Primo Shllaku - Fleta e bardhë

Primo Shllaku - Fleta e bardhë
Do të jetë bora
që ka me ra
e vetulla e hollë e mbramjes gurkali
o deti i frymë si hipogastër gulshues,
apo fleta e bardhë do të jetë,
e sigurtë fleta e bardhë.
Ajo mund të jetë
gjithçka që unë mund të jem,
aspak çka duhet,
por çka s'e di se jam
e vesht do ta marr
kur ajo s'do t'jetë e bardhë.

Takim i vshtirë me fletën e bardhë
prej majës së ktij harku ure
që më lshon pingul në ujnat e cekta,
e bardha, e forta
të fletës, të fletës së bardhë,
sigurisht të bardhë, sigurisht
të fletës,
sigurisht i dërmuem eshtnash,
i thyem pa gjak,
sigurisht me gjakderdhje të bardhë
mbi fletën sigurisht eshtën-dërmuese,
ku unë nji ditë mund të shfaqem
para vetes së njoftun si nji i panjoftun,
me 'i hap të lshuem përpara
me 'i dritë të naltë verbuese
mbi vorrezën që përmbaj
tash ka mot
vajtueshëm ditën e klimaksit
kur mitrat mund të
valviten si balona të ngecuna ndër tela.

As mbramja gurkali
as gastarja e hollë e qiellit mbi liqen
as ernat e dritës drejt boshtit të sŷve të mi
s'ma japin sigurinë e rrzimit prej harkut të urës
drejt ujit të bardhë të fletës së sigurtë
që më përpin si qumsht i bardhë skëterre.

Lexo edhe: Dyshi - poezi nga Primo Shllaku

COMMENTS