Shoqëria e gjithanshme Vllaznija (1919)

Shoqëria Vllaznija (1919)
Shoqëria Vllaznia zë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore-artistike dhe politike të qytetit të Shkodrës. Veprimtaria e saj filloi në vitin 1919. Megjithëse e kufizuar në kohë (1919-1922), veprimtaria e kësaj shoqërie qe shumë e pasur dhe e gjithanshme.
Të nisur nga qëllimi fisnik për t'i shërbyer atdheut, më 16 shkurt 1919, në shtëpinë e fotografit patriot Kel Marubi, anëtarët e shoqërive "Vaso Pasha" dhe "Mustafa Pasha", dy shoqëri që formalisht i ndante përkatësia fetare, por jo ideali kombëtar, u bashkuan dhe formuan shoqërinë me emrin kuptimplotë "Vllaznia". Në shoqëritë e porsaformuara aderuan edhe pjesa më e madhe e anëtarëve të shoqërisë "Nji tubë djelmi shkodrane". Baza shoqërore e shoqërisë "Vllaznia" qe mjaft e gjerë. Në të bënin pjesë, artistë e tregtarë, shkrimtarë e gazetarë, nëpunës e zanatçij, sportistë e shkollarë. Nismëtar për themelimin e shoqërisë "Vllaznia" qe poeti Hilë Mosi, pjesëmarrës me armë në dorë në kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, themelues i disa shoqërive atdhetare-kulturore në Korçë e Shkodër, anëtar i "Komisisë letrare shqipe", publicist dhe shqipërues i talentuar. Ai ishte bërë tashmë një personalitet i njohur dhe shumë popullor në qytetin e lindjes, prandaj në mbledhjen themeluese të shoqërisë, Hilë Mosi u zgjodh njëzëri kryetar i saj. Nënkryetar u zgjodh Hysen Draçini, arkëtar Patuk Saraçi, këshilltarë Kel Marubi dhe Luigj Kodheli, kontrollorë Taip Hilmia dhe Omer Ruzhdia, sekretar Jonuz Tafilaj, llogaritar Ali Borshi. Në kryesinë e shoqërisë bënin pjesë edhe drejtuesit e katër degëve vepruese të shoqërisë: Kristo Floqi për degën letrare, Salih Nivica për degën teatrore, Ndue Paluca për degën muzikore dhe Kolë Margjini për degën gjimnastikore. Meqë Salih Nivica ishte i zënë me botimin e gazetës "Populli", si zëvendës i tij u zgjodh Mati Logoreci.

Në dokumentin programatik, botuar së bashku me rregulloren (statutin) e shoqërisë në numrin e parë të së përkohshmes letrare "Agimi", shprehet qartë qëllimi që do të udhëhiqte anëtarët e "Vllaznisë" në veprimtarinë e tyre: "Duem të zgjojmë kombin shqyptar në zhdrivillimin e gjuhës së tij letrare e në kulturën qi ka me vijue mbas tashit..." [1]. Me që atë vit Shkodra ndodhej nën kontrollin e forcave ushtarake aleate të komanduara nga gjenerali francez Bardi de Fourtou, shoqëria u detyrua të pranonte se do ta zhvillonte veprimtarinë e vet "... tue mos u përzi në politikë". Por siç do të shohim më poshtë, shoqëria "Vllaznia" nuk vonoi ta shpallte veten si një shoqëri edhe me karakter politik. Rregullorja e shoqërisë "Vllaznia" përmbante 19 nene të ndarë në katër kapituj: I. Anëtarët, detyrat e anëtarëve vepruesa; II. Degët e shoqërisë dhe detyrat e tyre; III. Paria dhe IV. Shpërblime.
Shoqëria "Vllaznia" kishte gjithashtu vulën, distiktivin e flamurin e saj. Flamuri i shoqërisë qe flamuri ynë kombëtar me katër shirita në to, me gërma ngjyrë ari degët e shoqërisë. Shoqëria "Vllaznia" gëzoi konsideratën më të lartë nga Luigj Gurakuqi, i cili, në një takim me anëtarët e shoqërisë "zhvilloj, me atë rethorikën e vet si e ka zakon, qëllimin qi secila Degë e Vllaznisë do ta ketë parasysh, e pat fjalë lavdërimi e nderimi për shoqnin tonë" [2]. Fakti që në muajt e parë të krijimit të saj shoqëria numëronte 172 anëtarë veprues dhe 74 anëtarë ndihmëtarë, flet qartë për jehonën e favorshme që shkaktoi në opinionin qytetar shkodran formimi i shoqërisë "Vllaznia". Si lokal, në fillim, shoqëria pati dy dhoma në Shkollën e Parrucës.

