Njazi Kazazi: Luigj Gurakuqi dhe abetaret e tij

Luigj Gurakuqi dhe abetaret e tij
Në historinë e Shqipërisë Luigj Gurakuqi ka hyrë si një figurë shumëplanëshe: si politikan dhe diplomat; gjuhëtar, poet, prozator, estet, kritik letrar dhe përkthyes; pedagog e tekstolog; ministër arsimi në Qeverinë e parë Shqiptare, drejtor i Normales së Elbasanit.

Në fushën e arsimit shqiptar ai ka meritën se përcaktoi qartë konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. "Çështja e arsimit, theksonte Gurakuqi, ka randësi kryesore në rilindjen e kombit shqiptar, pse vetëm me një mësim të shëndoshë e me një arsim të vërtetë mund të ngjallet e mund të mkambet kombi ynë e mund të fitojë të drejtën me hymun në rradhën e popujve të qytetëruar" [1].

Në këtë fushë ai sintetizoi dhe përgjithësoi mendimin pedagogjik, arsimor e shkencor të Rilindjes Kombëtare, detyrat që shtroheshin për ta futur arsimin shqiptar në rrugën e përparimit, duke u mbështetur në traditat më të mira pedagogjike- arsimore evropiane [2].

Nuk është e rastit që Gurakuqi t'i kushtonte vemendje e punë kaq të madhe hartimit dhe botimit të teksteve shkollore në përgjithësi dhe abetareve, në veçanti.

Veç teksteve të tjera [3], në një periudhë të shkurtër kohore prej 7-8 vjetësh, Gurakuqi i dha shkollës shqiptare edhe tri abetare:

- "Abetari për Msoitore Filltare t'Shcypniis" - Libri i parë. Napoli, 1905.
- "Abetar i vogel shcyp mas Abevet t'Bashkimit e t'Stambollit me tregime n't'dy dhialektet" prej Lek Grudës. Bukuresht, 1906.
- "Abetari i gjuhës shqipe". Athinë, 1912.

Nga konsultimi i teksteve në fjalë po vemë në dukje këto veçori themelore të tyre:

Abetaret e tij Gurakuqi i botoi në momente kyçe për historinë tonë kombëtare. Megjithë impenjimet e njohura dhe pjesëmarrjen aktive në ngjarjet e mëdha kombëtare që çuan në shpalljen e Pavarësisë, ai e konsideronte mësimin e gjuhës së shkruar shqipe nga breznitë e reja dhe më gjerë si një nga rrugët kryesore për fitoren e lirisë dhe futjen e vendit në rrugën e përparimit. Ndaj ai jep një shembull konkret prej atdhetari, pedagogu, didakti dhe mësuesi në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke i dhënë shkollës shqiptare, në një periudhë shtatë vjeçare, tri abetare shqipe.

Vetë gjeografia e botimit të tyre që fillon në Napoli, vazhdon në Bukuresht dhe përfundon në Athinë, në qendra të njohura të kulturës dhe të veprimtarisë së atdhetarëve shqiptarë, është pasqyrë sakrificash e përkushtimi për çështjen kombëtare.

Tekstet janë botuar pa emrin e autorit. Vetëm teksti i Bukureshtit me pseudonimin e tij të njohur, Lek Gruda. Siç kemi folur në një syth të veçantë për anonimatin e abetareve, ishte kjo një mënyrë për t'i shpëtuar ndjekjeve dhe persekutimeve, por edhe shprehje qytetarie e atdhesie duke u udhëhequr nga qellimi për t'i shërbyer sa më mirë kombit.

Tekstet, përjashtuar botimin e dytë, kanë një numër të konsiderueshëm faqesh, të mjaftueshëm për të realizuar qëllimet mësimore dhe edukative të një teksti të tillë. Në ndërtimin e tyre duket qartë puna e kujdesshme dhe profesionalizmi prej didakti. Tekstet janë të ndara në njësi mësimore që orientojnë drejt mësuesit ose atë që mëson në mënyrë autodidakte për ngarkesën që duhet për një orë mësimi. Autori i ka dhënë vend të konsiderueshëm dhe të mjaftueshëm pjesës për mësimin e tinguj-shkronjave të gjuhës shqipe dhe përvetësimit të mekanizmit të lexim- shkrimit. Rrugën metodike, vëllimin e njohurive dhe shprehive praktike për gjuhën e shkruar që do të marrë nxënësi në një njësi mësimore, mund ta kuptojmë duke parë konkretisht njësitë nr. 11, 13, 56 e 58 të abetares së vitit 1905. Siç shihet ndiqet kjo radhë pune: të gjitha njësitë mësimore të pjesës së parë (ku jepen tingujt e shkronjat e vogla të dorës dhe të shtypit) shoqërohen me figura të bukura, emri i së cilës fillon me shkronjën e re ose e ka në trup atë. Vazhdohet me një rresht rrokjesh, të formuara nga bashkimi i zanoreve të shqipes me bashkëtingëlloren e rradhës dhe përfundohet me fjalë të ndara në rrokje. Afërsisht ndiqet e njëjta rradhë pune edhe për shkronjat e mëdha, por kjo pjesë nuk ka ilustrime. Mendojmë se autori ka bërë punë të kujdesshme për të ruajtur gjithnjë një ngarkesë normale për një orë mësimore (njësi), por duke siguruar edhe një rritje graduale. Kështu kalohet natyrshëm nga rrokjet, në fjalë (nga 1-2 rrokëshe në fjalë me shumë rrokje si Barbullushi, t' permenduana, kapidanave etj.) në fjali të thjeshta, tekste të palidhura (mësimet 81-89), e deri në pjesët e lidhura me tituj (dhjetë mësimet e fundit).

