Fluturës - poezi nga Luçie Serreqi

Luçie Serreqi (Shkodër, 1910-1993) radhitet me vajzat e gratë e para që u shfaqen në botën letrare shqiptare në vitet '30-40 të shekullit të kaluar. Sot po sjellim për lexuesit e faqes tonë këtë poezi të këndshme që titullohet Fluturës.

Luçie Serreqi poezi Fluturës
Kot kqyra me t' hetue
n' lulisht' mes shoqesh tjera,
mbi lule tue kërkue
si n' t' kaluemet pranvera.

Lulishtat çel' i pate
dhe lulet t' paten pritë,
por n' ty shêj jete s' date
me t' zgjue e bardha dritë.

Dallnyshat a s' t' lajmuene
se prá ká ardh' pranvera?
Shoqet a nuk t' kërkuene
gjithkah' ndër fusha t' blera?

A s'i ndieve bylbylat
tue kndue nëpër kaçuba?
A nuk i pae zymbylat
n' duer t' vashave me tuba?

A nuk e ndieve kronin
tue lmue at njomsi t' bari?
Bletve a s' ia pae zgjonin
tue ndritun n' mjalt' si ari?

I pásh prá shoqet tueja,
por jo n' gaz si përhera,
thue, se n' lulishta t' hueja
i kishte hjedhun era.

Prá t' njajtat lule gjeten
qi me ty kán kërkue,
erën qi lulet treten
deshten te ti me prue.

A t' kjén mërzit' pranverat
a por lulet t' idhnuene!
A kjen ato mâ t' blertat
bimë qi krejt t' helmuene?

E shpendt çka t' paten bámun,
a t' kán trazue tue kndue?
Qi i ké ikë e jé damun
prej vallesh t' tyne t' gzue?

Gjith-her' kur t' kthej pranvera
syni me t' pá do t' m' lypin,
por vetem flutra tjera
përmbi lule do t' hypin.

A thue dimnit s' qendrove
pse e ligshtë, e u ngrine e heshte?
A rae pse vuejte e psove
kur ma rinija t' qeshte?

COMMENTS