Naimi - Bagëti e Bujqësija

Naim Frashëri - Bagëti e Bujqësi
O málet' e Shqipërisë! e ju ô lísat' e gjatë!
Fúshat' e gjëra me lule! q'u kam ndër mënt dit' e natë,
Ju bregore bukuroshe! e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndónj bagëtinë, që mbani ju e ushqeni,
O véndëthit' e bekuar! ju méndjenë mà dëfreni.

Ti Shqipërí më ep nderë, më ep émërin Shqipëtár,
Zémërnë ti mà gatove plot me dëshirë dhe me zjar.

Shqipërí! ô mëma ime! ndonë-se jam i mërguar,
Dashurinë t'ënde kûrrë zémëra s'e ka haruar.

Kur dëgjón zëthin e s'ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërín dy a tri herë edhé ikën e mer dhenë,
Edhé në i-prefshin udhën njëzét a tridhjetë vetë,
E tà trëmbin, ajý s'kthehet, po shkon në mest si shigjetë,
Ashtú dhe zémëra ime më le këtú, tek jam, mua,
Vjen me vrap e me dëshirë atý nër viset e tua.

Tek burón ujët e ftohtë edhé fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukurí e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzén cjapi me zile, atjé i kam ment e mija;
Atjé lint diell' i qeshur edhé hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në até vënt janë mbluar;
Nat' atjé 'shtë tjatrë natë edhé dita tjatrë ditë,
Në pýjet' e gjelbëruar, atjé rrinë Perënditë.

Mëndje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brenga, nga thash-e-themet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndón thëllëza me gas edhé zogu me dëshirë,
E qýqeja duke qeshur, bilbili me ëmblësirë,
Tek hápetë trëndafili, atjé mà ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhé unë t'já thërrés këngës e t'já them;
Të shoh kédhërit e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qíellin e sbukuruar, dhenë me lul' e me dritë.

- Vashë bukurosh' e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zémërë të dëfryer, e me búzëzë të qeshur,
Me dy shqérrazë ndër duar të búkura, si dhe vetë,
Në sythit t'ënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë;
Dashi sysk e me këmborë, q'e-ke manár, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gas;
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
- Pash' atjé pas më të gdhirë... ja atjé përtéj tek vinë!

O! sa bukurí ka tufa! sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plottë! i bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh' e nër bregore janë përhápurë shqerrat,
E kécërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin, edhé lozin shoku me shok,
Atý përhápenë me nxit, atý mblídhenë prapë tok.
Edhé prapë tufë-tufë përhápenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur,
Nxitojn' e s'lódhenë kûrrë, edhé kur i merr urija,
Sicili futet në tufë, súletë ne mëm' e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhé me vrap i hyn në gjî,
Rri më gjunjë dhe zê sisën e qúmështin e ëmblë pî;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir' e vetëm e merr në gjî me gas e me përkëdhele.

Sa të mírazë ke dhënë, Zot i madh e i vërtetë!
E ç'nom të bekuar vure për çdo gjë q'është në jetë!

Sa më pëlqén blegërima, zër' i ëmbl' i bagëtisë,
Qengji edhé kec' i bukur, që rri më gjunj' e pi sisë!
Përhápurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja,
Bijen zilet e këmborët dhe fýelli e xhuraja,
Dheu mblerón e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhé gjithë gjê e gjallë ndjen në zémrë një dëshirë,
Një gas t'ëmbl' e të shumë, ô! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz' i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të madh gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zémrë të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po kërcejn' e këndojnë,
E nëpër dega me lule si éngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q'i-shpije Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzímt të gjithësisë.

Qíelli sa ësht' i kthiellt e sa është sbukuruar!
E díelli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!

Gjithë këto lule ç'janë? që u ngjallë me-një-herë!
Ngaha qíelli ke xbritur? ver' ô e bukura verë!