Në hartimin e abetareve duket dora e kujdesshme e tij si didakt. Ai, duke njohur veçoritë e kësaj grupmoshe, rimerr herë pas here disa nga njohuritë e dhëna më parë, nëpërmjet mësimeve përmbledhëse a përsëritëse për një grup temash, gjë që mendojmë se ka ndikuar për të mirë në fomimin e shprehive të qëndrueshme.

Gurakuqi si atdhetar e pedagog, nuk harron se krahas qellimit kryesor, teksti duhet të ndihmojë edhe për edukimin atdhetar e qytetar të nxënësve. Nepërmjet teksteve ai përpiqet të edukojë cilësi të larta morale. Mesazhet që sjellin pjesët e bukura si "Molla e kalbët", "Ndihma e Zotit", "Mendoni për të tjerët", janë me vlera universale, formojnë në mënyrë të natyrshme virtyte tek nxënësit e kësaj moshe si: dashurinë për të tjerët, respektin për prindërit e më të mëdhenjtë, dashurinë për punën etj. Por nuk mungojnë edhe tekstet që japin njohuri shkencore për natyrën dhe botën që i rrethon, si pjesa "Lulet e kokrrat" etj.

Edhe në abetaren e tretë, botimi i vitit 1912, ndiqet kjo radhë pune e kjo metodë, ndërsa abetarja e vitit 1906, botimi i Bukureshtit, ndërtohet në një formë tjetër. Këtë autori e shpjegon vetë në hyrjen - "Diftim" të tekstit. Kështu, meqë teksti bëhet për ata që dinë ndopak "... t' zgjedhin shcyp m' njênen a m 't' jetrën abè, e qëllimi i tij âsht vetëm t'i u lehtësojnë mundin atyne, qi donë t'i njohin t' dyja; për ket arsye nuk po shihet nevoja t'merën n'tê mrapa t'ghith parimet e methudhat e Pedhagogjies s'sotshme tuej kenë se ky nuk do t'vijnë për shkolla t' vogla" [4].
Nga kjo del e qartë se Gurakuqi i njihte abetaret e deriatëhershme, metodat me të cilat ishin ndërtuar ato, por nisur nga qëllimi i hartimit të tekstit, për moshat e rritura, ndryshon metodën e punës. Ai thekson se në vend që të nisemi në rrugën e zakonshme, të ndjekur deri atëherë: nga shkronjat e rrokjet më të lehta, do të ndiqet një rrugë tjetër "... pak të ndryshme, por ma t' shkurtë e t' kjartë ...". Autori jep tingujt e gjuhës shqipe të ndarë në zanore dhe bashkëtingëllore (këto duke i ndarë edhe në llojet e tyre si buzore, dhëmbore, grykore, fishkëlluese etj.) dhe pastaj vazhdon procesin e bashkimit të tyre.

Alfabeti i abetares së vitit 1905 përbëhet nga 37 shkronja. Duke e krahasuar atë me tekstin "Abetari", 1899, pa emër autori, analizuar në punimin tonë, mund të themi sa kanë mjaft pika takimi. Arsyet janë të ndryshme, por veçojmë: Gurakuqi me siguri ka njohur botimet e kohës e sidomos të Shkodrës, ku mendojmë të jetë botuar ai; ndërsa autori anonim i "Abetarit" duhet të ketë njohur alfabetin e "Bashkimit" dhe të jetë ndikuar nga ai. Ndonëse nuk është objekt i punimit tonë, pa hyrë në shumë hollësi, po vemë në dukje disa veçori dalluese të tyre. Krahasuar me alfabetin që doli nga Kongresi i Manastirit, ndryshimet janë në disa tinguj-shkronja si më poshtë. Përdoren c për q (cy-ly-mi, f.20), x për z (pa-xa-ri ,f.17), gh për gj (gha-ku, f.24), ts për c (mi-tsa, f.22), dxh për xh (dxha-mi-ja, f.33) etj.