Ndërkohë degët e shoqërisë kishin filluar apo përgatiteshin të fillonin veprimtarinë e tyre. Për t'u shënuar, gjatë vitit 1919, është veprimtaria e degëve letrare dhe teatrore. Kështu, duke u mbështetur në rubrikën "Veprimet e deritanishme" [3], mësojmë se me 5 prill 1919 shoqëria hapi një shkollë nate me 4 rende dhe 7 mësues, shkollë të cilën e ndoqën mbi 100 të rinj e të rritur. Programi mësimor përfshinte, në periudhën e parë, dhënien e lëndëve me shkrim, këndim e aritmetikë. Gjatë kohës numri i nxënësve arriti deri në 200. Falë punës plot vetmohim të mësuesve që jepnin mësim në këtë shkollë, ajo luajti një rrol të rëndësishëm në luftën kundër analfabetizmit. Gjithashtu dega letrare hapi në një prej mjediseve të Shkollës së Parrucës një sallë leximi që u frekuentua nga shumë qytetarë shkodranë. Fondit të librave që shoqëria "Vllaznia" trashëgoi nga "Komisia Letrare shqipe" (1916-1918), iu shtuan gjatë kohës libra të rinj, gazeta e revista të ndryshme shqipe dhe të huaja. Në veprimtarinë e degës letrare bënte pjesë edhe organizimi, kohë pas kohe, i konferencave me karakter divulgativ apo shkencor, siç qe "Mbi vjetërsinë e shkrimit të gjuhës shqipe" mbajtur më 21 prill 1919 nga Kristo Floqi në sallën e kinemasë së qytetit. Vlera të veçanta, në kontekstin e veprimtari së degës letrare, ka botimi i së përkohshmes letare "Agimi" ku bashkpunuan disa nga pendat më të mira të kohës. Perveç pasqyrimit të veprimtarisë së degëve të ndryshme të shoqërisë, në këtë të përkohshme u trajtua me kompetencë probleme të gjuhës, të arsimit, historisë, edukatës, shkencës, të traditave të popullit, kulturës, artit e deri tek ato të sportit. Drejtues i saj gjatë vitit të parë të botimit qe Kristo Floqi; kurse, duke filluar nga viti i dytë i botimit (maj 1920) dhe deri në numrin e fundit të vitit të tretë (mars-prill 1922), drejtues i saj qe Karl Gurakuqi.

Po aq e pasur gjatë vitit 1919 qe edhe veprimtaria e degës teatrore. Kështu më 29 e 30 qershor 1919, shfaqet në kinemanë e qytetit komedia "Shërbëtori i dy zotnive" e komediografit italian Carlo Goldoni, përkthyer e përshtatur nga Hilë Mosi. Interpretuan: Kolë Gurakuqi dhe Hilë Mosi (në rolet e dy zotnive), komiku i njohur Gjon Krajni (në rolin e Tafrrukut), Ali Borshi, Lin Deda, Tef Leka, Jonuz Tafilaj. Skenari: Luigj Kakarriqi. Në mes të akteve, orkestra e shoqërisë "Rozafat", ekzekutoi pjesë të ndryshme muzikore. Shtojmë se bashkëpunimi ndërmjet shoqërisë "Vllaznia" dhe dy shoqërive simotra "Rozafat" e "Bogdanit" qe mjaft i frytshëm edhe në veprimtarinë e ardhshme. Më 11 gusht 1919 shfaqet drama 3 aktesh "Ermina e vorfën", shkruar nga Kolë Gurakuqi sipas subjektit të një filmi austriak të kohës. Interpretuan: Lin Deda, Roza Shoshi, Kolë Mjeda, Kolë Gurakuqi, Ali Borshi, Jonuz Buliqi, Tef Leka, Jonuz Tafilaj, Omer Ruzhdia, Muhamet Reçi. Regjia: Luigj Kakarriqi, dekori: Gasper Simoni. Për herë të parë së bashku me burra, interpretoi edhe një aktore femër, gjë që shkaktoi mjaft polemika në shtypin e kohës. Drama u përsërit edhe me datën 14 dhjetor 1919. Me 14 shtator 1919 shfaqet komedia "Dy shërbëtorët" e Goldoni-t, përkthyer dhe përshtatur nga Hilë Mosi. Në rolet kryesore interpretuan Cin Daija dha Lazër Gurakuqi. Regjia: Luigj Kakarriqi. Në mes të akteve pianisti Luigj Filaj luajti pjesë të zgjedhura muzikore. Duke komentuar këtë shfaqje, e përkohshmja "Agimi", ndër të tjera, shkruan: "Ndonëse origjinali e tregon vendin e njerëzit e komedisë ndodhë në Itali, edhe kësaj here Hilë Mosi dijti me e shkrue këtë komedi e me i dhânë një trajtë aq shqyptare sa me u dukë mâ fort pjesë origjinale se sa një përkthim" [4]. Më 27 nëntor 1919, në përvjetorin e shtatë të shpalljes së Pavarësisë, aktorët amatorë të shoqërisë "Vllaznia" dhanë për publikun shkodran dramën historike me 5 akte "Karl Topia" vepër origjinale e Kristo Floqit. Drama "Karl Topia" së bashku me komedinë "Shërbëtori i dy zotnive" u përsërit edhe me datën 21 dhjetor 1919.

