Ernest Koliqi - Malsore me djep

Malsore me djep - Ernest Koliqi
Me djep përpara vetes n' skllop e ulun
midis ernave t' dimnit, mbi nji fmí
keq mblue, zverdhak, me gjí
t' thamun prej ûje dashunisht përkulun,

pa qit' prej goje zâ, por me sy t' gjallë
tue kërkuemun nji lmoshë e me pllâng' dore,
nji nânë e ré malsore
shpirtin m'a theri. - Kalimtar't e rrallë

s' ia njomshin pllângën me ndoj ndihm' prej xhepit
veç vrapojshin n' at t' ftoft' kah shpija e xét:
ajo dorën e zbét
ulte pa idhnim pran' djalit n' zhele t' djepit.

Por m' kapi mue idhnimi. M'u ndye frota
e njerzve qi hán mirë e veshen mirë
e për t' mjeruem s' ndien mshirë;
mníva vetveten q' ishem si gjith bota,

m' erdh turp për gjell' qi m' pritte n' shpín e ime
për zjarmin ngushullues qi m' digjej n' votër ...
E, tuj e vrue at motër
arbnore e at foshnje, u rrmbeva vrik n' mendime,

- ndoshta n' gjakun fisnik q'i rreh te delli
ky fmí kroje ndiesísh vigâne ruen,
dikur ndoshta tash bluen
shllime t' thella ndër trû qi lypa kndelli.

Unshëm, xhelan po i dijshëm n' shkoll' tash rritet,
msheftas tu' ushqye në zêmër t' vet nji idé;
e befas n' nji koh' t' ré
mbi turm' t' paemen me ball t' lir' tash ngritet,

e, tue njoftë ûn q'i vuejti rrugash nâna,
vajin qi ia përkundi djepin n' baltë,
tash pref' menden e naltë
me lypë dritë e drejtsí për fiset t' tâna

qi n' mal banojnë. E psimin n' mosh' fminije,
marren e s' âmes lypse npër qytete,
tue përkujtue n' vetvete,
ai s'ka me i shndrruemun në shestime mnije

por rritun shtatit m' copa rî prej lotit,
nji buk' lumnije e lavdi tash orvatet
me xjerr nga moti e fatet
për vllazën qi zbén ûja n' dhe t' Kastriotit.

O nânë, o nânë e ré, pinjolle mali
irnue prej skamit e prej acarimit,
qindroi, qindroi mjerimit:
mos u deshprò deri sa t' rritet djali.

Shrîje dorën pa turp ndër kalimtarë,
lyp për at foshnje e ushqeje e n' shkolla msoje,
pse ndoshta ai do t' largoje
nâmën qi n' male shpraz' djepat shqiptarë.

COMMENTS