Çdo lúlezë ka me vete një émër' e një fytyrë,
Një bukurí, një mirësí, një shtat, nj' erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo drû e çdo pemë, edhé çdo bar e çdo fletë,
Sa ësht' e bukur faq' e dhêut! s'të zê syri gjê të metë.

Gjithë kjo bukurí vallë nga dheu të ketë mbleruar?
A me të madht të tî Zoti pej parajs' e ka dërguar?

Veç një njerí shoh pa punë dhe të mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mejtuar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atjé e prû përtimi,
S'i ka mbetur gas në zémrë, se s'i la vënt idhërimi;
Është njerí, si dhe neve, po é-pini, ô të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e buzë-plasur,
Se përtimn' e zi, q' e pruri të gjorën më këté ditë,
Nuk' e dimë vet' e zgjodhi, apó ja dhanë Perënditë;
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zémëra s'thúhetë zémrë me mos pásurë mëshirë.

Ah! edh' atjé tej mbi udhë i duket i shkreti varri!
Rrethuar me lul' e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë, e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm' e motrë, dhe pej gjithë njerëzisë,
Një zok i helmuar mbi varrt i rri si mëmëzë dh' e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhé zî për të mjerë mban.

Tomorr! ô mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishin Shqipëtárëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt' e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë, e punë që kanë ngjarë.

O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmérr e frikë përhapni! përpini qíejt e retë!
Të pa-túndurë për-jetë jini, pá kur oshëtini,
Udhëtáritë në zémrë frikë të madhe i vini;
Kini shkëmbénj, gërxhe, lisa, luménj, dhe dëborë ndë gjî,
Përsiprë lúlez' e gjethe dhe brënda argjént e florí;
E ju fusha bukuroshe, edhé të majm' e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar - ju bregore gjelbërore,
Q' u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e verí, zoq e flútura e lule,
Zémërn' e várfërë t'ime atý ndër ju e kam mbluar,
Tek burón nga gjithi juaj uj' i ftoht' e i kulluar,
Jam lark jush i dëshëruar, edhé s'e durónj dot mallë,
Po s'e di si dua unë do t'u shoh një herë vallë!

Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q' ikën me vërtík si plumbi,
E të vija në gjît t'uaj nj' ujë të ftohtë të pinja,
Edhé nëpër ató hije një copë-herë të rrinja,
Syt' e ballit t'i xbavitnje, zémërënë tà dëfrenje,
Gazë, që paçë një-herë, prap' atý ndër ju tà gjenje.
Opopó! kshu pse më vini përpara syve pa pushím?
O dítët' e djalërisë! ð moj kohëz' e të rít t'im!

O flútura krahë-shkruar! që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zémrënë t'ime me véhtezë dhe mà shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn baríu xhurasë, tek më rrinë mëntt' e mija,
Ku shkon me zilet të madhe ogiçi për-mes lajthisë,
Pa zjen e oshëtín mali ngaha zër' i bagëtisë;
Márrënë vrapn' e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh' e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Baríu plak krabën në dorë, edhé urdhërón të rinjtë,
E atá gjithë punojnë, ngríturë më bres rrëqinjtë:
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin téndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilidó ndih më nj'anë;
Kush përvjél, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqén këlyshnë, játëri përgëzón qëntë;
Stopani bër' i zi sterrë, shikón bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhé punón pa përtuar;
Udhëtar' e gjahëtorë, q' u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...

Kec' i mbéturë pa mëmë dhe i várfër' e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.

Dëgjohet nga mez' i pyllit krrism' e sëpatës s' druvarit,
E sharrësë, që bën lëndë, edhé fýell' i shterparit.