Gjatë vitit 1919 u dhanë gjithsej 12 shfaqje teatrore. Me të ardhurat e vjelura nga shitja e biletave u pasurua skena, rekuizita dhe u sigurua financimi për botimin e së përkohshmes "Agimi" gjatë gjithë vitit. Shtojmë se për përballimin e shpenzimeve administrative, pajisjen e degëve të ndryshme me mjetet e nevojshme etj., krahas kuotave të anëtarëve të shoqërisë, e konsiderueshme ishte edhe ndihma në të holla që dhanë bujarisht shumë familje të njohura shkodrane.

Viti 1920 shënoi një rritje cilësore të veprimtarisë së Shoqërisë "Vllaznia". Krahas degëve letrare dhe teatrore, filloi të konkretizohet edhe veprimtaria e degëve muzikore e gjimnastikore që kishin mbetur deri në fazën përgatitore. Nga ana tjetër, largimi i forcave të huaja ushtarake nga qyteti dhe bashkimi i Shkodrës me qeverinë kombëtare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, krijuan terrenin e përshtatshëm për shtrirjen e veprimtarisë së Shoqërisë edhe në sferën publike. Për këtë qëllim mbledhja e kryesisë së Shoqërisë mbajtur më 23 prill 1920 vendosi njëzëri që: "programi i jonë të zgjanohet tue u marrë edhe me politikë, kështu qi shoqnija të bahej prijsja e të gjithë djelmnís shqyptare në lamën letrare e politikë..." [5]. Duke filluar nga viti i dytë i botimit (maj 1920) edhe e përkohshmja letrare "Agimi" të quhet e përkohshme letrare-politike. Ndonëse me karakter lokal, shoqëria "Vllaznia" nuk u mbyll në guackën e vet. Ajo qe plotësisht e ndjeshme ndaj ngjarjeve të vendit, jashtë Shkodrës, duke mbajtur gjithmonë një qëndrim entuziast. Në një shkrim me titull "Moti sot" botuar nga Hilë Mosi në organin e shoqërisë, ndër të tjera lexojmë: "Shpresa jonë ka nisur të shtohet edhe më shumë, kur shofim se edhe djelmënia e Durrësit, tue marrë si pasqyrë shoqninë tonë, themeloj ndër kohënat e fundshme një shoqní me emnin "Vllazënija". Na shpresojmë se të tilla shoqënina kanë me u ngrehë kudo në Shqipní edhe se djelmënia shqiptare tue perdoruem mjetet mâ të bukura: Letratyrën, theatrin, muzikën dhe gjimnastikën ka me e shtî popullin tonë në një jetë të ré, qi ka me u quejtë ajo e përlindjes së Shqipnisë" [6].

