bashkëkohësit e qytetërimit kretomikenas. Profesori i madh Eqrem Çabej fjalën Dardani e shpjegon me fjalën shqipe dardhë etj. Dhe në aspektin etnografik janë gjetur veshje ilire thuajse të njëjta si në territorin e Dardanisë ashtu dhe në vise tjera ilire.

Duke u mbështetur kryesisht në burimet arkeologjike një kontribut të shquar në sqarimin e mjaft problemeve që lidhen me përkatësinë etnike ilire të dardanëve, kanë dhënë profesorët: Z. Mirdita, A. Stipçeviq, M. Korkuti, E. Shukriu, B. Jubani, L. Përzhita, M. Zeqo, S. Islami, F. Prendi, S. Anamali, K. Frashëri, N. Ceka, Zh. Andrea, E. Dobruna, A. Bunguri, G. Hoxha, K. Luci, Sh. Gashi etj. Deri tani është vërtetuar shkencërisht se territori i Dardanisë është banuar që nga fillimet e neolitit (mijëvjeçari i gjashtë pr.kr) e deri në mesjetën e zhvilluar. Në bronzin e hershëm edhe në Dardani krijohet një situatë e re etnokulturore, ku krahas elementeve autokton që evokojnë një traditë tipike eneolitike, janë të pranishëm dhe elemente të rinj me tipare krejt të ndryshme nga shtresa pararendëse. Periudha e bronzit të hershëm është konstatuar në vendbanimin e njohur shumështresor të Hisarit të Suharekës, Vlashnjës e Korishës (Prizren), Pogragjës (Klinë), Shpellës së Dajçit dhe vendbanimit prehistorik të Pusit të Thatë (Has), Shpellës së Zatriqit (Rahovec) etj. Kultura e bronzit të hershëm të Dardanisë zhvillohet në mënyrë të ngjashme me kulturën e kësaj periudhe të Maliqit, Nezirit, Trenit, Bënjes, Shkodrës e trevave të tjera të Shqipërisë.

Periudha e bronzit të mesëm është konstatuar në vendbanimet e Hisarit, Vlashnjës, Korishës, si dhe në vendbanimin shpellor të Radacit. Në mjaft tregues format e enëve të bronzit të mesëm shprehin lidhje të drejtpërdrejtë me ato të bronzit të hershëm, duke dëshmuar jo vetëm një lidhje gjenetike mes tyre, por dhe një zhvillim të brendshëm kulturor. Këto lidhje manifestohen në fqinjësi me treva më të afërta të Shqipërisë e më gjerë me Adriatikun Qendror. Periudha e bronzit të vonë përfaqësohet nga të dhëna të ofruara nga vendbanimi i Korishës (Korishë III), Vlashnjës (Vlashnjë IV/c), Hisarit (Hisar III/c), Retisë së Poshtme (Rahovec). Gjetjet arkeologjike të tri periudhave të epokës së bronzit flasin qartë jo vetëm për vazhdimësinë e banimit në këtë trevë, por edhe për jetë relativisht të stabilizuar, pas dyndjeve indoeuropiane të shkaktuara në preludin e kësaj epoke. Vendbanimet e epokës së hekurit të hershëm njihen përmes të dhënave të ofruara nga qyteza ilire e Rosujës, Gradishta e Bardhocit, Kodra e Pecës, Qyteza në Bjeshkën e Krumës, Dajçi, Vlashnja, Hisari, Zatriçi afër Rahovecit etj. Këto vendbanime njihen me emrin "qytezë", "gradishtë" etj.

Epoka e bronxit dhe e hekurit

Të dhëna parësore arkeologjike për epokën e bronzit dhe hekurit vijnë nga riti i varrimit në tuma, rit që shfaqet në bronzin e hershëm e vijon pandërprerë duke dominuar sidomos në hekurin e hershëm. Gërmimet e realizuara në tumat e Cinamakut, Romajës, Kënetës, Rugovës, Llashticës, Shirokës, Dibiçakut, Malishevës, Myç-Hasit, Kënetës, Krumës, Bujanit, Përçevës etj., flasin qartë për një identitet kulturor dhe etnik. Kultura e vendbanimeve dhe tumave të epokës së bronzit dhe hekurit të hershëm në tërë përbërësit e saj, si në pikëpamje të teknikës së punimit, formave e dekorit të qeramikës, qoftë përsa i përket objekteve metalike dhe stolive ashtu dhe mënyrës së varrimit paraqet tipare të njëllojta në tërë trevën e Dardanisë dhe përngjasime të dukshme sidomos me mjaft elementë, që janë karakteristikë për krahina të tjera ilire, veçanërisht për krahinat Veriore, Jugore e Juglindore të Shqipërisë. Shfaqjet që vihen re në Dardani janë të karakterit lokal dhe nuk e cenojnë tablonë e unitetit etnokulturor të bartësve të kulturës. Kjo kulturë inkuadrohet në grupin etnokulturor më të gjerë ilir qendror Mat-Glasinac. Përputhja e të dhënave të autorëve antikë, burimeve gjuhësore, etnografike e sidomos arkeologjike provojnë karakterin etnik ilir të dardanëve. Mbështetur në një sërë komponentësh të rëndësishëm dëshmohet qartë se dardanët kanë qenë një popullsi ilire kompakte, të cilët në rrugën e formimit të etnosit të tyre kanë ndjekur të njëjtin proces të provuar tashmë në formimin e etnosit ilir.

- nga Prof. Dr. Muhamet Bela (në foto)

COMMENTS