Ernest Koliqi, Migjeni dhe Skënder Luarasi

Migjeni, Ernest Koliqi, Skender Luarasi
Kush merret me politikë duhet të llogarisë edhe pasojat qi rrjedhin nga nji veprimtari e tillë, d.m.th. do të presi të shame (shumë) e lavde (pak), shpesh të teprueme në daç të parat në daç të dytat. Në rrethin shqiptar mandej, ku pjekunija dhe njerzija shoqnore mâ të shumtën mungojnë, miratimi a kundërshtimi shfaqen në mënyrë të pabukur, pa shkallëzim ngjyrash (nuanca). Edhe lavdi përdoret jo aqë në naltësim t' akëcilit, po si e shtime pushke e tërthorët për të mposhtë ndoj kundërshtar. Me kohë ndoshta do t' arrijmë edhe na t'a shofim botën me sy të kthielltë, e zotësi dalluese mendjeje, në të gjithë shtrimjen e ndiesive larmiplote, jo të ndame primitivisht me nji vijë të preme, këndej të mirët e të ndershmit, andej bakëqijtë e të mbrapështit. Nevojitet kohë qi të thithin trutë t'ona parime qytetnimi dhe të shlirohen nga skema e filltë mendore qi përfshihet në dy majet e boshtit: Hosana e Crucifige.
Kështu tue qenë punët, mâ i miri qendrim për nji Shqiptar qi merret me politikë asht mos me i përfillë tepër as lavdet as të shamet dhe me i përshkue si të parat ashtu dhe të dytat në sitën e ndërgjegjes së vet, pa ia vu veshin fjalëve të hallkut. A nuk thotë goja e popullit: fjalët e hallkut dhe birat e gardhit, nuk mbyllen kurrë?
Kjo në fushë politike, kurse n' atë letrare meseleja ndrron. Thashethanat e pathemelta duhet me i përgënjeshtrue, sepse kultura dhe letërsija e nji kombit janë visar i çmueshëm, janë palci e jetës së fisit qi duhet ruejtë e papeçatun, gangulluer.
Kjo më shtyn me ndreqë do lajthime e të meta kritike dhe do shtrembënime të së vërtetës qi sjellin mjegullim e pështjellim të dâmshëm në historí letrare t'onë e cila përmbledh e rradhitë kronologjikisht vlerat shpirtnore të kombit dhe fuqín e tij krijimtare.
Prandaj u lypi ndjesë lexuesv të Shêjzave, po qe se këtu po shpërdoroj durimin e mirësishëm të tyne tue mprojtë të vërtetën në nji çâshtje letrare ku ndodhet i ndërlikuem e i përziem personi i im. E njehi veten jo njeri politike qi merret me letërsi, por letrar, qi rrethâna të veçanta e hodhën në vallet e politikës. Prandaj mprohem si letrar. Shka flitet për mue si nji njeri politike nuk më bân as të nxehtë as të ftohtë: jam vaditë me at' avaz. Nji gjâ më vjen keq e më prekë: se ndër shkrime në daç të nënshkrueme në daç anonime ku unë sulmohem, të shumtën e herëve strapacohet mâ tepër gjuha shqipe se personi im.
Po të vijmë në temë.
Skënder Luarasi, në hyrjen e vëllimit të tij me titull "Migjeni" (Tiranë 1957, faqe 22-23) shkruen (nuk kuptohet a pse keq i informuem ase deshtas me qëllim denigrues) çka pason:

"Me Migjenin u pa se në qiellin e Shqipërisë, ku dukej se qenë shuar yjtë letrarë, po lindte një diell. Rinia, gjithë rinia, së cilës i qante zemra për pak dritë e ngrohtësirë në atë stinë të ftohtë të letrave shqiptare, e përqafoi me gëzim e shpresa të mëdha për të ardhmen e kulturës sonë. Shtypi klerikal heshti duke pritur një qëndrim armiqsor: shtypi i regjimit u përpoq ta bënte [1] për vete Migjenin. Ernest Koliqi, i cili e njohu përnjëherësh talentin e Migjenit, i shkroi redaktorit t' Illyrisë nga Roma [2] që ta siguronin me çdo kusht bashkëpunimin e Migjenit për atë revistë profashiste.
Kur më 7 shtator 1935 u botua vjersha "Të lindet njeriu...", po Koliqi, ky agjent i imperializmit italian [3], që paguhej për të rekrutuar intelektualët shqiptarë në shërbim të fashizmit, përdori dhelpëri për të shtënë poetin e ri shqiptar në kthetrat e tij fashiste.

