Biblioteka e Bushatllinjve

Nexhmi Bushati
Në dy periudha të ndryshme të vitit 2009, nga Biblioteka Kombëtare qenë organizuar dy ekspozita të rralla kushtuar Bibliotekës së Bushatllinjve. E para në Tiranë, e dyta në Shkodër. Ajo e Tiranës qe e inkuadruar në "Javën e trashëgimisë kulturore evropiane". E gjitha kjo i detyrohet drejtuesit te institucionit, z. Aurel Plasari, i cili meriton konsideratat më të larta për këto veprimtari të rralla...

Vizitorët e pranishëm, ashtu dhe ata të mëvonshmit, duhet ta kenë ndjerë veten më të plotësuar nga ana emocionale dhe ajo intelektuale. Ajo që u përjetua, duke kaluar nga njëra vitrinë tek tjetra, ishte befasuese, sepse ballafaqoheshe me eksponate bibliotekare që, sikur e provonin dhe me fletët e atyre dorëshkrimeve të zverdhura nga koha, bartnin mbi vete një jetë më se 250-vjeçare, pa përmendur "Tefsiri Kurani"-n, dorëshkrim i vitit 1451. Pavarësisht se, si i biri i autorit të botimeve postume "Shkodra dhe motet" dhe "Bushatllinjtë", isha mjaft i informuar mbi historikun e bibliotekës së mësipërme, për mua qe shumë mbresëlënës ky kontakt i drejtpërdrejtë, një konstatim konkret i asaj që e kisha vetëm me të dëgjuar. Për të qenë e veçantë përshtypja, kishte dhe një arsye më shumë: në mungesë të të dhënave të sakta, im atë, deri sa vdiq, perjetoi një keqardhje të vërtetë, duke menduar humbjen, pa lënë gjurmë, të kësaj pasurie. Këtë shqetësim e pata provuar dhe unë, deri kur, para disa vitesh, osmanologët G.Shpuza dhe A.Basha patën mirësinë të publikonin të dhënat e para mbi ekzistencën e një pjese të fondit që ruhej në BiK. Ky qe një lajm i mirëpritur, i munguar për dekada e dekada, aq i dëshiruar sa të bënte të harrojë gjymtimin që kishte pësuar, duke u katandisur në një minimum prej 150 copësh. Në asnjë mënyrë, kjo nuk e zbeh vlerën e tyre të madhe dokumentuese, duke u dhënë brezave provën e gjallë të ekzistencës së këtij thesari si dhe të vlerave që barte, sepse ajo, e njëzeta pjesë, na vlen sot si një kampion testimi, si një sondazh në retrospektivë për të kuptuar strukturën e atyre tremijë volumeve të dikurshme ku afro dy të tretat paskan qenë letërsi jo fetare. I jap të drejtën vetes të besoj se vizitorët, pavarësisht shkallës së njohurive, e kanë ndjerë veten dëshmitarë okularë të nivelit arsimoro-kulturor, të gamës së preferencave e të interesave intelektuale të sundimtarëve Bushatllinj. Përceptimet e tyre të reja ishin më të pasuruara e më të qarta, të atilla që nuk përputheshin me ato të deriatëhershmet: të përcipta e të paqarta mbi atë periudhë të historisë. Falë përshtypjeve të reja, ata po ndërgjegjësoheshin mbi një të vërtetë të madhe: ata sundimtarë që, në formë stafete i përcollën njeri tjetrit, nga brezi i parë deri te brezi i katërt, skeptrin e një pushteti gati të pavarur mbi shumicën e trevave shqiptare, qenë të shkolluar, dashamirës të kulturës dhe bibliofilë të mirëfilltë. Vetëm kështu kuptohej përse bri "Tefsireve të Kuranit" radhiteshin edhe shkrimet e Aristotelit, filozofitë e Avicenës e të Averroes, historitë më të vjetra arabe e osmane, përfshirë dhe historinë e shqiptarit Ahmet Pashë Dukagjini, pa harruar perlat e poezisë persiane me Saadiun, Shiraziun etj... Krahas vlerave instruktive që, përmes një vrojtimi hetues e shumë të përqendruar, kushtuar dorëshkrimeve të ekspozuara me finesë e profesionalizëm, po e pasuronin, vizitori nuk mund të qëndronte indiferent edhe para një dukurie tjetër, asaj që, "pa u kursyer", demonstrohej poshtë atyre xhamave: paraqitja e jashtme e eksponateve, një kaligrafi e qëndisur, shumë elegante, modele të ndryshme të alfabetit oriental, lidhje të kujdesshme, mbështjellje me lëkurë, kopertina me ornamente të punuara në ar, vlera të vërteta artistike, pasqyrë e shijeve të stërholluara dhe e edukatës estetike të të dy palëve, atyre që i punuan dhe të atyre që i porositën.