Shterpari s'i qaset stanit, po nër pyje bij' e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndón, a gdhënt, a shtrihet;
S'i trémbetë syri kûrrë, vetëm ajý dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s'ka frik' - as nga lis' i gjatë,
As nga shkëmbënjt' e nga pylli - as gogólëtë s'e hanë,
Armëtë ka shok e vëllá , mëm' e motërë xhuranë;
Miqt' e tî shqérratë janë, kécëritë, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, zíletë, këmborët, deshtë e mê teprë qëntë,
Që s'flenë, po rrin' e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin, dhe me gas të madh i vinë;
S'e hanë njerín' e mirë edhé mikn' e udhëtarë,
Se i njohën, po të liknë, egërsírënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t'errët, del hëna i përháp dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint' diell' i bije ditën;
Yjtë, hëna, dielli, shënja lindin e prapë perëndójnë,
Gjithë ç'lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë;
Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shíu zê të bjerë,
Bariu vê gunën në kokë, z' eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqherë, a lisnë fyl, dhe bën zjarë;
Fishëllén e thërret qenët sicilin me emër veçán,
Pa kur dérdhetë baliku - ujkun' e zê edh' e përlán,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull kërkón,
Papó bariu shum' ahere vê re dhe mba vesh e dëgjón,
Dhe sokëllín me zê të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet e veshur, e oshëtijnë përrenjtë!

Ësht' e lehtë dhî e stanit, që kullót gjethen e malit,
Dhe bij' e fle majë shkëmbit e pi újëthit e zallit,
Dhî e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në vath' e nënë strehë,
E pi ujët e rrëkesë edhé shtrihetë në plehë,
Ësht' e butëz' edh' e qetë, dhe e urtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën nga-dale e del me kusí në dorë,
Rri në dérëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin' e delen, i mjel plakëz' e drobitur;
Plaku lë shkopnë më-njanë e bën gardhin a zê shteknë,
Bariu vê tufën përpara, vasha përkëdhél sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë, edhé bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar, edhé bashkë me gomarë
Rráhënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë;
Një grua vete në krua, e tjátëra zê të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjátëra bën ç'të muntnjë.

Na hijnë shumë në punë káfshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këté jetë shok' e ndihmës Perëndija;
Të mos ishte gjê e gjallë, njeriu s'rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga urija, do t'ish lakuríq e shkretë;
Gjê e gjallë na vesh, na mbath, dhe na ushqén e na xbavít,
Kur shtohet e vete mbarë, jétënë t'ën' e përsërit.
Edhé dhêu, që na ep drithë, si-do tà kemi punuar,
Nukë pjell mirë, si duam, po s'e patmë plehëruar.

O shókët' e njeriut! Zoti u shtoftë e u bekoftë,
Dhe shpirti im mik përjetë sindëkur ka qën' u qoftë.
Káfshët' edhé bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu dúhetë t'i shohë, t'i ketë kujdés, t'í dojë.
Të mos t'i mundojmë kûrrë, po si fëmijë t'i kemi,
Është mëkát edhé fjalë të ligë për tð të themi.

Dellëndyshe bukuroshe! që thua míjëra fjalë,
Dhe të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? eni vjen pej Çamërije
Me këtó míjëra fjalë e me gjuhë Perëndije?
Apo vjen nga Labërija, pra më duke kaqë trime?
Edhé fjálëtë, që thua, më gëzojnë zémrën t'ime,
Q' është thier, bërë míjë copë, posí një pasqírë,
Duke këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur mirë;
Apo vjen nga fush' e Korçës, nga'i vend' i mir' e i gjerë,
Pej zémbrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen pej Malësije, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor' e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti!
Me gas të madh do t'i vinjam Shqipërisë brënda në gjî!
Për me marë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E me ardh ke ti, ð Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krójënë e Skënder-Begut, q' i kâ pas dhân ner Shqypnisë,
Tue bâm me trimní luftë, e m'e munt mren' e Tyrqísë.

Durrës! ð qytet i bukur, që je kërthiz' e mëmëdhêut,
Edhé tí Leshi me emrë - që ke eshtrat e Skënder-Beut,
Burrat t'uaj aqë trima do ta lenë vall' Ylqinë
Edhé gjithë Shqipëtarët, ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan, e s'e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllézërit Shqipëtarë, që venë në pun' e vinë,
Búrratë trima me besë dhe shpirtmir' e punëtorë,
Dhe fúshatë gjithë lule e máletë me dëborë.

