Ramiz Kovaçi

Ramiz Kovaçi
Ramiz Kovaçi lindi në Krujë, më 22 mars 1931, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe intelektuale. I ati Jahja ishte njeri me autoritet të padiskutueshëm, krahu i djathtë i Imzot Kaçorrit në luftën për Pavarësinë e Shqipërisë. I njohur për shpirtin e tij të zjarrtë patriotik që dha një kontribut shumë të çmuar për përhapjen e gjuhës shqipe. Për vlerat e tij ky burrë i moçëm, u dekorua me motivacionin e lartë të patriotit dhe hyri në historinë e Shqipërisë. Ka pasur detyra të rëndësishme në qeverinë e Mbretit Zog.

Që në vogëli, Ramizi këndonte i shoqëruar nga grupi që përbëhej prej 5 vëllezërve të tij dhe një motër. Shkollën fillore e përfundoi në qytetin e lindjes. Nga shkolla e mesme kreu vetëm 2 vjet agronomi në shkollën bujqësore të Fulcit dhe doli me rezultate të shkëlqyera. Në një koncert të shkollës, ai këndoi shumë bukur dhe tërhoqi vëmëndjen e të gjithëve. Pushimet verore i kalonte në qytetin e Durrësit për arsye të detyrave të babait të tij dhe punonte në hotel "Vollga", paradite në sportel, ndërsa mbasdite këndonte dhe i binte xhezit. Doktori i njohur Hamdi Sulçebe (1907-1993), së bashku me familjen, kalonte pushimet e verës në Durrës në hotel "Vollga". I bëri përshtypje zëri i bukur dhe melodioz i djaloshit nga Kruja. Pasi e takoi, e mori dhe së bashku erdhën në Tiranë për në Liceun Artistik. E prezantoi me artisten e madhe Gjyzepina Kosturi, e cila e pranoi me kënaqësi ta dëgjonte dhe e vlerësoi.

Përfundoi shkollën e mesme të Liceut Artistik për kanto me pedagogun e shquar Mihal Cikon. E përfundoi liceun me sukses. Pranë Filarmonisë Shqiptare të asaj kohe organizohej konkursi për studime jashtë shtetit. Konkuroi dhe fitoi. Shkoi në Sofie (Bullgari) dhe filloi Konservatorin me një nga pedagogët më të mëdhenj të kantos operisitke të asaj kohe, profesor Brëmbarov. Ramizi ka qenë në një kurs dhe me të njëjtin pedagog të artistes së madhe, Rajna Kabaivanska. Gjatë studimeve në Bullgari, Ramiz Kovaçi u njoh me Nikoleta Lillovën; me të cilën, më vonë, do të martohej dhe do të krijonin familje.

Pasi përfundoi vitin e parë, realizoi me sukses një turne nëpër qytetet kryesore të Bullgarisë, duke interpretuar këngë popullore qytetare shqiptare dhe bullgare. Pasi përfundoi vitin e dytë mori pjesë në Festivalin e Rinisë në Moskë, ku fitoi çmimin e parë dhe si fitues realizon një turne nëpër BRSS. Më pas doli me rezultate të shkëlqyera dhe e përfundoi studimet me medalje ari. Provimin e diplomës e dha me arjet më të vështira të zërit të baritonit, nga opera "Berberi i Seviljes", "Traviata" etj. Komisioni, i përbërë nga rektori i konservatorit Geurovi i madh, si dhe nga disa artistë të tjerë të mëdhenj të operas, e vlerësuan me notën më të lartë dhe me pikët maksimale që kishte, si për zërin, ashtu edhe për interpretimin e tij. Bëri stazhin në operan e Sofjes dhe më pas kthehet në Shqipëri, ku filloi punën si solist i parë në operan e Tiranës. Në Tiranë realizoi koncertin e tij të parë, para artdashësve shqiptarë, të cilët e pritën me shumë dashuri dhe urime. Ka njerëz që ende e mbajnë mend atë koncert, një sukses absolut, ku spektatorët qëndruan edhe në këmbë për ta ndjekur. Vazhdoi duke kënduar të gjitha rolet për bariton që janë vënë në TOB. Shkoi në Romë dhe përfundoi me sukses kursin e specializuar të Akademisë "Santa Cecilia".

Aktiviteti i tij artistik ka qenë shumë i pasur dhe i larmishëm, pasi ka kënduar si brenda vendit, që do të thotë në të gjitha skajet e Shqipërisë deri në ato më të thella. Është vlerësuar nga kritika e kohës, si ajo shqiptare, ashtu dhe ndërkombëtare.
Këndoi dhe interpretoi me personalitet dhe aftësi të rralla, deri në fund të jetës. Ka kënduar në të gjitha premierat, vëniet dhe rivëniet e të gjitha veprave shqiptare dhe të huaja. Është një nga themeluesit e Institutit të lartë të Arteve, pedagog i kantos që nga krijimi. Ka nxjerrë shumë këngëtarë dhe këngëtare, të cilët edhe sot këndojnë me sukses, si brenda dhe jashtë vendit, nëpër skena të ndryshme operistike. Ka qenë për një kohë të gjatë përgjegjës i solistëve të TOB-it. Ka shkruar shumë artikuj kritikë dhe artistik në shtypin e kohës, gjithashtu ka shkruar edhe shumë leksione për studentet në lëndën e kantos, si dhe për muzikën shqiptare.
Për "Nderin e Kombit" dhe "Artistin e Popullit" Ramiz Kovaçi është shkruar në shtypin shqiptar dhe të huaj, janë bërë shumë emisione në disa kanale televizive shqiptare si dhe në TV kombëtar turk, në radion kombëtare suedeze etj. Ka shënuar rekorde në interpretimin e disa roleve si "Berberi i Seviljes", "Lulja e Kujtimit", "Traviata" etj.
Ramiz Kovaçi u nda nga jeta në vitin 1994.

Disa nga rolet: Babai - "Borana", Doktori - "Komisari", Figaro - "Berberi i Seviljes", Gjeta - "Mrika", Halimi - "Heroina", Ivani - "Pranvera", Malësori - "Vjosa", Marceli - "Boheme", Nika - "Përtej mjegullës", Papageno - "Flauti magjik", Përgjegjësi - "Brigada e grave", Prifti - "Maria egjiptjane", Rigoleto - "Rigoleto", Robiston - "Jolanda", Shahin Miluka - "Zgjimi", Sharples - "Madam Batërflaj", Silvio - "Paljacot", Sokoli - "Agimi", Zhermon - "Traviata", Zurga - "Peshkatarët e perlave".

Disa nga vlerësimet: "Nderi i Kombit", "Artist i Popullit", "Artist i Merituar", "Naim Frashëri" - Klasi i Parë, "Qytetar Nderi" i Krujës, "Mirënjohje e Qytetit të Tiranës", "Qytetar i Veçantë i Izmirit", "Medalje e Shoqatës së Rotarianëve të Turqisë".

COMMENTS