Ndonëse afati njëjavor i veprimtarisë qe i shkurtër, kam besimin se jehona e saj duhet t'i ketë kaluar muret e BiK-ës për të përcjellur mesazhe të rëndësishme për opinionin mbarëkombëtar e me tej, me apelin që trashëgiminë tonë kulturore duhet ta evidentojmë për ta njohur e për ta vlerësuar, sikurse njëheri duhet ta ruajmë e ta pasurojmë për të dëshmuar kurdo e para kujtdo se dimë jo vetëm të çmojmë lirinë dhe besnikërinë, por dhe pasuritë shpirtërore e intelektuale. Krahas këtyre përshtypjeve e opinioneve, dua të shpreh urimin që jehona e kësaj ekspozite dhe vlerat e saj të mos mbesin të kufizuara në hapësirë e në kohë, por të hartohen projekte e të gjinden mekanizma që mundësojnë kontaktet e herëpashershme me dashamirësve të kulturës e të artit edhe jashtë kryeqytetit. Brenda kornizave të këtij shkrimi është me vend të ridimensionoj meritat e z. A.Plasari, i cili qe i pari që përdori publikisht togfjalëshin Biblioteka e Bushatllinjve duke sanksionuar futjen e kësaj emërtese të re në axhendën e thesareve tona kulturore, një kartë identiteti të re, e paekuivoke, duke zëvendësuar konvencionalen Biblioteka e Vakëfit (apo e Medresesë), e përdorur që nga shekulli XVIII deri në shekullin XX për forcë zakoni e për inerci, ku forma fshihte përmbajtjen, ku ngaterrohej institucioni me funksionet; aktualisht, emërtesë jashtëkohore e që, lexuesit të sotëm e atij të nesërm, do t'i krijonte përceptimin e gabuar të një biblioteke vetëm me libra të karakterit fetar. Është në nderin e studiuesit Aurel Plasari që me kompetencë dhe luajalitet, konfirmoi se identifikimi i duhur dhe i saktë i fondit të mësipërm u bë i mundur në sajë të të dhënave të Hamdi Bushatit, ndjekur nga puna e pavarur e osmanologut Zyber Bakiu.

Lidhur me sa u tha më lart, në shërbim të së vërtetës, do të sjell disa fakte që qartësojnë çaste jo të trajtuara drejt ose të lëna përgjysmë dhe që kanë të bëjnë me temën. Me përshtypjen se tashmë opinioni shkencor e më gjerë i ka njohur Hamdi Bushatit merita të shumta si studiues e si osmanolog, duke e konsideruar veprën e tij "Shkodra dhe motet" si një enciklopedi sui generis për Shkodrën, do të ndalem në mënyrë më konkrete e më të hollësishme në ato merita që përmend studiuesi Aurel
Plasari, në lidhje me evidentimin e Bibliotekës në fjalë. Në këtë optikë shtrohet pyetja: si dhe kur autori Hamdi Bushati arriti në përfundimet e cituara. Kronologjia, shkurtazi, flet si më poshtë:
Që në vitet '20 të shekullit të kaluar autorin filloi ta tërhiqte tema e Bushatllinjve, sikur e vërtetojnë shkrimet e tij në "Kalendari kombiar" e "Diturija" të Lumo Skendos, "Leka" e "Besa". Në arkivin e familjes, epistolari i tij është dëshmi e letërkëmbimit të tij me studiues e miq mbi këtë tematikë. Fillimet e dorëshkrimit "Bushatlitë" (drejtshkrimi i kohës!) përkon me emërimin e tij në vitet 1926-27, si administrator i Bibliotekës së Vakfit (alias e Bushatllinjve), një çast fatlum, që atij i dha mundësinë të binte në kontakt të drejtpërdrejtë me fondin e pasur dhe, falë zotërimit të mirë të osmanishtes, të bënte identifikimin aq të rëndësishëm të dorëshkrimeve, me anë të deshifrimit (leximit) të vulave për përcaktimin e përkatësisë së vërtetë të tyre.