O fúshazëtë pëllore - që m' ushqeni Shqipërinë,
Do të këndój bukurinë t'uaj edhé bujqësinë.

Ti Perëndí e ligjërisë, që rri në malt të Tomorrit,
Unju posht' e më ndih pakë, ô motra im' e të gjorit!

Më ke leshrat të florinjta e të argjéntë krahrorë,
Ball' e gush' e faq' e llërë dhe këmb' e duar dëborë;
Sindekúr dô malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhé fusharakët dhe arat e bujqësinë.

Edhé Ti! ô Mëmëz' e dheut! q' i fale dheut aq' uratë,
Sa pjell míjëra të mira e kûrrë s'mbétetë thatë,
I dhe lul' e bar e gjethe, bim' e drith' e pem' e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë, edhé kanísk jà ke prurë.

Të keqen! ô sŷ-mëshqerë! shikomë një herë në syt':
Si lulet e si bilbili edhé unë jam djali yt.

Gjithë këtó farë lulesh - e këté të bukur erë!
Këté mblerím! këtó gjyrë! vallë nga ç'vent t'i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukurí! as më thua ku e more!
O bukuroshe! t'u bëfsha! ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir' i Zotit?
Nga qielli? nga parajsa? nga préhër' i plot' i motit!
Kudó shkel kémbëza jote, gëzohet vendi e mblerón,
Tekdó heth sythit e qeshur, bukurij' atjé lulëzón!

Ti sbukuron fáqen' e dheut, ti dô e ushqén njerinë
Më të gjallë, dhe pas vdekje e pret duke hapur gjinë!
Vjen dímëri t'i than lulet, ti me një frym' i ngjall prapë,
Nápënë q'u heth përsiprë, uà heq me ver' e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë, edhé vê përpara qetë,
Nísetë pa sbardhëllyer për púnëzët të vërtetë,
Mer plúarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trájstënë, lakrorë, qenë...
Shërbëtor' i Mëmës' së dheut, q' e ka zémrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili, dhe bari 'shtë gjithë vesë,
I falet Zotit t' vërtetë dhe zihet nga pun' e mbarë,
Zémërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeríu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime!
Si të punosh dit' e natë e të bësh ç'duhenë gjithë,
Ahere kërkó nga Zoti të t'apë bukëz' e drithë.

Njerí, punó, mos psho kûrrë, dhe lark nga makutërija,
Zémërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t'ep Perëndija.

Puna ka duk e uratë, Zot' i madh e ka bekuar,
Njerinë mbi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver' ô e búkura verë! që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësí, me bukurí, me gas të madh, me duar plot,
Sindëkúr çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtú na bije nga qjelli një gas në zémërt t'ënë.

Zot' i madh e i vërtetë, për të ushqyer njerinë,
Për të sbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjar e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dímërin e verën, dhe zémërs s'an' i dha shpresë.

Për të arríturë rrushnë ç'ka punuar Perëndija!
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S'është çudí pse na dëfren ver' e bukur zémrën t'ënë;
Ç'ka punuar Perëndija edhé njeriu sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zémërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi;
Se përçmoni Perëndinë, q' i ka falur hardhisë rrush,
Edhé kërkón dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Béjeni zémrën të gjerë edhé shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë, dhe besën e miqësinë;
Se në breng' e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë? yjtë, diellinë, hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, kashtën' e kumtërit, shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhé lëçijn' e punojnë,
Njëri-tjátërit i ndihin, ashtú punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtórëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë? apo të bjerë në gjumë?

