Azem Shkreli - Madërgonë e ferrit

Madergone e ferrit, Azem Shkreli
Ngahera frymëzimit i rri mirë zymtia
Ka shkëlqim që nuk do tjetër ngjyrë
Ç' tjetër i ka hije mëtimit si mashtria
Vargjet dhe poetët shkëndijnë në një mënyrë

Së pari në Kupë Odini pijnë, dehen mirë
Pastaj marrin botën ta rrotullojnë mbarë
Nga vullnete të yjve u cirkon dëshirë
Vajit për të kënduar, këngës për të qarë

Yjet dhe poetët nuk i tremben zjarrit
Kur përzjarren, kur gugëzojnë si fëmija
Është bar i hidhur, madërgonë e ferrit
Me qumësht të saj ngaherë mëkohet poezia

Me këtë bar poetët mjekojnë nëpër botë
Ka dhe ndonjë sëmundje që ndodh të shërohet
Dikush merr një pikë, dikush merr një gotë
Barërat, mjekët vdesin, jeta jo, jetohet.

COMMENTS