Para se të vazhdojmë me kronikën e veprimtarisë së degëve letrare e teatrore, shënojmë se, ndërkohë, ishin miratuar rregulloret e reja dhe zgjedhur drejtuesit e rinj të këtyre degëve, përkatësisht Karl Gurakuqi për degën letrare dhe Kolec Deda për degën teatrore. Ndësa fusha e veprimtarisë së degës letrare përqendrohet si dhe më parë në mbarëvajtjen e shkollës së natës, mbarështrimin e bibliotekës dhe botimin e së përkohshmës "Agimi"; dega teatrore vazhdon ta pasurojë repertorin e vet me pjesë të reja origjinale, të përkthyera apo të përshtatura nga repertori i huaj.

Serinë e shfaqjeve për vitin 1920, aktorët amatorë të shoqërisë "Vllaznia" e çelën me dramën me 3 akte "Filja" të dramaturgut gjerman Theodor Körner, përkthyer dhe përshtatur nga Hilë Mosi. Drama u dha më 19 mars 1920, në përvjetorin e gjashtë të ngritjes së flamurit kombëtar në kështjellën Rozafat dhe me rastin e bashkimit të Shkodrës me Qeverinë e Tiranës. Ngjarjet e dramës, në variantin shqip, zhvillohen në Kurbin të Krujës, dhe trajtojnë episode nga qëndresa e popullit tonë në të kaluarën. Në shfaqjen e dramës asistuan Ahmet Zogolli, ministër i brendshëm dhe Hoxha Kadrija, ministër i drejtësisë. Më 5 prill 1920 shfaqen idilin me një akt "Shqypnia", të shkruar nga Kolë Gurakuqi dhe komedinë me një akt "Bija e bankierit" të Kristo Floqit. Më 25 dhe 26 prill 1920 shfaqet drama me katër akte "Atdheu" ose "Lufta e Silistrës" e shkrimtarit turk Namik Qemal (1835-1890), përkthyer nga Sabri Qyteza (variant gegë nga Kolë Gurakuqi). Interpretuan: Ramadan Mendiqi, Shuk Radoja, Luigj Halepjani, Ndoc Temali. Regjia: Luigj Kakarriqi. Së bashku me dramën "Atdheu" përsëritet edhe komedia "Bija e Bankierit". Drama pa komedi u shfaq edhe me 27 prill për nxënësit e shkollave të qytetit. Më 6 dhe 9 qershor 1920, në skenën provizore ngritur nga shoqëria "Vllaznia" në Lulishtën Popullore, jepen komedia me një akt "Vllazni e interesë" e Kristo Floqit interpretuar nga Ndoc Temali, Luigj Kakarriqi, Salvator Kurti etj., farsa "Fëmijët tonë", përshtatur sipas shkrimtarit Branislav Nushiq nga Luigj Kakarriqi dhe interpretuar nga Tish Prendushi dhe Zef Shkanjeti, si dhe komedia me një akt "Do të vras vedin" e Kristo Floqit, e interpretuar nga Luigj Kakarriqi (në rolin e Patukut) dhe Ndoc Temali (në rolin e shërbëtorit). Më 13 qershor 1829 jepen komeditë me një akt "Nder e qytetni" dhe "Reklamë e blofë" të Kristo Floqit. Më 28 nëntor 1920 shfaqet tragjedia me pesë akte "Pirro Neoptolemi", punuar nga Kristo Floqi sipas veprës "Andromaque" të Jeane Racine. Në variantin e dhënë, autori i mirënjohur i sa e sa pjesëve teatrore, përshkruan ngjarje që kanë të bëjnë me historinë e lashtë të popullit tonë. Interpretuan: Tef Leka (në rolin e Pirros). Ramadan Mandiqi (në rolin e Orestit), Shuk Radoja (në rolin e Andromakës), Luigj Halepjani (në rolin e Hermionës), Lush Radoja (në rolin e Qefizës), Ndoc Temali (në rolin e Kleonës), Ali Borshi (në rolin e Pilladit), Zenel Broja (në rolin e Feniksit). Për të parën herë, orchestra e shoqërisë "Vllaznia" ekzekuton në pushimet mes akteve pjesë të ndryshme muzikore. Më 26 dhjetor 1920 jepet komedia me tre akte "Mjek me përdhuni" e komediografit francez Molière, përkthyer dhe përshtatur nga Kolë Gurakuqi dhe farsa "Nusja e pela", përkthyer, siç duket, nga italishtja prej Ejëll Ljarjes. Interpretuan: Salvator Kurti, Shuk Radoja, Loro Kovaçi, Zef Qerraxhija. Me 6 shkurt 1921, ditën e Karnavaleve, shfaqet komedia një akti "Koprraci" e Goldoni-t, përkthyer nga Karl Gurakuqi dhe Shyqyri Borshi, i cili interpretoi gjithashtu edhe rolin e kopracit. Së bashku me komedinë, u dha edhe farsa "Dragomani", përkthyer nga Shyqyri Borshi dhe monologu "Mbi feminizmin". Komedia "Koprraci" që pati mjaft sukses u përsërit edhe me 20 shkurt së bashku me monologun humoristik "Trimnija e frikacakut" të humoristit italian Gandolini, përkthyer nga Shyqyri Borshi. Vepra e fundit teatrore që përgatitën aktorët amatorë të shoqërisë "Vllaznia" për artdashësit shkodranë ishte drama "Besa" e Sami Frashërit, që u shfaq në kinemanë e qytetit me 26 nëntor 1921. Rëniae veprimtarisë së degës teatrore gjatë vitit 1921, në krahasim me dy vitet e mëparshme, duhet shpjeguar, në radhë të parë, me largimin nga Shkodra, për arsye pune, të disa prej amatorëve më cilësorë të shoqërisë "Vllaznia".

