Ismail Kadare - poezi të zgjedhura

Ismail Kadare - Poezi te zgjedhura
Mbrëmja e fundit në Moskë

Në xhep, biletë e aeroplanit.
Nesër iki.
Kjo është përgjithnjë, e dashur.
Te dera e ashensorit, e hekurt
Të përcolla për të fundit herë: kur
Do të shihemi më vallë?
U puthëm.
Buzët si të metalta.
Pra, lamtumirë!
Ashensori lart si drejt qiejve të ngriti në errësirë.

Fusha shtrihet e errët

Fusha shtrihet e errët tutje.
Drurët nxijnë tek-tuk si hajdutë.

Diku larg vetëtin, bie shi.
Un' tek udha kam dalë edhe rri.

Drurët nxijnë tek-tuk si hajdutë
Sikur ruajn' mos vish ti që tutje.

Retë

Mes maleve tutje prej tokës lindore,
Seç ra një ushtar nën plumbat mizore.

As kryq nuk i vunë, s'e shtinë në tokë,
As nënë e as motër s'iu gjendën mbi kokë.

Veç retë që vinin që larg nga vatani
E panë dhe e njohën e zunë të qanin.

Babai

Ai erdhi në mbrëmje i pirë
Afër vatrës u ul, u step.
Kasketa e vjetër, e nxirë,
Gazeta e ditës në xhep.

Pse kishe pirë nuk e tregoi.
Nëna tha: "ku ta dish!"
Dikush vjershat e djalit të madh
Në gazetë kritikuar kish.

Në klub plot potere të tymtë,
Në gazetë i treguan një vend.
Dikush i kish thënë: "vate
Dhe puna e djalit tënd!"

Për vjershat e djalit s'kish pasur
Të veçantë interesim ...
Sonte ish herë e parë
Në klubin e vogël plot tym.

Kristal

Ka kohë që s'shihemi dhe ndiej
Si të harroj un' dalngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj posht' e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë, a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s'të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer, a morg-kristal,
Mos duhet vall' prap' të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s'gjetsha hon ku të të hedh,
Të gjej një fushë a një lulnajë,
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth të ik pa kthim,
Dhe nuk do dinë as ne askush.
Harrim ish ky a s'ish harrim.

COMMENTS