Kundër mallkimit të gjuhës shqipe

Petro Nini Luarasi
... I mallkuari dhe i shkishëruari Petro Luarasi, në bashkëpunim me propagandën protestante e masone, ka shkuar në fshatra të ndryshme të rrethit të Kolonjës, duke u premtuar emërimin e mësuesve shqiptarë për mësimin e shqipes, një gjuhë e cila nuk ekziston...
Ata përhapin Dhiatën e Re, emisarë dhe libra të tjerë që janë kundër fesë sonë të shenjtë dhe që nëna e jonë, Kisha e madhe e Krishtit, ka kohë që i ka shkishëruar dhe djegur në turrën e druve...
Shpallim se kushdo që ndikohet nga i mallkuari Petro Luarasi dhe shokët e tij, ose pranon mësues shqiptarë, do të shkishërohet nga i madhi Zot, do të marrë mallkimin e etërve të kishës, do ta zerë lebra e Gehazit dhe trupi i tij do të mbetet i patretur dhe do të përdhoset pas vdekjes ...
(Këto ishin fjalët e Fillaret, dhespotit të Kosturit, më 20 shtator 1892, në mallkimin e tij ndaj Rilindasit Petro Nini Luarasin dhe iniciativës së tij për të hapur shkolla shqipe dhe zëvendësuar gjuhën greke në liturgji me atë Shqipe./ wikipedia - 29.04.2020)

Kundër mallkimit të gjuhës shqipe
- nga Petro Nini Luarasi

Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.

S' më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s' dinë ç' bëjnë e ç'punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre,
Nëkëmbës t' orthodoksisë,
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë,
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s' ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s' pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s' ua k'ënda.

S' kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!

Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer.

COMMENTS