Lasgush Poradeci - poezi të zgjedhura

Lasgush Poradeci, Llazar Gusho
Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg' i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë,
Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me dëborë.
Iku rënd' e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q' i la folezën i trokiti mun në portë...

Pra më s' duket shpes' i fatit prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qè malorësh;
Më s' dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht' e shkretëtirtë.

Dheri-i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e më fërtymë,
E si shtohet cingërima... ja! se ku dinak dh' i vocërr
Nëpër gardhe-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr!...

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale, - posi dhëndër me kurorë!
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur - posi vashë e nusëruar!

Pamja

Sot u pamë-e sot u ndamë
Dhe nuk thamë njëzë fjalë;
Kur u ndamë vamë-e qamë,
Qamë shpejt ca lot me valë.

Edhe shpejt kur me të dalë,
Vamë-u pamë-e shumë thamë,
Thamë fjalë, fjalë, fjalë,
Pastaj kurrë më s'u ndamë.

Nuk u ndamë-e vetë thamë:
ç'këto fjalë? ç'këto lotë?
Ç'ky vajtim q'u vramë-e ramë
Shkrumb e pluhur nënë botë?

Ah kur ramë, kur u dhembmë,
Ndritej dhembja dritë-e artë...
Kur u dhembmë, kur u shembmë,
Shkrepej yll në qjell të lartë...

Yll e dritë bukurija,
Qjell i lartë perëndija,
ç'vjen e shkon e vjen si hija,
Plas e s'plas kjo dashurija.

Zemra e shokut

Të kam shok nga koh' e vjetër
Shok prej zemre - edhe prej gjaku...
Shok të ri me besë plaku
Nuku kam, nuku ke tjetër.

Se ç'do gas e mall të shkretë
M'i ke thënë - emër më emër
Unë - i mbylla mun në zemër
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar
Shenjtërine - e një dhurate:
Mban në fund të zemrës s'ate
Ç'të kam thënë - i llaftaruar.

Ish e bardhë - e nuku kishte
Dredhëri zemra bujare:
Bënte botën zilitare
Zemr' e bukur shokërishte.

Lodra e dashurisë

Kërkova
Lumturinë,
Gjer më sot,
Gjith më të kot.

Shijova
çupërinë,
Një mot.
Me shpirtin plot.

Kullova
Djalërinë
Me lot,
Që s'thahen dot.

Kuptova
Dashurinë
Që lot -
Kur shemb! o Zot!

Përse të dua?

Se të desha vetë,
Dhe t'u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë -
Prandaj.

Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë -
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t'u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë -
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s'të gjeta vashë -
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua -
Prandaj.

Dhe s'më flet përhera,
Dhe s'më nqas përhera,
Dhe më plas përhera -
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua -
Prandaj.

Syt' e tu, vetëtimtarët

Syt' e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt' e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t'i fshesh qipall'e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash'oh! Në nat'helmi, hën'e largë-ish derdhur n'ar.
Kur i pashë në nat'helmi, ar i derdhur m'u bëj zija:
M'u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt' hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar... na shij qjelli zilitar...

Syt' e tu - enigm' e kohës; syt' e tu - çudi pa çmim;
Syt' e tu - çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll' i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt' e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt' e tu vetëtimtarët ëndërojne - aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt' e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht.

Më zu një mall

Më zu një mall dhe sot,
E s'mund t'a shuaj.
Ri vasha largë-o Zot,
Që kaq po vuaj.

Kalojnë kot më kot
Muaj me muaj.
S'vjen vasha sot as mot,
Pa heq e vuaj.

Nuk vjen, e më s'di dot
Ç't'i them t'i shkruaj!
Ah! mëndja po më lot
Që s'plas e vuaj!

Në vëndin t'im o Zot,
Jam vetë i huaj.
M'a sill ti vashën sot,
Që kaq po vuaj.

Gjarpërushja

Haj të mirremi për dore,
Nep-ma zemrën që ma more,
Gjarpërushe pikëlore.

M'u vrapo q'andej matanë,
më qëndro në zemër pranë,
M'i vështro sa lot më lanë.

Të fjalonemi ngadalë,
të pushtonemi pa fjalë,
Plot me afsh e duf të valë.

Me atë vetull-vetulluar,
Me atë shtatin-gjarpëruar,
Me ato kraha-fluturuar.

Vetullo, moj vetullushe!
Gjarpëro, moj gjarpërushe!
Fluturo, moj fluturushe!

Durimi

Tashi me gas, tashi me lot,
Tashi dhe nj'herë,
Duro durimin si për-mot
E si përher.