S'do të ndalem te hollësitë që përmbahen në veprën 2-vëllimshe "Shkodra dhe motet" të autorit në fjalë (botime postume të viteve 1998-1999), përfshirë aty inventari në përgjithësi, titujt e dorëshkrimeve më kryesore, përkthimi i Vakufnames, mbresat e disa vizitorëve të huaj, historiku i ndërtesës së re, vula e Mustafa Pashës, përmbajtja e përkthyer, një klishe e saj, foto të mjedisit të jashtëm etj. Të gjitha këto të dhëna përmbaheshin në dorëshkrimin e cituar: "Bushatlitë", përfunduar që në vitet '40 të shekullit të kaluar, pa arritur të shihte dritën e botimit për situatat e viteve 1939-1944 dhe, pastaj, të atyre të komunizmit. Vetëm para një dekade u krijuan mundësitë që materiali i mësipërm të përfshihej në botimin postum të cituar.

Në vitet '40 të shek. të kaluar, në kuadrin e studimeve mbi historikun e bibliotekave të vjetra, është bërë fjalë dhe mbi Bibliotekën e Vakfit ose të Medresesë (jo më e Bushatllinjve). Duke mos njohur të dhënat e Hamdi Bushatit, anashkalohet thesari i vërtetë i asaj të Bushatllinjve, ai prej 3000 volumesh e që mbijetoi ndonëse i dëmtuar në vitet '20 të shekullit XIX. Në radhë të parë, në rënditjen e bibliotekave të vjetra shkodrane, ajo e Vakfit (jo më e Bushatllinjve, por ajo e mbetura pas vitit 1927) vendoset nga autorët në rend të dytë pas asaj Kllyçi, si vjetërsi e si vlerë. Nuk e kontestojmë këtë rënditje "të përkohshme" për momentin. Me faktet e reja që dolën nga bashkëpunimi "virtual" H.Bushati - A.Plasari - Z.Bakiu, biblioteka e Vakëfit (nënkupto atë të Bushatllinjve) klasifikimi "provizor" i mëparshëm ndryshon dhe në vend të parë duhet të rënditet Biblioteka e Bushatllinjve. Ndaj Bibliotekës Kllyçi (alias Tabaku) dhe familjes përkatëse kam konsideratën më të lartë, në sintoni dhe me të ndjerin tim atë, shprehur publikisht në shkrimet tona, mirëpo njihet sentenca e vjetër "Jepi Çezarit çka është e Çezarit": faktet historike vërtetojnë se Biblioteka e Bushatllinjve duhet të jetë themeluar nga Mehmet Pashë Plaku rreth vitit 1760, pikërisht kur ai e kishte konsoliduar pushtetin personal, pas një periudhe sundimi plot trazime dhe suksese, njëherit dhe viti i hapjes nga ana e tij e Medresesë së Qafës, e para shkollë e mesme e arsimit fetar e jofetar, e cila e kishte të domosdoshme praninë e një biblioteke të rangut. Duke ndjekur gjurmët e të atit, gjithashtu Kara Mahmudi hapi Medresenë e dytë, atë të Pazarit, shoqëruar dhe kjo me një bibliotekë. Nën shembullin e të parëve, duke u nisur nga mjedisi ekzistues dhe fondi i librave të trashëguar, Mustafa Pasha u tregua i gatshëm që ta ridimensionojë këtë institucion për ta kthyer në një ansambël