Larg Shkodrës, për shkak të detyrave të rëndësishme shtetërore që mbulonte, ndodhej edhe kryetari i shoqërisë Hilë Mosi. Prandaj, mbledhja e përgjithshme e datës 9 janar 1921 pasi shpalli njëzëri Hilë Mosin kryetar nderi të shoqërisë; zgjodhi kryesinë e re të përbërë nga Patuk Saraçi, kryetar; Hysjen Draçini, nënkryetar; Kel Naraçi, sekretar; Ramadan Mandija, arkëtar; Kolë Mjeda dhe Ismajl Anamali, këshilltarë; Ali Borshi dhe Kolec Deda, kontrollorë.

Krahas veprimtarisë së gjerë të degëve letrare dhe teatrore, një vend të dukshëm zë edhe veprimtaria e degës muzikore. Drejtues i saj duke filluar nga muaji maj i vitit 1920, qe mjeshtri Zef Kurti. Për t'u shënuar gjithashtu ndihmesa e vyer që ka dhënë në mbarëvajtjen e degës muzikore të shoqërisë "Vllaznia" mësuesi me përvojë drejtuese i muzikës Luigj Prela. Baza e kësaj veprimtarie qe, në radhë të parë, banda muzikore (shoqëria kishte dhe një orkestër, të kufizuar në numër, në formë madolinate). Me një efektiv të vogël, por luftarak, duke patur mbështetje të mirë te ish pjestarët e bandës muzikore të Shkollës së Artizanatit, ajo fillon shumë shpejt të gjallërojë me tingujt e saj festive ngjarjet e ndryshme me karakter kulturor, shoqëror apo politik që karakterizuan gjatë asaj periudhe jetën e qytetarëve shkodranë. Ja disa nga faqet e ditarit të veprimtarisë së degës muzikore të shoqërisë "Vllaznia" në përgjithësi dhe të bandës muzikore në veçanti.

