Një lutje për shkrimtarët

Faik Konica - Lutje për shkrimtarët
... Dhe, mbasi fola për shkrimtarët, do të ju them një gjë: kam vënë ré se librat e lutjeve fetare, ndërsa kanë lutje për çdo shkollë e zanat, s'kanë ndonjë lutje të veçantë për shkrimtarët. Unë nuk jam shumë fetar, por ngandonjëherë më hypën zjarri për një besim të shkurtë. Jam tani në një gjëndje të tillë dhe kam gatuar një lutje të shkurtër, të cilën, ju kërkoj leje, t'a këndoj. S'ka të bëjë me asnjë fé të veçantë, dhe njerëz të çdo feje mund t'a pranojnë:

Ati i ynë që je në qiell, jep-na fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë!
Fal-na durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë përmbi të!
Frymzo-na me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë, që të flasim jo vetëm me paanësi po edhe të sillemi ashtu!
Shpëto-na nga grackat e gramatikës; nga shtrembërimet e gjuhës, dhe nga lajthimet e shtypit.
Ashtu qoftë!


Faik Konica - nga një fjalim në radio mbajtur në Washington më 31 mars 1933

COMMENTS