jo vetëm arkitektonik por dhe kulturor-arsimor, duke i dhuruar bibliotekën e vet shumë të pasur si dhe duke investuar për ndërtime të reja. Akti i tij merr nota të reja pozitive duke pasur parasysh se ai hartoi një rregullore biblioteke (Vakufname) me parametra bashkohore dhe që atij i bën nder, aq më tepër kur marrim vesh se, pas vitit 1831, ai ndodhej i dëbuar nga vendlindja e tij. Sidoqoftë, kujdesi dhe interesimi i tij për Bibliotekën ka vazhduar deri në vitin 1860, viti i vdekjes së tij, njëherit dhe fillimi i degradimit të saj. Do të ndodhte kështu, përderisa kujdestarët lëshonin libra pa kriteret e duhura, nuk i tërhiqnin ato, mungonte kërkesa e dhënies llogari, niveli i ulët intelektual i disave syresh. Ka dhe një shkak të jashtëm, mbetur në hije: pushtimi i përkohshëm i qytetit nga malazeztë, shoqëruar me plaçkitje dhe djegien e Pazarit në prillin 1913. Biblioteka në fjalë ka qenë seli e Degës së Lidhjes për Shkodrën në vitet e zjarrta 1878-81, nga ku niseshin vullnetarët për të mbrojtur tokat tona nga synimet malazeze. Vështirë që agresorët ta kishin harruar një fakt të tillë, çka e vërteton dhe dëshmia e një publicisti turk që ndodhej në Shkodër ato ditë dhe që, me shumë pikëllim, pau me sytë e vet fletë dorëshkrimesh me alfabet turko-arab, shpërndarë andej-këndej kalldremeve. Kjo e dhënë gjendet në veprën e autorit turk Ali Emiriu (sipas Gazmend Shpuzës). Grumbulli i të këqijave që kishte provuar Biblioteka (fondi i vërtetë dhe me degradimin e pësuar, konstatimi i shkaqeve që e krijuan, bënë që ish-administratori Bushati të mbyllë shënimet e veta me mjaft mllef ndaj përgjegjësve të paaftë që lejuan abuzimet, pa kursyer dhe ata më lart, që, në vitet '20 të shek.20-të, i dhanë goditjen barbare, (pse jo kriminale?!) këtij thesari duke i futur ato vlera të rralla ndër thasë, madje dhe pa inventar! Njohur me këtë mënxyrë, kemi të drejtë ta konsiderojmë si një ngushëllim për lexuesin faktin që vëllimin "Shkodra dhe motet" autori e shoqëron me një foto të mjedisit të Ansamblit të Pazarit në vitin 1927, realizuar nga miku i tij, Gegë Marubi. Besoj që kjo u bën nder të dy autorëve, sepse vetëm kështu brezave pasardhës iu krijua mundësia të kishin dëshminë konkrete të gjurmëve të një monumenti të historisë e të kulturës, ndoshta me parandjenjën e pakëndshme se, pas pak dekadash, ai vend do të shndërrohej në grumbull rrënojash e, më vonë, në shesh ndërtimi, sikur paraqitet sot. Është rasti t'i kujtojmë lexuesit se, për fat të mirë, edhe albanologu i njohur austriak, Theodor Ippen, ka botuar, në librin e tij mbi Shqipërinë e Veriut, një klishe të Bibliotekës në fjalë.