Më 20 dhjetor 1920, ajo i prin manifestimit mbarëpopullor me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ndërkohë, banda muzikore e shoqërisë kishte filluar të jepte rregullisht koncerte për popull në lulishten kryesore të qytetit. Më 30 mars 1921 arriti për një vizitë në qytetin e Shkodrës deputeti francez Justin Godart, i cili në Konferencën e Paqes dhe në sa e sa botime të tij mbrojti me forcë çështjen shqiptare. Në banketin e shtruar për nder të tij nga Bashkia, muarën pjesë edhe banda muzikore e shoqërisë "Vllaznia" dhe orkestra e shoqërisë "Rozafat" "të cilat patën nderime të posaçme prej z. Godart..." [7]. Në datat 11 dhe 13 maj 1921, dega muzikore dhe teatrore e shoqërisë "Vllaznia" bënë një turne në qytetet Lezhë, Tiranë, Shijak, Durrës dhe Shëngjin. Nga kronika e këtij turneu të suksesshëm shkëpusim fragmentet: "eskursionistat hynë në qytet të Tiranës nëpërmjet joneve të ambla të bandës së "Vllaznisë" e të valleve kombëtare... Me datë 12 dega theatrore çfaqë në lokalin e shoqnís "Lidhja komtare" e Tiranës dramin "Pirro Neptolemi" të përcjellun me një monolog. Ndër pushime dega muzikore knaqi veshët e ndigjesavet... me dt. 13 i paraqitet publikut të Tiranës komedija "Koprraci" e farsa "Dragomani", mbasi mbasdreke ishte dhanë një koncert i kandshëm prej degës muzikore në fushë te Selvijat" [8]. Më 24 maj 1921, Shoqëritë "Vllaznia" dhe "Bogdani" dhanë në sallën e kinemasë së qytetit një argëtim teatror-muzikor për nder të një grupi deputetësh që kishin ardhur ato ditë me mision në Shkodër. Më 3 shtator 1921, me ftesë të Bashkisë së Vlorës, banda muzikore e "Vllaznisë" shkon në qytetin e Vlorës për të marrë pjesë në festimet që u organizuan atje me rastin e bashkimit të Vlorës me Qeverinë Kombëtare. Me këtë rast ato i bënë një vizitë atdhetarit Avni Rustemi. Më 24 shtator 1921, populli i Shkodrës priti profesorin Eugène Pittard, mbojtësin e palodhur të të drejtave të shqiptarëve në qarqet diplomatike europiane. Në hyrje të qytetit kishte dalë për ta pritur mysafirin e shquar edhe banda muzikore e shoqërisë "Vllaznia". Në mbrëmjen e datës 26, shoqëritë "Vllaznia" dhe "Rozafat" shtruan për nder të bashkëshortëve Pittard një banket në Hotel "Europa" ku së bashku me të ftuarit tjerë ishin të pranishme edhe dy orkestrat e shoqërive mikpritëse. Me 28 shtator 1921, shoqëritë "Vllaznia" dhe "Rozafat" dhanë në nderim të Avni Rustemit një banket në Kafen "Adriatik", ku morën pjesë autoritetet vendore, banda muzikore e "Vllaznisë" dhe orkestra "Rozafat". Karl Gurakuqi e përshëndeti mikun dhe atdhetarin e shquar në emër të shoqërive. Më 29 nëntor 1921, malësorët e Hotit, të Grudës e të Kastratit, të udhëhequr prej françeskanëve të Malësisë së Madhe dhe prej bandës muzikore të shoqërisë "Vllaznia", u mblodhën para bashkisë së qytetit për t'i paraqitur përfaqësuesve të Lidhjes së Kombeve protestën e tyre për padrejtësinë që u kishte bërë Europa duke i lënë nën zgjedhë të serbëve dhe për të kërkuar bashkimin e trojeve të tyre me Shqipërinë. Më 23 dhjetor 1921 organizohet në Shkodër një tjetër miting i madh në shenjë solidariteti me shqiptarët e krahinave veriore të shkëputura padrejtësisht nga kufijtë e ligjshëm të atdheut dhe për t'i paraqitur Komisionit të Lidhjes së Kombeve për caktimin e kufijve, kërkesën për shpëtimin e Hotit e të Grudës. "Banda muzikore e shoqnís "Vllaznija", si gjithmonë, as kso here, s'u kursye me marrë pjesë në kët meting të mjerueshëm" [9]. Më 7 mars 1922 arrin në Shkodër Komisioni Aleat për Caktimin e Kufijve. Në hyrje të qytetit, së bashku me popullin dhe autoritetet vendore, kishin dalë për t'i pritur edhe anëtarët e shoqërive të ndryshme me në krye bandën muzikore të Shoqërisë "Vllaznia".

Me të drejtë emri "Vllaznia" ka mbetur në kujtesën tonë si i pari klub sportiv shqiptar me të cilin janë të lidhura fillesat e disa llojeve të sportit. Klubi sportive "Vllaznia" i qytetit të Shkodrës është krenar për sukseset që ka arritur, duke mbrojtur për më se tetë dekada ngjyrat e këtij emri kuptimplotë. Më poshtë po rreshtojmë disa momente nga veprimtaria e degës gjimnastikore të shoqërisë "Vllaznia" me drejtues, nga muaji maj 1920, Rrok Daberdaku.

