Kristalizimi i ideologjisë shqiptare

Zef Mala - Kristalizimi ideologjisë shqiptare
Në "njeriun" të shofim Zotin, të shofim kultin tonë e mitin e përzemërt.
Jemi shtegtarë që nisemi prej etapës që rrin fort larg me cakun, ku kanë mbërritë popujt e tjerë perëndimorë.
Ne duhet domosdo me ia mbërritë atyne, edhe pse ata kanë kalue shumë etapa. Janë vetë konditat jetësore që do të na shtyjnë për kah ai afrim. Ne nuk do të shkojmë tue u përligjë nëse mendojmë nëse jemi të rinj. Epiteti justifikues "i ri" për ne s'do të jetë tjetër veç se një shkëndi që do ta mbajnë pranë për nji flakë entuziazmi ndër fushat e veprimit tonë e ndër sferat tona idealistike e morale. Njeriu që shkon tue intensifikue veprimet e aktet e veta nësa mendon se asht i ri, ai s'ka me ja dalë kurrfarë qëllimit që do t'i vejë vetes. Ai, edhe pse burrë, asht fëmi. Për ata kishte me qenë shumë ma mirë me thanë: Kam qenë, jam e kam me vdekë fëmi. Ndryshe s'ka.
Në bazë të nji ligji fizik në nji trup, që qëndron po në nji pikë, s'ka lëvizje. Tue ju përshatë njeriut t'atillë, do të themi se s'ka jetue. Qe i vdekun e mbetet i vdekun.
Porse ne si aspiratora të nji jete të paravueme, do të jemi plot energji e dynamizëm. Vdekja për ne do të jetë personifikimi i anmikut që do ta përballojmë e që do ta luftojmë. Këtë gja do ta rranjosim e do ta gëdhendim kaq fort në zemër e në shpirtin tonë, sa do të jemi të bindun me fanatizmin ma të madh të nji fetari, se këtu rrin misioni i ynë që na asht dhanë e që ne me falenderjen ma të madhe e kemi përqafue.
Neve, tashti në bazë të nji fjale Shqipëtare që thotë se trimi i mirë me shokë shumë, piksëpari na mbetet me kontrollue vetveten. Do të hedhim nji shikim të thellë përsa na rrethon. Do t'i njofim mirë shokët tanë shtegtarë për kah i njejti qëllim. Të vërejmë se mos jemi gabue në sistemet tona ideologjike. Të paravejmë planin tonë veprimtar të të gjithëve për me munde kështu me e studjue e me e kthjellue. Do të kemi kujdes të madh mos na shkojë huq gjithçka. Po nuk patëm ra në godi, asht kot që t'i hidheni luftës, asht utopi që të kërkojmë të kapemi kah nji ideal i përbashkët. Mos të kemi ambicjen e nji ego kryesie kah fushata e ideologjisë shqiptare. Duhet po që të kemi auto kryesi n'ideologjinë tonë shqyptare, por të mbahet nji kondensim totalitar. Për ndryshe ne s'kena me qenë kurrë të zotët me hedhë ma të voglin hap kah përparimi e drikta e kulturës. Kemi me mbetë të hutuem pada e gjithmonë në veprimin tonë. Asht e nevojshme pra që prizmi i kristaltë i ideologjisë sonë të vetpasqyrojë të gjithë neve. Të bajmë që të hedhi shkëlximin e tij me rreze të barabarta në çdo anë të lames sonë jetësore. E për me ardhë këtu duhet që së parit të shkrihemi në flakën e zjarrtë të dashunisë.
Të shkrihemi për me mundë kështu të hyjmë në këllëfin ideal të njeriut.
Atëherë kemi me ditë e me kuptue gjithçka. "Me dashtë asht me kuptue!" Kështu pat thanë Apostulli i pasivitetit dhe eprori i njerëzimit. Jo m'u lidhë brenda zinxhirëve të arsyes së thatë, prej kah mandej nxitemi prej ambicjeve të egoizmit. Due sepse due, jo due sepse mënji. Jo, se atëherë kollajsisht munden me u fikë xixat bujare të asaj flake shpirtnore. Dy forca të barbarta të kundërvume s'rezultojnë gja. Mbërrijmë në apati ose në mizantropi që na ulë nga rradha e shoqnisë njerëzore. Në "njeriun" të shofim Zotin, të shofim kultin tonë e mitin e përzemërt. Aty kemi me i gjetë të gjithë gurrat e kullueta të asaj jete të andërrueme. Në "Njeriun" po, e aty vetëm mundemi me gjetë amshimin. Ai asht misteri përpara të cilit do të gjunjëzohemi me nderimin ma të madh. Për gjitheçka mund të dyshojmë, por vetëm për shoqërinë njerëzore, jo, jo, jo; sepse dashunija e saj na ep shkasin e hapave nga horizontet e pastra të idealit. Ajo në krahnorin e vet na premton lëmimet, gëzimet e përkëdheljet e ambla. Na ep zjarrin hyjnor, në të cilin fikim çdo mëni e ndjesi të ulët. Prej gjijve të saj ne të presim qumështin që do të na mbajë gjallë me jetë, me ideal e me dashuni. Ajo dashuninë e vet ta falë menjiherë mjaft që t'ia falësh edhe ti asaj.
Për me dashtë atë të mendojmë se na do edhe ajo neve. Shifni me sa pak sakrifice mundemi me ia dalë qëllimit që kërkojmë të arrijmë. Zemra, vetëm zemra, ban vepra të mëdha. Shpesh-herë arsyeja ndalë guximin. E përkundra zemra kapërcen çdo pengim që mundt të qesë mendja. Vetëm guxim pra lypet e këtë do ta kemi prej shpirtit. Ka thënë Unamuno-ja se nuk asht mendja që bani të vërteta në jetë, por guximi i atij burri që trumbeton sheshit. Po kërkuem Zotin e gjejmë në "Njerëzinë", po kërkuem idealin e gjejmë në "Dashuninë". Tashti vjen pyetja po si kemi me dashtë shoqninë njerzore po nuk deshëm rrethin e familjes sonë. Pra të kërkojmë me dashtë atdheun tonë, të bukurën Shqypni e frymëzimi i kësaj Zoje të shenjtë ka me na ba dashunorë për mbarë njerzimin e për mbarë botën. Të heqëm paragjykimet, ambicjet e egoizmat që na kufizojnë. Të kapemi për kah nji ideal që të përfshijë vllazninë tonë pa ndryshim feje. Të gjithë jemi vëllezën pse përpara se me qenë muhamedanë, katolikë, ortodoksë, kemi qenë njerëz e Shqyptarë. Mos të kungohemi vetëm me hurmt e nji zoti që na kufizon e që na zvogëlon. Mos të kërkojmë të mbërthehemi me vargonjtë e nji tiranie shpirtnore. Të bajmë sa ma shumë dashunorë. Të përqafojmë sa ma shumë mundemi. S'ka Zot tjetër përveç dashunisë, s'ka Dashuri tjetër përveç asaj të Njerzisë e s'ka Njerëzi pa Atdhe. Ideologjia shqiptare të përmblidhet në formulën e madhënueshme të nji idealisti shqyptar që dikur pat dashtë me vue si paragraph të parë të statutit tonë Kombëtar, "Besoj në Zotin në nji të vetëm, besoj në Popullin në nji e të pandamë, besoj në Shqypnin, në nji e të përjetëshme". E vetëm me këtë formulë simbolike t'ideologjisë Shqyptare do të mundemi të kapemi për kah nisemi.

- nga Zef Mala/Botuar më 1936

Lexo edhe: Zef Mala, komunist i orëve të para

COMMENTS