Argumentet e mësipërm e bëjnë të qartë sesi Biblioteka e Bushatllinjve u krijua të paktën rreth pesë dekada para asaj Kllyçi, krijuesi i së cilës u afirmua si kadi vetëm për periudhën e shkurtë, 1793-95. Duhet pasur para sysh se familja në fjalë i siguronte të ardhurat kryesore nga profesioni i rrobaqepësisë, ndërsa krijimi i një biblioteke kompetitive me homologen, vepër e më të të fuqishëmve të kohës, politikisht e ekonomikisht, kërkonte të paktën një periudhë shumë vjeçare, rezulton se ka
mangësi të dukshme ndër ato shkrime të hershme mbi vjetërsinë e bibliotekave shkodrane. Është e besueshme që kjo bibliotekë arriti të shkëlqente vetëm nën administrimin e të mirënjohurit Jusuf Efendi Tabaku, kur, në vitet 1868-1904, qe myfti i qytetit dhe siguroi mbështetjen e duhur. Biblioteka përkatëse pat gjithashtu fatin që stafetën e kujdestarisë ta merrte një djalë i familjes, një njeri i shkolluar dhe i përkushtuar, i ndjeri Esat Myftia, duke e administruar atë me kompetencë deri në vitet '60, viti i shtetëzimit.
Krijimi dhe ekzistenca e kësaj biblioteke si dhe asaj të Myftijejve, si edhe bibliotekave të tjera private të vjetra, krahas lulëzimit të Bibliotekës publike të Bushatllinjve, i sillte qytetit vetëm dobi e përparim. Pavarësisht se kjo e fundit, për arsyet e argumentuara, njohu vyshkjen e pamerituar, pat meritën e madhe që rrezatoi për dhjetëra e dhjetëra dekada dituri dhe eksperiencë, duke u bërë shëmbull nxitjeje për simotrat e saj më të reja: nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa ajo, si biblioteke publike, prapavijë e medreseve te Bushatllinjve, me fondin e saj të pasur, ka qenë burimi kryesor intelektual edhe për vetë ish-studentët e dalluar, pedagogët e mëvonshëm të radhës së këtyre institucioneve, të mirënjohurit Sali Myftia i Madh, Jusuf Tabaku etj., posedues dhe administrues të bibliotekave të mëvonshme.
Qe një fat i madh që të paktën, Biblioteka Kllyçi (Tabaku) i mbijetoi dhunës komuniste, duke u sjellë brezave provën e gjallë të një pasurie të madhe kulturore, të krijuar nga dijetarë elitarë të së kaluarës, por që, fatkeqësisht, një e papritur tragjike e asgjësoi: një zjarr fatal... i pashpjegueshëm! Nga tërë sa u tha, gjithë kontestimi i deritashëm për vjetërsinë u bë në rrafshin historik dhe në frymën e akribisë shkencore. Më të njëjtin pikësynim dhe me të njëjtën frymë do të trajtojmë problemin e dytë, atë të vlerave. Krahas pasaktësisë së argumentuar më lart mbi vjetërsinë, ndër shkrimet e kontestuara është shumë e dukshme, gjithashtu, njohja fare e varfër, e përciptë, jo konkrete, me përsëritje, nga njeri tek tjetri, e disa të dhënave rreth fondit të Bibliotekës së Vakëfit (alias e Bushatllinjve), duke anashkaluar fare rolin vendimtar të Bushatllinjve si themelues apo si zotërues.
Në këtë mes duhen veçuar autorët Ilo Mitkë Qafëzezi dhe Lluka Karafili, të cilët janë më bindës dhe më të thelluar, duke sjellë në shkrimet e tyre të dhëna interesante, veçanërisht kur citojnë dhe autorin anglez, Urquhart, i cili vizitoi Shkodrën në kohën e Mustafa Pashë Bushatlliut, si turist. Eshte interesant të theksohet se, po ky autor anglez, citohet dhe nga Hamdi Bushati! Supozoj se, për të tre këta autorë, burimi i informacionit mbi librin "The Spirit of the East" (London,1839) të anglezit duhet të gjindet në koleksionin e revistës "Kalendari kombiar", mbështetur në një referencë jo të plotë të H.Bushatit.