Më 13 qershor 1920, pas ndeshjes së futbollit midis skuadrës së ushtarakëve italianë me qëndrim aso kohe në Shkodër dhe asaj të shoqërisë "Vllaznia", u organizua një vrap prej 4200 metrash me pjesmarrjen e 25 vrapuesve. I pari arriti Kolë Gjoni, i cili e përshkoi këtë distancë brenda 17 minutash. Përveç vrapit u organizua edhe një ecje sportive me të njëjtën largësi të cilën e mbuloi i pari, me kohën prej 23 minutash, Palokë Nika. "Ky zotni asht për t'u lëvdue se asht një ndër mâ të xetit e mâ të interesuemit për sport..." [10]. Më 4 korrik 1920 organizohet përsëri një vrap prej 8 km. Për mbarëvajte të tij u formua një komitet i posaçëm nën kryesinë e Luigj Gurakuqit. I pari arriti Palok Kola e pas tij, sipas radhës, Loro Rroku, Lluko Çetkovi e Ndue Meshkalla. Përfituesit u ndanë dhurata të ndryshme. Me rastin e 28 nëntorit 1920, krahas sa e sa veprimtarive të tjera, u zhvillua edhe një ndeshje futbolli që u ndoq nga shumë amatorë të këtij sporti. Ndeshja u zhvillua në sheshin para Prefekturës. Më 28 mars 1921 zhvillohet një ndeshje tjetër futbolli, kurse më 29 të këtij muaji një garë çiklistike me itinerar Lulishta Popullore-Çezma Koplik. Konkurrimi i çiklistëve, të veshun me kostume sportive, ngjalli interes të veçantë te qytetarët shkodranë të cilët, me brohoritje, duke patur në krye bandën muzikore të shoqëris, përcollën dhe pritën përfundimin e garës.nFitues të garës, nga vendi i parë në të tretin qenë, Loro Nika, Ndoc Kurti dhe Gaspër Daberdaku. Shoqëria "Vllaznia" ka meritën se ka organizuar e para në Europë një rreth të vërtetë çiklistik për amatorë [11]. Më 23 shtator 1921 skuadra e futbollit e Shoqërisë "Vllaznia" qe ftuar nga Shoqëria Gjimnastikore e Tiranës për të zhvilluar një ndeshje futbolli me skuadrën e saj. Ndeshja që është njëkohësisht e para ndeshje futbolli midis skuadrave të këtyre dy qyteteve, u zhvillua me datën 25 pasdreke dhe u fitua nga skuadra e Shoqërisë "Vllaznia". Krahas ndeshjeve të futbollit që zhvilloheshin here pas here midis lojtarëve anëtarë të shoqërisë, dega gjimnastikore organizoi më datën 5 mars 1922 edhe një vrap prej 8 km. Fituan garën, nga vendi i parë në të tretin, Paç Marku, Tef Prendushi, Loro Berdica. Drejtues i degës gjimnastikore të Shoqërisë gjatë periudhës së fundit të veprimtarisë së saj qe Tush Kakarriqi.

Në fillim të vitit 1921 me nismën e Avni Rustemit ngrihet në Vlorë Federata "Atdheu", e cila kishte për qëllim bashkimin kombëtar të mbështetur në lartësimin moral, shoqëror dhe ekonomik të popullit shqiptar. Që me formimin e saj, Federata "Atdheu" u bëri thirrje të gjitha shoqërive kulturore të vendit të bashkoheshin në një program dhe një emër, duke patur një qendër të përpashkët e degë të ndryshme. Thirrjen e mësipërme shoqëria "Vllaznia" e diskutoi në mbledhjen e përgjithshme të anëtarëve të saj më datën 13 mars 1921, mbledhje në të cilën mori pjesë edhe një i dërguar i Federatës. Me zëra të përbashkët, mbledhja dha pëlqimin për aderimin e shoqërisë "Vllaznia" në Federatën "Atdheu" dhe caktoi kryetarin e nderit të shoqërisë, Hilë Mosi dhe Karl Gurakuqi si përfaqësues të saj në kongresin që me të drejtë u quajt Kongresi i Bashkimit Kombëtar. Kongresi i zhvilloi punimet e tij në qytetin e Vlorës nga data 25 prill deri më datën 3 maj 1921. Në përfundim të punimeve, Kongresi miratoi statutin e ri të Federatës "Atdheu" dhe zgjodhi këshillin e përgjithshëm të përbërë nga: Kolë Tomara, kryetar; Karl Gurakuqi, sekretar; Ahmet Dakli, arkëtar; Bedri Pejani, inspektor; Seid Kemali, drejtues i revistës. Kryetar nderi me zëra të përbashkët u zgjodh nismëtari për krijimin e Federatës "Atdheu" Avni Rustemi.

