Bernardina Marubi

Bernardina Marubi
Bernardina Kodheli-Marubi (1900-1975) pohohet të jetë fotografja e parë në historinë e fotografisë shqiptare. Xhaxhai i saj Mati Kodheli (1862-1881), ishte i pari nga fëmijët e Rrok Kodhelit (gjushit të Bernardinës) që ishte punësuar tek italiani Pjetër Marubi. Por Matia vdiq i ri, në moshën 19-vjeçare. Atëherë Rroku e zëvendësoi të birin fatkeq me djalin tjetër të tij, Mikelin, i cili në atë kohë ishte 15 vjeç. Mikel Kodheli (1870-1940), ose siç njihej nëpër Shkodër - Keli i Marubit - do të jetë ai që Pjetër Marubi i trashëgoi studion e tij, Foto-Studio Marubbi. Edhe mbiemri Marubi, u huazua/përvetësua nga Keli dhe më vonë e trashëguan të gjithë pasardhësit e tij.

Bernardina ishte njëra nga tri vajzat dhe dy djemtë e Kel Marubit. Ajo u rrit duke shikuar sesi në atelien e të atit - apo në Dritëshkroja Marubbi, siç do ta quante Keli studion e tij mbas vdekjes të Pjetër Marubit - përjetësoheshin në pllaka xhami dhe në filma celuloid foto-portrete nga më të ndryshme: persona të vetëm apo në grup, çifte apo familje të tëra shkodrane, të fshatit dhe të Malësisë; ngjarje dhe dokumente historike, personalitete të njohura shqiptare dhe të huaja, etj.

Por, vite më vonë, vëllait të Bernardinës, Gregor Kodheli - Gegë Marubi (1907-1984), disa vite më i vogël se ajo, do t'i pasohej "stafeta" për të çuar përpara Dritëshkojën Marubbi. A ishte vërtetë Gega më i talentuar se Bernardina, apo kjo e fundit u "ndëshkua" për faktin se ishte vajzë? Zgjedhja e Gegës nga ana e të atit - shkruajnë studiuesit - për t'u arsimuar në Francë dhe për t'u specializuar pranë vëllezërve Lumiere në fushën e fotografisë, nuk ka qënë rastësi. Baba Keli duhet të ketë "nuhatur" tek Gega diçka të veçantë që e bënte atë të dallohej nga të tjerët.
Në fakt, historia na mëson që Keli nuk ishte gabuar. Ishte Gega ai që do ta modernizonte dhe do ta ngrinte Dritëshkojën në një standart të lartë për kohën - thuajse në një nivel me studiot fotografike që ekzistonin në evropë gjatë asaj periudhe. Zotni Gega, siç e thërrisnin në Shkodër e jo vetëm, për më shumë se 50 vite na ka dëshmuar se ai adhuronte zanatin e fotografit dhe fotografinë.
Nga ana tjetër, po të "udhëtojmë" pak në kohë e të kthehemi mbrapa në vitet '20 të shek. XIX, duhet të kujtojmë që në atë periudhë ekzistonin shumë kufizime për vajzat dhe gratë; mënyra sesi do të visheshin, burrat me të cilët do të martoheshin, shkollimin e tyre, zanatet që do të bënin... e shumë të tjera - vendoseshin nga familjarët. Fotot e realizuara nga Bernardina Marubi - për nga teknika e përdorur, për nga këndvështrimi, për nga detajet, për nga "shija", për nga çfarë ato shprehin - na dëshmojnë qartë se ajo nuk ishte fillestare. Ajo që na e forcon më shumë këtë tezë është se ishte vetë Keli që ia besonte asaj aparatin fotografik dhe e lejonte të fotografonte, edhe personazhe me emër të asaj kohe - edhe pse Bernardina nuk kishte studiuar në Francë.

*****

Në mbyllje duam t'i japim një ide atyre që merren me hartimin e librave shkollor, kryesisht për shkollat nëntëvjeçare e të mesme.

Kemi pyetur një grup të mirë nxënësish (disa që studiojnë në nëntëvjeçare e disa të tjerë që studiojnë në shkollë të mesme):
A keni dëgjuar për Marubin? Kush është Marubi? Çfarë është Marubi?
Përgjigjet që kemi marrë kanë qenë "Per faqe të zezë", si i themi këtej kur dikush duhet të turpërohet për një veprim apo për një fjalë të pavend. Dikush thoshte që Marubi ka qenë ai që ka shkruar Historinë e Skënderbeut - duke e ngatërruar me Marin Barletin. Dikush tjetër thoshte që Marubi ka qenë ai kompozitori që ka shkruar operën e parë (prit pak se s'po m'vjen ndër mend si e ka emnin ajo opera) - duke e ngatërruar me Prenkë Jakovën. Dikush tjetër thoshte që Marubi ka shkruar atë poezinë për gjuhën shqipe - duke e ngatërruar me Fishtën apo me Mjedën, a me dreqi e merr vesht se ku donte me dalë.
Kemi marrë shumë përgjigje të tilla që nga njëra anë na kanë bërë të qeshim, kurse nga ana tjetër na kanë bërë të ndjejmë trishtim - keqardhje.

Nuk do të ishte keq që në tekstet shkollore t'ju kushtohej ndonjë paragraf edhe atyre që kanë shkruar historinë me anë të fotografive.

- shkodradaily.com

COMMENTS