Nâna - poezi të zgjedhura për nënën

Poezi për nënën - Nana
M'i kande hyjt, qi ndrisin
Aq bukur atje n' qiell;
I due lulet e kândshme,
Kuer njomshem çilin n' Priell.

Knaqem sa herë m' bjen zogun
Me e ndî pyllës tuj vallzue,
A i vé un veshin prronit,
Kah rrshet tuj gurgullue.

Por lulet aq s'i due,
S'i due aq hyjt vizluesa,
As m' knaqë blerimi i tokve,
Me sa jânë zogj kenduesa,

Sa m' knaqë perherë mue nâna:
Virtytesh nji pasqyrë,
Nuk kà nevojë me m' folun,
Kam mjaft kuer ajo më kqyrë.

- nga Vinçenc Prennushi

Nëna

Ka filluar të plaket nëna. Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.
Po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Ç' është kështu kjo rrjetë që hedh koha mbi nënën time?

Dhe duart që më mbanin mua, tani janë rënduar.
Po s'ka gjë. Nga shpirti i saj
zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull.

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s'më ka pyetur kurrë pse s'kam shkruar gjë për të.

Se nëna di:
Fjalën e parë në këtë botë ia kam thënë asaj.
Dhe fjalën e fundit në këtë botë asaj do t' ia them.

- nga Frederik Rreshpja

Vdekja e nënës

U zvogëlua nëna dhe u tret e gjitha,
U bë si pulëbardhë e lehtë
Dhe një mëngjes pa zbardhur ende drita
Rënkoi e fluturoi mbi retë.

Andej u fsheh si ylli Aferdita
Dhe ne pastaj s'e pamë, pastë ndjesë!
Veç ndodh që valë e ëndrrave të trishta
E sjell në breg të shtratit tim si shpezë.

- nga Dritëro Agolli

Nënës

Nëna ime, ti dhembje e pashuar,
ka kaq vjet që rri në dhe të zi;
Edhe yt bir, siç duket, së shpejti,
do t'a lërë këtë botë, nënë, e di.

S'më vjen keq që iki kështu,
se asnjëherë i lumtur s'kam qenë,
veç në pyjet ku xhindët vallëzojnë
rreth drurëve të galvanizuar me hënë.

Shkoj te lumi ku qajnë ciganët
për rërat e largëta me dritë.
Por përse dreqin jam gatuar kështu,
të grindem me të tëra qeveritë?

Nënë, nuk kam qenë në faltore kaq vjet,
por do t'i lutem Shën Mërisë për ty;
Eh, mundet që dhe mua ndokush
do ma gdhendi mbi krye një kryq.

- nga Frederik Rreshpja

Nëna ime

Nënën time
shumë e dua
sepse ajo
më mëson mua.

Më mëson
më edukon
këngë të bukura
mua më tregon.

- nga Adelina Mamaqi

Vendlindja e nënës

Atje hëna ngre shkallë drite mbi gremina.
Atje ngjitet zemra ime,
bërë prej druri të lahutës.

Atje kam një degë lisi,
torbën e këngëve të mia.
Stapi në udhë më humbi
dhe lulëzoi pranë një përroi.

Pashë fëmininë e nënës sime
ruajtur në pasqyrime krojesh,
këngët e rinisë së saj,
shndërruar tashmë në erë.

- nga Frederik Rreshpja

Ave, nëna ime!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç'është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtoja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s'ka asnjë kuptim që bie shi.

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin
Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar.
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!

- nga Frederik Rreshpja

Lexo edhe:

COMMENTS