Mendo mendimin zemërak,
Ndaj vjen të sjellë
Sa leu e zjeu e shfreu me gjak
Në zemër fellë;

Sa pati shkrirë aq ëmbëlsi
Dyke kënduar,
E vaj e zi e shkrumb e hi
Të pambaruar;

Dyke përflakur plot me gas,
Plot afsh të ndritur,
Një mall të math që më vjen pas,
Kujtim-zhuritur;

Vjen ku përplaset përmi dhé,
Nër ulërimë,
e greminuar si rrufe,
Kjo jeta ime;

Ku mban shtrëgatën me sa mund,
Dhe kësaj radhe,
E hapur krejt, gjer mu në fund,
Ah plag'e madhe;

Fund e gjehenë e ang i zi,
Jetë pas jete,
Yll-dashuri! Hon-lemeri
Që mbaj me vete!

Edhe mendoj mendim me lot,
Me përvëlime,
Duroj durim të mbushur plot
Me zemrën t'ime.

E mora shoqezën përkrah

E mora shoqezën përkrah,
E matmë rugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.

Pa zu dita perëndoj,
Pa zu nata na mbuloj,
Pa zura shoqen ta pushtoj.

Perse buçet liqer i qet!
Liqer, ti ç'thua ndaj buçet!
Ç'far' pe, liqer, mi zall te shkret?

E çasin kur e sjell nër mend,
Kur sjell nër mend, ah! atë vend,
As rroj as vdes, po jam pa mend.

Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb' i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir...

E kudó krahin' e gjërë më s'po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë...në Liqer heshtë një lopatë...
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë...
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t'im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra... u dergj... e zuri gjumi...
Zotëroj më katër anë errësira...
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi...

Dëgjimi i zemrës

Kur të më kujtosh,
Kur të vish të shkosh,
Kur të shkosh këtejza pranë
Që të çmallërosh...

Ç'po dëgjon kur shkon?
Kur vjen e përgjon?
Ç'përgjon zemra në kët'anë
Fund në këtë hon?

Zemra jote sot,
Zemra jote mot,
sot e mot në ç'mallërime
Zemra që s'fle dot...

Seç të ndjen këtaj,
Seç të ndjen pastaj,
Seç dëgjon ndaj vetes s'ime
(Si ndaj vet'e saj):

Mall e vrer që mbaj
Qaj, moj zemër, qaj.

Vrer e mall që flas
Plas, moj zemër, plas.

Syt' e lumtur

Ishe vogeloshe... isha mituri...
Kur më dole mbudhe, ti moj lumja ti!

Vinte perëndimi me të vagëlluar
Pa m'i shtire tinës ata syt' e shkruar.

Ata syt' e shkruar, sytë moj të fjetur,
Shtatë vjet me-radhë t'i kam përshëndetur.
Kur më pe së pari, more-e m'u largove,
Kur më pe së dyti, more-e m'u afrove,
Kur më pe së treti, more-e më pushtove,
Të putha në gushë, ti m'u turpërove,
Papo ule kryet e shkove vajtove.

Ti po vjen që prej së largu

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet luleja mitare e zembakut që t'u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s' ate,
T'i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli këmba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj' e dëshirim.

Të m'a shkelish hije- letë! të m' a shkelish mes për mes!
Të të shoh si më lekundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes.

Kujtimi

Edhe në mungove,
Edhe në ndryshove,
Edhe në dredhove,
Në më gjarpërove:

Kujt j-a dhè mungimin?
Kujt j-a dhè ndryshimin?
Kujt j-a dhè dredhimin?
Kuja gjarpërimin?

Mungime-e ndryshime,
Mungime-e dredhime,
Dh'ato gjarpërime -
Hon për zemrën t'ime.

Zemr' e mall i parë,
Zemërëz' e vrarë
Kujton dyke qarë,
Pushton me llaftarë
Lulen e pavdarë,
Trupin e pangarë.

Pa ri pshoj qetuar
Dyke ëndëruar
Ndaj po puth nër duar -
Si ndaj koh' e shkuar -

Fort i dëshëruar,
Fort i dhëmshëruar,
Fort i lumtëruar,
Ballin dritë-qëruar
Syrin qjell-kulluar,
Gjirin-vajzëruar,
Trupin-qumështuar.

Vdekja e Nositit

Me zjarr ju flas..., me zjarr.
Në gjirin tim kam hapur varr...
Që t'i jap shpresë-edhe t'ja marr...

Un' ik liqerit zemërak,
fatlum dh'i pastër si zëmbak,
po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
dh'u jap ushqim me dashuri -
një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! gjirin ta godas...
dh'e hap ah! gjirin më një ças...,
dh'i nginj ah! zogjtë-e vdes me gas!...

Ahere-helmohet e buçet
pas mallit tim liqeri-i shkret,
e rrit tallazin posi det.

Ay e tund, ay e shkund,
ay e hap sa me të mund,
gjer mun në gjit, gjer mun në fund.

E shpirtin dyke ma përcjellë,
më thotë ah! shih sesa 'sht'i fellë
ky gjir'i em që të pat pjellë...

...Me zjarr ju flas, me zjarr.

Të tjera nga Lasgush Poradeci:

COMMENTS