Është rasti që të hidhet më shumë dritë mbi citatin e anglezit Urquhart, prandaj po riprodhoj prej tij:"...ai (Mustafa Pasha-N.B) më priti me një përshëndetje vëllazërore, më futi brenda një biblioteke me një seri librash frëngjisht të shkëlqyeshëm...", duke vazhduar me hezitimin e pashait për të folur në frëngjisht, justifikimin e tij si dhe zotimin e rastit për ta përvetësuar si duhet e sa më parë, në mënyrë që të nxirrte dobitë që shpresonte. Më poshtë kemi pohimin tjetër shumë interesant se... Pashai kishte hapur një bibliotekë të vlefshme për publikun dhe kushdo mund të merrte libra për kundër një garancie... Anglezi i bën vend në libër dhe një episodi të vërtetuar më vonë, pas kapitullimit të Mustafa Pashës, kur ky, vendimit të Sulltanit, për ta dërguar vali në Anadoll, iu përgjigj: "...më shumë do të preferoja të emërohesha drejtor i një shtypshkronje".
Mbetet e pashpjegueshme sesi, veç autorëve të viteve '40 që i cituam, pas këtyre viteve e deri më sot, asnjë historiani tonë nuk i ka tërhequr vëmendjen dëshmi të tilla interesante, pikërisht kur është trajtuar periudha në fjalë dhe kur, libri në fjalë, nuk mungonte në bibliotekat tona. Nëse, me sa shihet, historianët nuk e vlerësuan anglezin, sa që jo vetëm nuk e cituan, por vepra e tij nuk figuron, qoftë si titull, e renditur në ndonjërën prej bibliografive të shkrimeve të tyre, madje dhe ato akademike; ndërkohë i mirënjohuri dermatolog, dr. Kerçiku, e shfrytëzoi dëshminë e Urquhart-it si një të dhënë serioze për epideminë e kolerës në Shkodër gjatë vizitës së tij. Çudia rritet kur konstaton se këtë harresë që pësoi vepra e turistit anglez, e pësoi dhe vepra e anglezes M. Pardoe, titulluar "The City of the Sultan" (Qyteti i Sulltanit), 1837, ku janë pasqyruar po ato përshtypjet e mëvonshme te bashkëkombasit të saj. Tekstualisht, aty shkruhej:

"Pashai kuptonte pak frëngjisht, por nuk tentoi ta fliste, sepse nuk ndihej i sigurtë sa duhej, veçse, sa t'i paraqitej nevoja, do t'i kushtohej me këmbëngulje. Ai tashmë kishte ngritur një bibliotekë të respektueshme ku kishte mbledhur veprat e Volter-it, Rasin-it, Bualo-së, Molier-it dhe të tjerëve autorë të nivelit".

E shoh të nevojshme të hap një parantezë: Mustafa Pasha i vizituar nga dy të huajt, qe "me fat", sepse nuk e pësoi si parardhësi i tij, Kara Mahmudi, për të cilin historiani amerikan shkruan: "Historia e vulgarizuar në Perëndim ka treguar një interesim të vogël për këtë njeri të jashtëzakonshëm, po ta krahasojmë me partnerin e tij të Jugut, Ali Pashanë e Janinës. Mahmudi e pësoi nga shkaku që atë nuk e vizituan kurrë shtegtarët romantikë anglezë". (Noel Malcolm,"Kosovo", NY, USA, 1999, fq.175-176)

