Qemal Stafa - Shegerti i vogël

Qemal Stafa, Shegerti i vogel
Asht mëngjes.
Para derës së nji shtëpie përdhecke, i ulun mbi nji gur, rri mendueshëm nji çun i vogël.
Trupi i tij i mpitë të difton çiltas se asht nja dymbëdhjetë vjeç. Ka t veshme disa rrobe të vjetra, të arnueme aty-këtu, por me kujdes e të pastra.
Ja mbulojnë kambët nji palë opinga të kuqe, prej gome. Fytyra e tij e shqetësueme shfaq se i ka ndodhë nji fatkeqsi asaj zemre ende të njomë.
Ka mbështetë kryet në dy grushtat e tij të vegjël dhe bërrylat në kupat e gjujve dhe rrin nj'ashtu i zhytun në mendime të thella.
Ças në ças ngre kryet e, si i zgjuem prej ndonji gjumi të randë, i drejton syt' e tij të zez kah dera e shtëpisë përdhecke ...
Në nji shej kohë ai ngrihet e, si të ketë vendosë ndonji send, fillon me ecë.
Rrugës shikon andej e këndej ndër dyqane, mendon e prapë vijon rrugën ...
Ka kalue nji copë rrugë, kur ndalohet përpara nji dyqani, hedh nji shikim brenda dhe hyn.
Djaloshi përshkohet nëpër dy rreshta thasësh, arkash e teneqesh dhe, tue shikue gjithë ato kosha me pemë, ato mure të nxime thuesh prej vjetërsisë dhe pluhunit, ato sergjia gati të shkatërrueme, i vete syni ke nji burrë i gjatë, me disa rrobe të ndyeta, me do mustaqe të gjata, e me nji fytyrë zeshkane e në krye nji qeleshe të zezë jo të vjetër, por të ndyet, me nji gjoks të gjanë që e mbulon nji këmishë e murme; prej brezit i varet nji mafër e madhe e kuq-mbyllë e plot njolla, që mbështetet plotësisht përmbi pantallonat e rrudhun. Asht ky Alush aga: nji burrë nja pesëdhjetë vjeç e i zoti i dyqanit. Çunit të vogël, tue u gjetë para ktij njeriu, zemra i ndrydhet e nji përqethje e mprehtë ia përshkon shtatin pse shokët e tij i kanë thanë që Alush aga asht njeri i egër dhe nuk i merr me të mirë djelmt e vegjël. Por çuni i vogël, tue lanë në njanën anë këto mendime, i uron Alush agës mirëmëngjesin.
Ai, pa i përgjegjë urimit, me nji farë përbuzje e pyet se ç'don.
- Due ... kishe me dashtë ...
- Ç'ka? - i thotë Alush aga tue e përkulë shtatin paksa përmbi çunin.
- Kishe me dashtë me u vendue shegert me zotninë tande - përgjegjet çuni me nderim.
Alush aga drejtohet, rrudh vetllat e tij të trasha e mendon ...
Mbas nji grime, tue e shikue ç'prej majës së kresë deri në fund të kambëve, e tue tundë kryet nisi me folë:
- A kishe me i ba punët e dugajës ashtu si të due unë?
- Si urdhënon, deri ku të mundem kam me ba çmos që me i krye mirë.
- Mirë, pra, po e bajmë provën sot. Kam me të dhanë për të parën ditë 2 lekë, mbasandaj ta shofim. Si të duket?
Çuni i vogël pranon, e mbasi hjekë xhaketën, fillon me punue ...
S'pari merr fshesën dhe fshin dyqanin, mbasandaj me nji pecë ia nisë me shpluhnue sergjitë e sendet e tjera, dhe kështu njanën mbas tjetrës i kryen punët e dyqanit ma së miri.
Alush aga, t'i porositmen nji punë, menjiherë i thotë me ba kët tjetrën. Për gabimin ma të vogël ai e qorton me fjalët ma t' ashpra, me shamjet ma të pabajshme.
Por shegerti i vogël i kryen urdhnat e i banë të shamet e mjeshtrit të vet, pa ba vërr me gojë.
Alush aga vetë çuditet për ketë djalë që punon me kaq zell dhe i banë fjalët e tij ç'mos kurrnji tjetër.
Ai sheh n'atë qenie të vogël diçka të jashtëzakonshme, që e cilson dhe e ban me mendue thellë për të.

***

Kshtu kaloi dita, nji ditë në të cilën dyqani i Alush agës mori nji pamje tjetër: gjithçka ishte në rregull, e pastër.
Ndërkaq dielli dalëkadalë po prendonte për me i lëshue vendin natës, që porsi ndonji zonjë e randë po vinte prej lindjes ...
Qielli kishte marrë nji ngjyrë të purpurt dhe u dukte porsi nji kupë e artë ...
Në qytet u shifte nji lëvizje e madhe: levizja e zakonshme që qyteti ka në mbramje.
Nj'atje vonë, kur Alush agës iu mbush mendja se nuk kishte ç'me i urdhnue ma çunit të vogël, e thirri e tue shikue në sy, i dha dy lekët e premtueme e i tha të shkonte.
Çuni, si përshëndeti me nderim mjeshtrin e vet, u vesh, duel prej dyqanit, e me hapa të shpejtë u drejtue kah rruga ku u gjindte shtëpia përdhecke ...
Ecte shpejt e pa i vue vesh kujt. Për te kot u lkundshin shregllat, kot kndojshin vashat me zanin e tyne t'ambël. Ai kishte veç nji mendim: shtëpinë përdhecke. Ecte e ecte, u dukte i vetëm, por mbrapa e kishte Alush agën, që i çuditun prej prumit të tij, i ishte vue mbrapa dhe e ndiqte hap mbas hapi.
Mbrrijti, kapi dorzën e derës, e shtyni lehtë dhe në majë të gishtavet iu afrue nji shtrati t'unjtët, shikoi me vemendje dhe tue i afrue buzët e veta të njoma, i mbështeti përmbi fytyrën e thatë e të vdekshme që u gjendte aty.
Mandej nxori dy lekët prej xhepit, i vuni në dorën e ligësht të grues së smuet, dhe i tha:
- Qe nanë, qe fruti i mundit të parë që unë derdha pë ty ...

Përgatiti: shkodradaily.com

__________

Është një nga hartimet e Qemal Stafës, bërë si detyrë shtëpie kur ishte nxënës i klasës së pestë të gjimnazit shtetërorë të Shkodrës (1935). Në qendër të kësaj proze është portreti i shegertit të vogël, që qysh fare i njomë shfrytëzohet e shtypet nga Alush aga. Me anë të shegertit vihet në dukje virtyti i njeriut të varfër, po të ndershëm e punëtor, dhe në kontrast me të Alush aga, figura e klasës shfrytëzuese.

përshkohet: kalon, përshkon
sergjia: rafte
mafër: shami
dugajës: dyqanit
shregllat: lëkundeset, kolovajzat

Të tjera nga Qemal Stafa:

COMMENTS