Mundóhetë punëtori, po në zémërzët të qetë
Sa gas të madh ndjen, kur njëra, që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin' e plotë të kërrúsurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn' e kashtën më-nj'anë,
U heth kuajvet e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbúsh plot shtëpinë me drith' e me gjë të gjallë,
Shtrohet me urí në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjérgullnë, manë, fiknë, thánënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vádhënë, ftuan, qershinë,
Kúmbullatë, zerdëlinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjê të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zémëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q'e çpërblén punën e djersën' e mundimn' e njerëzisë.

Qysh rrojt mblet' e uruar, dhe ven' e vin' e lëçijnë,
Ca húallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O! ç'punë me mënt punojnë - sa bukur e bëjn' e mirë!
N' apin dýllëtë, q' ep dritë, dhe mjaltë fjesht' ëmbëlsirë!
Dhe punëtorët e mirë m'até mëndyrë punojnë,
Edhé gjithë njerëzija me mundímt t'atyre shkojnë,
Njëri mih, tjátëri lërón, njëri mbjell, tjátëri prashít,
Kush harr, kush korr, kush mbleth duaj, kush shin, kush shartón, kush krasit,
Një bën plúar' e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikón mullinë,
Çdo njeri njëfarë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht' udh' e Perëndisë, ky ê nom i gjithësisë.
Edh' ajo miza përdhese, ç'i dúhetë për të ngrënë,
Është rrahur e përpjekur, e me kóhëz' e ka vënë!
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q' është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot' i madh e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpízënë më kamje, edhé zémëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n' avlëmént e në të tjera,
Edhé jashtë fryn e bije, por kur na trokëllín dera,
Është nj' udhëtár i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh' e goj' e këmb' e dorë,
Ngrihet i zot' i shtëpisë edhé të huajthin e mer,
E vê në kryet të vatrës me njerëzi, me të madh nder,
Posa e shóhënë, që vjen, i ngrihen gjithë fëmija;
Se të húajnë më derë na e dërgón Perëndia,
Pa i bëjnë zjar, e ngrohet, edh' e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë, edhé të ngrën' e të pirë.

Kështu të huajt' e miqtë njeriu q' është i uruar,
I pret me krahërór hapur, e i përcjell të gëzuar.

Në verë, që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukuróhetë faq' e dheut e mer míjëra fytyrë,
Pa ngjállenë më çdo lule, më çdo bar, e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me míjë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest' e mízatë këndojnë, e kúajtë hingëllijnë,
Lulet e búkura m'erë si ar e si florí ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lërón, mbjell a bën gati ugarë,
Kalórësi i shkon njatë dhe i thotë - puna mbarë -
Papó merr anën e lumit, me zémërë të gëzuar,
Këndón, fishëllén, e vete ngadalë, duke mejtuar,
Vê re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të tî i bije ca t'ëmbla shumë mejtime.
Váshazëtë bukuroshe, posi shqérratë manare,
Si kaprollet e malit, si thëllézatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sŷ e në buzë, e me lúlezë nër duar:
Përveshin llërët e bardha dhe të májm' e të perndijta,
Púlpazëtë bukuroshe, e kémbëzët' e kërthijta;
Dellëndyshja, që fluturón, e ndéhetë përmi lumë,
U afróhetë si mike e u thotë fjalë shumë;
Dhe mëshqer' e përkëdhelur vjen në lumë të pij' ujë,
A të préhetë në hije, a të bënjë gjê rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres, e bujku shum' i gëzuar,
Si baríu kur merr kërthinë edh' e përkëdhél ndër duar.

Bilbili jà thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një váshëz' e mjerë qan të motrënë, q' e ka lënë,
O! është mbluar në dhê vashëza fytyrë-hënë!
Mëma dhe mótëra mbetur në zî e në vaj të shumë,
Dhe shqera manárez' e saj e përzíshmez' e për lumë!
Të këpút shpírtinë plaka kur zë dhe nëmërón e qan,
Ah! i ziu njerí në jetë sa heq e sa durón e mban!