Pavarësisht se disa na i përcollën përshtypjet e mësipërme, kurse të tjerë nuk i vlerësuan apo i harruan, kryesorja është e qartë: Biblioteka dhe vlerat e saj si institucion publik janë një realitet i pamohueshëm. Në përforcim të argumenteve se sundimtari shkodran nuk i mbante librat në rafte si pjesë dekori artificial, sjellje tipike prej snobi vanitoz, do të sjell dëshmitë e autorit turk Ali Emiriu, nga libri i tij "Poetët shkodranë", mbështetur në autorët Gazmend Shpuza dhe N. Krasniqi. Sipas atij autori, Shkodra nën Bushatllinjtë ose "n'vakt të Vezirit" (duke perifrazuar Ippen-in) ishte shndërruar në një mjedis të shëndetshëm dhe inkurajues për krijimtari origjinale sipas modeleve të poezisë orientale, veçanërisht asaj persiane. Krijuesit nuk kanë qenë të paktë dhe vargjet e tyre çmoheshin krahas atyre të metropoleve elitare të perandorisë. Ky kontingjent të talentuarish që e kthyen Shkodrën ...në një thesar të letërsisë... gëzoi mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të sundimtarëve Bushatllinj, të cilët nuk qenë vetëm bibliofilë të pasionuar e adhurues të poezisë, veçanërisht asaj persiane, por dhe krijues poezish origjinale. Ata nënshkruan me pseudonime e atribute poetike: Ibrahim Pasha-Halil, Mustafa Pasha-Sherif, ndërsa i ati, Mehmet A. Pasha-Asaf dhe i biri, Hasan H. Pasha-Haki. Duke u kthyer dhe një herë te figura e Ibrahim Pashës, autori turk i cituar dëshmon se zyra e sundimtarit i shëmbëllente një biblioteke, ndërsa Bushatlliu përsëriste moton që e udhëhiqte: "Ata që janë vezirë duhet të jenë të drejtë dhe që të jenë të drejtë, duhet të jenë të ekuilibruar". E tëra kjo shpjegon dhe përse atij iu mvesh atributi Halili (i drejti, i sinqerti). Në mbështetje të këtij vlerësimi qëndron dhe dëshmia interesante e konsullit freng, dë Bruyerë, mbi kulturën e gjërë dhe mprehtësinë prej diplomati të Bushatlliut. Këta zëra pozitive, si nga Perendimi, si nga Lindja, nuk duhet të mbesin zëra në shkretirë. Me të drejtë historiani dhe osmanologu Gazmend Shpuza hedh idenë se duhet të rishikohet dhe të ridimensionohet si figura e Ibrahim Pashës, në veçanti, si mbarë Pashalleku i Shkodrës, në tërësi, duke u shkëputur nga përkufizimet stereotipe të standartizuara ...pushtet autonom shqiptar, thjesht feudal...