Në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX çështja e alfabetit ishte bërë objekt pune i shumë shoqërive dhe atdhetarëve të veçantë. Kështu vetëm në Shkodër në vitin 1901 përdorëshin tre alfabete, por mendimet dhe përpjekjet konvergonin në një pikë: duhej një alfabet i përbashkët që mund të zgjidhej me anën e një takimi (a kongresi) ku të merrnin pjesë jo vetëm shqiptarët nga trojet etnike, por edhe nga kolonitë dhe vendet ku jetonin dhe vepronin shqiptarët. Këtë mendim ai e kishte shfaqur që në vitin 1899, në një lëtër dërguar De Radës. Gurakuqi kishte mendimin se "... njësia e abesë nuk asht punë që mund ta bajë nji njeri i vetëm" [5]. Madje kjo ide e bëri të heqë dorë edhe nga përpjekjet për të hartuar ndonjë alfabet të vetin, origjinal [6].

Nisur pikërisht nga mendimi se alfabetet duhet të bashkohen ai hartoi abetaren e dytë, atë të vitit 1906, "me dy alfabetet dhe në të dy dialektet". Pra qellimi nuk ishte që vetëm t'ua lehtësonte punën atyre që njihnin sadopak njërën abè, por "... mannej edhe, tuej përkrahë dyy abetë bashkë, do t'xbulojnë nnryshimet e tyne, e do t'thërrasin e do t'zejnë shkrimtarët t'ynë t' bashkohen m'gni" [7].

Abetaret, Gurakuqi i hartoi në dialektin e gegërishtes veriore. Në to mbizotëron e folmja e Gropës së Shkodrës. Gjatë tekstit shënohet hundorësia e gjatësia e zanoreve. Në tekst mbizotëron toponimia e antroponimia e kësaj treve. Kështu ndeshim dendur emrat e viseve rreth Shkodrës si Barbullushi, Drini, Lezhia, Oboti, por edhe emra si Ohri etj. Ndër emrat e njerëzve lexojmë Agia, Filja, Isaja, Kola, Ndoci, Osmani, Rroku, Sulejmani etj. Kemi mendimin se tekstet u hartuan me destinacion për këtë trevë dhe u përdorën në Shkodër dhe rrethet e saj.

Sa i përket gjuhës, interes paraqet Abetari i Bukureshtit. Hartimi i këtij teksti "... me tregime n' t' dy dhialektet ..." lidhej me konceptin që kishte Gurakuqi për problemin tepër të rëndësishëm të afrimit të tyre, madje qëllimin e ndërtimit të një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gurakuqi është i dyti autor në historinë e abetareve shqipe që hartoi një tekst të tillë në të dy dialektet. Si politikan mendon të bashkojë të gjithë shqiptarët edhe nëpërmjet gjuhës. Ashtu si edhe alfabetit, edhe kësaj çështjeje, ai i kushtoi disa shkrime që zënë vend të rëndësishëm në këtë fushë si "Albania dhe Shoqënia e Bashkimit - Themelimi i gjuhës letrare", "Gjuha e shkencave", në të cilat arrin në përfundime të tilla shkencore dhe të pranueshme edhe sot si "... gjuha e përbashkët për të cilën duem me punue, do të rrjedhë prej dialekteve ma të mëdhej të Shqipërisë, nuk do të jetë tjetër veç të afruemit e të derdhunit e tyre në nji ..." [8].

Tekstet në fjalë nuk janë thjesht ribotime të njëri - tjetrit, por, me përvojën e fituar, njohjen e botimeve të shumta që u bënë brenda dhe jashtë vendit, sidomos në pragun e Pavarësisë, ai bëri ndryshime në konceptimin dhe ndërtimin e teksteve në fjalë. Kështu ato erdhën më të plotë, më të përsosur dhe më funksionalë.

Me punën e tij prej pedagogu dhe didakti të shquar, Luigj Gurakuqi tregoi veç të tjerave, aftësitë e tij profesionale në fushën e hartimit të teksteve shkollore dhe zë vend të nderuar në historinë e abetareve shqipe.

Referenca:
  1. "Përlindja e Shqypëniës", Vlorë, 24/6 shtator 1913. (Cituar sipas Piro Tako, Luigj Gurakuqi - jeta dhe vepra, Tiranë, 1980, f. 212).
  2. Vehbi Hoti, Kontributi i Luigj Gurakuqit për arsimin shqiptar dhe shkollën shqipe, Disertacion. Tiranë, 1995. f. 119 (Dorëshkrim).
  3. Shih për këto: Faik Luli, Kontributi i Luigj Gurakuqit për tekstet shkollore, "Buletini Shkencor" i ILP të Shkodrës, Viti XI, 1974, Nr. 1 (15), f. 30-52.
  4. Lek Gruda, Abetari..., Bukuresht, 1906, f. 6.
  5. Cituar sipas Piro Takos, vep. e cit., f. 56.
  6. Tomor Osmani, Histori e alfabetit të gjuhës shqipe, Tiranë, 1987, f. 223.
  7. Lek Gruda, Abetar i vogel shcyp..., Bukuresht, 1906, f. 7.
  8. "Albania", Viti IX, 1905, Nr. 2, f. 47-50; Nr. 8, f. 158- 161. (Cituar sipas N. Gokajt, Luigj Gurakuqi lëvrues dhe studiues i shquar i gjuhës shqipe, "Gjuha Jonë", Viti IV, 1984, Nr.2, f. 97.

COMMENTS