Ernest Koliqi - Shën Gjergj

Ernest Koliqi - Shën Gjergji
Vashat duer-njoma pa çilë agimi
kpusin sot gêma me ia vû derës
si shêj gazmendi, si shêj urimi
pse erdh Shën Gjergji, krushku i Prendverës.
T' tâna u stolisen dyert qi ka shpija
me gêma kumbullash e drandofillesh:
pa zâ t' përshndesin era e freskija
kahdo qi t' sillesh.

Erdhi Shën Gjergji! Me cërcërrime
flutrojn dallndyshat npër rreze ari.
Qoft' bekue dora qi n' derën t' ime
dy gêma lulesh n' mëngjes i vari.
Qoft' bekue dita qi n' mjerí t' soçme
nji doke gzimi përtrîn me mallë,
rritin e bukur t' prendverës s' moçme
âmbël tue ngjallë.

Shën Gjergj, Prendvera, - zoja hirplote -
prore tý t' pati ndër né lajmtar:
kët kremte lulesh paprâ ndër mote
ti ia përsritë prillit shqiptar.
Ti lulevilet i hap' mbi tanda
ku n' andrra t' reja zêmrat na dridhen,
e ti mkâmb' vallet nên manda
ku shrregllat hidhen.

N' stërnipa mbrrîjti si nëpër mjegull
hareja e pastër qi dikur solle.
S' dijm me hov t' vjetër m'u lkundun n' shregull!
e vallja plogtas shtiellet okolle!
Dhe n' iu përgjegjshim grishjeve t' tueja,
dhe n' qe se vallet ende s' kan' heshtë,
prap s' dijm' me t' lutun: shllimet e hueja
s' na láne t' thjeshtë...

Sa dyer t' stolisuna me lule t' bardha
jan' rrzue gjat' moteve, o dit' pagâne!
e sa duer vashash ka ngrîmun mardha
qi me kput' gêma dikur i bâne!
por pse ndër shekuj ndrruen njerzt e feja,
zakoni i moçëm, jo, nuk u buer:
me gêma e lule kah dyert e reja
prap çohen duer.

N' Shën Gjergj t' ardhshëm le t' çohen prore
duer t' bardha vashash n' shpijat shqiptare:
le t' varin lule duert prendverore
ku ruhen doket porsi visare.
Bîft' n' ato shpija gzimi mâ i dlirti,
mâ e âmbla valle n' prill u këndoftë,
andrra mâ e bukur qi deshron shpirti
aty lulzoftë!

- Mikut te dashtun, Nush Topallit.

COMMENTS