Një dhelpëri të tillë përdori edhe redaktori përgjegjes i revistës "Illyria" i cili dërgon kët letër lajkatare, më 4-XI-1935:

Të ndertit Zotni Millosh Gjergj Nikolla, Shkodër:
Shkrimet e Z. s'Uaj, të cilat me-një-herë kemi vrojtë se kishin nji thekësi ndiesije për t'u shënue e sidomos një tingull njerzuer drejtue kah vuajtjet e të vogjëlvet, jemi përpjekur t'i qesim sa mâ në shesh në faqen e të rinjve.
Për me Ju dhânë zemër të vijoni sa mâ me zell n' udhën letrare qi aq me serjozitet qëllimesh keni kapë, këshilli i Redaksisë i Fletores s'onë, vendosi me botue mbas sodit vjerrshat dhe copat proze të Jueja në faqen e tretë. Si e dini, në faqen e tretë shkruajnë vetëm njata autorë qi mirë o keq e kanë marrë nji-farë shugurimi nga publiku. Shpresojmë se edhe mbas sodit Z. e Juej keni me bashkpunue në mënyrë sa mâ t' afërme në Fletoren t'onë e cila, ndërmjet tëqëllimeve të tjera, ka edhe atë t'i përkrahi të rijtë me vlerë dhe ndjenja bujare. Vendimi i Këshillit të Redaksisë për-sa u përket Jue, asht nji dëshmi e qartë e kësaj përkrahje.
Tue Ju urue suksese sa mâ të gjalla, për dobin e artit dhe të letërsisë shqipe, Ju lutemi të na dërgoni sa mâ parë shkrime në mënyrë qi së paku krye dy javësh emni i Juej të dali në faqe të tretë.
Si titull shpërblimi, kësaj here drejtori dau me Ju dërgue franga ari 10 (dhjetë) me mandat postë d. e sotme [4]".

Këta ma të parat shkrime të Migjenit kanë rëndësi të madhe se dëftejnë menjëherë talentin letrar të Milloshit dhe dëshmojnë se me sa kujdes i kish ruajtur njohuritë e tij të gjuhës amtare, megjithë-se ishte larguar prej qytetit lindor dhjetë vjet më parë, që kur ishte kalama; tregojnë se ç'ndjenja të thella e të forta e lidhnin me atdhenë e tij. Dhe ato letra të Redaktorit të "Illyrisë", tregojnë se me ç'mënyrë lajkatare e dinake u përpoqën profashistët në Shqipëri ta bënin të tyren; tregojnë dhe se ç'karakter pati Migjeni i cili nuk ra viktimë e kurthit të tyre" [5].


