Ernest Koliqi - Sinfoni vere

Ernest Koliqi - Sinfoni vere
Nji gjí deti
qi kumbon me val' të qarta -
m' bje ndër mend porsa del vera.
I ka brigjet krejt vallue me hala t' larta,
rânë argjanti i a mblon fundet, edhe era
aq' e andëshme e përtrîse
s' dij se fryn ndër vise tjera.

Prej kujtimit
me freskí prap mbushet shpirti.

N' zgrip' të bregut ti me gishta t' njânës kâmë
bâishe val't me zhabaritun:
s' largu shkulmi rrânte i shpejtë e me nji t' fshâmë
vinte gishtat tue t' përkitun.
Mbandej n' dét ti plogtas hyjshe tuj u ndalë,
tue lshue synin ndër largsina:
n' gjûj e n 'ij' t' arrinte uji dal-kadalë
e kokrriz' të çohej shpina.
Gjymsa n' dét e gjymsa n' diell, me drit' mbretnore
farfuritte shtati i yt -
por papritmas tue m' përshndet' me nji shêj dore
midis detit bijshe zhyt.

E kur dilshe jasht' me krye
un me sye
t' ndiqshe larg valën tue pré
me haré...

Ç' far' premtimit t' bânte ty ai dét i gjânë
qi u largojshe me aq hov gzimit
sikur t' dojshe ti m' e lânë
tokën shqimit?
N' largësí t' grishte ndoj Zânë?
Ndoj Zân' deti qi ndër shpella
t' ftofta e t' thella
ruen visaret e paprekuna
grumbullue prej stinve t' dekuna?

Un prej bregut tue t' shikue me sy t' çuditun
ndîjshem or't e Rinís s' ime
tue m' rrëshqitun
porsi râna nëpër bira t' dor's shtrëngueme.
Ishte gzim - por i gzim i shkrîm me përmallime
t' pacaktueme.

N' at gjí deti,
qi kumbonte në heshtí
e i kalter' ndritte n' vetmí,
vetëm ty, valën e dritën -
si trí motra të hyjnueshme
qi bâjn' lojna t' mrekullueshme -
sýt e mij n' at ver' soditën.

Tue cirkue me uj të ngjelm' m'u shtrîjshe prânë
përmbi rânë.
Kryet e projtun n' hije t' halës,
shtatin n' ar t' rrezeve t' diellit,
tue lân' kâmbën n' freskí t' valës,
mbyllshe sýt me ato qepalla drandofillit.
E mbi sulen e andrrimit
letë e letë
mêndja t' shkonte larg me tretë.
Koha shkitte pa e ndí shqimit.
Kurr mâ i thjeshti, kurr mâ i dlirti
kurr mâ i âmbli paq nuk reshi n' zêmër nierit
si n' atò or' xhevahirit.

Prej kujtimit
me freskí prap mbushet shpirti.

Oh nji ver' si n' at gjí deti
sa per veti
s'e kalova kurrkund ngjeti.

Zonjushës M.M - nga Ernest Koliqi

__________

vallue: rrethuar.
hala: pisha.
zhabaritun: zhurma e ujit që lëviz.
rrânte: gjëja që vjen me grumbull, me turmë, si era, valët, njerëzit.
farfuritte: shkëlqente.
të ngjelm': të kripur.

COMMENTS