Idil nate maji - poezi nga Arshi Pipa

Arshi Pipa - Idil nate maji
Netet e ambla t' majit, magji-plote,
Si nete prrallash t' moçme qi m' habisin!
Kur rrumbullake, o hânë, âsht ftyra e jote
N' qiellin maví ku hyjzit peshperisin.

Frŷn era e freskët e merr me vehte aroma
Burbuqe lulesh qi çelin n' kopshtije,
Ku malli i etshëm bashkon buzt' e njoma.
E mshehet lumtunija aty nen hije.

Gjithkah' nji paqë e thell' shtrihet mbi dhén,
E xhixhillojat ênden n'per ajrí,
Si pika arit vocrrake qi hyj kjén.
Hyj shkputun nalt nga qielli farfurí.

Rrugavet t' ngushta ku nuk mundet hanâ
Me depertue me rrezet kureshtare,
Kalojn' dy hije tu' u strukun nder âna,
Kapun per dore, t' shpejta e vetmitare.

Pse mos me u njoftun, o hije, ju doni
Porsi t' u ruejshit nga friga e nji fajit?
Ju mshehehi n' errsinën qi kerkoni,
E ti na i mpron dashnorët, o nata e majit!

Kerset nji hap i vonshëm mbi kalladrâmet,
Mandej nji zâ që larg tu' u avitun vjen.
Aj fiket si shamtin' n' jehet mâ t' mbramet,
E rishtaz paqa mbi qytetin kthen.

Kalojm' brî shpijash ku kahera gjumi
Ka mbyll' edhe ma t' palodhunat qepalla.
Mjes jush qi andrroni e nesh, kush âsht mâ i lumi,
Kush âsht, o andrruesa botnash lé nga prralla?

O nata e majit, mshefsín ziliqare
Andrravet kush u a njofti? Por lakmí
S' u a kemi na, mâ e bukur, mâ valltare
Âsht andrra e jonë, e quhet DASHUNÍ!

COMMENTS