Për t'iu përshtatur gjendjes që solli me vete aderimi i shoqërisë "Vllaznia" në federatën "Atdheu", u mbajt me 16 tetor 1921, në sallonin e Shkollës Qytetëze, mbledhja e përgjithshme e Shoqërisë ku u zgjodh gjithashtu edhe kryesia e re e përbërë nga Kolë Kraja, kryetar; Sandër Saraçi, sekretar; Omer Ruzhdija, Ali Borshi dhe Spiridon Kacarosi, kontrollorë.

Më 8 nëntor 1921 bëri një vizitë në qytetin e Shkodrës kryetari i nderit i Federatës "Atdheu" Avni Rustemi. Në mbasdrekën e asaj dite mbajti në sallonin e kinemasë së qytetit konferencën "Mbi detyrët e rinisë ndaj Atdheut të vet" [12].
Kriza qeveritare që shpërtheu asokohe në Tiranë si rezultat i grindjeve midis partive të Këshillit Kombëtar, shqetësoi me të drejtë patriotët e vërtetë. Duke u bashkuar me këtë shqetësim, shoqëritë e ndryshme të qytetit të Shkodrës i drejtuan Parlamentit këtë telegram: "Gjithë populli ka sjellë sytë kah ju; ka mbështetë shpresat e veta. Ky ju ka dhânë provët mâ të shndritshmet për urti e bindje, por ju, mjerisht me dasi tuej keni lëkundë themralin e zvoglue autoritetin e Qeverisë. Bajmë pra thirrje patriotizmit qi t'i pushoni grindjet, qi të sakrifikoni ambicionet vetjake në elter të Atdheut e qi të merrni parasysh popullin qi po vuen në vorfni e të kujdeseni me i gjetë mjetet e gjallnimit", Kel Marubi; p. Shoq " Rozafat", Zef Kadarja; p. Shoq. "Puntore", Kolë Mjeda; p. Shoq "Detare", Omer Ruzhdi; p. Shoq."Bogdani", Zef M. Harapi [13].

Viti 1922 qe viti i rënies së veprimtarisë së Shoqërisë "Vllaznia" dhe i shpërndajes së saj. Për t'u shënuar gjatë muajve të parë të vitit 1922 është veprimtaria e degës letrare me drejtues Kolë Kamsin. "Përveç të mbajtunit të revistës, dega asht përkujdesë në nji mënyrë të veçantë me smadhue bibliotekën e me përmisue sallën e leximit ku djelmnia kalon kohë me dobi tue lexue libra, revista e gazeta shqipe e të hueja. Edhe dega muzikore nën drejtimin e Luigj Prelës, ndonëse disa pjestarë janë largue nga Shkodra për arsye pune, merr pjesë si dhe më parë në manifestime kombtare, ndër të kremte e argëtime të popullit" [14]. Me gjithë kohën e shkurtër të ekzistencës, me veprimtarinë e saj të gjithanshme, Shoqëria "Vllaznia'' ndihmoi shumë për mbajtjen gjallë në popull të ndjenjave të atdhedashurisë, i shërbeu edukimit të ri të jetës kulturore-artistike në qytetin e Shkodrës.

- Nga Tonin Zadeja
__________

[1] (Agimi, maj 1919, fq.1-4)
[2] (Agimi, prill 1921 fq. 178)
[3] (Agimi, maj 1919, fq. 5)
[4] (Agimi, tetor 1919, fq. 93-94)
[5] (Agimi, maj 1920, fq. 15)
[6] (Agimi, janar 1920, fq. 138)
[7] (Agimi, prill 1921, fq. 179-180)
[8] (Agimi, maj 1921, fq. 17-18)
[9] ("Hylli i Dritës", dhjetor 1921)
[10] (Agimi, korrik 1920, fq. 47)
[11] (Sporti, 15 Shkurt 1944)
[12] (Agimi, nëntor 1921, fq. 140)
[13] (Agim, dhjetor 1921, fq. 160)
[14] (Agimi, mars-prill 1922, fq. 223)

COMMENTS