Julka Kakarriqi (Darragjati)

Julka Kakarriqi Darragjati
E kam njohur Julka Kakarriqi (Darragjati), ashtu siç kam njohur shumë personazhe të qytetit tim, që për kontributet e tyre në fushën e artit, i ftoja në emisionet e mia letraro-artistike, aso kohe kur isha gazetar në Radio Shkodra. I kujtoj me mall ato vite! Nuk janë pak, por 15. Kujtoj, gjithashtu, me mall kolegët, të cilët ishin të talentuar, bashkëpunëtorët, miqtë e plot dashamirës. Vite me një mall të pashuar...!
Por kujtimet, çuditërisht mbetën kujtime. Që ata të mos pluhurosen e të mos marrin ngjyrën e heshtjes, mendova të çelë një dritare për Julkën, këtë aktore pothuaj të harruar.
Por kujtimet, çuditërisht mbeten kujtime, edhe pse ata shpesh janë të afërta, edhe pse ata shpesh janë të largëta.
Julka ka disa vjet që ka ndërruar jetë. Le të jenë këto kujtime si një tufë lulesh mirënjohjeje dhe falënderimi mbi varrin e saj, ku prehet në amshim. Ndaj, vendosa "ta ringjallë" përmes kujtimeve.

Takimi i parë dhe i fundit... fatkeqësisht

Flokët e saj ishin të bardha. Ishte një bardhësi e mëndafshtë, sa më fali butësisht një ndjenjë fisnikërie.
Sytë e saj ishin të kaltër. Nga ajo kaltërsi, që mëngjeseve të dritëshme shëtisin dallëndyshet.
Flokët me sytë sikur... kontrastonin. Ashtu m'u duk mua në at' takim të parë. Teksa e mendoj tani, pas shumë vitesh, them që jam gabuar. Sepse në të vërtetë ato dy ngjyra e bardhë dhe e kaltër, në të vërtetë, ruanin një raport estetikisht të mrekullueshëm.
Kishte një zë të fortë. Si prej burri.
Fliste dhe qeshte, shpesh. Nga e qeshura, mollëzat pakëz të dala i skuqeshin. Shpesh edhe e gjithë fytyra. Megjithatë Julka kur fliste, e shfaqte shpejt brengën e saj. E dalloje menjëherë. Diç mësova nga ajo brengë e diç nuk mësova...
Julka në emision erdhi me bastun, shokun e saj të pleqërisë. Erdhi e mplakur.
Trak-trak-trak-u i bastunit të saj dëgjohej nëpër korridorin e radios, teksa vinte Julka për emision.
Trak-trak-trak-u i bastunit të saj dëgjohej me të njëjtin ritëm, teksa largohej....
Trak-trak-trak-u i atij bastuni që nuk donte të mplakej!
Më ka mbetur jehona e zërit të atij bastuni, që nuk e di pse, e drejtonte Julkën drejt kështjellës së heshtjes, të dhimbjes a të legjendës?...

Julka rrëfen biografinë e saj:

"Babai im ka lindur dhe është rritur në ish-Jugosllavi. Zanatet e tij ishin mekanik e hidraulik. Pas orarit të punës merrej me drejtimin e teatrit dhe të baletit.
Si origjinë babai ishte shqiptar dhe konkretisht nga Shkodra. E tëhiqte shumë vendi.
Në vitin 1914 vjen në Shkodër. Martohet me një vajzë shkodrane, me Lizën e Gaspër Saraçit. Nga kjo martesë lindën tre djem: Zefi në vitin 1916, Roberti në vitin 1918, Vilhelmi në vitin 1920.
Në vitin 1921 shkuam përsëri në Jugosllavi, në Korçola, ku linda unë në vitin 1922. Më pas u transferuam në Coftat, një qytet bregdetar.
Në vitin 1928 nëna i kërkon me insistim babës me u kthye në Shqipëri. Edhe ai e kishte këtë dëshirë. Kështu që në atë vit erdhëm në Shkodër. Edhe këtu babai punonte si mekanik e hidraulik. Pas orarit të punës u aktivizua në shoqërinë "Rozafat", ku merrnin pjesë familjet e mira shkodrane, si e Daijeve (prindërit e Tish Daisë), të Luigj Dajçit, të Muzhanëve, të Simon Rrotës.
Babai u mësonte të vallzonin, si: valcer, tango. Po ashtu është aktivizuar në grupet teatrale. Së pari, vetëm me meshkuj, sepse në atë kohë ishte fanatizmi. Më vonë shfaqën pjesën "Filja", ku me shumë vështirësi morën një vajzë 14-vjeçare që quhej Roza Shoshi, e cila më vonë u bë dhe mësuese.
Kur erdhëm në Shkodër, prindërit e mi më regjistruan në shkollë. I madhi Zefi kreu maturën në Shkollën e Jezuitëve, pastaj kreu shkollën e lartë për veterinari në Peruxhia, shkëlqyeshëm. U emërua për herë të parë në Prishtinë si kryeveteriner dhe jepte mësim në gjimnazin e Prishtinës, ku jepte fizikë dhe anatomi. Pas çlirimit në vitin 1945 u emërua në Tiranë në një laborator. Më vonë u bë drejtor, e më vonë si shef katedre. Zefi është dhe autor i disa librave në fushën e bujqësisë. Punoi deri më 16 janar 1985.
I dyti Roberti, ka kryer shkollën e mesme industriale për marangoz. I shkëlqyer në zanatin e tij dhe i dalluar në këngët shkodrane së bashku më bashkëshorten e tij, Luçijen.
I treti Vilhelmi, ka kryer 8-vjeçaren tek Jezuitët, pastaj hyri në zanatin e babës, dallohej me zërin e tij të bukur, të shoqëruar me kitarrë.
E katërta isha unë që u regjistrova në Shkollën Stigmatine që në kopsht e deri në semimaturë. Tre klasë gjimnaz i kreva në Shkollën "Donika Kastrioti", pastaj u mbyllën shkollat më 1943, sepse ishte kohë lufte. Në vitin 1944, më 12 prill shkova në Prishtinë për të marrë maturën, sepse atje shkollat ishin të hapura dhe kisha dhe vëllanë Zefin, atje. Në nëntor 1944, pasi u çlirua Shqipëria, u emërova mësuese, ku punova për gati 30 vjet brenda qytetit të Shkodrës, nder shkollat e ndryshme.
Dy fjalë për vëllaun më të vogël Rudolfin, që me pasion iu vu mësimeve që në fëmijëri, kreu shkollën e mesme te Françeskanët. Pas çlirimit u emërua mësues. Ka qenë inspektor në rrethin e Lezhës e të Mirditës. Fatkeqësisht të 4 vëllaznit kanë ndrruar jetë dhe më mbetet edhe mua të bashkohem me to. Ndoshta... ndoshta po i them për herë të fundit...
Karakteristike e përbashkët në familjen tonë ka qenë: të gjithë kanë kënduar bukur, duke filluar që nga babai Luigji dhe tek më i vogli Rudolfi."


Aktiviteti i Julkës...

Në vitin 1945 është mësuese në Ajasëm. Përveç mësimit merret edhe me aktivitete kulturore. Shkruan dhe vë në skenë dramën "Pionieri në burg".
Në vitin 1946 është mësuese në Dudas. Ndërsa në shkollën "Ndre Mjeda" me nxënësit krijon korin me dy zëra. Vë në skenë dramën "Në tokat pranë kufirit".
Aktiviteti artistik i Julkës nuk ndalet. Në shkollën "Liria", për skeçin "Skënderbeu" fiton çmimin e parë.
Vitet kalojnë. Ndalemi në vitin 1995. Edhe pse në moshë, ajo aktivizon fëmijët e pallatit me shfaqje të ndryshme. Drejton korin e Shkollës Stigmatine. Vë në skenë "Ora e Shqipërisë" të At Gjergj Fishtës. (Julka kujton: Kur nisa punën me "Ora e Shqipnisë", për 100-vjetorin e Stigmatineve, thirra Bixhe Koliqin. Atë e kam parë me 1929, kur ka bërë "Orën e Shqinisë". E thirra ta këndonte edhe një herë atë këngë para publikut. Por u kujtova se me 1939 këtë këngë te "Ora e Shqipnisë" e ka kënduar Albina Dajçi. Atëherë, pra, për 100-vjetor i thirra të dyja. Kënduan si s'ka më mirë. Rolin e Zanave e interpretuan me dinjitet. (Julka më tregon disa fotografi rreth këtij aktiviteti. Pashë mallin e saj. I shpëtoi një lot, i cili pastërtisht i ndenji për disa çaste në faqen e skuqur.)