Është pranuar, pothuaj pa asnjë kontestim, se sundimtarët Bushatllinj qenë pushtetarë me bagazhin e duhur intelektual; ndërsa, me argumentet tona, u përpoqëm të provojnë se për ta nuk qenë të huaj dhe të panjohur shkrimtarët më në zë të Evropës, sikurse u konfirmua se me sa përkushtim ata shuanin etjen për të bukurën dhe idealen në gurrat e poezisë persiane e rrjedhimisht te fryma liberale antiobskurantiste e saj, duke arritur te vlerat e qytetërimit evropian, në themelet e të cilit, siç e patën pohuar aq bindshëm i madhi Gëte dhe Noli ynë, qëndronte i njëjti burim. Domosdo, në këtë kontekst, unë nuk mund të shpërfill një pohim të Atë Zef Pllumit, të cilit, personaliteti i Mehmet Pashë Plakut dhe i të birit, Kara Mahmud Pashës, i ngjallnin një admirim të rrallë, sepse tek ata ai shihte sundimtarët iluministë që u përpoqën dhe luftuan për liri dhe progres, parime të cilat revolucionarët francezë të kohës po i realizonin me shumë dhunë e gjak. Mendoj se është e rëndësishme të argumentohet që sundimtarët e mësipërm nuk mbetën te kultura e tyre, te shijet, te vizionet individuale përparimtare e bashkëkohore, por ata shfrytëzuan të gjitha shanset që u jepte pushteti i konsoliduar i tyre për t'i siguruar komunitetit kuota të ngritura, më parë në ekonomi e në infrastrukturë, pastaj në aspektin social-kulturor. Ata u bënë mecenatë të kulturës, si rrjedhojë e politikave të tyre për zhvillimin e zejtarisë dhe të tregtisë, duke e bërë Shkodrën, qytetin më të rëndësishëm të Shqipërisë, një portë e hapur e bashkëpunimit me Evropën, një urë lidhjeje në mes të Perëndimit e Lindjes. Të qenët qendër rajonale e tregtisë dhe e zejtarisë e pat kthyer qytetin në një shtrat të favorshëm për arritje nivelesh cilësore në jetën shpirtërore e kulturore. Kështu u arrit që në qytet të kishte biblioteka të mirëfillta, krahas atyre të Medreseve (bërthama të asaj publike te Vakfit-alias e Mustafa Pashë Bushatlliut), të lulëzonin ato private, si Kllyçi (Tabaku), e Myftijejve etj. ku mbizotëronte letërsia jofetare. Ishte në logjikën e fakteve që, nga kujdesi për rrugët, urat, çezmet, hanet, banjot, Bezistenin, të kalohej te mejtepet pranë xhamive, te bibliotekat pranë medreseve. Ato medrese qenë dallëndyshe të vërteta të përhapjes së dijes pas dy shekujsh prapambetjeje të gjithanshme, sepse në ato institucione nuk u mësua vetëm feja, por dhe njohuri aritmetike, historie, gjeografie, dituri natyre, gjuhësh orientale, lëndë të domosdoshme për ata që aspironin të merreshin me tregti, karrierë administrative etj. Faktikisht këto institucione ishin shqiptare, fondet ishin të tilla (siguroheshin nga vakufet), jo subvencione nga jashtë, mësimet jepeshin shqip nga myderrizë shqiptarë. Kjo përkujdesje bëri që të rinjtë e talentuar shkodranë të kishin mundësi të ndiqnin mësimet e larta në Stamboll, Damask, Kajro etj. Qe fat i madh për Shkodrën që medresetë e mësipërme u bënë, që para dy shekujsh e gjysmë, fidanishtet e para dhe të mirëfillta të formimit fetar e mendor, qytetar e atdhetar të një kontingjenti personalitetesh fetare e publike që lanë gjurmë në historinë e në kulturën tonë si udhëheqës e veprimtarë të kryengritjeve për liri e për mbrojtjen e trojeve tona, e ngjarjeve të mëdha që nga kryengritjet kundër Tanzimatit e deri te Lidhja e Prizrenit, Mbrojtja e Shkodrës, viti 1912-13, Kongresi i Lushnjës e këtej, duke u shquar njëherë dhe në jetën shpirtërore e intelektuale të vendit. Lista e tyre është e gjatë, por do të veçonim, gjatë shek. XVIII, Sali Myfti Plaku, Jusuf Efendi Tabaku, Haxhi Sheh Shaminë, Daut Boriçin, kurse në shek. e kaluar, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Sabri Bushati, Sali Myftinë, Hafiz Ali Kraja (Tari). Le të mos harrojmë se shumë historianë dhe studiues seriozë si Kristo Frashëri, Rexhep Qosja, Gazmend Shpuza, Jup Kastrati, N. Krasniqi, Shefik Osmani, M. Hysa etj., argumentuan se një ndër meritat e oborrit të Bushatllinjve qe se ai vlejti si katalizator i lindjes dhe i zhvillimit të mëtejshëm të alamiadës shkodrane, me fjalë të tjera të letërsisë shqiptare me alfabet arab, e cila, me dinamikën e vet, e pasuroi tematikën e vet fetare e mistike me tematikën laike, pasqyrë e realitetit të ditës.

Një ndër aspektet më pozitive të këtyre arritjeve është afirmimi i talenteve të tilla si Molla Hysen Dobraçi e Molla Sali Pata, "i pari, Anakreonti dhe i dyti, Kasti i Shqipnisë", sipas vlerësimit të rilindasit Zef Jubani. Tërë ky potencial ekonomik e kulturor qe një mbështetje e madhe për sundimtarët vendas, të cilët, për tri të katërta shekulli nuk hoqën dorë nga pikësynimet e tyre për të ndërtuar një shtet shqiptar, duke qenë të parët që, me guxim e pa më të voglën mëdyshje, hapën kapitullin e kryengritjeve antiosmane pa ndërprerje, derisa u mposhtën nga një arsenal ushtarak i stërmadh, shoqëruar nga politika aziatiko-bizantine e parimit tinzar përçaj dhe sundo. Edhe pse ata u mundën, nuk u shua flaka e luftës për liri në shpirtërat e shqiptarëve, duke u mbajtur e ndezur për përgatitjen e një epokë të re, asaj të Rilindjes.

- nga Nexhmi Bushati (në foto)

COMMENTS