Unë s'ia mohoj kritikuesit kuqalash, qi dikur e pata dhe koleg n' arsim, mjeshtrín e perimtimeve letrare dhe historike, por, tue njollosë e prishë në pikpamje shkencore vlerën e shkrimeve të veta, tepër lehtë ai tërhiqet nga fryma ideollogjike (?), ndërkrehet, humbë toruan edhe shkallon prej analizës së mirëpeshueme në shamje e dhunim të së vërtetës.
Dam për letërsinë shqipe.
Punët natyrisht u zhvilluen disi ndryshej e jo ashtu si i tregon panegjeristi i Migjenit.
I nënshkruemi, ... si lexues i zhuritur veprash poezije, qysh në moshën mâ të gjelbër, sa i ranë në dore do vjersha të Migjenit, kuptoj se ai pajisej me nji talent të njimendët poetik. Shija e ime, ushtrue ndër autorë s' pari klasikë e neoklasikë mâ vonë në poetënt të simbolizmit sidomos flamant, ndoshta mëtonte në struktura formale kujdes mâ të madh gjuhësuer e stilistik. Kjo nuk më ndalonte veçse të çmoj në vjerrshatarin djaloshar hovin e ndiesive dhe nji lumní shprehjesh qi merrshin mâ tepër fuqi shi nga thjeshtësia e mungesa e plotë e qëllimeve lajluese. E bisedova me miqtë e Illyrís dhe, nji mendjeje me Branko Merxhanin e Karl Gurakuqin, vendosme me ia botue Migjenit alias Millosh Gjergj Nikollës vjerrshat në faqen e tretë të së përkohshmës, d.m.th. në faqen ku paraqiteshin shkrimet e auktorve t'onë mâ të njoftun. Asokohe (1935) unë ishem student në Padovë e nuk merreshem me politikë, prandej "agjent i imperializmit italian" (në paça qenë ndonji-herë...) duhet të jem qenë bâ mâ vonë.
Rreth asaj periudhe qi shkon ç'prej 1934 e deri me 1937 Skënder Luarasi predikonte marksizmin stalinian i cili orvatej me shkallmue e dërrmue botën shqiptare qi kishte nevojë për njisí edhe përhapte idena dasíje të klasave dhe frymën e luftës civile. Në nji kohë kur duhej fuqizue ideja kombtare, shpallte nevojën ndër të rij t' organizimeve ndërkombëtare d.m.th. hymjen e gjindes shqiptare nën suazën e imperialismit sovjetik. Agjent, pea, deshtas ase padeshtas i Rusís.
Vetëm dishiri me qitë në pah nji poet të ri shtyni redaktorët e Illyrís t'i drejtojnë nji letër trimnuese Migjenit dhe t'i dërgojnë nji shpërblim për vjerrshën e botueme në faqen e tretë të së përkohshmes, vjershë qi u ra menjiherë në sy qeveritarve të kohës të cilët i qiten mjaft turbullime Drejtorís së saj. Fakti se asnji qëllim korrumpues nuk e frymzonte të nënshkruemin, qi njofti botnisht prirjen e rrallë poetike të Migjenit, e provon pak vjet mâ vonë pranimi i tij në rradhën e auktorve rendue e parashtrue n' Antologjinë "Shkrimtarët Shqiptarë" (Tiranë 1941, pjesa e dytë, faqe 471-475). N' atë kohë s'kishem mâ nevojë ta bâj për vete si mbas mendjes së Luarasit poetin orzí shkodran sepse s' pari ky kish ndrrue jetë me 1938, dhe s' dyti, mbasi Shqipnija tashma gjindej pjesë e Perandorís së Liktorit, ishte sosë çdo qëllim korrupimi.
Dalja n' Antologjín e naltpermendun t' emnave të Faik Konizës (faqe 236-249), Fan S. Nolit (faqe 272-288), Mid'hat Frashërit (faqe 294-304), Millosh Gjergj Nikollës nuk mbet pa bâ bujë. U padita si përkrahës personalitetesh e shkrimtarësh kundërshtarë të gjendjes së re. Padinat shkojshin te Mëkambësi e ishin të përpilueme me hollsina nga Shqiptarët ndër të cilët njehej edhe ndoj patriot qi sot më ngarkon me faje të randa politike.
Migjeni xên nji vend të spikatun, në rradhën e shkrimtarëve t'onë, por ia dâmtojnë nâmin ata qi hiperbolikisht e ngjisin në majën e Parnazit ku mbretnon me dy-tre shokë të tjerë Fishta. Nga "Illyrija", Migjeni mori vleftë e zâ [6]. Luarasi ka arrijtë vonë si shpallës i talentit të tij. Ka nis me ia burizânue emnin kur drejtuesat e huej të kuqalashizmit t'onë hetuen në poetin e shqetë nji auktor të përshtatun me u instrumentalizue për qellime të veta hegjemonike. Mbas dekës së tij.
Tash vonë edhe nji-farë Musa Krajet, në vepërzën e thatë "Migjeni mësues" (Tiranë 1973, faqe 15) më shpifet gratis (duket se kuqalashvet u djeg puna se na e kemi hetue e zbulue zotësinë poetike të Migjenit para tyne) përkitasi me poetin e zhdukun para kohe.
Qe çka thotë:

"Ky rreth shoqëror, (i Shkodrës) ndonëse jo shumë i zgjeruar, kishte herë-herë në mes edhe ndonji intelektual të njohur për pikëpamje e qëndrime të tjera. Një nga ata ishte edhe Ernest Koliqi që kishte qenë mësues e më vonë ministër fashist i arësimit. Koliqi kishte bërë ndonji lavdërim për Migjenin, i bindur se "fjala ka këmbë" e, duke i bërë qejfin, do ta bënte për vete këtë njeri të thellë. Dhe është kuptimplote ajo që ngjau një ditë, kur ky agjent i vjetër i fashizmit, duke treguar barsoleta (?), tregoi edhe për një malësor e nënën e tij, duke vënë në pah gjoja budallallëkun e malësorit. Kur të gjithë qeshën, Migjeni jo vetëm që heshti pa asnjë shenjë kënaqësie, po i hodhi Koliqit një shikim përbuzës, duke i thënë shokut të tij në dalje se Koliqi ishte njeri qi tallej me hallet e popullit".

Këtij jetëshkruesi të panjoftun të vjerrshatarit shkodran nuk ia vlen barra qirán me i përgjegjë tue shpenzue frymë kot. Mjafton t'i kumtoj se unë kurrë s'e kam njoftë personalisht Migjenin, prandaj as nuk kam pasë rasë të rrij në kafe me tê. Kaq për hirí të së vërtetës.

Shêjzat - 1974, nr. 1-10.

__________


[1] Nuk mund të radhitet "Illyria" ndër organe shtypi të regjimit, sepse për çdo numër Drejtoria e saj kishte telashe me Ministrin e Mbrendëshm të kohës. Sa për z. Branko Merxhanin e tjerë redaktorë (Anton Logoreci, Odise Paskali, Ismet Toto, etj.) nuk ishin sigurisht përkrahsa të regjimit. Sa për të nënshkruemin, ai ndejti pesë vjet në mërgim (ç'prej 1924 e deri me 1929), si ndjekës i qeverisë FanNoli-Gurakuqi. Shtypi tjetër (fletore e të përkohëshme) as nuk bante tenezyl t'ia përmendnin emnin Migjenit. Aso kohe nji poet ndjehej dierraditë kryekëcyem...

[2] Në Romë kam shkue, i transferuem nga Padova si Lektor i shqipes n' Universitet, në tetuer 1937. Në periudhën qi përmendë Luarasi ishem për vakanca në Tiranë, e bâjshem pjesë në Redaksinë e "Illyrís".

[3] Kam mjaft për me thânë, por e lâ për nji herë tjetër. Sidoqoftë, kjo akuzë përfshin shum kend ndër të cilët edhe disa qi kujtojnë se kanë kthye "virgjen" mbasi qi hangne bukën e përmbysne kupën e fashizmit...

[4] Përmbajtja e shkresës âsht e redaktorve. Përpilimin e bâni Karl Gurakuqi, si e tregon qartas edhe stili tipik i tij qi ndiqte gjuhën e mesme zyrtare.

[5] Mbas lajmeve, qi na erdhen prej Shkodre, Migjeni u gëzue shum për letrën nxitëse të Redaksisë s' Illyrís. Përkundrazi na u idhnuen disa tjerë vjerrshatarë të rij, ndër të cilët Mark Ndoja, qi nuk u gradue... poet i faqes së tretë.

[6] Në periudhën e bashkimit Shqipni-Itali, Beqir Walteri, në zyrë të "Shkëndís", e përkohshmja ku bashkpunuen nji pjesë e mirë të shkrimtarve të cilët mâ vonë fituen nâmë e zâ si përfaqësuesa të rrymës letrare të realizmit socjalist, më solli profesoreshën Ollga Nikolla, të motrën e Migjenit, zonjushë e urtë, me sjellje të mira dhe arsimtare shumë e pregatitun. Ajo kishte përshtypjen se do t'u salvonte nga sistemi i ri. Unë e ndihmova me të gjitha mundësít e mija, qi asokohe nuk ishin të vogla. Përkrahjen time ajo e meritonte, pa marrë parasysh mendimet dhe ndjesít e saja, qi unë nuk deshta të hulumtoj.

COMMENTS