Julka është aktivizuar që në moshën 8 vjeç në Shkollën Stigmatine. Së pari me vjersha e pjesë të vogla në prozë. Si "aktore" në këtë shkollë ka interpretuar në këto pjesë: "Elizabeta e Anglisë '39", "Maria Stuart", "Ifigenia në Aulidë", "Miladinaçka" (komedi). Po ashtu te "Ora e Shqipnisë" (melodrama) në rolin e Zanës së Madhe.

Në vitet që do vinin ajo do të interpretonte në:

- "Djersë e gjak", 1945, regjisor Lec Shllaku. Roli Bija e Kontit Moreno. Morën pjesë: Loro Kovaçi (komandant), Julka K. (n/komandante, e fejuara e tij), Zina Franja, Prenda Pali, Marije Deda, Leo Prela, Ndoc Deda, Ndoc Shllaku, Simon Harapi (sufler).

- "E verbëta", 09.02.1945, regjisor Lec Shllaku. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (e verbëta), Roza Shoshi (kamarierja), Antoneta Fishta (shërbyesja), Margarita Bojaxhiu, Pjetër Gjergji, Pistol Soja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Çesk Vuksani, Gac Gavoçi, Beqir Sahatçia, Rrok Sheldia, Cin Lufi, Kolë Mirashi, Kel Dema, Lec Prendi (punëtor skene), Lec Fishta (dekori).

- "Tradhtari", viti 1948. Marrin pjesë aktorët që interpretuan tek drama "E verbëta".

- "Dasma shkodrane", 1947, nga Andrea Skanjeti. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (gruaja shkodrane), Neta Shllaku, Zef Jubani, Lin Gjonej, Klotilda Shantoja, File Gjeloshi, Pjetër Gjergji, Adem Kastrati, Gita Shllaku, Bik Ndoja, Ida Kraja, Ludovik Çiurçija, Antoneta Fishta, etj.

- "Një pulë që këndon si gjel", autori Ton Shoshi. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (grua malësore), Ida Kraja, Kolë Shtjefni etj.

- "Motorri", 1955, autori Kolë Jakova. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (nënë Leni), Lumnije Hoxha (e bija) etj.

- "Fejesa", 1957, autor A. Skanjeti. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (grua shkodrane), Veronika Pali, Domenika Veli, Rrok Sheldia, Gjovalin Çarkaxhia, Rrok Dajçi, Ferdinand Bushati, Xhina Ndocaj (Paskali).

- "Andrra e 500 vjetëve", 1962, autor A. Skanjeti. Interpretojnë: Julka Kakarriqi, Luigj Mjeda, Çesk Doçi, Gjush Sheldia, Ndoc Deda, Çesk Jubani, Brahim Duka, Teufik Gjyli, Ëngjëll Ljarja, Ndoc Prendushi, Dedë Suma, Kolë Shtjefni, Xhavid Tirana, Luigj Dajçi, Kel Koçobashi, Rrok Sheldia, Rrok Zadeja, Ndoc Radoja (sufler).

Julka dhe Teatri i Kukullave

Në vitin 1951 Julka është Drejtoreshë e Shtëpisë së Pionierit. Përveç rretheve të tjera, hapet edhe rrethi i teatrit të kukullave. Kukullat i punonte me karton Ndrekë Pali, instruktori i punës së dorës. Merrnin pjesë në role: Julka Kakarriqi, Ndrekë Pali, Tonin Harapi, Angjelin Dodmasej; këto ishin dhe punonjësit e Shtëpisë së Pionierit. Me atë thjeshtësi skenash dhe kukullash, fëmijët kënaqeshin, qeshnin dhe edukoheshin.