Vashën vërtét e mbuluan, po shpirt' i saj në qiej shkoj,
Hapi kráhëthit e lehtë, në hapësirët fluturój;
Bukurí e saj u përzjé me bukurízët të prillit,
Me fjálëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit;
Gjësendi s'húmbetë kûrrë, e gjê s'vdes me të vërtetë,
Mase ndryshóhenë pakë, po janë në këté jetë,
As shtohet, as pakësohet, as príshetë gjithësija,
Vdesën e ngjállenë prapë si gjith' edhé njerëzija,
Këtu janë gjithë ç'janë, e gjithë ç'gjê munt të jetë,
Éngjëllitë, Perënditë dhe ajý Zot' i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësija, që s'ka anë,
Të gjallë edhé të vdekur, gjithë brënda në tê janë.

Perëndija njerin' e parë e mori prej dore vetë,
E sbriti mbi faqet e dheut, q' ish me lúlez' e fletë,
Më të dréjtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin' e dheut edhé kështú e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtú, më paç uratë,
Mos u lóth e mos psho kûrrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhé ti,
Të mos rrish kûrrë pa punë e të vësh dúartë në gji.
Mos u béj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa-shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo-farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhé ki nom dashurinë,
Bes' e fe ki urtësinë, të dréjtënë, mirësinë;
Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë, dhe në zémërë mëshirë,
Ji i but', i urt', i vyer, e mos u béj kûrrë makút,
I égër' e i mërzitur, dhe i mahnitur si ladút,
Mos ju afro dhelpërisë, po së dréjtësë jù nís pas;
Në dëgjófsh fjalët e mija, do të jesh gjithënjé në gas.

Nga gjithë ç'pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u béfsh, si them, i mirë, emr' i madh do të të mbesë;
Të kam dhënë mënt, të mësósh, të vërtetën me tê tà shohç,
Dhe zémër' e vetë-dijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
Do të të lê dhe nevojën, údhënë të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj' e të të xgjonjë.

Gjithë të mirat, që janë, këtú në dhêt i kam mbluar,
Po gjësendi në shesh s'nxjer dot pa dirsur e pa munduar,
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmó thell' e mê thellë,
Çdo gjë që të duhet kërkoje, barku i ti do tà pjellë;
Sa gjérërazë të vlera do të gjesh ti këtú brenda,
Edhé përsípërë soje, e sa do të t'i ket' ënda!

Me fuqít që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë,
Të març udhën e së mirës, e të gjesh të madhe dritë,
Të març vesh dale-nga-dalë sa púnëra që kam bërë,
Diell, hënë, ŷj, dhê, qiej, e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, - qofsh i mallëkuar, edhé mërgúarë meje. -


Të parit t'ënë Perëndija këtó fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.

Det i p'an' i mirësisë - q' emrin tënd s'e zê dot n-goje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu shéshevet lul' e bar dhe pýjevet gjeth e fletë,
Resë shi, áravet bimë e mos lerë gjê të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kallíut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënje, zë bilbilit,
E drúrëvet epu pemë, dhe uratë bagëtisë,
Dërgó dhëmbj' e kujdés për tô në zémërt të njerëzisë,
Epi pjérgulls' e vështit rrush, dhe vózësë fali verë,
Mos e lerë pa tê kurrë, kûrrë thatë mos e lerë,
Fali diellit flak' e zjar, dhe hënës e yjet dritë,
Edhé detit uj' e kripë, gjithësisë jet' e ditë,
Yjtë le të vinë rrotull, dhe njérëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkójnë.

Tregóm'u dhe Shqipëtarët údhën' e punës së mbarë,
Bashkóm'i, bëm'i vëllezër, edhé fjeshtë Shqipëtarë.
Falm'i, falm'i Shqipërisë dítën' e bardh' e lirisë,
Udhën' e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtétënë në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjéshtëra të pushonjë.

FUNT
Më 5-ta majit 1886

COMMENTS