Me regjisorin Andrea Skanjeti Julka realizoi këto shfaqje: "Lepuri" (1952, roli i dhelprës), "Kazma dhe lopata" (1955, roli i lopatës), "Tre kecat" (1957, roli i një prej kecave), "Dhitë e egra" (1963, roli i një prej dhive), "Gjumashët" (1967, roli i një fëmije), "Çeta e vogël e Skënderbeut" (rolin e Skënderbeut), "Guximtarët e vegjël" (rolin e një gjermaneje).

Për të vazhduar më tej me shfaqjet: "Arinjtë e gëzuar" (rolin e gjyshes), "Zhgarravitësit" (rolin e një gruaje të sjellshme), "Partizani dhe delja" (rolin e ujkut), "Shpella e kreshnikëve" (rolin e dhelprës), "Lepurush bishtpreri" (rolin e dhelprës), "Festa në pyll" (rolin e dhelprës), "Ermira e pyllit" (rolin e dhelprës), "Kësula e korierit" (rolin e delfinit), "Një ngjarje në hidrocentral" (rolin e mjekut), "Dasma pa nuse" (rolin e partizanes), "Vallja e bimëve" (autor: Tano Banushi; rolin e brigadiers), "Zezaku i vogël" (roli: nëna e zezakut), "Koha është flori" (rolin e librit), "Partizanët e vegjël (roli: nëna e partizanit), "Trimi lepur" (rolin e dhelprës), "Flakë në det" (rolin e një togeri fashist), "Shtatë kotelet" (rolin e gjyshes), "Në shtëpinë e kecave" (rolin e dhelprës), "Gjithmone gati!" (rolin e mësueses).

Ajo që të bie në sy në gjithë këto interpretime, si të thuash, vendin e parë e zë figura e dhelprës. Kur e pyeta Julkën: - Si i jeni larguar përsëritjes? Ajo mu përgjigj: - Më besoni, një dhelpër nuk i ka ngjarë një dhelpre. Kam punuar shumë për të sjell një dhelpër që fëmijëve të mos u kujtoheshin dhelprat e mëparshme. Por në përfundim dhelpra është dhelpër. (qesh).

Duke u njohur me historikun e teatrit të kukullave në vite, kanë dhënë kontributin e tyre si regjisorë: Andrea Skanjeti, në fillim, më pas Jonuz Dini, Eda Gera, Kolë Kaftalli, Ikbale Çefa.

Kujtimet e Julkës për...

Albina Dajçi: (Julka qesh e thotë: e kam shoqe) Jemi të një moshe. Është prej një familje të mirë. E bija Luigj Dajçit. Më kujtohet në fëmijëri, se në qershor ishte ndezja e flakadajve. U ndeshëm të dyja midis zjarrit. Ajo u rrëzua në zjarr, e unë u munda me shpëtue. Bile theu dhe këmbën, dhe shumë kohë qëndroi e sëmurë prej asaj këmbë. Ka qenë e bukur. Në dramën: "Elizabeta e Anglisë" ka pasë rolin e mbretëreshës. Unë isha kontesha. Tek "Maria Stuart" ka pasur një rol të dytë. Ka qenë më flokët kaçurrela, syzezë e vetullzezë e buzëqeshun gjithmonë. Alegro. E kishte në qejf teatrin. E kanë pasë thirrë po nuk ka ndigjue... "Jul, edhe pse jam plakë, bo me m'dhanë ndonjë rol, kisha me ja lujt fenë. Ma mirë se njikto e baj, edhe rol plake kisha pranu".

Gjigjeta Bazhdari: ka marrë pjesë në fillore kur kemi qenë jo në Stigmatine, po ishte në shkollë shtetnore "Luigj Gurakuqi". Si fëmijë e kam nji fotografi. E kam gjetë aty. Shih ku je Gjigjeta- i them. E shkurtër. Ishte e shoqja Injac Nënshatit.

Ida Kraja: (qesh, përsëri, Julka) që në fillore shoqe klase. E shkëlqyeshme në mësime. Ka marrë pjesë që në dramat e para me Andrea Skanjetin. I luante bukur gjanat e me humor.

Rregjina Krroqi: ka marrë pjesë te "Elizabeta e Anglisë". Te kjo pjesë kanë interpretuar: Urania Mozali, Marije Deda fytyrrumbullakët, me flokët kaçurrela. Ka qenë më e vogël se unë. Tip i qetë, e hajme.

Lizeta Krroqi: aktore e mirë, e shoqja e Pjetër Gjokës, ka luajt te "Maria Stuart".

Pina Kola: tip burrëror, më e madhe se unë, e gjatë. Mori pjesë në komedinë me murgesha me titull: "Një gru 50-vjeçare kërkon me u martue". Unë dhe Gjyljana Kçira dona me i ba një lojë. Mendojmë: vishemi si burra, trokasim në derë me një fener, me shkop, pantallona, pardesy, me kapelë republika. I trokasim në derë dhe e thërrasim. - Miladinaçka! Flasim kështu se nuk dimë gjuhën, jemi angleze. - Po, nuse e bukur! Hyn Gjyljana. Në fillim nuk na njeh, por... Te dyja i afrohemi dhe qeshim.

Ester Dajçi: e motra e Luigj Dajçit. Ka lindur në ish-Jugosllavi. Shkollën për murgeshë e ka kryer në Itali. Ka ardhë këtu, për të dhënë gjuhë-letërsi. Ishte një tip serioz. Me një shikim të ngulte në mend. Nuk kishte nevojë me na bërtite kurrë, as me na thanë ndonjë fjalë... Vetëm shikimi i saj na bante me kuptue gjithçka. Ka qenë simpatike, e donin të gjithë. Ka qenë e zonja për drejtimin e aktiviteteve, të baletit, për koret. Më kujtohet: isha në vitin e tretë gjimnaz. Bënim italisht. Në kohën e saj luanim teatro. Në atë orë mora një tufë kollomoqi dhe e ve si mustaqe. Shokët më shihnin e më qeshnin. E bëra disa herë. Më diktoi. - Ti Kakarriqi -. Më çoi te dera përballë Esterit. Më shikoi rreptë. Qaja. Ra zilja. Esteri: Shko në klasë! Përsëri qava.

Julka përsëri tregon fotografitë. Tregon për Bixhen, por kësaj radhe për Bixhe Kurtin. Me flokët kaçurrela, shumë e bukur, kur ka dalë në skenë me trup të bukur dhe zotnillëk, serioze dhe e veshur në mënyrë serioze, kërkimtare ndër fëmijë. Për çdo gjë jepte sugjerime e këshilla, ka pasur një trup të rregullt. Edhe pse ishte mplakë tiparet ende tregonin se ajo kishte qenë e bukur, e urtë, e butë.

*****

Kjo grua me emrin Julka Kakarriqi (Darragjati) nuk më largohet lehtë nga mendja. Ruaj plot kujtime nga ajo intervistë afro 17 vjet më parë.
Julka!... Në vitin 1945-1946 mori pjesë në transmetimet e Radio Shkodrës. I propozuan të ishte nëpunëse në atë institucion. Nuk pranoi. I pëlqente të ishte mësuese mes fëmijëve. Ndaj, dhe e ushtroi mësuesinë për afro 30 vjet.
Julka!... Jetonte mes dhimbjes së ikjes të vëllerzërve nga kjo botë dhe kujtimit të pafund për shoqet. Jetonte mes viteve të pleqërisë dhe trokitjeve të bastunit.
Julka, që nuk harronte që, çdo njeriu në bisedë i falte një buzëqeshje siç dinte ajo: fisnike dhe njerëzore.
Julka!...

Për merita e kontribut artistik, në vitin 2014 Këshilli i Bashkisë së Shkodrës ka nderuar me titullin "Qytetar Nderi" (pas vdekjes) Julka Kakarriqi (Darragjati) dhe Vitor Darragjati.

- nga Xhahid Bushati

COMMENTS